Fahri Xharra: Shqiptarët ortodoksë në Maqedoni
“Edhe nëse është ditë, ndize qiriun që të gjesh njeriun e ndershëm” – Diogjeni ( 412- 323 prk )
Ligj kundër gjuhës shqipe. Një ligj kundër gjuhës dhe kulturës shqipe ka lëshuar sulltani i Perandorisë osmane më 31 maj 1779, Abdul Hamiti II, ku përcaktohej saktë marrja në mbrojtje nga ana e turqve e kulturës dhe gjuhës greke, dhe se duhej luftuar gjuha shqipe. Ky dokument është nxjerrë nga arkivat greke dhe është botuar në gazetën “Thessaloniki” (14.korrik.1999).
Ku jemi, çka jemi, për kend jemi? E duam ne vetveten? Për shekuj me radhë turqit qëllimisht dhe sistematikisht kishin përçarë popullsinë shqiptare në grupe rivalësh, armiqësive fetare
dhe zëvendësimin e gjuhës amtare shqipe me gjuhë të huaja. Ndonëse trashëgimia e panumërt e poemave, baladave, përrallave dhe fjalëve të urta ishin përcjellë gojarisht brez pas brezi, qeveria turke i kishte ndaluar rreptësisht botimet në gjuhën shqipe.
Çilat janë arsyet qe ne jemi tkurrur territorialisht dhe numerikisht si komb në vazhdimësi?
Vorbulla e historisë sonë gjithëshqiptare, ishte marramendëse. Askush nuk mendonte se nga ato përplasje centripetale drejt vrimës së zezë do të shpëtonim. Furtunat nga ato më të fuqishmet u munduan të na zhbënin, dhe të na hidhnin në vrimën e moskthimit, duke na mohuar të kaluarën tonë, duke na çrrënjosur nga trungu ynë mijëravjeçar. Tjetërsimin tonë e kishin në përparësi; kush duke na shlyer dhe humbur historinë e kush duke na tjetërsuar në kombe të tjera me qëllim të caktuar që të harrojmë veten tonë dhe një ditë të na vjen turp me atë se çka ishim. (Burimi i të gjithë fotgrafive)*
Shqiptarët Ortodoksë të Maqedonisë ku gjyshër e nipër flitin shqip
Manastiri i Shën Gërgurit; i ndërtuar në vitin 1020 nga Gjon I. Dibrani, gjendet rreth rrugës Diber-Gostivar në brigjet e Lumit Radika
Udhëpërshkruesi anglez H. N. Brailsfort, në librin e tij me titull “Maqedonia, racat e saj dhe ardhmëria e tyre” të botuar në Londër (1906), ka vërejtur se: “Nga racat që jetojnë sot në Maqedoni, vetëm shqiptarët mund të thuhet se janë autoktonë. Shqiptarët ortodoksë ishin të pranishëm njëlloj në krahasim me shqiptarët e besimeve të tjera, afërsisht njëlloj në gjithë Shqipërinë e Mesme sa ishin të pranishëm në Durrës, Tiranë, Elbasan, Librazhd, Pogradec, aq ishin edhe në Strugë, Prespë, Dibër, Gostivar, Krushevë, Manastir këto janë veneriket shkencore të kohës. Në këtë rrugë të asimilimit mbetën të paprekur për një kohë shqiptarët ortodoksë të Rekës së Epërme të Dibrës me fshatrat Duf dhe Jellovicë të Gostivarit, pastaj të fshtatrave Labinishtë afër Shën Naumit (Ohër) e ndonjë tjetër dhe pjesa tjetër nëpër qytete”.
Pra fjalën e kam për Shqiptarë Ortodoksë të Maqedonisë dhe me ta dhe çështjen e tyre do të merremi në këtë shkrim. Njerëzit këtu ende nuk janë të vetëdijshëm, jo nga mosdija, por nga frika se historia do ta bëjë të veten, dhe të thuhet e vërteta dhe se është e vërtetë se Reka e Epërme me të gjitha fshatrat, e gjetiu kanë folur shqip deri në vitin 1960. Normalisht, gjithkush ndihet ashtu si dëshiron, por gjenerata e re duhet ta dijë të vërtetën. Vetëm nëse iu tregohet e vërteta, ata do të shkunden nga errësira që iu është imponuar.
Dasmorët e Dasmës shqiptare Otodokse, kur flitej shqipja
“Dua vetëm të tregoj një ngjarje. Ndoshta do të tingllojë mirë, dhe disi po me lidhet me këta njerëz (shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë). Në një bisedë që e kisha para dy-tri vjetesh me një të njohur në Gjermani. Së pari më pyeti se nga isha dhe une i tregova se jam shqiptar, kurse ai m’u përgjigjj që qenkemi të afërt dhe unë i thashë si ka mundësi, kurse ai më tha: unë gjyshen e kam shqiptare të Maqedonisë. Bile më tha se e kishte të incizuar në tel se si flet shqip, dhe unë nga kureshtja, që të bindesha, i thashë nëse bënte ta dëgjoja. Kur e lëshoi, ajo nuk fliste “shqip”, por një gjuhë disi të përzier me maqedonishte dhe i thashë se kjo nuk flet shqip, kurse ai m’u përgjigj se gjyshja ime nuk pranon asgjë tjetër, vetëm se është shqiptare, dhe më tha se nuk e kam degjuar të ketë thënë ndonjëherë se ka ndonjë komb tjetër. ( Xhavit Ramadani, Gjermani).
Pra, sa janë në numër këto gjyshe dhe këta nipër të tillë që nuk guxojnë të tregojnë se janë shqiptarë dhe jetojnë në Maqedoni?
Pikërisht mungesa e një platforme kombëtare shqiptare na bëri që të jemi jounikë dhe e pësuam shumë keq në histori. Platforma sllave e ka zanafillën që në shekullin XVI, kur Rusia i përktheu veprat kishtare të Bizantit e përkthyesi kryesor ishte Mihail Artioti me origjinë shqiptare, sllavët e krijuan strategjinë dhe unitetin fetar dhe në shekullin XIX dolën me platformë për formimin e shteteve kombëtare sllave.
Mbretëria serbe, nga viti 1913 deri në vitin 1941 ushtroi politikë tepër barbare ndaj popullsisë shqiptare, të besimit fetar mysliman, ortodoks dhe katolik, por edhe ndaj popullsisë maqedonase. Bile, maqedonasit as që i njihte për popull, kurse shqiptarët myslimanë mundohej t’i tjetërsonte në turq. Porse përqendrimin fillestar asimilues pushtuesi serb e koncentroi ndaj popullatës shqiptare me besim ortodoks, duke e përdorur për këtë politikë asimiluese edhe kishën nacionaliste serbe dhe besimin e tyre, prandaj shqiptarët ortodoksë i pat “konvertuar” zyrtarisht në serbë. Edhe Jugosllavia e Titos kur e krijoi Maqedoninë si republikë e vazhdoi në të njëjtën mënyrë me shqiptarët ortodoksë. Po këta të sotit çka bëjnë më pak?
Tradita respektohej, përgatitja e dhëndrit për natën e tij, flitej shqip
Janë shumë shqiptarë të Maqedonisë që janë ortodoksë e që nuk guxojnë të flasin se çka janë. Kalaja e Shkupit e fsheh të heshturën e shekujve. Edhe aty kishte kishë ortodokse shqiptare. Ajo apo ato u rrënuan, kurse tani sllavishtfolësit e duan ta përvetësojnë historinë tonë e të mbjellin një kishë të tyren. Ortodoksët shqiptarë, ata nuk guxojnë të flasin, ata nuk guxojnë të shfaqen e lëre më të kërkojnë kishën e tyre ortodokse shqiptare. Historia jonë ende duhet t’i ruhet forcave centripetale që me ngulm e shtyjnë kombin tonë drejt vrimës së zezë të përpirjes.
“Të tjetërsuarit në Maqedoni janë shqiptarë dhe duhet të bëjmë çdo përpjekje pa u lodhur kurrë që ata shqiptarë ortodoksë të rikthehen në identitetin e tyre të parë shqiptar. Që të na thonë se vetëm myslimanët janë shqiptarë në Maqedoni e s`ka të tjerë, kjo është e papranueshme. Sllavët e kanë planin e tyre: shqiptarët ortodoksë janë sllavë, shqiptarët myslimanë janë turq, kurse ata katolikë janë zhdukur, (të mos harrojmë që Nënë Tereza ka lindur në një lagje katolike të Shkupit) (Ilir Taraj).
