Historia e rrallë Angjelin Preljocaj që u arratis nga Shqipëria në barkun e nënës e që më pas pushtoi botën.
Angjelin Preljocaj është mbreti i koreografisë botërore. Shtëpia e tij janë Balshoi Teatër- Moskë, La Scala-Milano, Opera Garnier-Paris, Opera gjermane e Berlinit, New York City Balet. Pasaporta e tij është franceze. Zemra e tij shqiptare. Në 1957, Lize Preljocaj e kishte ne bark, ndërsa arratisej me të shoqin nga Vermoshi. Angjelini lindi dy javë më pas, në Paris.Në Francë mësoi baletin. Arriti aty nga xhudoja dhe luftimet trup më trup me bashkëmoshatarët në periferitë e Parisit. Dashuria për një grua e drejtoi te baleti. Ajo grua i dhuroi një libër me foto të Nurejevit të transformuar nga kërcimi. “Desha të bëj të njëjtën gjë –kujton -, ai. Të qëndroja pezull në ajër.” Dhe ia doli. Dhjetëra botime, mijëra shkrime për të, qindra punë, të gjitha të realizuara në skenat më të rëndësishme të botes së baletit. Dhe miliona duartrokitje. Për “Borëbardhën”, “Dasmën”, “Akrobatin”, “Katër stinët”, “Pranverën” e Stravinskit,
Të gjitha çmimet, të të gjitha kontinenteve, që mund të ëndërroje një artist. Franca i ka dhënë gjithçka, njeriut që nuk harron kurrë të thotë se është shqiptar. Edhe, kur lideri i radikalëve të djathtë në France, Le Pen iu hakërrye në ’95; të kthehej në Tiranë, se ishte i huaj, ai uu përgjigj: “Kthehem dhe e nis nga zero, por nuk jap asnjë shfaqje në një qytet ku drejton partia jote.” Mbase ka qenë hera e vetme që ky burrë me një portret të imët, sy të mrekullueshëm, gjeste diskrete dhe gjenetikisht i shqetësuar, ka dhënë ndonjëherë. Gjithë kohën vetëm ka punuar, për të treguar me kërcim, emocionet e një bote, artist i madh i së cilës është. Në 1957 ai u arratis nga Shqipëria. Në barkun e një gruaje. 53 vjet më pas është në këtë intervistë, për t’i uruar dhe këshilluar shqiptarët. Ndërsa dita e madhe e Shqipërisë pa viza, po afron, zgjodhëm Angjelin Preljocaj si simbol të kësaj dite, si simbol i lirisë.
Çfarë do të ndodhë pas pak në teatër? Si quhet baleti? Cilët janë kërcimtarët që e kanë bërë këtë balet?
Do të jetë një shfaqje që bëhet midis trupës së Balshoit dhe kompanisë sime, në Aix – en – Provence, të cilat do të bashkohen. Është një shfaqje që e ka pasur premierën në “Balshoi Teatër”, në Moskë dhe tani do të bëjmë një turne në Europë.
Unë kam lexuar kritika të shkëlqyera për këtë vepër. “Le Figaro” “shikuesit kurrë nuk kanë parë një pjesë të tillë”, shkruante kjo gazetë franceze. “Një hap në boshllëk” shkruante një tjetër. “Financial Times” shkruante që francezët dhe rusët në këtë balet rivalizojnë… mos nuk e kishte kuptuar gazetarja që nuk qe rivalitet, por bashkëpunim?
Jo, s’ka as rivalitet dhe as bashkëpunim. Sipas mendimit tim, një prej arritjeve të mëdha të kësaj shfaqjeje, është se kur sheh shfaqjen nuk e di se cili është rus, cili francez. Cili është i Balshoit e cili i Ekz On Provons.
Është një kulm në krijimtarinë tuaj kjo pjesë?
Jo, nuk mendoj se është më mirë se baletet që kam bërë. Mendoj se kam për të bërë dhe më mirë më pas.
Nisi me premierën “Balshoi Teatër”. Mandej, cili është kalendari i shfaqjes?
