Fane Veizi: Autobiografia e Himarës në këngët e hershme popullore (1)
QË NË GUMENICË E LARTË
Që në Gumenicë e lartë,
Himarë i thonë çdo fshatë,1)
gjithë trima e levendë,
burra stralli pallergjendë,
lënë nam kudo që venë.
E nisim me Bregdenë,
e shkojmë në Tepelenë,
vemi kufi me Delvinë,
ndë Dragji e gjer Kaninë.2)
Vuno-Qeparo, Himarë, 1956
Në një variant tjetër nga Bolena, përveç dy vargjeve të para shtohen dhe dy vargje të tjera si më poshtë:
Turku punoj me zanat,
ndaj kemi mbetur pak.
1) Krahina e Himarës, para periudhës së islamizimit e, sidomos para shek. XVIII, përbëhej nga më se 50 fshatra. Gjerësia e saj ishte rreth 50 milje dhe gjatësia 100 milje. Fillonte nga kepi Longeta e mbaronte në afërsi të kështjellës së Butrintit. Në këtë krahinë bënin pjesë fshatrat: “Himara, Piliureus, Bumceci, Drimades, Klloparo, Nivic – Bubari, Pallasa, Pikerni, Basilio, Liates, Llukovo, Gjomboçari, Kvarabta, Bunai, Saseno, Dukates, Drazhia, Radhima, Gumenica, Mazzari, Drubaçe, Kudesi, Nivica, Lopes, Mavrova, Vranishti, Zenogorica, Smokthina, Gjonimei, Kallozherates, Vermihiotes, Lepenica, Kuçi, Kardini, Velçja, Bratades, Galiasa, Golimbades, Liaparda, Millu, Loksiotes, Progonates, Gliopezotes, Vansa, Bënça, Tepelena dhe të tjerë më të vogla që nuk përmenden”. (Shih: Buletini i Shkencave Shoqërore, T., 1955, nr. 2, f. 158-159).
2) Është fjala për fshatin Tragjas të Vlorës.
HIMARË, KANINË, DRASHOVICË
Himarë, Kaninë, Drashovicë,
Tepelenë, Kardhiqë, Nivicë,
kaonë janë të gjithë,1)
nga një farë e nga një fis.
Që me ardhjen e Turqisë,
në vendet e Labërisë,
i ndau i bëri dyshë,
në xhami edhe në qishë.
O kaonë, shumë vove,
në gërxhe e male rrove,
traditat nuk i harrove,
nderinë e respektove,
bujarllëkun e nderove.
Himarë 1976, Jani Brigo, 1968
1) Fis epirot që banonte gjatë Bregut të Jonit prej lumit Thyamis (sot Kallama) në jug deri në malet Akrokeraune (sot LLogora-Malet e Vetëtimës) në veri dhe në krahinat e brendshme të luginës së Drinos (Shih: FESH, T., 1985, f. 450-451).
QE NE KANINE E DELVINE
Që në Kaninë e Delvinë, 1)
s’ka njeri që të na hijë,
se me thik’ i ham mëlçinë.
Himariotë si luanë,
që luftojnë si asllanë
me kordh’ e me jataganë.
Të gjithë një kokë kanë,
mbi pesëdhjet’ fshatra që janë.
1) Bëhet fjalë për zonat malore të Himarës para procesit të islamizimit.
PSE S’HA BUK’ E PSE S’PI VERË
– Pse s’ha buk e pse s’pi verë,
Ago Ago, Imer Ago? 1)
– Ku kam buk’ e ku kam verë?
– Pse s’e lot karadyzenë?
– Unë e loz, po s’ia kam ngenë.
Ç’pashë një ëndërr të zezë.
Ëndërr të zezë për mua.
Se gruaja m’u martua.
Dhe babai m’u verbua.
– Ç’më jep ti të lëshoj unë?
– Të jap besën e imkrave
Mb’udhë u poq me krushkëtarë.
– O ju krushq e ju xhallarë,
– kush e nje Imer Aganë?
Tha nusia: e njo unë.
Më kish thënë e zeza nënë,
kishte një nishan në llërë.
Himarë, Sotir Veizi, 1937; A. Duka, Ll. Çipa
- Përsëritet pas çdo vargu. Në legjendën për këtë këngë, që është shumë popullore në krahinën e Himarës, thuhet se Imer Agai u zu rob. Një princeshë, duke dëgjuar për trimëritë e tij, duke e parë të mërzitur nga ëndrra që kishte parë, i dha leje që të shkonte në shtëpi, po me kusht që të kthehej prapë, se, në të kundërtën, ajo do ta paguante keq. Rrugës, duke shkuar për në shtëpi, gjeti disa dasmorë dhe midis tyre njohu ish gruan e tij që po martohej me një tjetër, se kishin thënë që Imer Agai kishte vdekur. U kthye në shtëpi me nusen. Ata iu lutën të qëndronte, po ky meqë kish dhënë besën që të kthehej, u nis përsëri. Kur mbërriti në vend, princeshën e kishin dënuar me vdekje për shkelje të rregullave dhe po e shpinin për ekzekutim. Në këtë kohë shkoi me vrap Imer Agai dhe kërkoi ta merrte ai përsipër dënimin e saj. Sipas legjendës u falën që të dy.
