Irma Kurti vlerësohet me çmim të parë në Itali
Një tjetër vlerësim për poeten shqiptare Irma Kurti në Itali: përmbledhja poetike “Senza patria”(Pa atdhe) nderohet me çmimin e parë në seksionin e autorëve të huaj në Edizionin e XXIII-të 2017 të Konkursit Ndërkombëtar të Poezisë “Poseidonia – Paestum” në (Salerno).
Konkursi i mësipërm organizohet nga Komuna e Capaccio Paestum dhe Lions Club në bashkëpunim me Agjensinë Autonome të Mikpritjes e Turizmit në Paestum.
Ceremonia e shpërndarjes së çmimeve u zhvillua në praninë e personaliteteve të botës së artit dhe të kulturës. Juria e konkursit drejtohej nga gazetari dhe shkrimtari i njohur Ermanno Corsi si dhe personalitete të tjera në fushën e krijimtarisë letrare. Mbrëmja u drejtua nga Rita Bellelli.
Në motivacionin e jurisë shkruhej: “Motivi mbizotërues i përmbledhjes poetike të Irma Kurtit është distanca. Në vargje i këndohet gjurmës së thellë që koha dhe largësia krijojnë midis njerëzve dhe gjërave të dashura. Thjeshtësia e vargjeve, vlera simbolike e imazheve e bëjnë interesante dhe e dallojnë veprën.”
“Pa atdhe” ndahet nga dy pjesë. Pjesa e parë titullohet “Kujtimet në vargje”. Në të zenë vend kujtimet, ritmi frenetik i ditëve, udhëtimet, zhgënjimet, nostalgjia etj. Pjesa e dytë: “Kjo dashuri” i këndon dashurisë universale, asaj në çift si dhe lidhjes së fortë e të përjetshme mes prindërve dhe fëmijve.
“Me një gjuhë të thjeshtë dhe të drejtpërdrejtë, poetja Irma Kurti na ofron edhe një herë një univers ndjesish, një lloj ditari në vargje që hap dyert e reflektimit mbi temat intime dhe ekzistenciale” – shkruan gazetarja Grazia Pia Licheri në parathënien e librit. “Poetja shkon drejt e në zemër të lexuesit, duke rrëzuar si gjithnjë idenë se poezia është mjet vetëm për disa të zgjedhur, sepse format e të treguarit të mbushura me ornamente të tepërta dhe truket letrare nuk i përkasin aspak stilit të saj”.
Irma Kurti ka botuar 15 libra në gjuhën shqipe si dhe nëntë në gjuhën italiane. Librat e saj janë përkthyer në disa gjuhë të botës: në anglisht, frengjisht, spanjisht dhe gjermanisht.
Për poezinë dhe prozën i janë akorduar 35 çmime në konkurse të ndryshme letrare në Itali e Zvicër.
Kush është Irma Kurti?
Irma Kurti është poete, shkrimtare, autore e suksesshme e teksteve të këngëve dhe gazetare. Lindi në 20 mars 1966 në Tiranë. Përfundoi studimet në Fakultetin e Historisë e të Filologjisë, dega anglisht në 1988. Punoi si mësuese e gjuhës angleze dhe më vonë gazetare në disa organe shtypi si në gazetën “Mësuesi”, “Poli i Qendrës”, “Dita Informacion” etj.
Në shtator 1997 ndoqi në Universitetin e Athinës në Greqi kursin 1 vjeçar për mësimin e gjuhës dhe kulturës greke. Ka kryer kurse të ndryshme specializimi për gazetari në Gjermani, Norvegji, Danimarkë, SHBA, Francë, Itali, Zvicër etj.
Irma Kurti nisi të shkruajë poezi në moshë të vogël. Krijimet e para i botoi në revistat “Fatosi” e “Pionieri” dhe në të njejtën periudhë këndoi në skenën e festivaleve për fëmijë në Elbasan, ku e kaloi fëmijërinë. Prindërit, Hasan e Sherife Kurti u bënë nxitja e inkurajimi i saj më i madh. I ati, me profesion mjek radiolog, lexonte shumë e ia trasmetoi dhe së bijës këtë pasion.
Në 1980 u nderua me çmimin e parë në Konkursin Kombëtar me rastin e 35-vjetorit të Revistës “Pionieri”. Në 1989 fitoi çmimin e dytë në Konkursin e organizuar nga Radio – Tirana, me rastin e 45-vjetorit të çlirimit të Atdheut. Më pas, poezitë e Irma Kurtit u botuan në gazetat e revistat “Drita”, “Zëri i Rinisë”, “nëntori”, “Shqiptarja e re”.
Irma Kurti njihet nga publiku i gjerë si krijuese e talentuar e teksteve të këngëve të lehta. Është pjesëmarrëse në dhjetëra anketa muzikore, festivale kombëtare e koncerte pranvere para dhe pas viteve ‘90-të. Shumë prej këngëve me tekstet e saj janë nderuar me çmime dhe poezitë e tyre kanë mbetur ende tek dashamirësit e muzikës së lehtë. Plot tekste të suksesshme poetja i shkroi që në bankat e universitetit. Përmendim këtu: “Urimi yt”, “Mbrëmja që mban dashurinë time”, “Pranë të kaltrit det”, “Letër malli”, “Një çast në kujtesën tënde”, “Shikomë në sy”, për të vazhduar në vitet e mëvonshme me: “E njejta ëndërr”, , “Larg nga vetvetja”, “Dhe prapë jam kthyer”, “Trokite tek dera”, “Të jem për ty Number 1”, “Imazh i largët”, ”Nën dritën e qirinjve”, “Befas zgjohem”, “Ndjehem ndryshe” etj.
Irma Kurti është përfshirë në disa antologji të Librarisë Ndërkombëtare të Poezisë në Maryland, në USA: “Forever spoken”, “The best poems and poets of 2007” etj. Krijimet e saj në poezi e prozë bëjnë pjesë në shumë antologji në Itali: “Il Federiciano” publikim i Shtëpisë Botuese Aletti Editore 2010, “Diffusione Autori” 2011, të “GDS Edizioni”, “Lingua Madre – Racconti di donne straniere in Italia 2012/2013”, “Enciklopedia Universale e Autorëve Italianë” 2013/2014/2015/2016, Premio Napoli Cultural Classic 2010/2011/2013/2016, Premio Prato Città Aperta, 2016 etj.
Ka fituar 30 çmime dhe vlerësime të ndryshme në konkurse ndërkombëtare letrare në Itali, në Zvicër e më gjerë.
Në vitin 2013 fitoi çmimin ndërkombëtar “Universum Donna” për letërsinë dhe emërtimin “Ambasadore e Paqes” nga Universum Academy dhe Universiteti i Paqes në Lugano, Zvicër.
U shpall “Poetja Shqiptare e vitit 2015” nga Qendra P.E.N e Shqipërisë.
Irma Kurti jeton në Bergamo, Itali.