Kemi filluar në Moskë dhe tani jemi në Paris. Do të shkojmë në Amsterdam, Luksemburg, Berlin. Në të gjithë Europën. Pastaj edhe në Indi.
Nëse keni kohë, mund të kthehemi pak në kohë, në momentin kur larg atdheut, në vitin ’57, në barkun e nënës suaj, Liz Preljocaj… sa e shënoi fatin tuaj artistik e njerëzor ajo ikje, ajo arratisje?
Ismail Kadare ka thënë se kam kaluar kufijtë në bark të nënës. Kjo lëvizje më ka dhënë kërcimin. Besoj se është e vërtetë, por në të njëjtën kohë ka shumë gjëra që kam mësuar me mjeshtërit e mëdhenj të baletit. Këto më kanë ndihmuar shumë për të ndërtuar stilin tim dhe për të punuar me veprat e mia, me punën time.
“Kushëriri i Engjëjve” ju quajti Ismail Kadare. U frymëzova shumë për këtë intervistë prej tij. U emocionova shumë kur e lexova këtë libër. E kam lexuar shumë vonë. Tani në avion, teksa përgatitesha për intervistën. Ishte shumë i bukur.
Më ka rrahur zemra me emocion kur e kam lexuar. Sa keq qe nuk flas dot mirë shqip. Do të vij në Tiranë e të rri tre katër muaj. Që të flas më mirë, më shumë. Fjalët kanë për të më ardhur më lehtë.
Por duhet të vini e ta shëtisni veriun e jashtëzakonshëm shqiptar. Në këmbë, jo me helikopter.
Po, me këmbë e me biçikletë, mbase.
Ju kujtohet momenti kur takuat gjyshen tuaj? Kur erdhët për herë të parë në Shqipëri? Në kullën e Vermoshit?
Ka qenë diçka e pabesueshme, siç i themi në Francë. Vërtet mrekulli. Erdha me nënën e babain tim, u kthyem në Shqipëri, shkuam në qytetin ku ka lindur babai im, shkuam me helikopter. Ishte diçka e jashtëzakonshme.
Si tregohet në balet ai moment? Tregohet dot me kërcim ai çast?
Kurrë s’kam bërë balet për këtë ngjarje. Mbase një ditë… Por kam bërë diçka me baletin helikopteri. Ne muzikën e atij baleti ka katër akorde. Është bërë një përzierje… e zhurmës, e tingullit. Zhurma e helikopterit është përzier me muzikën. Është shumë e bukur, dhe mbase frymëzimi më ka ardhur nga ky udhëtim.
Po një tjetër frymëzim që erdhi pa e ditur ju, nga Shqipëria. Ka tjetër Shqipëri në punën tuaj, në kërcimin tuaj? Ku është Shqipëria tjetër?
Shqipëria nuk është në nivelin e sipërfaqes. Është pak më thellë. Për shembull, te Dasma, me muzikë të Stravinkskit, dasma është bërë sipas stilit shqiptar. Me ritet shqiptare. Kjo, dasma shqiptare më ka frymëzuar shumë për të krijuar dasmën me muzikën të Stravinskit.
Të gjithë që ju prezantojnë, thonë: “Balerini francez me origjinë shqiptare”. Të gjithë e përmendin origjinën tuaj. Ju s’e fshihni kurrë?
Po, sepse vetë dua gjithmonë të tregoj që jam francez sepse kam lindur në Francë, dhe kam kombësinë franceze në letra. Por nuk harroj kurrë të them që jam shqiptar. Babai im është shqiptar, nëna ime është shqiptare. Të dy janë shqiptarë. E kam gjakun shqiptar, e s’mund ta harroj këtë të vërtetë.
Është një mrekulli. Unë ndihem shumë mirë tani që në këtë shfaqje, në këtë sallë kaq të madhe, e cila do të mbushet plot dhe do të jetë një shfaqje që mezi po e pres, ju jeni autori, koreografi. Ju, një shqiptar që jeni ulur tani dhe unë po ju intervistoj.
Faleminderit.