PA VËSHTO SE Ç’THOT’ KALAJA
Pa vështo se ç’thot kalaja, 1)
e vjetër sa ç’është dunjaja!
– Këto gërxhe, këto maja,
mposhtën ushtri të mëdhaja,
s’u dha kurrë Barbakaja, 2)
bën kërdine Skutaraja. 3)
Gjith’ armiqe u bën ballë,
trimat levendër me pallë,
që s’lan’ armik të gjallë,
si në Vishë 4) e si në Ballë. 5)
E sa her kam patur hallë,
më ndihnë djeltë tanë,
më kët’ anë e për mat’ anë. 6)
Himarë-Dhërmi, 1959
1) Është fjala për kalanë shumë të lashtë të Himarës.
2) Toponimi brenda kalasë, në krye të saj, që shërbente për vrojtim. Me këtë emër shpesh përmendej vetë kalaja.
3) Toponimi që përfshin malin që ndan Himarën dhe Vunoin. Ka qenë vend strategjik i banuar dhe shumë i vështirë që të mposhtej nga armiqtë.
4) Grykë e thellë, që lidh fshatin e Himarës me të Vunoit, shumë e rrezikshme për kalim. Çdo pëllëmbë është e përshkruar me ngjarje të rëndësishme.
5) Lartësi përballë kalasë, në lindje. Shpesh ishte mbrojësja kryesore e saj. Ka qenë e banuar dhe thuhet se shumë banorë para dhe pas pushtimit osman ishin larguar në drejtim të Greqisë dhe Italisë.
6) Është fjala për banorët e krahinës së vjetër të Himarës si në Bregdet dhe në zonat e thella malore.
PA VËSHTO SE Ç’THOT’ KALAJA
Pa vështo se ç’thot’ kalaja:
– U sloste sa ç’ka dunjaja!
Bëj sehir nga Barbakaja 1)
përball’ është Skutaraja. 2)
E matanë Visha 3) me Balle 4)
e, sa herë kamte hallë,
më ndihn burrat me pallë!
Burrat n’Akroqeravnë,
dhe prapa malit mat’anë. 5)
Himarë.
1) Toponomi në krye të kalasë, që shërbente për vrojtim.
2) Mal përballë kalasë, që ndan Himarën me Vunoin.
3) Grykë që ndan kufirin midis Himarës dhe Vunoit.
4) Kodër e lartë në lindje të kalasë.
5) E ka fjalën për zonat e thella malore të Kurveleshit, lumit të Vlorës, Tepelenës etj.
Ç’U MBËLODHË CAKËNATË
Ç’u mbëlodhë Cakënatë, 1)
Komnëve s’u dhanë hakë, 2)
që u kishin ikur gratë,
për një ditë e për një natë,
mëmëzonja me kunatë,
se qenë njerëz të prapë.
Himarë, 1947
1) Një nga fiset më të vjetra autoktone të Himarës që banonin në qendër të kalasë së lashtë të Himarës. Edhe pasardhësit vazhdojnë të banojnë përsëri në trojet e të parëve të tyre brenda kalasë. Siç tregon dhe kënga, dënoheshin të gjithë ata që keqtrajtonin gratë.
2) Familje që bënte pjesë në fisin e Cakënatëve dhe që nuk ekziston më. Vazhdojnë të përmenden në toponimi.
TREQIND MARA
Treqind Mara,
treqind Komna,
treqind mushka
prill më prill
u vihej shala 1)
Kudhës, 1974
Dh. Toto
1) Bëhet fjalë për madhësinë e Kudhësit të Himarës para pushtimit osman në shek. XV. Kjo dëshmon për përdorimin masiv të mbiemrave Mora dhe Komna.
KA TË THËNË E KA TË GJARË
Ka të thënë e ka të gjarë
se Thopajtë e parë, 1)
ishin të fismë e bujarë,
ishin të gjithë nga der’ e parë,
shtatë ishin gjëndëralë, 2)
ndë krajli Napolitanë.
Vuno 1953, Sofi Pile.
1) Bëhet fjalë për mëhallën e Thopajve në Vuno. Në burime të ndryshme thuhet se janë pasardhës të Topiajve.
2) Gjeneralë.
O SOFIA, O URATË
O Sofia, o uratë,
jeshe bijë Pagnatatë,1)
të ma kesh jetën e gjatë,
të ma mbaç emërin e lartë,
si jot ëmë e si yt atë,
siç jan’ bijat Pagnatatë
Vuno, 1934
1) Një nga fiset kryesore shumë të vjetra në Vuno. Kur hapnin themelet e shtëpisë së Thopajve, u gjet një varr; mbuluar anash me pllaka të mëdha. U gjetën monedha, enë balte të ganosura, lakrimogjene, rruaza etj. Toponimia e këtij vendi vazhdon të quhet Pagnatat.
MATARËNG O MATARËNGA
Të dal shpesh ma kishte ënda,
se keshm një gjak në rrëmba,
po nuk gjen më njeri brenda.
Matarëng o Matarënga, 1)
me perivole të rënda,2)
lënë djerr e bërë gjëmba.
