Albspirit

Media/News/Publishing

Hyqmet B. Hasko: Shënime për vëllimin poetik “Shtegtimi i grave” të Ilir Levonjës

 

Kur forma dhe mesazhet kulmojnë në thellësitë poetike…

Emri i Ili Levonjës lidhet me shkrime të shumë e me verb të fortë analitiko-reflektiv, opinione të goditura e kurajoze, grimca publicistike e zhanre letrare, si poezi, tregime, kritika letrare, me të cilat ka qenë më se i pranishëm në shtypin shqiptar për një periudhë të gjatë dhe vazhdon të jetë ende, edhe pas largimit të tij në SHBA.
Shkrimet dhe librat e tij mbajnë “vulën” origjinale të një krijuesi, që di se çfarë shkruan dhe ka përgjegjësinë dhe përkushtimin e plotë të publicistit dhe letrarit të angazhuar, që tenton t’i përcjellë mesazhe shoqërisë, për ta bërë atë më të ndjeshme ndaj gjithçkaje që ndodh në të.
Leximi i librave të Ilir Levonjës i ngjet një zbulimi të përçdofjalshme, të çdo gjetje e detaj, të çdo figure e imazhi, të çdo mesazhi e kumti, duke përftuar një bashkëshoqërim trajtash, fjalësh poetike, gjendjesh dhe mundësishë të shpalimit poetik.
Veçmas poezia, me të cilën ka dalë fillimisht në rrugë dhe duket se e ka “bijëz” të përkëdhelur, prezanton para lexuesit të kujdesëshëm një artist të talentuar të fjalës poetike, një mjeshtër të gërshetimit të trajtave formale me anën e brendshme dhe mesazhore të tekstit poetik.
Më ka bërë shumë përshtypje dhe e kam lexuar me ëndje vëllimin e tij me tregime “Gruaja me qerpikë të gjelbër” dhe mbeta i befasuar për sensin realist, fuqinë e imazhit dhe përshkrimit, freskinë e gjetjeve rrëfimtare. Më ka suprizuar fakti, se shkrimtari Ilir Levonja jo vetëm i njeh shumë mirë mjetet shprehëse letrare, por edhe i përdor mrekullisht, ku duhet dhe kur duhet. Mjafton të sjellë në vëmendje tregimin “Gruaja me qerpikë të gjelbër”, me të cilin titullohet krejt vëllimi, ku autori bën fjalë për një plagë të rëndë shoqërore të kohës, për të depërtuar në labirinthet e kriminalizimit të mbarë shoqërisë.
Duhet thënë se shkrimtari, nga njëri krijim në tjetrin na ka falur emocione dhe kënaqësi të reja dhe shumëplanëshe, duke filluar nga përmbledhjet me lirika “Qielli përkundrejt “ dhe “Gjurmët “, në realizmin befasues dhe sugjestiv në vëllimet me proza “Gjenerali vret pëllumbat“ dhe “Burri që ruante lulet e bajames“. Tek Levonja bashkohen ndjenja e qartë, e sinqertë e të përjetuarit lirik me kuptimin meditativ të vargjeve, ku ai me një talent të pazakontë ia ka dalë të krijojë subjekte realiste për skaj të cilave nuk mund të kalohet me indiferencë.
Në këtë pikëpamje, me dëshirë dhe kërshëri të veçantë, mora në dorë librin e tij të fundit me poezi “Shtegtimi i grave”, ku poeti shfaqet në linjën e tij të angazhimit qytetar për një shoqëri më të mirë e më të drejtë, ku të sundojë përsosmëria e thirrjeve të ndjenjave më fisnike nejrëzore, si modeledhe arkitipe për tu ndjekur në jetën e gjithëkujt. Vëmë re se na shfaqet i njejti tharm, shqetësim qytetar për ta jetuar dhe paraprirë kohën, për të shpalosur misionin pershkëndritës të poetit, kujdesin e përkorë për fjalën që dhemb dhe djeg.
Botim i Shtëpisë Botuese “Onufri”, e cila ka nxjerrë në qarkullim nga kolana e poezisë bashkohase vëllimin poetik “Shtegtimi i grave“ të poetit Ilir Levonja, ky është libri i gjashtë i poetit, një libër që eksploron në magjitë e padukshme të shpirtit njerëzorë, me ritme, rima dhe kadenca poetike tronditëse, me një stil të ngjeshur e dinamik, me një gjuhë të freskët, ku idiomat, kompozitat, fjalëformimet e befta janë pjesë e kamerës poetike të Levonjës.
Poeti e kthen gjuhën në një vibrim konkret imazhinizmi dhe mesazhimi, ku figurat e gjalla dhe plot sharm, gjetjet poetike, ngarkesat stilistike të fjalëformimeve dhe kompozitave, kthjelltësia e rimave dhe magjia e ritmev qëndrojnë në një unison të përbashkët të shpirtit të bukurisë universale, e cila është dhe kryetema e kërkimeve të etshme të poetit.
