Mehmet Kraja: PËRBALLJA E JUGOSLLAVIZMËS ME NACIONALIZMIN SHQIPTAR NË KOSOVË
(Nga libri “Identiteti kosovar”)
Në konfigurimin e reliefit politik të Kosovës duhet bërë një përkufizim më të qartë të rolit të përbërësve kryesorë të identitetit kosovar. Komunistët, ata që kishin marrë pjesë në LNÇ, që kishin bërë organizimin partiak në Kosovë dhe që Kosovën e kishin lidhë pashkëputshëm me Jugosllavinë, në pikëpamje teorike, deri me shfaqjen e Mahmut Bakallit në skenën politike, nuk ishin në gjendje të shqyrtonin në mënyrë të qëndrueshme asnjë segment të zhvillimeve politike në Kosovë. Madje as t’i kuptonin ato. Ata ishin zbatues besnikë të politikave që përcaktoheshin në nivelin e Serbisë ose të Jugosllavisë, në Kosovë e ushtronin pushtetin në formë të padiskutueshme, bënin jetë të mbyllur, përfitonin aq sa mund të përfitohej në ato rrethana, qarkullonin sa më shpesh që mundeshin në relacionin Prishtinë-Beograd, kishin nga një dashnore serbe ose ishin frekuentues të rregullt të shtëpive publike gjysmë legale. Më anë tjetër, brenda klanit ushtronin konkurrencën dhe xhelozinë, ndërsa në raport me qarqet publike shfaqeshin unikë, të papërçarë. Tregoheshin të kujdesshëm kundrejt kuadrove të reja, të cilat i rekrutonin përmes strukturave të partisë, të lidhura ngushtë me UDB-në dhe spiunët e saj.
Pavarësisht se me kohë ndodhi njëlloj demokratizimi i jetës politike në Kosovë, ashtu sikundër ishte trendi në mbarë Jugosllavinë, klani qeverisës për shumë vite arriti të ruante strukturë pothuajse të pandryshuar, me një shtrirje horizontale tepër të kufizuar, më të kufizuar së të gjitha hapësirat e tjera të ish-Jugosllavisë. Arsyet pse ndodhi kështu ishin të shumta, por më e besueshme është vështirësia e rekrutimit të kuadrove të reja, për shkak të kritereve rigoroze që aplikoheshin në Kosovë, respektivisht të një mosbesimi të përgjithshëm për shqiptarët në Jugosllavinë e atëhershme. Pavarësisht se mund të ishin tepër të devotshëm në kryerjen e shërbimeve ndaj shtetit jugosllav, siç e kemi thënë, shqiptarët duhej ta verifikonin rregullisht lojalitetin e tyre. Prandaj në Kosovë klani i pushtetarëve mbeti i kufizuar dhe nuk arriti të përfshinte brenda vetes struktura më të gjëra të shoqërisë, më shumë intelektualë, më shumë profesorë universiteti, më shumë gazetarë, në shumë mjekë, më shumë inxhinierë, më shumë ekonomistë, juristë, më shumë krijues të fushave të ndryshme. Klani i pushtetarëve në Kosovë, sipas shembullit të vet, u mjaftua të krijonte rrathë luajalësh gjithandej Kosovës, por nuk u tregua i gatshëm të hapte dyert e institucioneve dhe të organeve të pushtetit për shumë prurje të reja. Prandaj, edhe përkundër ushtrimit të gjatë të pushtetit, edhe përkundër favoreve që u bëheshin, klasa e pushtetarëve në Kosovë, me gjithë trashëgimtarët dhe mbështetësit e tyre të të gjitha niveleve, nuk besoj se arriti të përfshinte më shumë se 5% të popullsisë.
Po t’i shihje më nga afër, dilte se edhe kjo klasë luajalësh kishte diferenca dhe çarje të brendshme dhe, sikundër e thamë, shfaqeshin unikë vetëm kur ishin të kërcënuar nga jashtë. Kështu, diferenca të dukshme kishte ndërmjet vetë luftëtarëve të LNÇ-së, të cilët tashmë ishin ndarë në dy taborë: në njërën palë që ende mbaheshin shqiptarë dhe përpiqeshin të ruanin njëfarë drejtpeshimi ndërmjet identitetit shqiptar dhe lojalitetit jugosllav; dhe, në palën tjetër, të cilët ishin të gatshëm të hiqnin dorë ose tashmë kishin hequr dorë nga identiteti në këmbim të lojalitetit. Të parët ishin më të pranueshëm për shqiptarët e Kosovës, sepse kishin familje shqiptare, fëmijë që iu flitnin shqip dhe i kultivonin lidhjet miqësore brenda klanit, ku prania serbo-malazeze nuk ishte aq vendimtare. Kultura dhe mënyra e jetës së tyre qëndronte në një kapërcyell që kurrë nuk kalohej tamam: kishin përvetësuar çdo gjë jugosllave, por ende nuk kishin hequr dorë nga një identitet pasiv shqiptar. Ata ishin plotësisht luajalë ndaj Jugosllavisë, Titos dhe vëllazërim-bashkimit, por meqë ende kishin paraqitje deri diku shqiptare, nuk konsideroheshin krejtësisht të besueshëm nga organet e sigurimit serb, veçmas në situata kritike. Më anë tjetër, konsiderohej se as lidhjet me Kosovën reale nuk i kishin shkëputur tërësisht. Të dytët, ndërkaq, bënin jetë jugosllave plotësisht të integruar, kishin bërë martesa të përziera, nëpër familje flitnin kryesisht serbokroatisht, lidhjet familjare i kultivonin me sllavë dhe vetë kishin filluar ta flitnin keq gjuhën shqipe. Besimi ndaj tyre ishte i madh dhe, në situata kritike, ishin ata që pyeteshin legalisht ose jolegalisht për ndonjë zhvillim specifik në Kosovë. Por, më anë tjetër, të tillët dërgoheshin kryesisht për të ushtruar funksione republikane ose federative, atje ku ushtrimi i pushtetit kishte shumë privilegje, por pak përgjegjësi.