Himarë 1957, K. Dhimojani
1) Është fjala për fisin e vjetër të Matarëngëve që ka jetuar në Himarë. Aty nga shek. XV janë shpërngulur në drejtim të Italisë. Nga gjiri i tyre ka lindur Lekë Matrënga, korifen i letërsisë shqipe. Për banimin e tyre në Himarë bën fjalë toponimia e sotme e gërmadhave, arave, varreve etj. ( Shih: Historia e letërsisë Shqipe, Vëll. I, T., 1959, f. 198-199)
2) Kopshte.
O KU JE, HIMARA IME
O ku je, Himara ime,
gjithë jetën mbete trime,
nuk u dhe asnjë thërrime.
Që në ko të Kaonisë, 1)
çdo armik e ke vithisë,
si atë tëLlatinisë, 2)
dhe atë t’Ajo Sofisë, 3)
bashkë me të Bullgarisë.
Të gjithë sa erdhe, vanë,
iknë e muar dunjanë.
Këto gurë e këto anë
nuk i dheks e nuk i mbanë,
dhe të vdekur kur janë.
Himarë- Dhërmi, 1974
1) Autorë antikë dëshmojnë qartë se kufijtë veriorë të Kaonisë kanë qenë malet e Llogorasë dhe të Kudhësit, të cilat e ndanin atë nga qyteti i Grikut dhe fisi tjetër ilir i Amantëve. Straboni në veprën e tij “Gjeografika” shton se: “… Kaonët, pra dhe Tesprotët, dhe pas këtyre me radhë Kasopët (dhe këta janë Tesprotë), banojnë në anëdetjen që nis nga malet Keraune dhe të gjirit të Ambrakisë…”.+ Gani Plin Sekundi gjatë shekullit të parë të erës sonë përmend kështjellën e Himarës mbi malet e Akrekeranit.++ Për kaonët bën fjalë Skulaksi (në shekullin IV-V para erës sonë), që ishte një udhëtar e gjeograf grek, Thuqididi,+++ e shumë të tjerë. Në kohë antike disa burime bëjnë fjalë për disa skela të Kaonisë e, ndër të tjera, përmendet Himairai dhe Panormi. Tregojnë se ishin skela të mbrojtura mirë nga erërat e veriut e se anijet antike mund të ankoroheshin në to në çdo stinë të vitit. Vendi ku ishin ngritur këto skela, e që vazhdojnë të jenë gjer në ditët tona, tërheqin vëmendjen e të gjithve, sepse të parët tanë kanë ditur të zgjedhin.
2) Të dhënat burimore, arkeologjike e dokumentare bëjnë të qartë se dhe kjo trevë ka kaluar të gjitha formacionet e ndryshme shoqërore dhe nuk ka shpëtuar nga invadimet e pushtuesve të huaj për shekuj me radhë. Kënga na jep një pasqyrë të përpjekjeve për liri dhe për disfatën e pushtuesve. Megjithëse disa prej tyre cilësohen si ato të Llatinisë, që nënkupton pushtimin romak.
3) Ajo Sofisë nënkupton sundimin bizantin, sundimin bullgar (851-1018) etj. tregon se asnjë i huaj nuk e ka patur të gjatë qëndrimin në atë tokë.
+) Ilirët dhe Iliria tek autorët antikë, Tiranë, 1965, f. 1965, f. 195.
++) Po aty, f. 195.
+++) Po aty, f. 28.
FLAMBURO MARTONEM
Flamburo martonem, 1)
te qisha te port’ e madhe,
hidhen këngë e hidhen valle.
Zhgab’ e madhe me dy kokë,
të rroni, plakeni tokë.
Himarë, 1955
1) Flamuri i himariotëve që përdorej në luftë dhe në ngjarje të rëndësishme. Në këtë rast përdorej në martesa. Ai ishte me shqiponjë dykrerëshe. Katër shqiponja të gdhendura në gur aktualisht ndodhen në derën e kishës së vjetër të shek. XI në kalanë e lashtë të Himarës.
KE MARKOVA KE LUM’ I ZI
Ke Markova ke Lum i Zi,1)
mben kërmat e trimave t’rij,
me turkeshin vra e shkri,
gjokën shpellë ta kanë vrarë.
Turkeshi me arapn’ e zi,
dogjën kasolle dhe shtëpi,
dhe ca fis e kushëri,
janë tret në dhe të zi,
mbeti arbëri pa njeri.
Bolenë.
1) Bëhet fjalë për Bolenën para islamizimit. Vendi Lumë i Zi ekziston edhe sot dhe quhet Përroi i Zi, rrjedh nga mali i Çipinit. Edhe sot në Çipin është një shpellë, që quhet Shpella e Gjokës. Gojëdhëna thotë se aty u vra një kalë i fortë e i pakapshëm. Kënga është në historikun e Bolenës. E ka treguar një arbëresh nga Markova i ardhur nga Peloponezi, më 1949.
MARKOVICË O MARKOVICË
Markovicë o Markovicë, 1)
kish të ish atje një çikë,
ku kam lënë burrë e bijtë,
nuk pash’ yll e nuk pash’ dritë,
nga qarjet qërruam sytë.