Mua më ka pëlqyer shumë për mënyrën sesi ju drejtuat Lë Penit në 1995-ën, kur ai ju tha të ktheheni në Tiranë.
Kur e tha këtë, thashë… po, mund të shkoj. S’ka problem. Por një tjetër qytet, Aix –en –Provence ka thënë vetë, ne duam ta sjellim Anxhelinin këtu, dhe na kanë dhënë më shumë mundësi për të punuar aty. Aix-en -Provence është një qytet shumë i bukur e shumë artistik. Me muzikë, me balet, me kulturë shumë të fortë.
Ajo është tani shtëpia juaj?
Po, aty jetoj, aty punoj.
Ju e keni provuar lirinë duke u arratisur në barkun e një gruaje, në vitin ’57. Tani, në vitin 2010, shqiptarëve, të cilët mezi po presin çastin kur do të shtegtojnë nga vizat çfarë mund t’u thoni?
Mbase mund të them: Shqiptarë, ejani, por në bark të nënës.
Unë kam marrë shumë frymëzim për pyetjen, nga libri i Ismail Kadaresë, “Kushëriri i Engjëjve”. Ndërkohë, Helena Kadare më tregoi mbrëmë se në të njëjtën kohë, Roman Polanski ka shkruar për ju. Çfarë ka shkruar ai?
Me Roman Polanskin kemi folur shumë për kinemanë. Për filmin, sepse ai është shumë i madh. Edhe mua më pëlqen shumë të filmoj. Folëm shumë për lëvizjen në filma. Vendin e koreografisë në kinema. Vendin që ka mënyra e lëvizjes në disa filma. Për shembull, Kung Fu-ja, ndonjëherë është pothuajse vallëzim. Folëm shumë për gjëra si kjo.
Në Durrës u shfaq “Borëbardha” juaj, këtë verë. Ku ju përziet Gustav Mahler, Zhan Pol Gotier, vëllezërit Grim… ishin të gjithë bashkë. Pse një përrallë?
Më pëlqen shumë përralla, sepse mendohet se është për fëmijë, por ndërkohë na përfshin të gjithëve. Që kur jemi fëmijë, dëgjojmë përralla që na mundësojnë të rritemi. Për shembull, një djali të vogël i thuhet “ti je i vogël, por mos ki frikë, sepse edhe pse je i vogël, mund të bësh gjëra të jashtëzakonshme. Shiko Gishton e vogël. Ai është i vogël por mund të bëjë gjëra pasionale”. Kjo i ndihmon fëmijët të mësojnë ta kuptojnë botën, dhe të përshtaten me jetën në një mënyrë intuitive dhe në të njëjtën kohë, në një mënyrë që i bën njerëzorë dhe gjithashtu të rritur.
Është dhe një tjetër pjesë e rrallë, e pakrahasueshme, që shokoi publikun kur u dha në premierën e saj për herë të parë në Paris, “The Right Of Springs”, e Stravinskit. Po ju e shokuat po aq publikun kur e bëtë balet atë pjesë?
E shkrova në Bernë për herë të parë, dhe aty u dha në fillim. Pasi erdhi në Francë, shfaqja e zuri vendin e saj si një lloj prove. Është e vërtetë që fundi i baletit, me lakuriqësinë e asaj vajze që iu ofrua publikut, që ofroi atributet e saj në skenë, mund të trondisë disa njerëz. Por besoj se është gjithashtu diçka natyrale, dhe falë muzikës, kjo s’mund të tronditë më. Mund të te emocionojë, por jo të të trondisë.
Mua më pëlqen shumë “Akrobati”, gjithashtu. Çfarë është? Një këngë dashurie? Një rrëfim dashurie? Çfarë është?
“Akrobati” është një poemë e Zhan Zhenesë, një poemë e gjatë, që e ka shkruar për të dashurin e tij, që ishte akrobat. Teksti është shumë i bukur, sepse shpjegon pa ndërprerje, pra, Zhan Zheneja për të dashurin, akrobat, se si të bëhet artist, një akrobat mbi litar. Por në të njëjtën kohë që e mëson të bëhet akrobat, e mëson se si të bëhet artist i vërtetë. Kjo më ka ndihmuar shumë kur isha student baleti. E lexoja si një lloj mësimi të përhershëm, për të arritur në statusin e artistit.
