“Pasojat e pushkatimit të gjyshit të shkolluar në Harvard”
Nëse e gjithë çmenduria e qindra burgosjeve e pushkatimeve merrte një farë arsyeje për shkak të kundërshtisë së hapur që mund t’i bëhej pushtetit, pasojat te fëmijët, nipërit e gjithë ç’kishte fisi, nuk kishte asnjë shpëtim për t’u cilësuar si vepër e një mendjeje normale. Ajo e Alma Liços është vetëm njëra nga mijëra historitë e internimit. Një nga fëmijët që nuk arrinte të gjente arsye në zhdukjen e beftë nga qyteti, për t’u fshehur kasolleve me pleshta ku i duhej të flinte. Nëse mendoni se ka pasur edhe më keq se kaq ndoshta keni të drejtë, por asnjë nga ato kujtime të fëmijërisë, qoftë edhe ndonjë ditë që është konsideruar si normale, nuk fshihet ndonjëherë nga gjithë vitet e mëpasshme gjatë të cilave do të duhet të jetosh në normalitet.
Ato krijojnë një normalitet të ri prej të cilit sillesh ndryshe me të gjithë! Alma i ka shkruar vetë copëzat e historisë. Së pari, nisi ta bëj për veten, pastaj për njerëzit e afërt të familjes e, në fund, vendosi ta publikonte librin për të gjithë. Një pjesë të historisë ajo e ka treguar gjithashtu në filmin e fundit dokumentar “Fëmijët e diktaturës”, prodhuar nga IDMC. Janë katër histori që janë rikthyer në vendngjarje prej nga kanë rrëfyer historinë… Kjo është e Almës!
Unë kam lindur në Tiranë në vitin 1958. Im atë ishte i biri i një tregtari korçar, i dënuar me ekzekutim nga regjimi komunist. Gjëma për familjen time filloi në vitin 1968 dhe për një koincidencë shumë të hidhur unë atë ditë kisha edhe ditëlindjen, mbushja 10 vjeç. Ishte imagjinuar krejt ndryshe ajo ditë në fantazinë time fëmijërore, por në fakt erdhi një makinë e zezë që mori një rrugë të gjatë pa fund, me gropa e pluhur… u mblodhën shumë fshatarë rreth asaj makine, disa shprehnin habi disa shprehnin një gëzim të lig.
Mamaja nuk e mbajti dot veten, ia plasi të qarës me të madhe. Im atë, shumë i dëshpëruar, i tha shoferit që nuk mund të ktheheshim mbrapsht, sepse na priste burgu. Nata e parë që fjetëm në internim ishte e tmerrshme. Fshatarët e kishin përdorur atë vend për banjë dhe kundërmonte vetëm erë urinë. S’kishim asgjë për të bërë, të tre fëmijët u shtrimë në kashtën me insekte që binin pa fund mbi kokën dhe trupin tim. Ndjeja tmerr të jashtëzakonshëm. Im atë më thirri pranë dhe për herë të parë në jetën e tij ai ndjeu detyrimin të më shpjegonte se çfarë ndodhte. Më tregoi historinë e babait të tij intelektual e të shkolluar në Harvard. Më foli për ekzekutimin e tij dhe për atë që partia-shtet po ndiqte me të gjithë njerëzit që ishin në kundërshti me regjimin komunist. Fshatarët e fshatit na konsideronin si armiq, edhe kur blinim bukë na shihnin shumë keq. As kjo gjë s’na takonte, kështu dukej. Me këto qëndrime u ndesha e u rrita në shkollë. Nuk afroheshim me fëmijët e tjerë.
Një ditë më pa me shumë urrejtje dhe më kërcënoi një nga mësueset: Ti mëso sa të duash por ty kazma të pret! Vërtet, vitet e mëvonshme sikur ma vërtetuan profecinë e saj. Vendosa që të kthehem te gjyshja 2 vite pasi jetova atje për shkak të shkollimit. Gjyshja më tregoi se dy ditë pas internimit, këshilli i lagjes kishte shkuar në shtëpi dhe kishte çuar një person me probleme psikike, që ta strehonte aty. Ajo kishte 2 vite që jetonte me të. Në derën e saj ishin shtuar shulat. Megjithatë, vazhdova shkollën aty ku e kisha lënë. Ata kishin vijuar normalisht, ndërsa unë nuk mund të isha më si ata. Shmangesha në çdo lloj aktiviteti që na jepte mundësi bisedash. Pata lidhje të ngushtë me një vajzë që e kam mike edhe sot.