Publikimi i vëllimi, jo vetëm që është një arritje e poetit në rrugën e artit të bukur poetik, ku ai ka dalë tash sa kohë, por mund të konsiderohet dhe një ngjarje letrare, pasi autori vjen me risi estetike, qoftë në formë qoftë në anën përmbajtësore, në motivet dhe temat e poezive të tij.
Vetë titulli “Shtegtimi i grave“ përmbledh një sintagmë sa reale aq dhe transhendente, ku unifikohen e shkrihen në një forma dhe përmbajtja e ku shpirti i poetit në kërkimin dhe plazmimin e materies poetike ballfaqohet sa me unin e tij, aq dhe me jashtësinë, me minibotën që klith e ngazëllen në vargje të ndjera dhe plot lirizëm të thellë e spontan.
Dedikimet që Levonja iu bën ikonave të artit poetik botëror, si bie fjala Borhesit, Kamy-së, Emili Dikinson-it e mjaft figurave madhore të gjithëkohëshme, dëshmon për ndikimet e tij nga majat e poetikës universale dhe faktin që autori është në kërkim të përhershëm të shtigjeve të reja poetike.
Poezia e Levonjës është një poezi e lirisë së përfytyrimit, e lirisë së zgjedhjes, e lirisë së ëndërrimit. Ajo shkon skaj iluzionit, dhimbjes, vetmisë, shpresës, ëndrrës, zhgjëndrrës, ankthit, mungesës dhe teprisë së dashurisë, poezi e strukturave moderniste, që iu përkojnë gjendje dehëse e trallisëse të një shpirti gjithmonë në kërkim të përsosmërisë dhe harmonisë universale.
Heroi i aktit poetik të poetit është uni i brendshëm, raportet e këtij uni me jashtësinë, me mungesat dhe shpresën e botës, me të mundurën dhe të pamundurën.
Duket se Iliri nuk merr penën në dorë se duhet shkruar, por shkruan se nuk mundet të bëjë ndryshe, pasi shtytjet e poezisë nga brenda qenies së saj janë të vrullshme, të papërballueshme, të pamundura për t’u bërë zap.
Në poezitë e kësaj përmbledhje vihet re ritheksimi i prirjes së poetit edhe në librat e tij të tjerë për thellimin e orvajtjes për të ndërtuar paralele në kohë dhe hapësirë, me anë të imazheve të gjalla, të cilat konturohen si një cilësi e artit të saj estetik. Në këto imazhe zhytet fiksacioni i tij poetic dhe ruhen si në një herbarium lulet e thara të stinëve të shkuara, ku ka shumë diell e dritë, aq sa mjafton sa për të kuptuar tisin e trashë e të rëndë të mungesës, vetmisë, pa plotërisë, të cilat duket se e rrethojnë poetin dhe janë pjesë e udhëtimit të tij metafizik.
Poezia e Ilirit është një poezi e ankthit ekzistencial alla Kami, e gjendjeve impresioniste dhe moderniste, alla Bodler, e fantazive të vrullshme alla Rembo, me një kompleks figurash dhe trajtash, që e bëjnë atë të freskët dhe me mesazhe universale.
Gjendjet e kësaj poezie të mprehtë e të trazuar janë kujtesat, emocionet, përjetimet, ankthi dhe vetmia që poeti i ka marrë nga përjetimet vetjake dhe i mbart si një kredo e anatemuar e brezit të tij, e kohës dhe bashkëkohësit të tij.
Një thelb, poezia e Levonjës është një poezi e trazimeve dhe dyshimeve ekzistenciale, e mungesave dhe përjetimeve moderne, e ritmeve të përndezura që sjellin një kontrapunt gjendjesh dhe emocionesh të denja për një poezi që buron nga shpirti i thellë njerëzor dhe shkon drejt këtij shpirti, për të ushqyer pemën e tharë të tij.
Është një poezi me kumte universale që nisin e ravijëzohen nga gjendje mjaft konkrete, e ku gjallon aromë lirie, aromë ndjeshmërie, mall dhe kujtesë, ëndërrim dhe klithje, trazim dhe etje.
Ajo është një poezi që lexohet me një frymë dhe përjetohet po me një frymë si një zbulim, si një risi që sjell poezia e re shqipe, kudo që shkruhet dhe lexohet, në lumin e madh të poezisë së vërtetë mbarëshqiptare.
Poeti shqiptaro-amerikan Ilir Levonj na sjell një poezi ku natyra njerëzore, uni dhe shpirti i indidvidit shqiptar, i kohës dhe historisë, i vetë përditshmërisë sonë të tejtrazuar, apelon për një mënyrë tjetër të të vështruarit të gjërave, në përputhje me shpirtin universal të së bukurës dhe madhështisë së njeriut të lirë.

Please follow and like us: