Serkan Demirtaş: “Xhonturqit” e Erdoganit
Më 16 prill qytetarët turq votuan në favor të disa amendamenteve tërësore kushtetuese që e rishkojnë sistemin qeverisës drejt një modeli të presidencës me fuqi ekzekutive, një lëvizje e konsideruar si fillimi i një ere të re në Turqi. Në frymën e këtyre amendamenteve, presidenti Recep tayyip Erdogan u zgjodh kryetar i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim(AKP) në muajin maj por do të duhet të presim deri në zgjedhjet e vitit 2019 – nëse jo më shpejt – të ndjejmë zbatimin e kushtetutës së amenduar.
Gjithësesi, disa hapa të ndërmarra nga qeveria në javët dhe muajt e fundit veçanërisht në sistemin arsimor dhe fushat sociale sinjalizojnë ndryshime edhe më të mëdha që pritet të prekin jetën publike në këtë erë vërtet të re për Turqinë. Një ndryshim në kurikulumet e shkollave që la jashtë evolucionin dhe përfshiu në libra konceptin e “xhihadit” si pjesë e ligjit islamik u interpretua si një tjetër goditje e fortë ndaj cilësisë së arsimit në Turqi, krahas shqetësimeve se do të çojë drejt një shkëputjeje të re nga shekullarizmi.
Politikat arsimore të AKP-së prej kohësh promovojnë dhe mbështesin zgjerimin e shkollave fetare bashkë me numrin në rritje të orëve të detyrueshme për kurset selektive fetare thuajse në të gjitha nivelet. Prezantimi i modelit 4+4+4në sistmin arsimor turk i çeli udhën qeverisë për rritjen e numrit të studentëve në shkollat që shkon mbi 1 milionë.
Shqetësimet që lidhen me zëvendësimin e njohurive të domosdoshme shkencore dhe akademike në favor të prioriteteve ideologjike të përcaktuar nga AKP po rriten. Kjo lloj preference arsimore sigurisht që nuk të ndihmojë të kultivojë dhe mbarështojë kulturën demokratike, respektin ndaj tjetrit, tolerancën ndaj ideve disidente mes rinisë.
Por ndërhyrjet kundër arsimit nuk janë të kufizuara. Disa fondacione fetare konservative po bëhen përherë e më shumë ndikuese në të gjitha aspektet e arsimimit. Një raport i publikuar nga e përditshmja “Cumuriyet” në datën 2 gusht zbulon se Ministria e Arsimit ka lejuar fondacionin “Ensar” të organizojë kurse në rreth 1 000 qendra publike arsimore nën termat e një protokolli të firmosur së fundmi.
Ky fondacion fetar zuri titujt e gazetave vitin e kaluar pas lajmit se një mësues i tij, i punësuar në një nga degët e provincës Karaman, në Anadollin Qendror, u dënua për abuzim seksual ndaj 10 fëmijëve të moshës 10, 12 në vitet 2012-2015. Duhet të mbahet parasysh edhe se Fondacioni Ensar ka lidhje shumë të forta me AKP-në. Ai përfiton mbështetje të fortë nga Erdogan që së fundmi bëri thirrje për krijimin e brezave të besimtarëve nga konventa e fondacionit në Stamboll.
Një protokoll i ngjashëm u firmos mes Ministrisë së Familjes dhe Politikave Sociale dhe fondacionit Muradiye që i jep këtij të fundit mbështetje financiare për 31 qendrat arsimore që funksionojnë nën emrin “Shtëpia e Fëmijës” e që ndodhen në Ankara. Ky fondacion mendohet se ndjek parimet e urdhërit Nakshibendi, një komunitet fetar sunit.
Mes fondacioneve të tjera, Fondacioni Shërbimi i Turisë për Rininë dhe Arsimin, një orgamizatë joqeveritare që ka në bordin e vet si anëtarë, djalin e Erdogan, Bilalin dhe vajzën Esra Albayrak, meriton vëmendje të veçantë. Nuk duhet nënvelrësuar ndikimi i tij sidomos në arsimin e lartë në Turqi. Organizata në fjalë ka bashkëpunim të ngushtë me Fondacionin Ensar.
Një tjetër zhvillim që i dha shtysë diskutimeve mbi shekullarizmin është edhe një projektligj që u lejon myftijve dhe nëpunësve civilë të Departamentit të Çështjeve Fetare që të regjistrojnë dhe të drejtojnë ceremonitë martesore. Ata që janë kundër këtij drafti argumentojnë se kjo lëvizje do të minojë shekullarizmin dhe do të çelë udhën për martesa fëmijësh ndërkohë që mbështetësit thonë se ndryshimet nuk do të sjellin amendime të kritereve të martesave.
Një nga pasojat më të rëndësishme të këtij ndryshimi do të jetë krijimi i një trupe fetare që do të shërbejë për zbatimin e kodit civil që do të mund të ruajë me sukses rendin në dinamikat e jetës sociale në Turqi.
Jo domosdoshmërisht të lidhura me vëzhgimet e mësipërme, edhe ankesat dhe kundërshtitë mbi ndërhyrjet në stilin e jetës, mënyrën si vishen femrat etj., po njohin rritje. Për fat të keq ky nuk është thjesht produkt i arsimit të varfër, por gjithashtu edhe i polarizimit brenda shoqërisë turke.
Thënë e gjitha kjo, një klauzolë e veçantë i do kushtuar ndryshimit në Diyanet – Departamenti për Çështjet Fetare – ku kleriku Mehmet Görmez, që drejtonte një nga institucionet më të mëdha në Turqi, ka shpallur daljen në pension. Besohet se Görmez dhe Erdogan kishin mosmarrëveshje mbi disa çështje që kanë të bëjnë me vendime fetare për shkak të interpretimeve të ndryshme të Islamit. Besohet po ashtu se pasuesi i Görmez do të jetë një figurë më besnike ndaj presidentit dhe më bashkëpunes.
Të gjithë këto ndoshta janë gurë themeli i atij vizioni për të ardhmen e Turqië që shpesh artikulohet nga Erdogan. Do të ketë rëndësi jetike vëzhgimi në zgjedhje i reagimit të opinionit publik kundër këtij vizioni për Turqinë, vizion i cili eliminon laicitetin si në sistemtin arsimor ashtu edhe në rendin social.