Taborin e tretë e përbënin luajalët e rinj, ata që së fundi, pas një shoshitjeje të gjatë nga partia dhe organet e sigurimit, kishin treguar se mund të ishin të besueshëm për të vazhduar politikat jugosllave në Kosovë. Përveç besueshmërisë, të rekrutuarit në këtë tabor duhej të dëshmonin se, mbi të gjitha, nuk ishin nacionalistë shqiptarë, se kishin respekt për revolucionarët e vjetër dhe se ambicien e tyre për t’u ngjitur rrugës së karrierës nga prapavija duhej ta mbështeste së paku një kuadër i besueshëm i klanit të vjetër, ose të kishte një lidhje krushqie me të. Për këta burra shkallët e ngritjes në karrierë nuk ishin të lehta, sepse t’i çaje radhët e ngjeshura të revolucionarëve të vjetër ishte një punë shumë e vështirë dhe delikate. Prandaj, nuk ishte aspak e rastit që pas kthesave të mëdha në Kosovë, siç ishin vitet 1968 apo 1981, mënjanimet e para ndodhnin pikërisht nga radhët e luajalistëve të rinj, të cilët, sa herë që shihej e nevojshme, sakrifikoheshin lehtësisht nga “ujqërit” e vjetër, kështu që nuk ishte aspak e rastit që edhe pas dyzet vjet të pushtetit socialist numri i kuadrove që qarkulloheshin në pozita të larta në Kosovë kishte mbetur afërsisht i njëjtë dhe emrat që lakoheshin dilnin krejtësisht të njohur.
Qëndrimi ndaj Shqipërisë
Ishte e ditur dhe krejtësisht normale për rrethanat, se politikën e jashtme të shtetit të atëhershëm jugosllav e bënte Titoja. Por ishte dyfish normale që pikat nevralgjike të politikës së jashtme, siç ishte në këtë rast Shqipëria, me rigorozitet të madh i orientonte dhe i kontrollonte vetë njëshi i shtetit dhe i partisë, pa i lënë asgjë rastësisë. Po përse Shqipëria e izoluar, me reputacion të shkatërruar ndërkombëtar, pa miq dhe pa mbështetje nga asnjëri bllok politiko-ushtarak, ishte kaq e rëndësishme për politikat e jashtme të Jugosllavisë, që atëbotë konsiderohej njëri nga shtetet prestigjioze të botës, miqësinë e së cilës përpiqeshin ta fitonte si Lindja, si Perëndimi…?
Pozicioni i Shqipërisë u bë i rëndësishëm për Jugosllavinë veçanërisht pas prishjes me Bashkimin Sovjetik dhe vazhdoi të ishte po kaq i rëndësishëm pas daljes së saj formale nga Traktati i Varshavës dhe lidhjes miqësore me Kinën. Pozicioni i Jugosllavisë së “painkuadruar” ishte jashtëzakonisht i ndjeshëm në raport me blloqet ushtarako-politike dhe ndërhyrjet e shpeshta të Bashkimit Sovjetik në shtetet e Lindjes ishin bërë tmerr për Titon e miqësuar me Perëndimin, por pa një mbrojtje të drejtpërdrejtë nga asnjë aleancë dhe nga asnjë shtet i veçantë. Jugosllavia i kishte në kufijtë e saj NATO-n dhe Traktatin e Varshavës, dihej se në Jaltë ishte vendosur ndarja e saj, vetëm një raport shumë i balancuar i forcave që ushtronin ndikim mbi Jugosllavinë mund ta ruanin këtë shtet që të mos merrte tatëpjetën e pakthyeshme. Në këtë raport forcash që ushtronin ndikim mbi Jugosllavinë, pozicioni i Shqipërisë ishte tejet i rëndësishëm, sepse Shqipëria kishte brenda shtetit jugosllav një minoritet tepër të madh dhe të papërballueshëm edhe për Jugosllavinë njëzet milionëshe, veçmas nëse rebelimin e këtij minoriteti e ndihmonte një Shqipëri e kthyer serishmi në përqafimin e Bashkimit Sovjetik dhe të Traktatit të Varshavës. Titoja e dinte se vetëm një Shqipëri çfarë ishte, e armiqësuar me tërë botën, i shkonte për shtat më së miri politikës së balancave të kujdesshme të Jugosllavisë. Duke bashkëpunuar me Shqipërinë në planin ekonomik dhe tregtar, ai shpresonte të bëhej gradualisht partneri i saj më i rëndësishëm, në mënyrë që ta minimizonte nevojën e Shqipërisë për të pasur pranë një fuqi të madhe botërore. Më anë tjetër, ai e dinte, sepse këtë e kishte provuar edhe më parë, se mënyra më e mirë e pacifizimit të Kosovës mund të bëhej përmes Shqipërisë së varur politikisht dhe ekonomikisht. Zgjimi kombëtar shqiptar në Jugosllavi, i cili dukej i paevitueshëm, më së lehti mund të kontrollohej përmes Shqipërisë.
Nga raportet që bënin për Shqipërinë vizitorë të ndryshëm jugosllavë, përfshirë edhe kosovarët, nga fundi i viteve ’60, kur filluan qarkullimet e para me Tiranën, interesim më i madh shfaqej rreth asaj, nëse kishte shenja të riafrimit të mundshëm të Shqipërisë me Bashkimin Sovjetik, pastaj i bëhej një analizë e rrethanave të brendshme dhe, së fundi, theksi vihej vazhdimisht te gatishmëria e Shqipërisë për të thelluar marrëdhëniet me Jugosllavinë. Një kujdes i jashtëzakonshëm tregohej për fjalimet e Enver Hoxhës, analizoheshin me kujdes nëse aty mund të gjendej ndonjë element i ri, nuk u vihej veshi sharjeve dhe vulgarizmave politike dhe ideologjike, por një analize të hollësishme iu nënshtroheshin paragrafët ku flitej për raportet me fuqitë e mëdha dhe për marrëdhëniet me Jugosllavinë. Kur Enver Hoxha thoshte, ta zëmë, se nëse sulmohet Jugosllavia, Shqipëria përsëri do të luftonte përkrah saj, siç e tha në një rast në Tropojë, këto fjalë barteshin nga një stenogram në tjetrin, nga një analizë në tjetrën dhe interpretoheshin si vullnet i mirë i Shqipërisë për ta rikthyer miqësinë e vjetër me Jugosllavinë.
