Akademikët e famshëm shqiptarë të Athinës
Shumë shkencëtarë shqiptarë kontribuan në shkencë dhe u bënë akademikë të njohur në Greqi. Kush ishin profesorët e famshëm shqiptarë që u bënë pjesë e Akademisë së famshme të Athinës? Këtë pyetje e plotëson historiani Arben Llalla me hulumtimet e tij të kujdesshme dhe me punën e palodhur që kryen në vlerësimin e çështjes shqiptare në Greqi.
Dhimitër Egjiniti (1862-1934)
Dhimitër Egjiniti është nga një familje e lavdishme detare arvanitase, që ishte vendosur në Egjina. Babai i tij quhej Dionis Panajotu. H. Haxhi, që e ndryshoi në Egjiniti mbiemrin. Pothuaj gjithë pasurinë e tij ia fali shtetit grek. Është ai që në testamentin e tij la të hollat dhe u ndërtua spitali i sotëm “Egjiniot”. Bir i këtij mjeku të madh është Dhimitër Egjiniti, që lindi në Athinë më 1862. Pas mësimeve në gjimnaz, u regjistrua në seksionin e matematikës të Insitutit Filozofik të Universitetit të Athinës dhe mandej me bursë të këtij universiteti, studioi për Astronomi në Sorbonë dhe në Londër. Më 1888 Harrilla Trikupis u informua për këtë vlerë shkencore, e ftoi të vinte në atdhe dhe e emëroi Drejtor të Asteroskopios (Qendër Vëzhguese Astronomike). Më 1896 u bë profesor i Astronomisë në Universitetin e Athinës. Asteroskopi i Athinës ia dedikon ekzistencën dhe formën e tij e deri sot Dhimitër Egjinit aq sa mund ta quajnë atë me emrin Dhimitër Egjiniti. Është themelues i Akademisë së Athinës dhe një nga të parët autorë të saj. Në vitin 1929 ishte kryetar dhe më 1933-1934 sekretar i përgjithshëm i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1934.
Angjello Gjini (1895-1828)
Gjinët janë familje e madhe arvanitase që ishin vendosur në ishullin Speca. Historia e familjes Gjini nis që përpara Revolucionit të 1821. Gjyshi i Angjelo Gjinit, Antonio Gjini, kapedan me anijet e veta, ndërmori më 1793 të mbartë nga Stambolli në Francë, nëpunësin e lartë me mision special, duke thyer bllokadën e bregdetit të Francës, që i ishte inponuar atëherë. Gjini,natyrisht, ia doli mbanë, por anija e tij u përplas dhe u shkatërrua. Atëhere mbledhja e Konventës në Francë votoi dhe i dhuruan një tjetër anije, por i hëngrën shpërblimet e premtuara. I kësaj familje është pasardhës Angjelo Gjini. Angjelo Gjini u lind në Speca më 1895, studioi në Gjermani, në Universitetin Politeknik të Oresdenit. Harrilla Trikupi e ftoi të vinte në Greqi. Angjelo Gjini është krijuesi i vërtetë dhe organizuesi i Universitetit Politeknik “Meçovio”, që mban edhe sot trajtën që i dha ky shkencëtar i ndritur arvanitas. Mund të themi pa frikë se Universiteti i Athinës, siç është sot, është vepër e Angjelo Gjinit, që veç të tjerave, dha mësim deri më 1928, kur vdiq. Angjelo Gjini është ndër më të parët akademik i Akademisë së Athinës.
Sotiri Skipi (Shqipi) (1881-1952)
Sotiri Skipi është nga familja e lënduar epirotase e arvanitasve, Skipidë, që ishin komitë kryengritës. Në luftën për liri të kombit dhanë një kontribut të pallogaritshëm. Morën pjesë në daljen nga Mesologji, në Rumeli, me arvanitasit nga e njëjta farë e Karaiskaqit, në Poloponez, në Neokastro dhe kudo ku i thërriste detyra për lirinë e atdheut të tyre, Greqinë. Disa Skipidë patën lumturinë ta shikojnë të lirë atdheun për të cilën derdhën kaq gjak dhe e nderuan disi veçanërisht. Nga këta Skipidë (Shqipë) ishte Sotir Skipi që lindi në Athinë. Fatkeqësitë në jetë bën që ai të emigronte në Paris, ku jetoi për shumë vjet. Atje u përzie me shkrimtarë dhe ndoqi mësimet estetike dhe letërsie. Ishte mik i ngushtë i Zhan Moreasit, i Pol Farit, etj. Në Athinë botoi revistën ‘’Akritasi’’. Më 1922 u nderua me çmimin e Letrave dhe Arteve dhe më 1929 e emëruan sekretar i përgjithshëm i shkollës së Arteve të Bukura. Mori pjesë në Rezistencë gjatë pushtimit nazist. Më 1946 u zgjodh Anëtar i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1952 në Francë, ku kalonte zakonisht stinën e verës.
