Sokrat Plaka: Kadare të mos shkojë në Francë, se simpoziumi bëhet nga Komuniteti Evropian
Dashnor Kaloçi
Ashtu siç kemi parë edhe në disa nga kapitujt paraardhës të këtij libri, që nga fundi i viteve ’70 dhe fillimi i viteve ’80, ndaj shkrimtarit të njohur shqiptar Ismail Kadare vazhdonin të vinin mjaft ftesa nga vende të ndryshme të botës (kryesisht ato frankofone, ku ishte përkthyer e botuar vepra e tij), ku e ftonin atë që të merrte pjesë në aktivitete të ndryshme që zhvilloheshin në vendet e tyre, si festa, panaire librash, manifestime kulturore, simpoziume, promovime etj., etj. Gjë e cila vinte pas famës gjithnjë e në rritje të shkrimtarit, nga vendi i vogël komunist i Ballkanit, ku librat e tij po përktheheshin e botoheshin, në mjaft vende të botës. Ashtu siç thamë edhe pak më lart, këto ftesa ishin mjaft të shpeshta nga Franca, ku Kadare me veprat e tij ishte bërë si “i shtëpisë”, pasi përveç qarqeve letrare-artistike, ai kishte zgjuar interesin edhe të elitës politike franceze, si ministra, kryetarë bashkish, deputetë etj., dhe deri te vetë Presidenti i Francës, François Mitterrand, i cili që nga viti 1985 kishte shprehur dëshirën që, në rastin më të parë që shkrimtari Ismail Kadare mund të shkonte në Francë, ai ishte i gatshëm që ta priste atë në një takim të veçantë. Por edhe pse kjo gjë u ishte bërë zyrtarisht e ditur titullarëve të Ministrisë së Jashtme në Tiranë (me telegram shifër sekret), nga ana e ambasadorit shqiptar në Paris Maxhun Peka, Tirana zyrtare jo vetëm që e kishte lënë në heshtje të plotë këtë gjë, por çështja mbahej në konfidencialitet të plotë, aq sa as Kadare nuk ishte në dijeni të saj. Në këtë atmosferë të zhvillimit të ngjarjeve dhe raporteve “të ngrira” të shkrimtarit të njohur me udhëheqjen e lartë të PPSH-së, në fundin e verës së nxehtë (jo vetëm sinoptike) të vitit 1989, në adresë të Kadaresë ka mbërritur një ftesë tjetër nga Franca. Shtëpia botuese “FAYARD” do organizonte një aktivitet kulturor me rastin e botimit të romanit të Kadaresë “Koncert në fund të dimrit”. Dhe, krahas kësaj, ministri i Kulturës, Zhak Lang, i cili gjithashtu ishte dhe kryetar i bashkisë i një qyteti të vogël, (Ex En Provense) e ftonte zyrtarisht Kadarenë për të marrë pjesë në një simpozium ndërkombëtar që zhvillohej aty dhe ku do ishin prezentë shumë personalitete nga mjaft vende dhe shtete të botës. Por, si për të mos prishur “rregullin” dhe “embargon” që ishte vendosur ndaj Kadaresë, edhe këtyre ftesave, Tirana zyrtare u ka kthyer përgjigje negative. “Inatin” e udhëheqjes së lartë nuk ka mund ta “zbuste” dot as autoriteti i Dritëro Agollit, i cili nga pozita e Kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve, më kot ishte rrekur t’i bindte ata për dobinë e atij simpoziumi, që, veç të tjerash, do i shërbente edhe përhapjes së kulturës dhe letërsisë shqiptare në botë. Ashtu si dhe pjesa më e madhe e dokumenteve të këtij libri, edhe këtë në këtë kapitull, ato publikohen të plota.
LIDHJA E SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE
TE SHQIPERISE Tiranë, më 27.9.1098
Nr. 330 Prot.
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME
(Drejtoria II)
Tiranë
Shkrimtarit Ismail Kadare i ka ardhur një ftesë nga shtëpia botuese “Fayard” për të asistuar në aktivitetet që do të organizojë ajo në Paris me rastin e botimit në frëngjisht të romanit të tij “Koncert në fund të dimrit”.
