Suzana Tahiri: Shqiptarët, mes vlerave civilizuese, kombit dhe fesë
Ka ngjallur diskutime ngjarja në një kopësht të palicensuar në Maqedoni ku fëmijë fare të vegjël, në shkelje të ligjeve të shkruara dhe të pashkruara, ushtroheshin në praktika fetare. Ngjarja është dënuar masivisht nga institucione shtetërore, nga faktori politik shqiptar në Shkup dhe drejtues religjioni e megjithatë shqetësimi mbetet.
Në një shekull kur koha punon për shqiptarët, pra për unifikimin e tyre si komb e territor në anën e kombeve më të shquara euro-atlantike, janë të papranueshme dhe të pakonceptueshme teprimet me fundamentalizmat qofshin ato katolike, muslimane, ortodokse apo të ndonjë sekti tjetër.
Shqiptarët, edhe në kohë më të vështira për ta, kanë ditur të orientohen kah vlerave civilizuese duke dhënë kontribut të ndjeshëm në universin europian dhe botëror.
Personalitete të tilla të spikatura si Gjergj Kastrioti Skënderbeu apo Shën Tereza, me origjinë nga viset tona etnike, kanë lartësuar Shqipërinë në shkallë planetare.
Edhe krye-etrit e Vatikanit me origjinë po shqiptare kanë lënë gjurmë në civilizimin botëror, jo aq si shërbestarë të Selisë së Shenjtë (detyrë që e kanë kryer deri në përkushtim), por si përçues të cilësive të larta njerëzore, të dashurisë për njeri-tjetrit, të nxitjes së dijes dhe të një sërë vlerash të tjera që përbëjnë fundamentin e kontinentit të vjetër.
Kongresi i Manastirit më 14 nëntor – 22 nëntor 1908 përbën një ngjarje epokale për shqiptarët kur u vendos përdorimi i alfabetit latin me 36 shkronja, duke e rikthyer Shqipërinë pas një sundimi të gjatë otoman drejt vlerave perëndimore.
Natyrisht që shqiptarët, si të gjitha popullsitë e tjera, kanë problemet dhe veset e tyre, por kjo asnjëherë nuk duhet të lejojë aktet ekstremiste të kujdo besimi qoftë sepse më shumë se gjithçka ndër shekuj nuk na kanë bashkuar jo mercenarët, bashkëpunorët e turli regjimeve, por vlerat perëndimore tek të cilët kemi edhe individualitetet më të spikatur.