Gjeorgjio Sotiriu (1880-1965)
Gjeorgjio Sotiriu lindi në një familje arvanitase në Speca më 1880. Pas shkollës, studioi në Fakultetin Teologjik në Universitetin e Athinës. Mandej shkoi në Gjermani dhe Austri, ku u mor posaçërisht me historinë e artit bizantin dhe mbishkrimet e kësaj kohe. Deri në vitin 1923 punoi në gjimnaze, dhe më vonë mori drejtimin e Muzeut Bizantin të Athinës. Më 1924 u zgjodh Profesor i arkeologjisë Kristiane dhe i mbishkrimeve në Fakultetin Teologjik të Universitetit të Athinës, deri më 1961. Më 1926 u zgjodh Akademik dhe më 1941 u zgjodh kryetar i Akademisë së Athinës. Gjatë jetës mori çmime të larta. U bë antar i Akademisë së Rumanisë, i Akademisë Dei Lincei të Romës, i Fakultetit Arkeologjik të Berlinit, Vjenës dhe Pragës. U nderua me shumë medalje dhe vlerësime. Gjeorgjio Sotiriu ishte një vlerë shkencore me famë ndërkombëtare. Vdiq më 1965 në Athinë.
Spiridon Doda (1878-1958)
Është nga familje luftëtarësh të Hidrës. Janë të njohura bëmat heroike të gjyshit të tij, Spiro Doda, që luftoi me trimëri të veçantë turqit e ngujuar në Akropoli. Spiridon Doda lindi në Athinë më 1878 dhe, pas gjimnazit, vazhdoi Universitetin e Athinës dhe më pas ndoqi studimet në Gjermani dhe Holandë. Më 1925 u bë profesor i Farmakologjisë Eksperimentale, dhe më 1927 u bë profesor i Fiziologjisë Eksperimentale dhe dha mësim deri më 1947, kur u tërhoq. U zgjodh anëtar i Akademisë së Athinës më 1913 dhe kryetar i saj më 1943-1944. Gjatë pushtimit gjerman ndihmoi për shpëtimin e grekëve dhe çifutëve dhe u ndoq prej pushtuesit. Vdiq më 19 nëntor 1958.
Kostandin Horemi (1898-1966)
Arvanitas nga Klementi i Karintias. Lindi më 1898, pas gjimnazit studioi në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Athinës. Më 1923, shkoi në Berlin, ku punoi mjek në kopshtin Bashkiak të fëmijëve dhe më 1929 u bë drejtor i këtij kopshti. Më 1935 zgjidhet pedagog i rregullt i Universitetit të Athinës, dhe më 1958 u bë anëtar i Akademisë së Athinës. Një nga veprimtaritë më të suksesshme të tij si mjek ishte lufta me tuberkulozin tek fëmijët, me anemikët dhe shumë kërkimeve të rëndësishme me qëllim verifikimin e shëndetit të fëmijëve grekë. U ekzaminuan 65.000 fëmijë dhe punimi u ndërpre sepse Horemisi u kap nga gjermanët pushtues. Ndër punët e tij serioze shkencore janë studimet pediatrike. Nuk arriti ta plotësojë veprën e vet deri në fund. Vdiq më 1966.
Aleksandro Diomidi (1875-1950)
Aleksandro Diomidi rrjedh nga një familje e madhe e pasur arvanitase, që zbriti nga Epiri dhe u vendos në ishullin Speca. Ushtruan detarinë, dhe bënin tregti në Mesdhe. Mbiemri fillestar ishte Qiriako dhe e ndryshuan që të ruhen emrat klasikë grekë. Në kryengritjen e 1821 dhanë të gjithë pasurinë e tyre . Është fjala për një prej familjeve më të ndritura arvanitase. Aleksandër Diomodi është edhe nipi i juristit të shquar Diomid Qiriaku dhe bir i Nikolla Diomidis Qiriaku. Aleksandër Diomidi lindi më 1875. Vazhdoi Fakultetin Juridik në Universitetin e Athinës dhe, në vazhdim, në Francë dhe Gjermani. U bë ministër i Ekonomisë më 1913, ministër i Drejtësisë më 1918, ministër i Jashtëm më 1922, drejtor i Bankës Kombëtare, Kryetar i Këshillit të lartë ekonomik etj. Më 1945 u bë anëtar i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1950.
