Ministri: Kadare të mos shkruajë në ‘La Liberation’, ajo i dha hapësirë Leka Zogut
Dashnor KALOÇI
Nisur nga fama e madhe që kishte marrë shkrimtari i njohur shqiptar, Ismail Kadare, që nga fillimi i viteve ’70-të, (kur në Francë u përkthye dhe u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”), në vitet që pasuan ai pati mjaft ftesa të ndryshme nga disa gazeta, revista, radio e kanale televizive franceze për të qenë i pranishëm në redaksitë e tyre me shkrime, intervista etj. Kjo gjë vazhdoi edhe në vitet ’80-të, kur fama dhe popullariteti tij në Francë ishte gjithnjë e në rritje, gjë e cila bëri që ftesat ndaj tij të mos ishin më vetëm në kuadrin e letërsisë dhe arteve, por edhe ato që kishin të bënin me shkrime të karakterit politik. Një nga këto ftesa është edhe ajo që i ka ardhur Kadaresë në vitin 1984 nga gazeta e njohur franceze “La Liberation”, gjë e cila bëhet e ditur nga ky dokument arkivor (dosja përkatëse mban siglën “sekret”) që po publikojmë në këtë pjesë të këtij libri.
Sipas dokumentit në fjalë, gazeta franceze e ftonte Kadarenë që të shkruante një artikull në faqet e saj, lidhur me këndvështrimin e Shqipërisë së asaj kohe, ndaj Evropës. Dhe kjo ftesë me shumë gjasa nuk i dërgohej pa qëllim dhe e nominuar Kadaresë. Pra, thënë më qartë: “La Liberation” kërkonte, apo më saktë nxiste shkrimtarin e njohur shqiptar për të dhënë mendimet e tij mbi Evropën e asaj kohe. Gjë e cila bëhej në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare evropiane, ku në faqet e saj do kishin vend edhe mjaft personalitete të tjera të letrave apo politikës nga vendet përkatëse që u dërgohej e njëjta ftesë si shkrimtarit të njohur shqiptar. Por Ministria e Punëve të Jashtme në Tiranë, ku dhe ka shkuar ftesa e dërguar nga “La Liberation”, nëpërmjet Drejtorisë së Dytë, (për nga rëndësia ishte e para në atë dikaster), e ka analizuar hollësisht atë gjë dhe ka dalë në konkluzionin se Kadareja nuk duhet që ta shkruante artikullin që i kërkohej. Dhe kjo për faktin e thjeshtë se në atë gazetë kishte dhënë një intervistë Leka Zogu, i cili pas vdekjes së të atit në vitin 1961, nga regjimi komunist i Tiranës shikohej e konsiderohej si “armiku më i madh i popullit shqiptar”. Dhe në këtë kuadër, kurrsesi autoritetet zyrtare shqiptare nuk mund të pranonin që në një gazetë ku shkruante ai (Leka Zogu), të zinte vend edhe një artikull i shkrimtarit më të njohur shqiptar, Ismail Kadare. Po të spostohemi duke u kthyer në kohë në periudhën kur ka ndodhur kjo gjë, është më se normale një logjikë e tillë e Tiranës zyrtare. Por ajo që vihet re në këtë dokument dhe që “nuk shkon”, është fakti se aty nga titullarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme, porositet që gazetës në fjalë t’i kthehet një përgjigje në emër të Ismail Kadaresë, ku ndër të tjera të thuhet se, “për mungesë kohe, ai e ka të pamundur ta bëjë atë gjë”. Gjë e cila nuk është një “fenomen” i panjohur për Tiranë zyrtare të atyre viteve, madje ka qenë mjaft në “modë”, sidomos me shkrimtarin Ksmail Kadare. Pra thënë më qartë, ftesa në fjalë as nuk i është dhënë fare Kadaresë dhe me emrin e personalitetin e tij “luanin” zyrtarë të ndryshëm të shtetit shqiptar, sipas udhëzimeve përkatëse “nga lart” dhe konjukturave politike të kohës. Kjo gjë bëhet e ditur edhe nga disa dokumente të tjera të botuara në faqet e këtij libri dhe jo vetëm. (Kujtojmë këtu se për skenarin e “Gjeneralit…”, që do realizohej nga shoqëria filmike franceze “Filmss 66”, ishte ngritur një grup pune prej katër vetash, që në fakt ishte komision që i sugjeronte dhe censuronte çdo gjë që ai shkruante). Siç shihet edhe nga faksimilja përkatëse, tek dokumenti në fjalë ka disa shënime të titullarëve të lartë të Ministrisë së Jashtme, ku të gjithë janë “dakord” me njëri-tjetrin dhe në fund është firma e ministrit, Reiz Maile, i cili aprovon vendimin e Drejtorisë së Dytë që Kadare të mos shkruajë artikullin që i kërkohet nga “La Liberation”. Ashtu si edhe pjesa më e madhe e dokumenteve të publikuara në faqet e këtij libri, edhe ky botohet i plotë.
DREJTORIA E DYTE INFORMACION
Ambasada jonë në Paris, nëpërmjet një radiogrami njofton se gazeta “La Liberation” ka kërkuar nëpërmjet Ismail Kadaresë të dërgohet një shkrim prej 2-3 faqesh lidhur me Evropën, si shikohet ajo nga vendi ynë. Ambasada njofton se kjo gazetë, në kuadrin e zgjedhjeve parlamentare evropiane, që bëhen më 17 qershor, ka filluar nga data 20 maj të botojë shkrime nga vende të ndryshme evropiane.
Shkrimi pritet nga gazeta deri më 5 qershor.
Lidhur me këtë mendojmë:
Nga njoftimi që bën ambasada del se rubrika bëhet në kuadrin e zgjedhjeve të Parlamentit Evropian dhe artikulli i Kadaresë kërkohet po në këtë rubrikë. Kërkohet të shkruhet një artikull politik për Evropën në përgjithësi, nga trajtimi i të cilit do preken, në mos direkt, indirekt edhe marrëdhëniet e vendit tonë me shtete të ndryshme evropiane, sepse do të paraqitet mendimi ynë për problemet që prekin sot Evropën.
Nga ana tjetër kërkohet që artikulli të shkruhet nga Ismail Kadare, kjo mendojmë se lidhet edhe me kërkesat e tjera, drejtuar Kadaresë nga institucione të ndryshme franceze.
Po ashtu, gazeta “La Liberaion”, ishte gazeta që i dha vend të gjerë intervistës së Lekës.
Nisur nga të gjitha këto, jemi të mendimit që artikulli të mos shkruhet. Gazeta të falënderohet në emër të I.Kadaresë për këtë propozim dhe të thuhet se për shkak të kohës së shkurtër, ai është në pamundësi ta bëjë këtë.
Nga ana tjetër, të shikohet mundësia që në gazetë të botohet më vonë ndonjë shkrim i Ismail Kadaresë për problemet e letërsisë dhe artit në vendin tonë.
Tiranë, më 30.9.1984