Të gjithë e dinin në Jugosllavi, përfshirë edhe Titon, se përmes bashkëpunimit kulturor Shqipëria do të eksportonte në Kosovë edhe romantizëm nacional, edhe nacionalizëm, edhe ideologji marksiste-leniniste, edhe enverizëm, edhe spiunazh, pra të gjitha që ajo i kishte të mjaftueshme ose me tepri. Çmimi që duhej të paguante Jugosllavia, për t’iu kundërvënë kësaj makinerie funksionale të Shqipërisë, ishte shumë i madh. Por për këtë ishte përpunuar një strategji, e cila në asnjë rrethanë nuk duhej të dështonte. Që më përpara, përmes formave të ndryshme të joshjes dhe të shantazhit, Jugosllavia, para se të bënte çdo gjë tjetër në Kosovë, kishte rekrutuar bashkëpunëtorë të shumtë të UDB-së. Nuk është e tepërt të thuhet se të tillë kishte shumë në Kosovë, qoftë për shkak se Kosova, krahas traditave pozitive, të tilla që pothuajse nuk i gjeje askund tjetër, kishte edhe traditën e gjatë të nënshtrimit ndaj pushtuesve, respektivisht të qenit në shërbim dhe shërbëtor, pra edhe spiun. Në vitit ’50 dhe ’60, por edhe më vonë, rekrutimi nga UDB-ja ishte masiv, qoftë përmes parasë, përmes privilegjeve, përmes punësimit, përmes shkollimit; qoftë edhe përmes kërcënimeve, siç ishte ndonjë njollë në biografinë personale, të prindërve, të farefisit, ose edhe të njerëzve me të cilët mund të kishe kontakte sporadike. Pra, të gjitha mekanizmat ishin vënë në veprim, por duket se më së miri funksiononte paraja, ngase Kosova, në përgjithësi, kishte një gjendje të rëndë ekonomike dhe ngase mercenarizmi, sikundër e thamë, është një traditë gjithëshqiptare e kultivuar dhe e ushtruar për një kohë të gjatë.
Siç u zbulua pas vitit 1981, Jugosllavia, në raport me Shqipërinë, kishte bërë përgatitje që edhe një herë, si në vitin 1941 me themelimin dhe diktatin ndaj PKSH-së, pothuajse të njëjtën gjë ta bënte me një depërtim të fuqishëm në liberalizimin e jetës politike në vend, duke ndryshuar sistemin, duke nxitur lëvizje politike, duke rekrutuar njerëz etj. Për këtë kishte pasur një plan, i cili tërthorazi u zbulua pas atyre ngjarjeve. Ata që kishin “dizajnuar” bashkëpunimin kulturor Kosovë-Shqipëri, nuk ngurruan të thoshin botërisht se kishin pritur jo shpërthimin dhe destabilizimin e Kosovës, por të kundërtën, atë të Shqipërisë, sepse, sipas mendjes se tyre, efektet e bashkëpunimit disavjeçar duhej te reflektoheshin pikërisht në rënien e sistemit në Shqipëri. Ata kishin qenë të bindur se sistemi jugosllav ishte superior ndaj atij të Shqipërisë, se njerëzit edhe në Kosovën e prapambetur jetonin shumë më mirë se në Shqipëri, se qarkullimi i shpeshtë i njerëzve të estradës, të artit, të arsimit, të shkencës, përzier në shumë raste me spiunë dhe provokatorë ordinerë, herëdo-kurdo të krijonte efekte të rebelimit dhe të rënies së pushtetit të Enver Hoxhës. Pra, Jugosllavia edhe një herë ëndërronte që Shqipërinë ta mbërthente fuqishëm pas vetes.
Në kuadër të këtyre raporteve gati të çmendura ndërshtetërore ndërmjet Shqipërisë dhe Jugosllavisë, Kosova u gjend në mes, e pafuqishme të përvetësonte vetëm njërën apo të refuzonte vetëm tjetrën anë. Vetë konstalacioni politik i kosovarëve ishte tepër i ngatërruar. Elita politike e Kosovës e urrente Shqipërinë, sa për shkak të Enver Hoxhës që e kishte shkruar vetë historinë e LNÇ-së dhe i kishte nxjerrë në sipërfaqe shumë gjëra të pakëndshme që kishin të bënin me Kosovën, sa për shkak të propagandës së fuqishme që distribuonte Tirana, në të cilën udhëheqja e Kosovës quhej e shitur dhe tradhtare. Ndërkaq, kjo elitë politike kosovare aspak nuk ishte kreatore e politikës jugosllave ndaj Shqipërisë. Atë politikë e bënte Titoja me bashkëpunëtorët e tij të ngushtë në Beograd, ku kosovarët nuk bënin pjesë. Elita politike kosovare dukej se e kishte të ndaluar edhe të fliste publikisht për Shqipërinë. Vetëm në mbledhje të mbyllura ajo shprehej lirshëm dhe shfrynte, në dukje të parë kundër Enver Hoxhës, por në të vërtetë shante Shqipërinë në tërësinë e saj. Aty ku kishte mundësi dhe ku nuk binte në kolizion të drejtpërdrejtë me politikat qendrore, po t’i vinte rasti, kjo elitë politike e Kosovës persekutonte pa mëshirë këdo që mund ta gjente të dyshimtë në lidhje me Shqipërinë, duke hapur procese hetimi edhe për ata që dëgjonin Radio-Tiranën. Për të zhvilluar një luftë të ashpër kundër nacionalizmit shqiptar, klasa politike e Kosovës nuk ishte e motivuar dhe e nxitur vetëm nga qendra. Ajo shpesh i tejkalonte udhëzimet që merrte, duke e bërë luftën politike edhe më të ashpër nga ç’duhej të ishte në të vërtetë
Lindja e romantizmit nacional
Më anë tjetër, në Kosovë, përveç opozitës nacionale, e cila konfrontohej drejtpërdrejt me regjimin dhe për këtë arsye burgosej pa mëshirë, ishte krijuar edhe opozita e heshtur dhe e fshehtë, e cila jopublikisht kontestonte çdo gjë që thoshte politika zyrtare. Kjo opozitë e heshtur dhe shumë masive ishte tërësisht mosbesuese ndaj pushtetit dhe njerëzve të saj, pavarësisht në bëhej fjalë për zhvillimet politike në Kosovë dhe Jugosllavi, apo për sharjet dhe përçmimin që ia bënin Shqipërisë. Kosovarët ishin gënjyer dhe mashtruar për një kohë të gjatë nga Jugosllavia, për çdo gjë, më së shumti për të drejtat e barabarta në kuadër të bashkësisë jugosllave. Ata tashmë kishin përfituar aq dije politike, sa të kuptonin se premtimet që ishin bërë dhe fjalët që thuheshin gjithandej nuk korrespondonin me realitetin. Në një rrethanë të këtillë, kur gënjehej në mënyrë kaq të hapur për realitetin që kosovarët e jetonin dhe e kishin para sysh çdo ditë, përse të mos besohej se shumëfish më shumë gënjehej për Shqipërinë, të cilën ata nuk kishin mundësi ta shihnin? Në të vërtetë, realiteti i Shqipërisë për kosovarët ishte realitet virtual, i krijuar me efektet tingullore të Radio-Tiranës, me lajmet e saj, me reportazhet e saj, më vonë me imazhet e kurdisura të Televizionit Shqiptar. Si realitet që nuk jetohej, ai kishte mundësi më të mëdha që të besohej.