Ajo dhe familja e saj kanë qenë në mënyrë permanente mbështetësit e mi dhe familjes sime. Në klasë të 8-të gjyshja vdiq dhe unë ngela vetëm, ka qenë ajo familje që më mbajti. Me pak përpjekje arrita të nis edhe shkollën e mesme, mirëpo vetëm vitin e parë, më pas më hoqën. Më ka ndjekur profecia e mësueses. Më caktuan të punoja në një serë domatesh. Përveç vështirë- sisë kishte dhe një cinizëm nga shoqet e punës. Pas një rasti të prishjes së domateve, thërras teknikun e fermës, i cili më akuzoi mua për prishjen e tyre, më tha se kisha sabotuar, por në atë kohë fjala sabotim ishte baras me vdekjen.
Mirëpo për fatin tim vjen një ekspert që bën vlerësimin dhe thotë që kishte ndodhur vetëm nga sasia e tepërt e ujit. Në ditën time të parë të votimit, pasi kaloi një njeri i armatosur, më bëjnë me shenjë që do të më japin një letër të shkruar, brenda së cilës duhej vetëm ta palosja e ta fusja në vendin e duhur.
PJESË NGA LIBRI E vendosur në dalje të fshatit, në pamjen e parë, ajo dukej një kodrinë si gjithë të tjerat. Ishte qershor, dhe bari i blertë e mbulonte atë anë e kënd. Njëtrajtshmërinë e atij gjelbërimi mahnitës, e ndërprisnin aty-këtu pllaka të gurta që dalloheshin prej së largu. Në pjesën fundore të asaj kodrine ishin vendosur varrezat e fshatit. Në mënyrë të pashmangshme, ata gurë të heshtur i jepnin asaj mrekullie një pamje të trishtë. Kudo mbretëronte qetësia.
Asnjë blegërimë deleje, asnjë e lehur qeni apo thirrje entuziaste e ndonjë fëmije. Heshtje drithëruese që pasonte lamtumirat që mbeteshin përjetësisht aty. Jetë të ndërprera në mënyrë të natyrshme apo mizore, ashtu siç ajo përpiqet të rrjedhë me misteret dhe surprizat e paparashikueshme të saj. Por ajo ditë ishte e pazakontë për atë vend ndarjeje pa rikthim. Ai që po përcillej për në banesën e fundit ishte një fëmijë vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Trupi i pajetë prehej në një arkivol të vogël, me ngjyrë të bardhë, i cili kishte mbërritur atë mëngjes në aeroportin e Rinasit, nga shumë larg. Fati e solli të isha prezente në atë kortezh të përvajshëm dhe tragjik. Teksa shihja qindra persona të trishtuar, mendoja se të gjitha përjetimet që shënojnë rrugët e jetës, kanë gjuhët e tyre. Por dhimbja e humbjes së një fëmije flet kurdoherë me gjuhën e lotëve. Ato bulëza të kristalta rrëshqasin mbi fytyra të drobitura e të tkurrura nga dëshpërimi, apo tentojnë të gëlltiten mes gulçimave që gati mbyten në pellgun e tyre.
Në mes të qindra të afërmve dhe banorëve të atij fshati, tërhiqnin vëmendjen dy prindërit e djaloshit të pajetë. Ata qëndronin të ngrirë e kërrusur mbi atë arkivol. Ishin zhytur e ngecur në një botë të akullt, e cila kishte paralizuar çdo qelizë të tyre. Çfarë kishte ndodhur vallë? Në ç’mënyrë ishte ndërprerë jeta e atij fëmije të pafat??? ‘
Teksa i shihja të shkatërruar nga dhimbja, mundohesha të kuptoja sa ndikonte ndërgjegjja e vrarë në përjetimin sfilitës të asaj gjëme. Në një farë mënyre, ai fëmijë ishte braktisur prej tyre. Varfëria dhe pasiguria e së nesërmes i kishte orientuar ata prindër drejt atij veprimi ekstremisht të dhimbshëm. Fenomeni që largonte të miturit nga gjiri i familjes, po përhapej si një epidemi shfarosëse. Në kërkim të një jete më të denjë, një arsimimi dhe një të ardhmeje më të sigurt, qindra prindër endeshin rrugëve të Europës, në kërkim të Qendrave sociale të përkujdesjes për fëmijë, duke i braktisur ata pranë mureve rrethuese të tyre.
Kësisoj, pas një udhëtimi të gjatë, ai baba i dëshpëruar, në pamundësi për të ushqyer katër fëmijë, e kishte braktisur atë, të vetëm, si një zog të trembur, në portën hyrëse të një Qendre të tillë. Vogëlushi ishte fëmija i parë i familjes. Në “mënyrë të suksesshme” të njëjtin rrugëtim kishin ndjekur qindra bashkëqytetarë. E pse të mos e provonte dhe ai? A nuk ia kishin përplasur derën në fytyrë institucionet shëndetësore, kur kishte kërkuar ndihmë ekonomike për bashkëshorten e sëmurë dhe në pamundësi për të punuar?
Sakaq, strukturat sociale të këtyre Qendrave, i merrnim ata vogëlushë të vetmuar menjëherë në mbrojte, duke iu siguruar atyre çdo nevojë imediate të jetës. Të gjorin fëmijë, prindërit e kishin detyruar të thoshte e përsëriste pothuajse përmendësh, se teksa endej në atë qytet në kërkim të një miku të familjes, pakuptuar ishte shkëputur nga sytë e të atit. Si të thuash, kishte humbur. Në prani të një përkthyeseje, më pas, kishte vijuar të identifikonte veten dhe të afërmit me emra të sajuar. Pesha e gënjeshtrave i rëndonte në qepalla, pa guxuar të shihte askënd në sy.
Kësisoj, mundësia e kontaktimit të familjeve dhe e rikthimit të atij vogëlushi në gjirin e saj, ishte pothuajse e pamundur. E përfytyroja atë të mitur, të ndrojtur e të ndrydhur nën peshën e braktisjes e të gënjeshtrës, të frikësuar nën trysninë e së panjohurës, të rrethuar nga të huaj, të cilët me gjithë përkujdesjen, mbeteshin persona të panjohur për të. Për më tepër, nuk njihnin aspak gjuhën e tij. Vallë, si kishin arritur ta detyronin atë fëmijë, se duhej të pranonte të rritej larg dashurisë dhe vëmendjes së prindërve? Një kompromis i dhimbshëm për vogëlushin. As që e kuptonte.
Thjesht e kishin mësuar se duhej t’u bindej atyre. Fundja, ishin ata që vendosnin për të ardhmen e tij. Ai ishte vetëm një fëmijë dhe nuk mund ta dinte apo perceptonte çfarë ishte e mirë apo e keqe për të. Ndërsa mendoja me zemër të vrarë për atë braktisje me përmasa tragjike, papritmas m’u kujtua një ngjarje të cilën e kisha lexuar diku. Protagonisti ishte gjithashtu një djalosh, i cili kishte pasur fatin që një herë të vetme në jetën e tij, të përjetonte dashurinë dhe vëmendjen e të atit.
Në të vërtetë , ajo kishte qenë një ditë e keqe për vogëlushin, pasi në përpjekje për t’u ngjitur në një peme, ishte rrëzuar e kishte thyer keqas këmbën. Aq shumë e kishte shijuar përkushtimin e të atit, sa pas kësaj ngjarjeje, fëmija i gjorë lutej me gjithë shpirt të thyente sërish ndonjë gjymtyrë…..Ehhhh…..Nuk e di pse më erdhi në mendje kjo histori….ndoshta për peshën e dashurisë prindërore të shqyer e copëzuar.
Për hir të së vërtetës, nuk kisha asnjë mëdyshje se djaloshi i pafat kishte jetuar gjithë përkujdesjen e nevojshme në atë Qendër, me përjashtim të asaj hyjnores, të pazëvendësueshmes, asaj ngazëllueses, dashurisë së familjes. Nuk mund ta dija sa herë ai vogëlush kishte ëndërruar ta zinte gjumi pranë së ëmës, teksa ajo i përkëdhelte flokët. Nuk mund të përfytyroja sa herë kishte imagjinuar të rendte në lëndinat e fshatit të tij, i ndjekur hareshëm nga vëllezërit më të vegjël.
Nuk mund të mendoja sa herë i kishin munguar më- sueset që flisnin gjuhën e tij dhe shokët e shkollës. Por, për fat të keq, ajo që dija ishte se disa muaj pasi kishte mbërritur në atë Qendër, një sëmundje e beftë vdekjeprurëse, e kishte shuar djaloshin fatkeq. I gozhduar në një shtrat spitali, mes aparaturave, ai kishte mbyllur sytë larg familjes dhe personave të tij të dashur. Nuk kishte qenë aspak e lehtë të gjendej së cilës familje i përkiste vogëlushi. Teksa trupi i pajetë ishte vendosur në morg, procedura e verifikimit të origjinës, kishte zgjatur rreth tre javë. Njëzet ditë pambarimisht të gjata për të përcaktuar banesën e tij të fundit. ….
U shkëputa nga ai refleksion i dhimbshëm, dhe vështrimi im u ndal sërish mbi arkivolin e bardhë dhe dy prindërit e kërrusur mbi të. Sakaq, rrezet e diellit ishin pasqyruar në sipërfaqen e tij të shndritshme, duke e ledhatuar lehtas. Ai shkëlqim ngjasonte me një lamtumirë të zbehtë që përpiqej të zbuste trishtimin e humbjes. Lot, heshtje dhe sërish lot. Përmes vajtimit dhe ngashërimeve, disa çaste më pas, arkivoli humbi në gropën gllabëruese për t’u prehur përjetësisht në kodrinën e gjelbëruar të fshatit ku kishte lindur.Disa grushta dheu nga toka e shkrifët, dhe gjithçka u duk sikur mbaroi. Vallë vërtet mbaroi????
Aspak. Peizazhi i dhimbjes dhe lotëve ishte prezent në fytyrat e të gjithë personave të pranishëm në atë ceremoni mortore. Bilanc rrëqethës. Një fëmijë i braktisur në një vend të panjohur. Një jetë e pajetuar, e shuar në një dhomë anonime spitali. Asnjë i afërm pranë, asnjë fjalë e ngrohtë, asnjë përkëdhelje.
Dy prindër të dëshpëruar, plagët e të cilëve nuk do të mbyllen kurrë. Varfëri. Mungesë perspektive dhe shprese. Asnjë përpjekje serioze nga ana e shtetit për të luftuar urinë dhe garantuar minimumin jetik, dhe pasoja…….Qindra të dëshpëruar që ndjekin të njëjtën rrugë në labirintet e botës…. Deri kur do të lejojmë që kjo të ndodhë???
DEFINITIVISHT NË PUNË
Ashtu siç ishte parashikuar, disa ditë më pas u regjistrova definitivisht në punë. Do rropatesha në të njëjtën brigadë së bashku me prindërit e mi. Duhej të isha e kënaqur dhe ta konsideroja se më kishin favorizuar.
Së paku, nuk do të gjendesha e vetmuar në atë ambient tërësisht të huaj dhe aspak mikpritës. Isha përballë një realiteti, të cilin gradualisht e kisha pranuar dhe pasojat e tij po i prisja si një dënim të pa apelueshëm. Ndonëse u mundova të fle më herët se zakonisht, atë natë nuk arrinte të më zinte gjumi. Koha kur flija me librat dhe çantën e shkollës te koka i përkiste së kaluarës. Prindërit duhej të më ngrinin shumë herët nga minderi-shtrat për të arritur orarin e fillimit të punës. Kohëzgjatja e saj lidhej me lindjen dhe perëndimin e diellit. Tmerr!……atë periudhë, dita ishte e gjatë rreth 14-15 orë. O Zot!…. A do ta përballoja dot skllavërinë me kohë të plotë? ….
Deri sa ia kishin dalë mbanë prindërit e mi, pse të mos ia dilja unë që isha e re dhe e shëndetshme. Ehhhhhhh…….Vërtet ata e kishin përballuar atë jetë të tej lodhshme, por brenda pesë viteve ishin plakur sa për pesëmbëdhjetë. Tek i shihja të sfilitur, të kërrusur, me fytyra të nxira dhe buzë të çara, me pikëllim konstatoja se ata hiqeshin zvarrë në atë kalvar të mundimshëm, dhe më këputej shpirti.
Ishin transformuar aq shumë. Dolëm nga shtëpia ende pa zbardhur. Në krah kishim varur nga një trastë me pak ushqim dhe një shishe me ujë. Për t’iu përshtatur kushteve të punës, kisha pranuar veshjen qesharake të pantallonave me fustan sipër. Por ajo që nuk pranoja dot ishte vendosja e napës në kokë. Mama ime ishte përshtatur ta mbante atë. Më këshilloi ta vendosja dhe unë, pasi nuk duhej të sillesha dhe paraqitesha ndryshe nga të tjerat. Kjo mund të më sillte probleme.
E refuzova me kokëfortësi. Ende pa nisur punë fillova të rebelohesha. Me nervozizëm përgatita një lloj kapeleje prej basmeje, me strehë kartoni. Ishte kaq e domosdoshme për të më mbrojtur disi nga rrezet e diellit. Gjatë rrugës na përshëndetën disa fshatarë, të cilët jo pa kureshtje shihnin kapelën time. Më së fundi arritëm në atë që konsiderohej qendra e brigadës. Ajo përbëhej nga një tendë e mbuluar me kashtë, dhe një si biçim dhome e ndërtuar me kallama. Për të mbushur hapësirat ndërmjet tyre kishte shërbyer një baltë e përzier me bajga lopësh.
Në këtë mënyrë mund të konsiderohej e suvatuar. Kjo mini-stallë e ndarë me dysh, shërbente si zyrë për brigadierin dhe si depo ku mbaheshin veglat e punës. Arrita të dalloja brenda saj kazma dhe lopata me bishta të shtrembëruar, të hedhura në mënyrë të çrregullt. Brigadieri që kishte arritur atje para nesh, qëndronte në këmbë para zyrës së tij dhe priste i mllefosur mbërritjen e të gjithë punëtorëve. Gjithsesi, u tregua aq i sjellshëm sa për të më uruar mirë- seardhjen. Vura re se ishte shumë i vëmendshëm për paraqitjen e tij, pasi mbante veshur rroba të pastra dhe të hekurosura me shumë kujdes. Me sa duket, periudha katërvjeçare kur ai kishte ndjekur shkollën e mesme për agronomi, kishte krijuar një tjetër standard tek ai për imazhin dhe higjienën.
Fundja, kishte jetuar disa vite në qytet. Brenda disa minutash arritën të gjithë punëtorët. I shihja me keqardhje ato fytyra të paushqyera e të vrara, duke menduar se paskëtaj ky do të ishte imazhi i ditëve të mia. Nga ky lloj reflektimi dëshpërues me shkundi zëri i lartë dhe nervoz i brigadierit. Me sa duket, ai po bënte një analizë të ditës së mëparshme të punës, duke e shoqëruar atë me të thirrura, fyerje dhe kërcënime për ata punëtorë që sipas tij nuk e kishin kryer siç duhet punën e tyre. U tmerrova nga ky lloj komunikimi dhe po prisja që ndonjëri të reagonte, të kundërshtonte, fundja të bënte diçka. Por më kot. Ishin të gjithë kokulur dhe po prisnin që kjo të mbaronte për t’u shpërndarë në punët e tyre. Teksa ulërinte, vura re që në krah të tij u afrua me servilizëm dhe zuri vend një burrë imcak, rreth të pesëdhjetave.
Me zë të ulët, mama më tregoi se ai ishte tekniku i brigadës, dhe se gjithë ky shpërthim i brigadierit ishte produkt i spiunllëqeve të tij. Nuk ishte aspak e vështirë të lexohej gëzimi i lig në sytë pa ngjyrë, teksa bashkëfshatarët denigroheshin dhe fyheshin. M’u duk si një zvarranik i lagësht dhe i neveritshëm. Nuk e pata aspak të vështirë ta identifikoja me Uriah Hipin, personazhin aq të arrirë të Çarls Dikensit. Sapo kisha përfunduar se lexuari romanin e tij të famshëm “David Koperfild”. Të parët që u larguan në drejtim të punës që u caktoi brigadieri ishin prindërit e mi dhe disa të moshuar.
Duke qenë se i kishin kapërcyer të dyzetat, ata punonin në skuadra pleqsh. Proceset e punës që u ngarkoheshin atyre ishin më pak të mundimshme se ato që kryheshin nga të rinjtë. Duke ndihmuar mamën pasditeve, disa prej atyre punëve i kisha provuar edhe unë. Nuk shpreha asnjë habi. Dyzetvjeçarët e atij fshati dukeshin si shtatëdhjetëvjeçarë. Jeta e mundimshme i plakte dhe i rrënonte ata para kohe… /Panorama