Vasil Egjiniti (1875-1959)
Vasili është nga e njëjta familje e Dhimitër Egjinitit. Vasil Egjiniti lindi në Athinë më 1875. Pas studimeve në Fakultetin e Filozofik të Athinës, vijoi studimet në Paris. Më 1904 u caktua profesor i matematikë-fizikë në Universitetin e Athinës ku dha mësim deri më 1947. Studimet e tij në Mekanikë, Elektrikë, Meteorologji dhe Astronomi janë shumë të rëndësishme. Zhvilloi një veprimtari të vyer drejtuese adimistrative në Universitetin e Athinës, kryesisht në sektorin ekonomik. Ia doli të ndërtojë sallën e laboratorit dhe të rregullojë çështjen ekonomike të Universitetit në periudhën e vështirë të pushtimit gjerman. Më 1952 u bë Akademik i Akademisë së Athinës. Vdiq në vitin 1959.
Maksim Miçopulos (1897-1968)
Është nga familje e mirëfilltë arvanitase. Mbiemri i mëparshëm i familjes ishte Rizos. Familja Miçopulos u shpërngul nga Epiri dhe me familjet e tjera arvanitase u vendos në Peloponez, që atëherë ishte plotësisht i banuar me arvanitas. Nga kjo familje vjen Maksim Miçopulos. Është biri i Konstandin Miçopulos që themeloi Muzeun gjeologjik mineral të Universitetit të Athinës. Maksi lindi në Athinë më 1897. Studioi shkenca natyrore në Universitetin e Athinës dhe u specializua në Mynih të Gjermanisë për gjeologji dhe paleontologji. Më 1939 u bë pedagog i gjeologjisë dhe paleontologjisë në Universitetin e Athinës. Në vitin 1947 ishte profesor në Universitetin Politeknik. Më 1955 bëhet Akademik. Me rëndësi janë kërkimet e tij profesionale për të cilat u dekorua nga Akademia e Athinës. Vdiq më 1968.
Vasil Malamos (1909-1973)
Nga viti 1550 Malamët janë një familje luftëtarësh nga Epiri. Një Malamos u orvat të pushtojë me njërëzit e vet Artën dhe Janinën. Shumë Malanë ishin komitë dhe kapedan çetash. Jorgo Malamos ishte komandant i një grupi suliotësh dhe u nderua nga Kopodistria. Pasardhës i kësaj familje është Vasili Malamos i cili lindi në Athinë në vitin 1909. Ai studioi në fillim në mjekësi në Athinë dhe më vonë në Hamburg. Punoi në Universitetin e Hamburgut, të Frankfurtit, dhe pranë zbuluesit të penicilinës A. Fleming. Shkoi në Brazil për kërkimet në fushën e sëmundjeve tropikale. Më 1953 u bë pedagog në Universitetin e Athinës dhe drejtor i Spitalit në Athinë. U bë Akademik më 1970, dhe vdiq më 1973. Vlera shkencore e tij është e njohur botërisht, ndaj ai u propozua të drejtonte punimet e mjekësisë qelizore dhe Biologjike, që u mbajtë në Athinë, por atë vit ai vdiq.
Dhimitri Kaburoglu (1852-1942)
Mbiemri Kaburoglu është i mëvonshëm. Preardhja e familjes së Dhimitrit është nga Stambolli, por që ishin në fillim familje e madhe arvanitase nga Epiri. I pari që mori mbiemrin Kaburoglu ishte baba Kuruzo, dhe turqit e quajtën Kaburoglu-bir i kurizos dhe qysh atëherë u mbeti mbiemri Kaburoglu. Gjithë parardhësit janë njerëz të shquar të kohës dhe gratë me të cilat u martuan ishin nga familje zyrtare të Fanarit (Stamboll). Babai, Grigori, boton revistën ”Efterpi” dhe nëna e tij, Marina Jeronda boton “Përralla dhe fjalë të urta Athinare”. Dhimitër Kaburoglu studioi për drejtësi në Athinë, punoi si avokat dhe më pas hyri në fushën e drejtimit të punëve publike. U mor me letërsi dhe punoi si drejtor i revistës “Java”. Shkroi tregime, drama, komedi, romane dhe histori. U mor veçanërisht me Athinën e epokës së vet dhe u mbiquajt dhe “Athineograf”. Në vitin 1927 bëhet Akademik. Vdiq më 1942.
Teofil Voreas (1873-1954)
Teofili lindi në Marusi në vitin 1873. Është nga familja arvanitase e Marusit. Pasi mbaroi studimet e larta u dallua për rezultatet, ndaj u caktua ndihmës i Profesor Dhimitër Egjinitit në Asteroskopin e Athinës. E tërhoqi Filozofia dhe Teologjia. Studioi në Fakultetin Filozofik-Teologjik në Universitetin e Athinës. Më 1912 u caktua pedagog i Filozofisë në Universitetin e Athinës ku dha mësim deri në vitin 1939 dhe si pedagog nderi deri më 1946-1949. Nga viti 1913 deri më 1925 u përpoq për krijimin e laboratorit psikologjik ku u bënë mjaft kërkime eksperimentale serioze. Më 1926 u bë Akademik dhe më 1936 kryetar i Akademisë së Athinës. Vdiq më 1954.