Por a kishin zgjedhje tjetër kosovarët, përveç se ta besonin një Shqipëri-ëndërr, një Shqipëri imagjinare? Është e vërtetë se Shqipëria, përmes propagandës, i keqpërdori kosovarët, duke ndërtuar në sytë e tyre një shtet krejtësisht të pamundur, aq i përsosur pretendohej se ishte. Por edhe kosovarët, në mënyrën e tyre, e keqpërdorën Shqipërinë, sepse në hapësirën e saj të kufizuar, në pamjen e saj të rrëgjuar, në mundësitë e saj të vogla projektuan të gjitha mungesat që i kishin tani dhe që i kishin pasur gjatë historisë. Përveç që duhej të ishte një vend ideal në sytë e tyre, Shqipëria duhej të ishte e aftë të bënte luftë për kosovarët, t’i mbronte ata, të kishte armatim superior ndaj Jugosllavisë, të kishte avionë supersonikë, raketa tokë-tokë të largësive të mëdha, armë bërthamore, çdo gjë. Po të mos e besonin këtë Shqipëri imagjinare, çfarë duhej të bënin kosovarët? Cilën alternativë e kishin? Jugosllavinë dhe integrimin në të gjithë përbërësit e saj. Ata tashmë e kishin vërejtur se ky integrim nuk donte të thoshte vetëm lojalitet politik ndaj Jugosllavisë, as vetëm përvetësim dhe miratim i padiskutueshëm i standardeve të saj ideologjikë, por edhe humbje e sigurt dhe pakthyeshme e identitetit. Shqiptarët që e përvetësonin pa rezervë integralizmin jugosllav ishin masë që deformoheshin shpejt dhe pasojat bëheshin të dukshme që në hapat e parë. Rrugëve të Prishtinës tashmë nuk e kishe të vështirë të shihje djem të rinj që imitonin “homot” e Beogradit, ose vajza të reja që çmendeshin pas idhujve të estradës jugosllave, sikundër që mund t’i shihje gjithandej bijtë dhe bijat e gjeneratës së parë të shqiptarëve të integruar, me nëna serbe që flitnin serbisht dhe bënin shkollë serbisht; me nëna boshnjake që flitnin serbisht dhe bënin shkollë serbisht; me nëna maqedone, me nëna hungareze, me nëna kroate, madje me nëna dhe baballarë shqiptarë, që flitnin në familje serbisht dhe bënin shkollë serbisht; apo që nuk flitnin serbisht dhe nuk bënin shkollë serbisht, por që tashmë ishin futur me tërë qenien në spiralen e ndërtimit të identitetit jugosllav. Nga shumica e kosovarëve nuk mund të miratohej një rrëshqitje kaq e shpejtë në identitetin jugosllav (në këtë rast serb, sepse identiteti serb participonte më së shumti në identitetin jugosllav dhe shqiptarët me të i krijonin afritë më të mëdha), sepse të shumta ishin plagët e këtyre marrëdhënieve dhe varret vinin radhë-radhë nëpër të gjitha kohët e historisë.
Të rinjtë kosovarë, nxënësit dhe studentët e fundit të viteve ’60 dhe të viteve ’70, të cilët përbënin potencialin biologjik, botëkuptimor dhe dituror të të gjitha zhvillimeve politike deri në pavarësinë e Kosovës, kishin dy alternativa: ose të shkonin te salla e sotme “1 Tetori” (atëherë “25 Maji”) në Prishtinë dhe të dëgjonin ansamblin “Belo dugme”; apo të shkonin në ndonjërin nga auditorët e atëhershëm të Fakultetit Filozofik dhe, të ulur nga dy vetë në një karrige, të dëgjonin ligjëratat e Eqrem Çabejt, Aleks Budës, Shaban Demirajt etj., të cilat vërtet që për shumë syresh ishin të pakuptueshme dhe shkencërisht tepër të lartësuara, aty-këtu edhe nacional-romantike gjithsesi, por së paku ishin të tilla që thërrisnin në identitet përmes dijes dhe shkencës. Kishte edhe nga ata, doemos, që mund të ishin të pranishëm edhe në koncert, edhe në ligjëratat e profesorëve të Shqipërisë, por të tillët, të dyzuar dhe të papërcaktuar, filluan të bëheshin gjithnjë e më të paktë.
Duke mos mundur dhe duke mos qenë e interesuar që vetë të krijonte identitet të ndarë, e lidhur fort pas Shqipërisë, Kosova u bë nacional-romantike për një kohë tepër të shkurtër. Predispozitat për këtë i kishte të mjaftueshme: Kosova ishte në një shkallë të tillë të zhvillimit dhe të emancipimit, një ambient i tillë arsimor dhe kulturor, i cili absorbonte lehtësisht idetë nacional-romantike. Ajo, më një anë, kishte të pazgjidhur problemin kombëtar, kishte prapa vetes një histori të dhimbshme, e cila e thërriste për vetëdijesim, ndërsa më anë tjetër kishte trysninë e shovinizmit serb, që e ndiqte hap pas hapi; kishte integralizmin jugosllav që i kërcënohej me shpërbërje të identitetit, si dhe kishte ofertën Shqipëri, e cila ishte më e afërt dhe lehtësisht e akceptueshme. Rrëshqitjen e shpejtë të Kosovës në romantizëm nacional dhe më pas në nacionalizëm nuk e ndalnin dot as klasa e politikanëve vendorë, të cilët, duke dashur t’i mbeteshin luajalë Jugosllavisë në çdo rrethanë dhe duke qenë të paarsimuar dhe dogmatë në perceptimin e nacionalizmit, derdhën shumë mund, dhe bënë shumë tautologji ideologjike, dhe ranë në grackën e antishqiptarizmit, jo pse ishin të vetëdijshëm se nacionalizmi shqiptar rrezikonte Jugosllavinë, por më shumë për faktin se atyre dhe fëmijëve të tyre iu shfaqej përpara një e ardhme e pasigurt, në një Kosovë ku ata për shumë kohë kishin bërë punën e spiunëve të vegjël dhe tradhtarëve ordinerë.