Këto aktivitete do të zhvillohen brenda muajit tetor. Gjithashtu, gjatë kësaj kohe ai ka një ftesë nga qyteti francez Ex En Provence, ku në “Festën e librit” që organizon çdo vit ky qytet për letërsinë botërore, Ismail Kadare ishte këtë vit i ftuar kryesor. Gjatë muajit tetor zhvillohet gjithashtu edhe mbledhja plenare e Akademisë së Shkencave Politike, në të cilën Ismail Kadare është anëtar korrespondent.
Të gjitha shpenzimet, duke përfshirë qëndrimin si dhe biletat e udhëtimit me avion e me tren, janë të palës franceze.
Meqenëse këto aktivitete janë në dobi të përhapjes së kulturës shqiptare në botë dhe, aq më tepër që përmblidhen brenda së njëjtës periudhë, jemi të mendimit që shkrimtari Ismail Kadare të shkojë në Francë gjatë muajit tetor.
Më poshtë po japim të dhënat.
Ismail Kadare, është i biri i Halitit dhe i Hatixhesë. Ka lindur në Gjirokastër në vitin 1936. Studime e larta i ka kryer në Institutin e Lartë të Moskës në vitin 1960. Është ndër shkrimtarët më të shquar të Shqipërisë, i përkthyer dhe i njohur edhe në shumë vende të botës. Di gjuhë franceze dhe ruse.
K r y e t a r i
(Dritëro Agolli)
…………………………………
Drejtoria e dytë
I N F O R M A C I O N
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve na njofton se shkrimtarit Ismail Kadare i ka ardhur një ftesë nga shtëpia botuese “FAYARD” për të asistuar në aktivitetet që do të organizojë ajo në Paris me rastin e botimit të romanit të tij “Koncert në fund të dimrit”. Këto aktivitete zhvillohen në muajin tetor të këtij viti. Gjithashtu, ai ka një ftesë nga qyteti Ex En Provense, ku në “Festën e librit”, që organizon çdo vit ky qytet për letërsinë botërore, Ismail Kadare është i ftuari kryesor. Gjatë muajit tetor zhvillohet gjithashtu mbledhja plenare e Akademisë së Shkencave Politike, në të cilën Ismail Kadare është anëtar korrespondent.
Të gjitha shpenzimet, dhe përfshirë qëndrimin e biletat me avion dhe me tren, janë të palës franceze.
Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve është e mendimit që shoku Ismail Kadare të shkojë në Francë, sepse këto aktivitete janë në dobi të përhapjes së kulturës shqiptare në botë.
I të njëjtit mendim jemi edhe ne.
Tiranë, më 29.9.1989
Th. Haxhi
…………………………………
REPUBLIKA POPULLORE SOCIALISTE E SHQIPERISE
MINISTRIA E PUNEVE TE JASHTME Tiranë, më 3 tetor 1989
Drejtoria e Dytë
Nr. Prot. 4309/1
Lënda: dërgohet mendim për veprimtari ndërkombëtare në Francë me shokun Ismail Kadare
LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE
T I R A N E
Gjegje shkresës suaj nr. 330
Nga ana politike nuk ka pengesë që shoku Ismail Kadare të marrë pjesë në veprimtarinë e “Festës së librit”. Lidhur me pjesëmarrjen, lutemi të merret miratimi i organit të nomenklaturës. Për sa i përket Akademisë së Shkencave Politike, ne nuk e njohim atë si dhe pozitën që do të mbajë atje shoku Ismail Kadare për vendin tonë.
3.10.’89 ZEVENDESMINISTRI
(Sokrat Plaka)
…………………………………
REPUBLIKA POPULLORE SOCALISTE E SHQIPERISE
MINISTRA E PUNEVE TE JASHTME
Drejtoria e dytë Tiranë, më 16.10.1989
Nr. Prot. 453/1
Lënda: dërgohet mendim për një simpozium ndërkombëtar në Francë
LIDHJES SE SHKRIMTAREVE DHE ARTISTEVE TE SHQIPERISE
(Dega e marrëdhënieve me jashtë)
T I R A N E
Ambasada e Francës në Tiranë na dërgoi për informim një kopje të letrës që ministri francez i Kulturës, Zhak Lang, i ka dërguar shokut Ismail Kadare për të marrë pjesë në një simpozium kulturor evropian, më datë 2-3 nëntor, në qytetin Blua të Francës.