Kryengritësit shqiptarë në kryengritjen e Ilindenit 1901
“Zhdukja” ishte e mundur në sajë të platformës pansllaviste të inicuar nga Rusia, platformë që filloi të zbatohet në dëm te çështjes shqiptare e sidomos pas vitit 1814 dhe Aleancës së shenjtë, e cila u realizua me inicim të Rusisë. Si rrjedhim i kësaj u shuan të gjitha lëvizjet shqiptare që synonin pavarësi dhe autonomi nga turqia dhe kryengritjet që i inicuan shqiptarët i shfrytzuan grekët dhe sllavët që t’i bëjnë shtetet e tyre nacionale. Teoria e Wikelmanit e shekullit XVIII për të bërë shtetin modern Grek si dhe teoritë e Homajkovit dhe Danillevskit për të formuar shtetet sllave në Ballkan, të cilat ishin po tërësisht nën kontrollin t’u, ndikuan në tkurrjen e territoreve shqiptare, asimilimin e shqiptarëve, duke e lënë popullin shqiptar pa asnjë të drejtë kombtare, të varfër, të përçarë dhe në proces të vazhdueshëm të asimilimit dhe dëbimit nga tokat e tyre. Kurse Turku vetë iu ndihmonte në këto qëllime satanike. (Qazim Namani).
Duhet bërë shumë në ndriçimin e të vërtetës rreth asimilimit të popullatës shqiptare ortodokse në Kosovë, Maqedoni, Serbi, Mal të Zi dhe Greqi. Të rikujtojmë edhe një herë se shumica e manastireve ortodokse në Maqedoni ishin shqiptare, dhe se në Manastirin e Shën Gërgurit, sot Jovan Bigorskit, deri më 1945 liturgjia kryhej në gjuhën shqipe; manastir i cili u dogj për të humbur gjurmët shqiptare. Pushteti dhe kisha ortodokse sllavo-serbe shtynë që për këtë manastir të doktorojë Julia Trickovska me qëllim falsifikimin e fakteve historike dhe të njejtën përmes Këshillit të Evropës e sollën në Kosovë që të drejtojë Trashëgiminë Kulturore. Po e njëjta është bashkautore e Enciklopedisë së Maqedonisë dhe të katër librave të tjerë që e falsifikojnë kulturën dhe traditën shqiptare në Maqedoni. Julia bashkëpunon me arkeologun Pasko Kuzmanin, të cilit iu besuan shumë vepra dhe publikime për përvetësim të kulturës materiale shqiptare në Maqedoni.
Tradita ende respektohet: Filloi Dasma me Surle e Tupan. Zakonet dhe tradita e njëjta; nusja përcillet për në shtëpinë e burrit.
Dhe një ditë ata, shqiptarët ortodoksë, mund ta thonë të vërtetën e tyre të lashtë e të tashme njëherësh pa frikë …sepse ata janë rrënjët e lashta të gjakut tonë iliro-arbëror-shqiptar… rrethanat diktuan shumë gjëra të rënda… Në fakt, në Maqedoni kanë filluar të shfaqen haptazi disa persona në deklarimin e tyre si shqiptar, d.m.th. ata shqiptarë ortodoksë, edhe kjo punë që po e lobojmë ka për qëllim sensibilizimin dhe kthimin e këtyre shqiptarëve në identitetin e tyre kombëtar, atëherë fitorja jonë do të ishte e menjëherëshme …dhe sllavët do të treteshin si kripa në ujë, se puna e tyre disa dhjetëravjeçare iu shkoi kot.
“Por armiku më i madh i këtyre (shqiptarëve ortodoksë në Maqedoni) janë vetë shqiptarët. Sot kur kemi historianë, libra, mundësi për të gjurmuar, të shkollohemi e të emancipohemi në çdo fushëveprimi, ne ende po merremi me fajtorë. Neve kemi fakte. Neve na mbetet që të zgjojmë vetëdijen e secilit. Kur do të vijë ajo ditë që shqiptarët ortodoksë në Serbi, Mal të Zi, Maqedoni e më së pari ata në Kosovë të pranojnë se kush janë ( Jeton Kadiri )”.
Shqiptarët ortodoksë të Maqedonisë: Veshjet kombëtare nuk harrohen, së paku në dasma.