Ata nuk e ndalnin dot bashkëpunimin me Shqipërinë, nuk ndalnin dot librat, koncertet, profesorët, shfaqjet teatrore (të cilat i kritikonin në çdo rast në mbledhjet e tyre të mbyllura në Brezovicë ose në Gërmi), sepse Titoja kishte thënë ndryshe. Por as ndonjë kontroll më të rreptë nuk venin dot, qoftë sepse ishin të padijshëm, qoftë nga se e nënçmonin nacionalizmin shqiptar, që kishte fraza dhe parulla të shkruara me shkumës nëpër shkolla, ose pamflete të shtypura me makina të vjetra shkrimi dhe asgjë më shumë se kaq. Njerëz që lexonin vetëm shtypin e Beogradit (ndonjëri pak më i avancuar edhe ndonjë revistë të Zagrebit), ata nuk dinin asgjë për librat, për revistat dhe për produktet e tjera kulturore që vinin nga Shqipëria. Duke qenë struktura parapolitike, struktura publike të sigurimit të shtetit dhe të policisë së fshehtë, ata e kishin përqendruar tërë vëmendjen në zbulimin dhe dënimin e grupeve ilegale, kështu që nuk e kishin as idenë se çfarë ndodhte në botën përreth tyre. Disa syresh, duke dashur të dukeshin më tolerantë, më liberalë, më të afërt me popullin e vet, krijonin ndonjëherë edhe marrëdhënie afrie me nacionalistët shqiptarë, por për këtë menjëherë pastaj bënin autokritikë në mbledhjet e shpeshta të organizatave të partisë. Nacionalizmin shqiptar ata nuk e ndalnin dot edhe për një arsye tjetër: ai po shfaqej në skenë në të njëjtën kohë me nacionalizmin e popujve të tjerë të Jugosllavisë dhe atje, madje, kishte edhe mbështetjen e nomenklaturave partiake dhe politike të republikave dhe të kombeve brenda tyre. Mirëpo, kur nacionalizmi shqiptar u bë i dukshëm, u bë publik, siç ishte rasti i vitit1981, Jugosllavia u bë unike, u ngrit në këmbë dhe i goditi shqiptarët në të gjitha format.
Si u bënë, pra, kosovarët nacional-romantikë dhe çfarë gjetën të glorifikonin te kombi i tyre? Si të gjithë popujt e Ballkanit, gjetën shumë luftëra që i kishin humbur dhe shumë më pak nga ato që i kishin fituar. Nga kjo histori e vuajtjes dhe e pësimit dilte një konkluzion, se kombi është një dhembje e bukur, pra është vuajtje, është sakrificë, që bëhet për një ide të lartësuar. Ky lloj sadomazohizmi është i pranishëm te të gjithë popujt që kombin ende e kanë ide abstrakte, pra, që kombin nuk e përjetojnë si bashkësi që krijon favore, por si bashkësi që kërkon t’i bëhen favore. Në fazën e konstituimit dhe të konsolidimit, të gjithë kombet e kanë këtë atribut, atributin e martirizimit dhe të sakrificës. Në rastin e Ballkanit, në sytë e europianëve kjo duket atipike dhe te kosovarët në mënyrë të veçantë, sepse proceset e vonuara sikur përsërisin një histori tragjike, diçka si ngarendje e fantazmave të ferrit në pikë të ditës. Në të vërtetë historia nuk po përsëritej në Ballkan, vetëm po ndodhte një zhvendosje në kohë e asaj që vetë Europa e kishte kultivuar një shekull më parë.
Më pastaj vinin përbërësit e tjerë romantikë, që glorifikoheshin dhe lartësoheshin në mënyrë joracionale. Këtu bënte pjesë lashtësia, pra origjina ilire e shqiptarëve, e cila te kosovarët mori një domethënie të veçantë. Ata ishin të nënçmuar nga sllavët, me të cilët jetonin në të njëjtën bashkësi, pa dëshirën e tyre. Kosovarët ishin të varfër, të paemancipuar, pa traditë kulturore, në çdo pikëpamje inferiorë ndaj të tjerëve, prandaj duhej ta kërkonin dhe ta gjenin krenarinë në një kohë tjetër. Për kosovarët, të kishe origjinë ilire donte të thoshte të ishe më i lashtë se sllavët në Ballkan, se atëbotë kishe pasur kulturë dhe një civilizim që mund të barabitej me antikën greke dhe romake. Ky idealizëm historik ose gjysmë-historik, gjysmë-legjendar, i përvetësuar dhe i bartur si ide nga shekujt e mëparshëm, nuk u bënte përshtypje vetëm shqiptarëve në atë Jugosllavinë e atëhershme, por edhe të tjerëve, veçmas atyre që kufizoheshin me shqiptarët: serbëve, malazezëve dhe maqedonasve. Liria që secili komb të shprehte identitetin e vet në kuadër të Jugosllavisë, kishte bërë që në njëfarë mase të zhvillohej një garë e brendshme për mitologjinë historike: secili glorifikonte mitet e veta nacionale dhe secili i mbante ato si argumente për barazi ose superioritet. Nëse pranohej teza e origjinës ilire të shqiptarëve, kosovarët dilnin më superiorët e bashkësisë jugosllave. Por, mbi të gjitha, origjina e ilire e shqiptarëve kontestonte të drejtën historike të serbëve mbi Kosovën, sepse me këtë përkufizim serbët shpalleshin “të ardhur në tokën e huaj”.