Dhe nashti këtu nd’Elladhë,
më nj’anë si qënë na lanë,
pa qish e pa llambadhë. 2)
Himarë-Bolenë, 1976
1) Eshtë fjala për një toponimi të banuar në fshatin e sotëm të Bolenës të rrethit të Vlorës. Banorët e saj janë shpërngulur gjatë ekspeditave të egra të sulltan Sulejman Kanuniut ne drejtim të Greqisë (Shih historikun e fshatit Bolenë, f. 12). Në të përmendet se kënga është marrë nga fshatari bolenas Hito Rexhepi i (1821-1944) 123-vjeçar. Ai tregonte se këngën e kishte marrë nga një bashkëfshatar i tij i moshuar që kishte qenë nizam në Trikalla të Greqisë. Aty gjeti pasardhësit e të larguarve nga Bolena.
2) Lambadhë – qiri që përdorej në pashkë.
QEPARO, DO TË KUJTOJ
Qeparo, do të kujtoj,
trëndalin e maleve,
vendi bukur prej natyre,
histori të madhe ke,
fusha përpara limanit,
vendi kapetanëve.
Burra me pallë të rënda,
s’iu dhatë sulltanëve.
Ndë luftë të parë vatë,
luana i të parëve
Edhe ndë krajlitë e tjera, 1)
nuk iu bindët kralëve.
Himarë 1964, L. Mërtiri
1) Është fjala për himariotët që shërbenin si ushtarakë stipendiarë (rrogëtarë) në Mbretërinë e Napolit, Spanjës, Venedikut etj., po asnjëherë nuk u ishin nënshtruar atyre.
O HALIF E PADISHA
O halif e padisha, 1)
nuk na bën dot raja, 2)
as xhizje nuk japim na, 3)
s’mbam’ dot njeri mbë kra.
Sa jemi mbi këtë tokë,
s’mbam dot njeri mbi kokë.
Himarë, 1934, Ll. Çipa
1) Mëkëmbës i profetit.
2) Quheshin fshatarët që ishin futur nën regjimin e timareve në shek. XV.
3) Taksë prej 45 akshesh për të krishterët. Në shek. XVI kjo taksë u caktua në 35 akshe në sanxhakun e Vlorës, çka u bë shkak që shumë fshatra të krishtere, përfshirë dhe ato të zonave malore, të myslimanizoheshin (Shih: Historia e Shqipërisë, Vëll. I., f. 263, T., 1959).
GJARPËRI QË NA KA ZËNË
Gjarpëri që na ka zënë,
me këtë dovletin tënë,
na mban tre sahat më këmbë,
na kërkon babë dhe mëmë, 1)
sa na vjen shpirti më dhëmbë.
Kudhës, 1972
1) Është fjala për taksat e vazhdueshme që kërkonte Porta e Lartë në krahinën e Himarës shek. XV, por, siç dihet ajo nuk mundi t’i sigurojë asnjëherë (Shih: V. Meksi, Buletini, Shkodër).
DEMAVE TË SHQIPËRISË
Demave të Shqipërisë,
s’u shpëton lop’ e Turqisë,
Ali Pashë, lopë plakë, 1)
po të duash, eja prapë.
1) Komandant i shquar osman, që në krye të 25.000 ushtarëve luftoi kundër Skënderbeut në Torvioll të Dibres më 29 qershor 1444 dhe pësoi disfatë. Me Skënderbeun ishte dhe kapedani trim himariot Andon Linjërosa me 300 kalorës, luftoi dhe ra heroikisht me 40 trima të tij. (Sipas Fan Nolit këtë këngë e këndonin trimat e Linjërosës). (Shih: Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut, T. 1962, f. 39-40. Historia e Shqipërisë, Vëll. I., T., 1956, f. 277).
QANI, O MALE, QAJ, O DET
Qani, o male, qaj, o det,
për kapetanin me flet,
kulloni si shpellat vetë
për ligjëroshin e shkretë, 1)
bashkë me treqind vetë,
luftoi si dinte vetë,
si kapetan i vërtetë,
atje larg i ziu mbet, 2)
ç’u vra bashkë me dyzet.
Himarë, 1969
1) Bëhet fjalë për kapedanin e shquar himariot Andon Linjërosën, që mori pjesë si përfaqësues i krahinës së Himarës në Kuvendin e Lezhës më 1444 dhe në fund të qershorit, me 300 kalorës që e shoqëronin, mori pjesë në fushën e Dibrës nën udhëheqjen e Skënderbeut. Ushtritë osmane, të komanduara nga Ali pasha, të përbëra nga më se 25 mijë vetë, u futën në fushën e Tërvjollit dhe pësuan disfatë. Sipas planit të Skënderbeut, Andon Linjërosa, me disa kapedanë të tjerë, u caktua të mbronte një nga barikadat e rëndësishme të frontit. Ai, me trimëri e guxim, bashkë me luftëtarët e tij, e kreu me burrëri detyrën, duke rënë bashkë me dyzet trima (Shih: Fan Noli, Historia e Skënderbeut, T., 1962, f. 39-40).
2) Është fjala për fushën e Torvjollit të Dibrës.
