Aida Dizdari: Po ju fashis idenë e përkthyesit të vetmuar, përkthimi kërkon kthjelltësi
Këtë herë, mendova se do të ishte e nevojshme përveç rëndësisë që i kushtojmë krijuesve, të vlerësojmë edhe mundin e përkthyesve. Aida Dizdari, në fakt shkruan edhe vetë në gjuhën shqipe, por veç kësaj ajo gjithashtu mendon se vepra rishkruhet gjatë përkthimit dhe në këtë këndvështrim përkthyesi është gjithnjë bashkautor. Në një intervistë për Shqiptarja.com, Aida shprehet se i qëndron besnike përkthimit për dashuri, por vlerëson shumë edhe përkthyesit që ndjekin rreptësisht një përmase të caktuar. “Sipas mendimit tim një përkthyes është ose duhet të jetë para së gjithash i dashuruar pas një vepre. Qoftë edhe veç një rresht, një varg a një fjalë, kjo duhet të kalojë mes filtrave të dashurisë, interesit, frymëzimit dhe informimit…”, tregon Aida. Edhe pse në poezinë “Mund të shkruaj vargjet më të trishta sonte” të Pablo Nerudës, ajo shprehet se duke qënë përballë një poezie të madhe nga një poet po i tillë, është e nevojshme gjetja e pikës së dobët, pasi poezia duhet të rrjedhë në shqip. E pyetur nëse kur ka përkthyer këtë poezi, ka qënë edhe për të një natë e trishtë, ajo përgjigjet: “Nuk ka vend për trishtim e as mund të mendohet lëshimi nëpër gjëndje shpirtërore personale kur je para një përpjekjeje të tillë. Ndjesë që ndoshta ju fashis atë idenë romantike të përkthyesit të vetmuar, që tejshkohet nga poezia e bëhet njësh me të, por besoj se lloji i punës kërkon kthjellësi. Gjithsesi unë përkthej atë që dua, kështu që i gjithë procesi është një përmbushje shipirtërore dhe, për mua, mënyra më e plotë për ta lexuar poezinë”. Artistja Dizdari, përveçse një përkthyese shumë e mirë ka një stil të veçantë të veshuri. Me sytë e saj të kaltra, dhe buzëqeshjen kashmir të butë, Aida bën të mundur që edhe intervista të rrjedh, pa e kuptuar kur kemi arritur në fund.
Intervista e plotë
Do doja ta fillonim intervistën me një pyetje që më bën shumë kureshtare. Sa autor ndihet një përkthyes? Sa e veshtirë është të respektosh autorin e veprës në të gjitha dimensionet e tij apo ka gjithmonë pak vend për të shprehur edhe ju veten tuaj?
Faleminderit së pari, për këtë hapësirë. Takimi i përkthyesit dhe veprës letrare është gjithmonë një përpjekje e vështirë për të udhëtuar nga bota në botë, nga kultura në kulturë. Përkthyesi mundohet të rikrijojë të njëjtin efekt si në tekstin burimor e të përçojë sa më natyrshëm kuptimet e mundshme.
Në këto kushte mendoj se vepra rishkruhet gjatë përkthimit dhe në këtë këndvështrim përkthyesi është gjithnjë bashkautor. Pa dyshim bagazhi i përkthyesit, zhdërvjellësia, përvoja e tij… të gjitha do të shfaqen në vepër. Kjo nuk vjen nga mosdëshira për t’i qenë besnik autorit, por nga pamundësia.
Ndërsa sa i përket pjesës se sa autor ndihet një përkthyes, mendoj se gjurmët e dukshme të përkthyesit nuk përbëjnë qëllim. Shfaqja në vepër, siç thashë më sipër, ndodh prej nevojës e jo dëshirës. Në poezinë e Nerudës që ju keni zgjedhur për shembull, dallohen qartë ndryshimet me origjinalin.
Vendimet e marra prej meje dhe zgjedhjet që kam bërë janë pak si qasja që kemi ndaj jetës: s’mund t’i kesh të gjitha, po mund të synosh më të mirën dhe dikur të kënaqesh me atë që ke. Është e natyrshme se poezia ka kaluar përmes meje, përmes procesit tim të të kuptuarit dhe ndienjës sime estetike. Megjithatë për mua qëllimi i fundëm është të paraqitet dhe të duhet Neruda.
Emri im, nëse puna është e mirë, duhet të shërbejë thjesht si reference për të mbërritur më shpejt tek autori.
A jua thjeshtëzon punën fakti që ju shkruani edhe vetë në gjuhën shqipe?
Këtë nuk mund ta them me saktësi sepse nuk kam qenë ndonjëherë vetëm përkthyese, por mendoj se stërvitja, qoftë dhe ajo në të shkruar, zhdërvjellson.