Teza e origjinës ilire të shqiptarëve në esencën e saj nuk mund të ishte as nacionaliste, as nacional-romantike. Vetëm përdorimi i saj politik i jepte këto atribute. Kosovarët e përdorën atë si një emblemë mbrojtëse kundrejt sulmeve që ndërmerreshin ndaj tyre, si shumicën e përbërësve të tjerë të nacional-romantizmit. Ata nuk patën asnjë mundësi që mitet e tyre nacionale t’i shndërronin në veprime konkrete dhe, në këtë mënyrë, të rrezikonin ose ta cenonin në çfarëdo mënyre ekzistencën e popujve të tjerë. Ata thoshin se kanë origjinë ilire, por nuk kishin në dispozicion asnjë instrument të forcës apo të dhunës, që do t’u jepte mundësi të zgjeroheshin në krejt ato territore, ku dikur ishin shtrirë ilirët. Por, sido që të ishte, Kosovën e donin për vete, jo pse aty ishte ruajtur më së miri vazhdimësia dardane-shqiptare, por më shumë për faktin se hapësira e tyre jetësore që një shekull e prapa ishte rrudhur në vazhdimësi dhe tani kishin dy zgjidhje: ose të qëndronin aty ku ishin, ose të merrnin arratinë, në Turqi, në Shqipëri, kudo qoftë. Ky pozicion vetëmbrojtës i shqiptarëve, pozicion krejtësisht natyror, madje biologjik, nga serbët, maqedonët dhe të tjerët e bashkësisë jugosllave u quajt nacional-shovinizëm shqiptar.
As në këtë rast kosovarët nuk nisën ndonjë ndarje me Shqipërinë, ndonëse patën mundësi ta bënin këtë. Brenda origjinës ilire ata mund të specifikoheshin si dardanë, fis ilir që kishte banua pjesën më të madhe të territoreve ku jetonin shqiptarët në hapësirat e Jugosllavisë, por ky specifikim nuk mori ndonjëherë atribute të një origjine të ndarë, ose të së drejtës historike vetëm kosovare. Në perceptimin e origjinës si përbërës të identitetit kombëtar, kosovarët përvetësuan një zgjidhje krejt logjike krahasuese, madje shkencërisht të qëndrueshme: ilirët ishin populli, dardanët ishin fisi; shqiptarët ishin kombi, kosovarët ishin pjesë e tij. Pra, idenë e ndarjes nga njësia kombëtare ata e minimizuan maksimalisht, sa që as kundërshtarëve të tyre nuk u ra ndër mend ta bënin këtë. Vetëm pas vitit 1981 dolën disa zëra sporadikë që thanë se ishte bërë gabim që kjo ndarje nuk ishte bërë me kohë, madje duke krijuar emërtimin dhe perceptimin për dy entitete: shiptari për shqiptarët në Kosovë dhe albanci për shqiptarët matanë Bjeshkëve të Nemuna. Të gjithë e dinin, edhe hartuesit e elaborateve gjenocidale, se një ndarje e këtillë ishte shkencërisht e paqëndrueshme dhe nuk kishte si të aplikohej te pakicat e tjera kombëtare, të cilat nuk ishin të pakta në Jugosllavi. Kjo ndarje krijonte edhe implikime të tjera politike: po të bëhej nga shqiptarët në Jugosllavi një komb më vete, atëherë kjo do t’i shëmbëllente maqedonëve dhe një republikë e tyre do të ishte e paevitueshme. Këtë më së paku e donin serbët, malazeztë, maqedonasit.
Një përbërës tjetër i nacional-romantizmit shqiptar, nga fundi i viteve ’60 u bë Skënderbeu. Kosovarët e morën nga Shqipëria idenë e shënimit të 500-vjetorit të vdekjes së Skënderbeut. Tashmë në Kosovë kishte arritur një literaturë e mjaftueshme që fliste për Skënderbeun, apo edhe për historinë e popullit shqiptar në përgjithësi; pastaj libra të mjaftueshëm të letërsisë së traditës, libra shkencorë të historisë, të gjuhësisë dhe përgjithësisht të shkencave albanologjike. Rilindësit shqiptarë, të cilët i kishin kënduar Skënderbeut dhe bëmave të tij sa historike aq edhe të pabesueshme; që u kishin kënduar bukurive të vendit dhe kishin ngritur në qiell virtytet shqiptare, në Kosovën e sapo dalë nga errësira e analfabetizmit dhe prapambetjes përnjëherësh u bënë shumë popullorë, të lehtë për t’u kuptuar, të afërt për nga idetë dhe nxitës për nga angazhimi kombëtar. Letërsia e Rilindjes në Kosovë gati për gjysmë shekulli shërbeu si mjeti kryesor i emancipimit: ajo lexohet dhe rilexohet, mësohet përmendësh dhe recitohet, në shkolla dhe në të gjitha aktivitetet kulturore. Përmes saj krijohet përfytyrimi për atdheun, për Shqipërinë, krijohet edhe modeli për heroin kombëtar, për njeriun e qëndresës dhe të sakrificës. Ai, natyrisht, është Skënderbeu, trim i paepur, i pamposhtur nga armiqtë, i pagabueshëm në veprime dhe në gjykim. Ai i shërben Kosovës edhe si simbol i luftës kundër orientalizmit, kundër mentalitetit anadollak, i cili kishte qëndruar i konservuar kryesisht në ambientet urbane, gjysmë turke, gjysmë shqiptare. Në Prishtinë, në vitin 1968, mbahet një simpozium shkencor për Skënderbeun, në të cilin ligjërojnë shkencëtarë të shquar të Shqipërisë. Në sytë e kosovarëve ata kthehen në heronj të dijes, të erudicionit dhe të angazhimit kombëtar. Shfaqet edhe filmi për Skënderbeun, bëhet një ekspozitë tematike dhe shpërndahen emblema me figurën e heroit kombëtar. Ky është një kuadër i mjaftueshëm për të krijuar një përbërës të nacional-romantizmit, i cili në rrethanat e Kosovës gradualisht po merrte atributet e identitetit funksional, i forcës që shtrëngon radhët dhe bëhet element kohezioni dhe qëndrueshmërie.