Duke qenë se simpoziumi organizohet në kuadrin e Komunitetit Evropian, jemi të mendimit që shoku Ismail Kadare të mos marrë pjesë në të dhe të falënderohet ministri francez.
Bashkëlidhur një kopje të fotokopjes së ftesës.
16.10.’89 ZEVENDESMINISTRI
(Sokrat Plaka)
……………………………………..
Ministria e Kulturës, e Komunikimit, e Punimeve të Mëdha dhe Dyqindvjetërit
Paris, më 21 shtator 1989
I dashur Zotni, i dashur Ismail Kadare
Shumë kohë, kufijtë politikë dhe ideologjikë kanë ndarë Evropën në dysh, dhe kanë bërë të vështira takimet dhe shkëmbimet midis krijuesve dhe artistëve të këtyre dy Evropave. Koha ka ardhur për të hedhur bazat e një Evrope të Madhe të Kulturës. Kjo është akoma një ëndërr. Por mund të bëhet një realitet nesër në qoftë se intelektualët, krijuesit dhe përgjegjësit e kontinentit tonë janë të aftë t’i japin një frymëmarrje të re ndërtimit evropian. Për të përgatitur këtë të ardhme mora iniciativën të organizoj në Blua, qytet në të cilin jam kryetar bashkie, një simpozium kulturor objektivi i të cilit është të hedhë bazat e kësaj Evrope të re. Ky manifestim do të grupojë, gjatë dy ditëve, më 2 dhe 3 nëntorin e ardhshëm, Ministrat e Kulturës të KEE si dhe Ministrat e Kulturës të vendeve të tjera të Evropës Lindore dhe Perëndimore. Rreth njëqind gra dhe burra të kulturës do të marrin pjesë në këto punime. Do të isha shumë i lumtur që ju të pranonit të merrnit pjesë në këtë manifestim, i sigurt që eksperienca juaj do të sillte në këtë projekt një kontribut të pazëvendësueshëm. Ju lutem pranoni, i dashur Zotni, shprehjen e ndjenjave të mia më të mira.
Zhak Lang
Z. Ismail Kadare
Nën kujdesin e Ambasadës së Francës në Tiranë.
Drejtoria e Dytë
INFORMACION
Ambasada e Francës në Tiranë më dërgoi kopjen e një ftese që i ka vajtur shokut Ismail Kadare nga ministri i Kulturës i qeverisë franceze, Zhak Lang. Ministri francez i Kulturës e fton shokun Ismail Kadare në një manifestim, në datat 2 dhe 3 nëntor 1989 në qytetin Blua, ku ai është edhe kryetar bashkie. Në këtë simpozium kulturor evropian janë ftuar ministrat e Kulturës së TPE si dhe ministrat e Kulturës të vendeve të Evropës Lindore dhe Perëndimore. Po ashtu janë ftuar edhe 100 personalitete kulturore. Në ftesën e dërguar nga ministri francez i Kulturës theksohet: “Shumë kohë kufijtë, politikë dhe ideologjikë, e kanë ndarë Evropën në dysh, dhe kanë bërë të vështira takimet dhe shkëmbimet midis krijuesve dhe artistëve të këtyre dy Evropave. Ka ardhur koha që të hidhen bazat e një Evrope të Madhe Kulturore….” Duke qenë se ky simpozium bëhet në kuadrin e Komunitetit Evropian në kuadrin e qarkullimit të lirë të njerëzve dhe kulturave, jemi të mendimit që shoku Ismail Kadare të falënderojë ministrin francez të Kulturës dhe të mos marrë pjesë në të, duke qenë se është i angazhuar me aktivitete të tjera të parashikuara më parë.
Shënim: Aktualisht shoku Ismail ndodhet në Francë për disa aktivitete me shtëpinë botuese “FAYARD” etj.
Tiranë, më 13.10.1989
Th. Haxhi