Përkthimi është gjithsesi ndryshe nga të shkruarët pasi nëse ky fundit është një frymënxjerrje, procesi i përkthimit është një cikël i plotë frymimi gjatë të cilit dhe përkthyesi, dhe vepra ndryshojnë. Nga ana tjetër përmes të të shkruarit shfaqet vetvetja, ndërsa gjatë përkthimit vetja shkon drejt anulimit.
Mendoni se perkthimi i poezisë është më i vështirë se i prozës?
Jo, nuk do t’i dalloja… madje mendoj se deri diku proza është më e vështirë. Nëse disa poezi janë thjesht të papërkthyeshme, një nga rreziqet që i kanosen përkthimit të prozës është që nga art, të kthehet në sport të përdorimit të fjalëve të padëgjuara.
– Kur keni përkthyer ‘Mund të shkruaj vargjet më të trishta sonte’ të Pablo Nerudes, a ka qenë edhe për ju një natë e trishtë?
Kjo poezi është përkthyer rreth 15 vjet më parë. Është një poezi e madhe e një poeti të madh, përballë së cilës ndihesh gjithnjë e gjtihsesi si David.
Duhet t’i afrohesh me terezi, t’i gjesh atë pikën e dobët nga do të nisë të rrjedhë në shqip. Nuk ka vend për trishtim e as mund të mendohet lëshimi nëpër gjëndje shpirtërore personale kur je para një përpjekjeje të tillë.
Ndjesë që ndoshta ju fashis atë idenë romantike të përkthyesit të vetmuar, që tejshkohet nga poezia e bëhet njësh me të, por besoj se lloji i punës kërkon kthjellësi.
Gjithsesi unë përkthej atë që dua, kështu që i gjithë procesi është një përmbushje shipirtërore dhe, për mua, mënyra më e plotë për ta lexuar poezinë.
Besoj që përkthimi është gjithashtu një proçes krijues edhe artistik, ndoshta me një vështirësi shumë specifike- sepse nuk mjafton të njohësh gjuhët respektive- por , sipas jush, çfarë duhet të ketë një përkthyes parasysh përpara se të nise një përkthim?
Jo, nuk mjafton të njohësh gjuhët respektive ashtu si edhe nganjëherë nuk është e nevojshme t’i njohësh ato.
Koleman Barks për shembull, nuk e flet persishten por është përkthyes i Rumit. Ai mbështetet në përkthime të tjera të veprës së Rumit.
Shumë përkthejnë jo nga origjinali dhe gjithsesi prodhojnë vlerë. Kur unë përkthej nga gjuhë që nuk njoh, dhe pse rrallë, mbështetem në përkthime të bëra në disa gjuhë të tjera dhe deri diku arrihet diçka e këndshme. Mbetet për t’u diskutuar deri në ç’nivel e kemi shpënë ‘tradhëtinë’. Sipas mendimit tim një përkthyes është ose duhet të jetë para së gjithash i dashuruar pas një vepre.
Qoftë edhe veç një rresht, një varg a një fjalë, kjo duhet të kalojë mes filtrave të dashurisë, interesit, frymëzimit dhe informimit… jo domosdoshmërisht në këtë rend. Të kuptohemi, unë nuk kam gjë kundër përkthimit rreptësisht besnik ndaj një përmase të caktuar, zakonisht kuptimit, që përqëndrohet mbi autorin dhe nuancat e gjuhëve të përfshira.
Madje e vlerësoj jashtë mase një përpjekje të tillë pasi kërkon një sforcim jo të vogël. Megjithatë unë parapëlqej dhe zgjedh çdo herë përkthimin për dashuri. Kjo të orienton që të përkthesh atë që mundesh brenda gamës së aftësive personale. Mendoj se nuk mund të dashurosh pa kuptuar, por në ndodhtë, nuk mund të duash dhe të mos përpiqesh të kuptosh.
Njëkohësisht dashuria sjell vetvetiu sinqeritetin, anulimin e vetes dhe nxjerrjen në pah të objektit të dashurisë. Në këtë kontekst kuptohet se asnjë përkthim nuk mund të jetë i rastësishëm dhe se kur dikush përkthen i kumton botës arsyet e magjepsjes së vet.
Më pëlqen ta quaj procesin ‘shqipërim’ e nganjëherë edhe ‘shqipërim të lirë’ për ndershmëri dhe për një lloj koherence me ato që thashë më sipër. Kjo është një deklaratë se poezia ka ndryshuar dhe nuk është më ajo e para. Por njëkohësisht është dhe premtimi im se në fund besnikëria i mbetet dashurisë.
(Kristi Gogo/Shqiptarja.com)