TREQIND KUAJË ME SHALË
Treqind kuajë me shalë
gjithë trima kapetanë,
ç’u ngrenë e te Gjergji vanë 1)
edhe besën ia dhanë,
të luftojnë me sulltanë.
Himarë 1947, S. Veizi e mori nga Hajdho Kallushi.
1) Gjergj Kastrioti Skënderbeu, 300 kalorës himariotë, me në krye kapedanin e tyre, Andon Linjërosën, shkuan si përfaqësues të krahinës në mbledhjen e Kuvendit të Lezhës. (Shih: Fan S. Noli, Historia e Skënderbeut, T., 1962, f. 39-40. Historia e Shqipërisë, Vëll. I, T., 1956, f. 227).
DOLI DIELLI, QESHI MOTI
Doli dielli, qeshi moti,
ç’u martua Kastrioti. 1)
Kastrioti ç’u martua,
mori një sojlleshë grua.
Sojlleshë, sua astriti,
derë e parë Arianiti.
Ç’e mori gruan sojlleshë,
që llambirisi në Leshë. 2)
Në Leshë e në gjith’ anë
të gjithë ta dhanë uranë.
Himarë-Pilur, 1980
Ll. Çipa
1) Gjergj Kastrioti, Skënderbeu, i martuar me Donikën, të bijën e Gjergj Arianitit, që ishte edhe princi i Himarës.
2) Ndriçoi.
3) Urimin, bekimin.
ZHGAB’ E MADHE KASABA
Zhgab’ e madhe kasaba, 1) 2)
me dy krahë të mbëdha.
Zhgab’ e madhe me dy kokë,
mbret i zogjëve në tokë.
Zhgab’ e madhe, zot i dheut,
krenari e Skënderbeut.
Himarë 1924, Jani Brigo.
1) Është fjala për flamurin me dy krerë, që e mbajtën vazhdimisht luftëtarët himariotë në luftën e tyre për liri, brenda e jashtë vendit, në dasmat dhe në gjithë veprimtarinë e tyre. Këtë simbol që e quanin flamburo, u detyrua ta njihte edhe Porta e Lartë më 1492. Me të përshkonin gjithë detrat dhe limanet e Perandorisë Osmane gjer më 1912 (Shih: Ll. Spiro, Oneos Kuvaras, 1914, f. 83).
2) Këtu në kuptimin: e madhe sa një qytet.
QË DITËN QË NA LE
Që ditën që na le,
kapetan, o Skënderbe, 1)
gjithëmonë je me ne.
Ngrehu, kapetan me pallë,
të na prish para mbi kalë,
se për na jesesh i gjallë. 2)
Vuno-Himarë, 1932
1) Përsëritet pas çdo vargu.
Gjergj Kastrioti Skënderbeu (1405-1468), heroi kombëtar i shqiptarëve, strateg e burrë shteti i madh, që udhëhoqi luftën për pavarësi për një çerek shekulli kundër pushtimit osman. Një nga figurat e shquara të historisë në shek. XV. në plan ndërkombëtar (Shih. FESH, T., 1985,f. 964).
2) Mbetesh.
PESËQIND VJET TË KALUAR
Pesëqind vjet të kaluar,
trim i madh, o Skënderbe,
kapetan i maleve. 1)
Vdiq një trim, vdiq një dragua,
çerek shekulli luftuar,
turqit se ç’i kish dërrmuar,
vende shumë kish ndihmuar,
Evropën për ta shpëtuar.
Stërnipët s’të kan’ harruar,
të kanë në zemër e duar ,
vendin per ta shpetuar,
nga osmanët e harbuar. 2)
Kudhës-Himarë 1972, Dh. Toto.
1) Vargu i dytë dhe i tretë përsëriten pas çdo vargu.
2) Të çmendur, të papërgjegjshëm.
KUSH KA QËNË TRIM NJE HERË
Kush ka qënë trim një herë,
Aleksandri Madh me vlerë, 1)
Pirrua me shok të tjerë. 2)
Po nga gjithë më i zoti,
Skënderbeu Kastrioti.
O mbret i dashur, ku je?
Ku je, o Skënderbe?
Si duron e rri në dhé
Që ditën që na lé,
vendi ynë u bo raje 3).
Të lutemi dit’ e natë,
n’atë botë ku ke vatë,
dërgona shpres’ e uratë,
që të mos rrojmë si gratë.
Të ngrihemi të lëftojmë,
armiqtë këtej t’i xbojmë,
të lir e me nder të rrojmë,
mëmëdhenë ta shpëtojmë.
Vuno, Pilur dhe Himarë, T. Pilo 1949, J. Nushi, 1932; S. Veizi, 1937; Ll. Çipa, 1982; N. Goro, 1982.
1) Aleksandri i Maqedonisë (Aleksandri III, 356-323 p.e.r., mbret i Maqedonisë në v. 336-323 p.e.r., i mbiquajtur Aleksandri i Madh (Leka i Madh) (FESH, T., 1985, f. 17).
2) Pirroja (319-272 p.e.r.), figura më e shquar në historinë e Epirit dhe një nga komandantët ushtarakë më me zë që ka njohur bota antike (Shih. FESH, T., 1985, f. 837).
3) U bë i varur.
ZOT I MADH, ZOTI YNË
Zot i madh, zoti ynë,
në malet në Vetëtimë,1)
lëshon shtizat me gjëmimë.
na të lutemi nainë,2)
mbae pakë terezinë,
qëllo vetëm ligësinë,
qëllo vetëm osmallinë,
siç bëri dhe Gjergji ynë,3)
që u kalli lemerinë.
Nenakra, o fuqiploti,4)
të lëftojmë si Kastrioti,
q’ish nga trimat më i zoti,
e nga të parët qëmoti.
Himarë 1964.
1) Sipas mitologjisë së hershme himarase, Zeusi qëndronte në malet e Vetëtimës (Keraunet dhe Akrokeraunet), dhe që andej lëshonte vetëtimat dhe rrufetë.
2) Tani.
3) Është fjala për Gjergj Kastriotin Skënderbej.
4) Na jep.
NJË KALA NË MES TË SHKËMBIT
Një kala në mes të shkëmbit
nuk iu tremb hasmit të vendit.
Një kala në mes të detit
nuk iu tremb sulltan Mehmetit 1)
Moj kalaja e Panormit,
nuk iu trëmbe as Bosfotit.
Moj kalaja me bedena,
s’të riri alldupi brenda.2)
Vuno-Dhërmi-Himarë, 1932
1) Më 1466 sulltan Mehmeti II në krye të më se 150 mijë ushtarëve u nis të nënshtronte shqiptarët që luftonin të udhëhequr nga Skënderbeu. Me gjithë disfatat e pësuara në rrethimet e Krujës, më 1478, pasi siguroi paqen me Republikën e Venedikut, përgatiti një ekspeditë e, në pranverë të vitit 1480, nën komandën e Gjedik Ahmet pashës, me mbi 100 mijë ushtarë turq, nga Vlora zbarkoi në Itali, ku shtiu njëkohësisht në dorëIshujt Jonianë. Nëpërmjet Vlorës dhe Korfuzit, ushtritë e Mehmetit II sulmuan dhe krahinën e Himarës,ku hasën në një qëndresë të fortë, përfshirë dhe kalanë e Panormit (Shih: Dok. të shek. XV. për historinë e Shqipërisë, vëll. IV, Pjesa I, T., 1967, f. 41. I. Zamputi: “Përpjekjet për liri në dy shekujt e parë të sundimit osman”, T., f. 19-21. Historia e Shqipërisë, Vëll. I, T., 1959, f. 300-308 dhe 311-313.
2) Osmanët.
E ZEZA JETA Ç’M’U NXI
Që nga Kokri ndë Avlli, 1)
e zeza jeta ç’m’u nxi. 2)
Keshë vendin me stoli,
pesë djelmë si flori.
Lanet paç, o turk i zi,
që na bëre lemeri.
Dhe më iknë djelt’ e mi.
Mbeç e vetme pa njeri,
më mbenë në Kallavri. 3)
Himarë 1955
1) Toponimi në veri të kalasë së Himarës, që, siç thuhet, ka qenë e banuar që në lashtësi nga familje himariote. Gjithë kjo toponimi dhe një pjesë tjetër që shtrihet nën fshatin Pilur nga vendësit përmendet dhe me emërtimin “e Kallavrezëve”, sepse dihet që shumica e atyre anëve janë ngulur në Kalabri.
2) Përsëritet pas çdo vargu.
3) Është fjala për Kalabrinë e Italisë.
NË KALA MBI PORT’ TË LARTË
Në kala mbi port’ tëLartë,
rrinë fisi Cakënatë,1)
të fismë burrat dhe gratë.
Të gjithë janë një çetë,
janë nd’anë në Bregdet.
Nd’anë tjetërë përballë,
Ësht një çetë, një mëhallë,
Lixhënatëtë me pallë, 2)
që, rrinë nd’anë në malë,
jan’ të besësë për fjalë,
po e dhanë therrën djalë.
Nga del djelli më të lartë,
shtrinet fisi Kukurtatë,3)
të mënçur e me imdatë,
rrin në det dit’ e natë.
Poshtë pa dalë përpjetë,
shtrihen të dy mahaletë,
dhe ata burra vërtetë,
njëra quhet Gogoçkatë,4)
me rrënjë në Progonatë.
Të tjerët janë Masatë,5)
dhe ata burra të lartë,
më shumë janë fukaratë.
Himarë 1951.
1) Një nga fiset më të vjetra të Himarës, vendosur në rrethin e qendrës së kalasë. Zotëronin pamjen nga deti. Në atë anë ishin edhe pronat e tyre. Qendër kishin manastirin e Shën Mërisë : shek. XI pas erës së re. (Shih: V. Lik, Udhëtimi në Greqinë e Veriut, Vol. I, Londër, 1835, f. 85).
2) Fis i vendosur në anën veriore të qendrës së kalasë. Në atë anë shtriheshin dhe pronat e tjera. Qendër kishin manastirin e Kastanesë, që ndodhet në vendin me të njëjtin emër dhe që shërbente edhe për mbledhje e ceremoni të ndryshme lokale. (Shih. V. Lik, po aty).