Përbërësit e tjerë të identitetit
Ndërsa punoja redaktor i suplemteve kulturore të gazetave të Prishtinës, jo shumë vjet më parë më kishte rënë në dorë një fotografi e vitit 1941, e bërë në Pejë më 28 Nëntor të atij viti jo edhe aq të largët. Në atë foto, dy djem të rinj pejanë, rreth të njëzetave, të gjatë, të hijshëm, njëri i veshur me rroba tradicionale të qytetit, ndërsa tjetri “allafrënga”, shihen në qendër të qytetit të Pejës tek mbanin me vete një flamur shqiptar, të cilin e kishin punuar vetë. Në të vërtetë, në foton bardh-zi flamuri duket një improvizim i çuditshëm: një copë katrore e çarçafit të bardhë, në të cilin me bojë të zezë është vizatuar diçka që i ngjan shqiponjës dykrenore. Kjo foto bën me dije se më 1941, kur kosovarët për herë të parë patën mundësi ta përdornin flamurin kombëtar, shumica e tyre nuk kishin as idenë si dukej ai. Edhe nëse në kohën e Haxhi Zekës mund të ishte përdorur flamuri kombëtar, gjë që lë shumë për të dyshuar, që atëherë kishin kaluar më shumë se dyzet vjet të ndarjes me Shqipërinë, kohë kjo e mjaftueshme për të tronditur në esencë identitetin e paqëndrueshëm të kosovarit të zakonshëm.
Kjo foto shpjegon edhe një gjë tjetër: se kosovarët, edhe përkundër pjesëmarrjes në ngjarje të rëndësishme kombëtare, për shkak të oriantalizmës së tyre më të madhe se ç’mund ta mbante një identitet i pakonsoliduar; për shkak të lidhjes shumë të ngushtë me Perandorinë Osmane dhe më vonë me Turqinë; dhe, së fundi, për shkak të shkëputjeve të mëdha me Shqipërinë, e cila tashmë kishte marrë rolin e Piemontit të idesë kombëtare; pra, për të gjitha këto arsye, kosovarët duhej të riformësonin ose të rithemelonin identitetin e tyre kombëtar. Vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe ato të paktë që erdhën pastaj, luajtën rol të rëndësishëm për rikthimin në identitet të kosovarëve, por fill pastaj erdh një shkëputje e re, e cila zgjati deri në fund të viteve ’60.
Pra, nga fundi i viteve ‘60 kosovarëve iu lejohet përdorimi i flamurit kombëtar, atij flamuri për të cilin ata tashmë kishin lexuar ode dhe himne, kishin lexuar histori dhe bëma heroike, kishin dëgjuar për pësime dhe sakrifica. Jo shumë vjet më parë, po për këtë flamur ishin futur në burg dhe ishin dënuar me shumë vjet heqje lirie grupe irredentistësh kosovarë. Për ata tani rrëfehej legjenda se në mbrëmjen e 28 Nëntorit flamurin kombëtar e kishin vendosur natën në të gjitha institucionet e Kosovës, përfshirë edhe lokomotivën e një treni, i cili, me flamurin shqiptar sipër, në mëngjes kishte hyrë “triumfalisht” në Beograd. Kosova, pra, tani kishte krijuar edhe legjendat e saj për flamurin, kishte edhe heronjtë e saj të këtij simboli. Më anë tjetër, ajo tashmë kishte përfituar aq emancipim, sa ta akceptonte flamurin si një simbol themelor të identitetit të saj të ringritur. Ndonëse është fenomen i njohur dhe i përhapur gjithandej, në rastin e shqiptarëve janë dy faktorë që flamurit kombëtar i japin atribute kombëtare, jo vetëm shtetërore: e para, sado që në masë të kufizuar, flamuri filloi të funksiononte si simbol i shqiptarëve përpara se të bëhej Shqipëria (u quajt flamur kombëtar përpara se të quhej flamur shtetëror); dhe, e dyta, ishte Kosova ajo që më këmbëngulje deri në sakrificë kërkoi të ishte e përfshirë në funksionimin gjithëpërfshirës të këtij simboli. Ndoshta çudia më e madhe për rrethanat e Kosovës ndodhte me një paradoks: flamuri shqiptar zyrtarisht ishte lejuar në Kosovë, ndërsa nëpër burgje vazhdonin të qëndronin ata që e kishin kërkuar lejimin e përdorimit të tij. Kjo, ndër të tjera, dëshmonte se politikat jugosllave rreth Kosovës ende ishin në luhatje, ishin joparimore dhe shpesh konfuze.
Për shkak të natyrës së saj si përbërës jopolitik i identitetit, gjuha e njësuar, gjuha letrare, gjuha standarde shqipe nuk u afishua asnjëherë si element i nacional-romantizmit kosovar. Meqë gjuha do të trajtohet veçmas në kuadër të këtij shqyrtimi për identitetin, le t’i theksojmë këtu tri çështje që nuk janë të panjohura, por që mendoj se duhet sjellë në vëmendje të lexuesit pikërisht në këtë vend: e para, se Kosova bëri hapat paraprak të njësimit të gjuhës së saj letrare me gjuhën letrare të Shqipërisë shumë vjet para Kongresit të Drejtshkrimit; e dyta, se që nga viti 1966 dhe prapa, si në shumë fusha të tjera të kulturës, në Kosovë ekzistonte një lloj i idealizmit dhe entuziazmit gjuhësor; dhe, e treta, se vendimi që gjuhëtarët e Kosovës të merrnin pjesë në Kongresin e Drejtshkrimit ishte vendim politik që i tejkalonte suazat e Kosovës.
Lidhur me çështjen e parë, le të rendisim këtu një kronologji ngjarjesh gjuhësore, të cilat ndodhën në Kosovë deri në vitin 1972, ashtu siç i paraqet Rexhep Ismajli në shumë studime të tij për këtë problematikë. Kështu, më 1952, pra njëzet vjet para Kongresit të Drejtshkrimit, në Kosovë u bë një mbledhje gjuhëtarësh, në të cilën u vendos që “si gjuhë letrare të vazhdonte të përdorej gegërishtja e mesme (e përgjithësuar), por me njohjen e tërë leksikut të shqipes si të gjuhës letrare”. Pesë vjet më vonë, më 1957, u mbajt një mbledhje tjetër e gjuhëtarëve, ku u theksua nevoja që gjuha letrare “të ishte sa më afër gjuhës së folur”. Kjo mund të ishte mbledhja që bëri përpjekje të largonte gjuhën e kosovarëve nga “gjuha e Shqipërisë”, por sikundër vërehet më vonë, me vendimet e këtij tubimi nuk dolën të kënaqur as gjuhëtarët, as intelektualët e Kosovës, të cilët disa vjet më vonë, më 1964, duke u mbështetur në ortografinë e Tiranës të vitit 1956, nxorën një ortografi të gegërishtes, e cila çonte në drejtim të afrimit më të madh të dy dialekteve. Atmosfera që u krijua pas vitit 1966 në Kosovë solli frymën e përafrimit më të madh të gjuhës me shqipen letrare të Shqipërisë, kështu që më 1968, Konsulta Gjuhësore e Prishtinës fuqizoi vendimin që në Kosovë në përdorim zyrtar dhe publik të vihej shqipja letrare, ashtu siç ishte kodifikuar në “Projektin e rregullave të drejtshkrimit”, publikuar në Tiranë në vitin 1967, që në të vërtetë ishte një projekt në diskutim publik dhe që synohej të miratohej në momentin përkatës. Organizatorët e Konsultës i pret Fadil Hoxha, që atëherë ishte kryetar i Kuvendit të Kosovës, që domethënë se ky tubim shkencor për gjuhën merr edhe miratimin zyrtar.