Çfarë temash sillni ju? Kujt i drejtoheni? Çfarë sillni ju në kërcim?
Më pëlqen të ushqehem me të gjitha gjërat që janë në botën tonë. Më pëlqen të jem pritës, si një antenë satelitore, që të kap gjendjet emocionale të botës dhe gjërat që s’mund të thuhen me fjalë. Prandaj bëj kërcimin, sepse po ta thosha dot me fjalë, do të bëja si Ismail Kadareja, po të kisha talentin e tij… që do të ishte fantastike. Mund të shkruaja libra për botën. Por meqë nuk shkruaj dot libra për botën, mund të bëj kërcime baleti për botën. Për këtë kam nevojë ta shoh botën, të frymëzohem nga bota, nga bota jonë e përditshme, bota jonë moderne, që të zhvilloj tema, dhe po të jenë tema të lashta. Janë gjithnjë tema që na sjellin në botën e sotme.
Si tregohet pa fjalë por me kërcim, malli?
Besoj se dy trupa në hapësirë, që kërkojnë njëri-tjetrin…
Mendoj se koreografia, baleti, nuk janë vetëm trupat, por edhe hapësira. Dhe me hapësirën si partner të tretë, dy valltarë dhe hapësirë ne mes, mund të krijosh, të përpunosh një gramatikë të mallit.
Po një dashuri shumë e madhe, si tregohet me kërcim? Me balet?
Duke zvogëluar hapësirën midis dy trupave.
Po një frikë e madhe për të ardhmen, të kaluarën, për identitetin, për veten. Si tregohet me balet?
S’e di, duhet të punoj për këtë. Mendoj se me baletin mund të shprehet gjithçka, por më parë duhet gjetur koha për ta përdorur këtë lëndë si një skulpturë, si argjila që formohet. Baleti duhet të punohet, duhet të përpunohet derisa të dalë diçka. Si një baltëpunues që përpunon baltën e më pas vjen poçi. Pastaj, në këtë poç mund të vësh shumë gjëra. Mund të vendosësh ujin, zhurmën, mund të vendosësh flori, ta vësh si pluhur. Mund të vësh shumë gjëra.
Cila është pjesa juaj më e bukur, ajo që keni më shumë për zemër?
Të gjitha janë shumë të bukura.
Çfarë ju frymëzon që bëni gjëra kaq të bukura?
Gjithçka më frymëzon. Mund të jetë një libër, një pikturë. Mund të jetë një shikim, njerëz që ecin në rrugë. Kam nevojë t’i kem të larmishme burimet e frymëzimit, që të përpiqem të evoluoj në punën time.
A e dini sa balerinë të shkëlqyer ka Shqipëria dhe janë kudo në botë?
Jo, nuk e di. Sa?
Ka disa balerinë të rinj, të shkëlqyer, të cilët janë në botë. Madje edhe vëllai i djalit që po na xhiron ne sot, është balerin i shkëlqyer. Është shumë xheloz që sot, vëllai i tij është duke ju parë juve, që jeni mbret i baletit.
Po ku jeton ai?
Ja, ta pyes. Elis, ku jeton vëllai? Jeton në Bernë. Ai pyeti për këtë intervistë dhe mezi po pret që ta shikojë.
Shume mirë, faleminderit.
Më duket se ka ardhur koha që të ktheni kokën pas edhe nga atdheu për të bërë gjëra me këta njerëz?
Po, do të më pëlqente të kthehesha në Shqipëri. Është një vend që më frymëzon shumë dhe që më mungon, gjithashtu. Jam shumë e lumtur që ju takova sot, që po bëj këtë intervistë. Siç do të thoshte me fjalë të tjera Ismail Kadare, nëpërmjet jush do të çoj në atdhe ca kova qiell…
Rudina Xhunga