3) Fis që shtrihej në lindje të qendrës së kalasë. Pas shek. XVI u dobësua shumë. Një pjesë e tyre u emigrua në Itali, shërbyen si stipendiarë në oborret shtetërore të Napolit, e gjetkë. Në fund të shek. XVIII nga ai fis mbeti vetëm familja e Varfajve, që vazhdon gjer në ditët tona (Shih: Pema gjenealogjike “Varfaj-Mukaj-Gjezaj”, V. Lik, po aty). Kishin manastirin e Shëndëllisë në Pilur. Janë vetëm gërmadhat).
4) Fisi i Masatavëve shtrihej në pjesën e poshtme të kalasë dhe më vonë dhe jashtë saj. Edhe ky fis u dobësua, sepse shumë anëtarë të tij u emigruan në Itali e Greqi. Kjo bëri që me të të bashkoheshin nëpërmjet krushqive dhe ata të fisit të Kukurtatëve dhe të emërtoheshin Mazatë. Në këtë fis filluan të pranoheshin gjithë të huajt që lejoheshin të banonin në Himarë gjer vonë. U jepnin toka e prona të pakta, prandaj ishin dhe më të varfër (V. Lik, f.85, i përmend veças këto dy fise. Për Mazatët thotë se kryetar kishin Jani Tugjinis, kurse Kukurtatët kishin Andrean (Varfi). Si qendër kishin kishën e Shën Mëhillit.
5) Fisi i Gogoçkatëve ka zbritur në Himarë nga Progonati aty nga shekulli XV. Shtrihej në juglindje të kalasë. Aty, në vendin e quajtur Avllatore kishin edhe pronat, (Në një hartë shënohet Vilatore).
Kisha e tyre ishte Shën Mëria (V. Lik thotë se ky fis përbëhej prej dyzet shtëpish dhe kryetar kishin Zaho Andrucin.
BURRAT Ç’E KANË TË RËNDË
Burrat ç’e kanë të rëndë,
Murati s’la gjë më këmbë
dhe na e shkretoi vëndë.
Ndaj kapetanë shumë
lanë mallë e lanë gjënë,
ca me bark’ e ca me këmbë,
shkretë vëndin e kan’ lënë.
Ca u nisnë në Elladhë,
fustanellat kambri bardhë,
ngjeshur, mbushur kordh’ e pallë.
Ca të tjerë me gjemi,
vanë në Napul, Veneti,
shumë vanë në gjitoni,
ndëpër miq e vllazëri.1)
Himarë 1937, S. Veizi
1) Shpërnguljet e mëdha nga Himara e sidomos nga Bregu i Detit janë pasojë e bastisjeve të sulltan Muratit II në tre dekadat e para të shek XV (Libri i Gjenealogjisë së Zahojorgajve ose Kasnecajve (1418-1966),f. 18, FESH, T., 1985, f. 373).
Ç’I KA ZENE GJËM’ E RENDE
Shtatë pashallarë të rëndë
venë të na shkretojnë vëndë,
ndaj u mblodhë në kuvëndë;
“Çish t’ia dalim, çish do bëjmë?
Se e kan rrethosur vëndë,
se e kan rrethos kalanë
asqerët në katër anë.”
Llafin e mori i pari,
Zaho Jorgua kumandari,1)
“Më dëgjoni, o kapetanë,
na s’e lëshojmë kalanë,
sikur gurë e dhe të hajmë.”
Gjithë burrat që kish pranë,
gjithë besa besë thanë.
“Besa besë”, thirri kalaja,
s’jepemi sa ç’ka dunjaja.
Himarë, 1956, I. Dhimojani, Ll. Çipa
1) Kapedan Zaho Jorgo Kasneci, nga Himara. Një nga organizatorët kryesorë në qëndresën kundër ekspeditave të sulltan Selimit II ( Libri i gjenealogjisë i Zahojorgajve ose Kasnecajve (1418-1966), f. 5). Origjinali është në dorë të autorit.
KUR VIJOJA NË PADOVA
Kur vijoja në Padova, 1)2)
diç për vashënë dëgjova,
m’u tha buza, m’u tha goja,
male dhe dete kaptova,
më ra pika kur e psova,
vetenë ç’e mallëkova,
sepse vetë u fëjova 3)
s’u fejuaçë kur shkova.
Mua ç’më qëndroi rëndë,
ndaj vajçë në Otrënt,
lashë mallë e lashë gjënë,
lashë të bukurinë vëndë,
andaj lashë këtë këngë,
këtë, për mall e për gjëmë.
Himarë, 1956, A. Varfi, K. Dhimojani.
1) Shumë të rinj himariotë që nga shek XV e sidomos pas zbarkimit të Gjon Kastriotit në Himarë dhe largimit të tij në Mbretërinë e Napolit, shkonin aty, shkolloheshin në Napoli dhe në Padova të Italisë.
2) Vazhdoja.
3) Gabova.
TRIMI TRIMIN KISHTE LERË
Trimi trimin kishte lerë,
o Kastrioti me nderë.1)
Nga Donika e jon’ e mjerë, 2)
që qe bij’ nga kjo derë
të kemi nipçe përherë,
të kemi nipçe të lartë,
ndaj të presëm të na vish,
të na vish e të na rrish,
t’i vësh dërrmën osmanllisë.