Ka të ngjarë që në vitin 1957duket të jetë bërë përpjekja më e drejtpërdrejtë e shkëputjes së gjuhës letrare të Kosovës nga gjuha letrare e Shqipërisë, respektivisht synimi për të krijuar një variant autentik të gjuhës së shkruar shqipe për Kosovën, e cila do të ishte kryekëput dialektore, e mbështetur në gjuhën e folur, duke mos qenë as një gegërishte me bazë historike. Kjo është koha kur Kosova përjetonte një gjendje të rëndë, kur asaj i qenë pezulluar pothuajse të gjitha atributet e autonomisë, përjetonte dhunë sistematike, kishte kaluar aksionin e armëve dhe shpërnguljet masive për Turqi. Trysnia politike doemos që do të jetë reflektuar edhe në vendimin e gjuhëtarëve, të cilët në këtë rast i nënshtrohen situatës dhe duket se marrin vendime të dirigjuara, sepse jo plotë shtatë vjet më vonë, në një klimë pak më të favorshme, e ndryshojnë plotësisht këtë qëndrim dhe adaptojnë vendime që shkojnë në drejtimin tjetër, në përafrimin e gjuhës së Kosovës me të Shqipërisë. Por ajo që bie në sy më qartë në krejt këtë situatë, është varshmëria e pakundërshtueshme e vendimeve të gjuhëtarëve të Kosovës në raport me vendimet që paraprakisht ishin marrë në Shqipëri. Hapat që bën Kosova që në atë fazë për përafrimin gjuhësor me Shqipërinë, kanë qenë me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimet e mëvonshme, sepse gjuha shfaqet këtu si një lidhje shpirtërore që Kosova vazhdon ta mbajë me Shqipërinë, pavarësisht se lidhjet e tjera ishin dobësuar shumë dhe komunikimi kulturor pothuajse ishte ndërprerë tërësisht.
Atëherë, a kishte pra një romantizëm gjuhësor te kosovarët në këtë periudhë dhe si shfaqet ai? Doemos. Gjuha nuk mund të ndahej nga atmosfera e përgjithshme, e cila sundonte në ato vite, pas vitit 1966 dhe deri më 1981. Ishte atmosferë e entuziazmit, e rizgjimit kombëtar, e euforisë, e romantizmit nacional dhe në gjuhë kjo atmosferë do të reflektohet në një përpjekje pothuajse masive për të përvetësuar sa më mirë një normë letrare dhe një ortografi tepër të vështirë për Kosovën, e cila sapo i kishte bërë hapat fillestarë të nxënies së shkrim-leximit. Pra, në atë atmosferë entuziazmi, e cila mbretëronte në fund të viteve ’60, as që mund të mendohej ndonjë vendim tjetër i gjuhëtarëve të Kosovës, edhe sikur të provonin diçka të tillë, përveç se një adoptim i plotë i vendimeve që tashmë ishin marrë në Tiranë. Por, megjithatë, nuk mund të thuhet se gjuha letrare në Kosovë, në këtë rrethanë, qenkësh zhveshur nga funksioni i saj themelor dhe paskësh marrë atribute që nuk i takojnë. Nëse funksioni themelor i gjuhës është komunikimi, atëherë ky komunikim me literaturën e Shqipërisë, e cila kishte vërshuar të gjitha fushat e dijes, do të ishte i pamundur nëse nuk adaptohej një gjuhë letrare e afër me të Shqipërisë. Kosova kishte arritur në gjysmën e viteve ’60 me një numër tekstesh shkollore të përkthyera, me pak letërsi dhe me një shkrim publik dhe zyrtar të deformuar, për shkak të ambientit bilingual dhe dominimit të serbokroatishtes. Për një kohë shumë të shkurtër të gjitha nevojat elementare me tekste dhe literaturë u plotësuan nga Shqipëria, me marrje të drejtpërdrejtë ose me ribotime. Shfrytëzimi i kësaj literature ishte bërë i domosdoshëm për rrethanat e Kosovës dhe një komunikim me të do të ishte i pamundur nëse nuk adoptohej edhe në Kosovë një gjuhë letrare e përshtatur me atë të Shqipërisë. Gjuha letrare që vinte nga Shqipëria për Kosovën e atyre viteve ishte gjuhë e arsimimit dhe emancipimit. Pa këtë gjuhë letrare, Kosova do të ishte e destinuar të varej jo nga vetvetja, sepse gjërat e veta i kishte aq të pakta, por nga dija dhe kultura sllave, e cila edhe ashtu kishte marrë një shtrirje tepër të gjerë dhe ishte futur në të gjitha poret e jetës, përfshirë edhe fushat e mendimit. Le të ishte politik vendimi për të njësuar gjuhën letrare; le të ishte i padrejtë dhe i imponuar; Kosova nuk kishte alternativë tjetër, përveç se ta adoptonte me çiltëri dhe entuziazëm. Nuk mund të thuhet se këtë e bënte për shkak të ideologjisë, ose vetëm për shkak të patriotizmit, as për shkak të inferioritetit kundrejt Shqipërisë, megjithëqë kishte pak nga të gjitha. Ajo e bënte këtë për shkak të nevojave të saj, për shkak se nuk kishte rrugë tjetër. Me një gjuhë letrare të ndryshme nga Shqipëria, Kosova do të shkërmoqej, do të shpërbëhej, do të tretej. Nuk do të krijonte identitet, por do të vajtonte identitetin e humbur.