Pilur-Himarë, 1974, Neranxi, Ll. Çipa
1) Gjon Kastrioti II, djali i Skënderbeut.
2) Bija e Gjergj Arianit Komnenit ishte bashkëshorte e Skënderbeut. Pas vdekjes së Skënderbeut, bashkë me djalin, Gjonin u mërgua në Italinë e Jugut, në pronat e veta të lëna nga Mbreti i Napolit, Ferdinandi. Vazhdoi të mbante lidhje me njerëzit e saj, përfshirë dhe himariotët. Punoi që i biri, Gjoni, dhe më vonë i nipi, Gjergji i Ri, të vazhdonin rrugën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut (Shih FESh. T., 1985, f. 460).
BREGU I DETIT BALLË GURË
Bregu i detit ballë gurë,
çish duron dhe rri pa ujë,
se të zitë djeltë tanë, 1)
iknë e muar dunjanë,
ndë krajli napulitanë.2)
Pilur
1) Djemtë.
2) Me Gjon Kastriotin shkuan në Mbretërinë e Napolit dhe mjaft kapedanë himariotë. Karli VIII krijoi me ta një regjiment mbretëror që u quajt maqedonas ose shqiptar, që u shqua në luftime. Herë pas here ktheheshin në vendlindje dhe organizonin qëndresën kundër pushtuesve osmanë. Ky regjiment u shpërnda në 1812.
ERDHI STRETUA E THOTË
Erdhi Stretua e thotë: 1)
– Habere të mira s’ka,
Gjoni bashkë me gjith shokë,
kanë pësuar hata.
Vendin s’mund ta lefterosë, 2)
se kish shumë nga ata.
Me ata që i kishn’ mbetur,
bridhte në ca fshatëra.
Himara ç’u ngre më këmbë,
dërgoi njerëz e i tha:
“Kthehu, princë, në Himarë,
se gjith gati na ke na.
Kemi armëtë në dorë,
do i bëjmë kërçëma 3)
Gjith të presëmë më këmbë,
fëmijë, burra dhe gra.
Kudhës-Himarë, 1972
1) Gjergj Streci, një nga kapedanët e gjeneralët e shquar himariotë. Përmendet gjatë kryengritjeve të himariotëve në kohën e Skënderbeut dhe të birit, Gjonit.
2) Çliroi.
3) Copë-copë.
SULEJMAN UNUK JEZITI
Sulejman Unuk jeziti, 1)
bir osmëni stambolliti,
sa mir’ që t’u be tertipi,
Llogora seç të thëthiti,
buflë të madhe të ngjiti. 2)
Pilur, 1972
Ll. Çipa
1) Sulejman pashë Eunuku, që drejtoi forcat më 1481 kundër kryegritësve himariotë, që qenë bashkuar me Gjon Kastriotin. E dërrmuan dhe e zunë rob me më se 1000 ushtarë, në Llogora.
2) Shuplakë.
PASHA, DËGJONA DHE NA
Pasha, dëgjona dhe na, 1)
O Pasha 2).
Deshe të vije kura,
po na s’jemi nga ata.
Na të zumë në dhokanë. 3)
Do zëmë dhe padishanë,
po dolli në këto anë.
O pasha, lum e mavri, 4)
desh të veje n’Itali,
me zabit e me gjemi.
Po na të shpiem nashti
Të lidhur me zengi.
Himarë, 1947, K. Dhimojani
1) Sulejman pashë Eunuku, nga figurat e shquara të ushtrisë osmane, mik e shok i sulltan Bajazitit II., bejlerbe (kryekomandant) i Rumelisë. U emërua sanxhakbej i Vlorës në verë të vitit 1481. U ngarkua të vazhdonte fushatën për pushtimin e Italisë, por u pengua nga kryengritja e himariotëve. Në Llogara u prit nga luftëtarët himariotë të drejtuar nga gjeneralët Gjergj Streci, Pilo Kasneci e kapedanë të tjerë dhe u shpartallua plotësisht. E zunë dhe ia falën Gjon Kastriotit. Ky ja dërgoi mbretit të Napolit (Shih: I. Zamputi, Kryengritjet shqiptare… f. 30).
2) Përsëritet pas çdo vargu.
3) Lak.
4) Në kuptimin: i zi.
Ç’KE T’I PUJË, QË RRI STERË
Ç’ke ti, Pujë, që rri sterë, 1)
rrëkon e psherëtin thellë,
t’u derdhë hasmët në derë,
Eunuku me të tjerë, 2)
ç’tu qepnë e t’u bënë ferrë.
Po na prapë këtë herë,
ç’i vram’, i prem’ e i therr,
sepse s’ua kemi ngenë.
Dhërmi-Kudhës-Pilur-Himarë, 1967
1) Krahinë në jug të Italisë.
2) Sulejman Eunuku, i ngarkuar nga Stambolli për të drejtuar operacionin për pushtimin e Italisë më 1481.
(Marrë nga libri i Fane Veizit “Bregu i detit në këngë”, botimet “Arbri”, Tiranë, 1997).
Fane Veizi: Autobiografia e Himarës në këngët e hershme popullore (2)