7 vjet më parë, ekspozita e piktorit Nazmi Hoxha në SHBA
Nazmi Hoxha, piktori i njohur shqiptar, që ka emigruar në SHBA këto vitet e fundit dhe që jeton në Nju-Jork, hapi në fillim të prillit ekspozitën “Natures moods”- A Journey Through The Seasons -, e cila është pritur me shumë interesim dhe çdo ditë ka tërhequr vizitorë të shumtë. Pas një prezantimi flash në kohë të limituar vitin e shkuar, në metropolin njujorkez Manhattan, në studion e mjeshtrit të fotografisë Fadil Berisha në Avenunë e Pestë, pikturat e Nazmi Hoxhës këtë radhë u ekspozuan në periferi, në Bronxville, një ndër zonat e bukura, një kënd piktoresk në qytetin e Eastchester, Nju Jork, që ndodhet rreth 15 milje (24 km) në veri të Manhattanit dhe që shquhet si për natyrën e bukur, ashtu dhe për arkitekturën e veçantë. Është një zonë e preferuar sidomos nga artistët, që e mbipopullojnë atë në stinën e verës dhe pranverës. Ekspozitat, koncertet, premierat e filmave, show-t e shumtë janë karakteristike për zonën piktoreske. Ekspozita e Nazmi Hoxhës pati në ditëpromovimin e saj pjesëmarrës të shumtë, ku binte në sy prania e artistëve shqiptarë dhe amerikanë. Artistët e njohur shqiptarë, si Pirro Mani, Pëllumb Kulla, Leka Bungo, Nazmi Llapatincka, Flladi Kulla, Bendi Mani, Nexhat Imeri e të tjerë vlerësuan magjinë e artit të Nazmi Hoxhës. Ekspozitën e kanë vlerësuar edhe ekspertë të galerive dhe të muzeve të njohura të Manhattanit. Organizatorët, duke vlerësuar tablotë e piktorit shqiptar, e kanë lënë galerinë në dispozicion për një muaj. Duke qenë se galeria funksionon edhe si sallë koncertesh, për premiera filmash,teatrosh, show etj. shikueshmëria e pikturave është e lartë.
Janë 33 tablo të ekspozuara, ku çmimi më i ulët është 2500 dollarë, ndërsa më i larti 7 mijë dollarë. Të gjitha tablotë janë pikturuar në tre vjetët e fundit, 2008-2010, dhe sjellin pamjet e mrekullueshme të Nju-Jorkut në katër stinët e vitit. Përmes penelit Nazmiu ka realizuar një “Udhëtim përmes stinëve”, nga janari në dhjetor. Mjeshtëria e përdorimit të penelit dhe kombinimi i ngjyrave ofrojnë pamje relaksuse: “Vjeshta portokalli”, “Dimri blu”, “Dimri lejla”, “Në mes të borës”, “Në gjelbërim”, “Majat pemëve”, “Vjeshta dhe qielli blu”, “Një natë e pemëve të zhveshura”, “Ardhja e pranverës”, “Bie borë në muajin e shkurtër”, “Vjeshta e mbuluar me borë”, “Erë vjeshte”, “Pëshpërimat e gjetheve të verdha”, “Plazh vetëm për të rritur”, “Rreze dielli mbi lumin Hadson”, “Lulëzim i pjeshkave”, “Hapësirë vere”, “Perëndim dielli”, “Hapësirë e ngrirë” dhe të 12 tablotë e emërtuara me emrat e 12 muajve të vitit, përcjellin vizionin e mrekullueshëm të pamjeve njerëzore të natyrës në shtetin e Nju-Jorkut.
Për piktorin Nexhat Imeri, piktura e Nazmi Hoxhës ka pigment, ka ngjyra të mrekullueshme, një fotosintezë, që të magjeps. Ai ndalet para tablosë ‘A Night of Naked Trees’ dhe vlerësimin e shpreh me superlativë: “Vetëm një penel magjik e një fantazi e palimituar, mund të thurë një kënd të tillë relaksues, intim në gjirin e natyrës”.
Bendi Manaj, piktor, pedagog në një shkollë të mesme pikture në Nju-Jork, e shpreh me admirim vlerësimin për ekspozitën. “Edhe pse ka pak kohë që Nazmiu ka ardhur në Amerikë, arriti të prezantohet me dinjitet artistik në këtë vend, ku gara artistike nuk është e lehtë. Ai për pak kohë ka hapur dy ekspozita, një në Manhattan dhe kjo tani që është plotësisht e Nazmiut, ekspozitë vetjake, e plotë dhe tepër e vlerësuar nga specialistët. Ekspozita ka vlera të jashtëzakonshme. Piktori është vetja e vet. Nuk shoh asnjë lloj imitimi apo ngjasimi, prandaj them se ai është vetja e vet. Për mua piktura e tij është postimpresionizëm, por një postimpresionizëm vetjak, origjinal, që mban penelin autentik të Nazmi Hoxhës. Ai duket se i adhuron impresionistët, por aty nuk gjen gjurmë të postimpresionizmit klasik, të Vincent van Gogh, Paul Gauguin, Georges Seurat, Cézanne e të tjerëve. Është natyrë e veçantë e një piktori shqiptar. Nazmiu është mjeshtër i zgjedhjes dhe kombinimit të ngjyrave, është origjinal në këndvështrimin njerëzor të natyrës; të magjeps për mënyrën se si bashkëjeton e ngrohta me ftohtën në ngjyrë, zgjedhja e ngjyrave, minimumi i përdorimit të ngjyrës. Unë shoh se pikturat e Nazmiut kanë një gamë, të ftohtën, grinë, të ngrohtën, afër njëra-tjetrës. Është e jashtëzakonshme. Mënyra se si i kombinon ato janë origjinale. Penelata, stili, mënyra se si e përdor penelin e vogël, mënyra se si përdor vedadurat janë tepër vetjake”.
Për artistin e njohur, aktorin dhe atin e regjisurës shqiptare, Pirro Mani, ekspozita është me nivel. Ai thotë: “Nëse flasim për unikalitet në art, harmoni të elementëve përbërës, atë e gjejmë te piktura e mirë, që të mbërthen dhe nuk të lëshon, pikërisht për shkak të harmonisë së elementëve përbërës. Te pikturat e Nazmi Hoxhës, natyra është unikale, për arsye se ajo nuk është natyrë e fotografuar, por përcjell një vizion artistik, njerëzor, meditativ. Piktura e tij ka detaje konkrete që ta tërheqin vëmendjen dhe të bëjnë të meditosh e të ndjesh kënaqësi tek i vështron. Pikturat e Nazmiut të duket paksa argjendarike, jo në kuptimin artizanal të fjalës, por në kuptimin e elementëve të çmuar që ka brenda tablove. Po përdor mjeshtrit e argjendarisë për të treguar durimin e piktorit në “qëndisjen” e tablove, që ai ka kompozuar me shumë mjeshtëri. Piktura e Nazmiut, mua si soditës më vë në mendime; në pikturën e tij shoh përtej subjektit të tablosë, shoh vazhdimësinë. Asgjë nuk mbaron tek tabloja, ngaqë veprimi i pikturuar është në infinit. Ja, shihe këtë tablo, shiko vrundujt e dëborës që ka përplasur era anash; ja, atje në sfond shquhet një majë peme që mezi duket, por që i qëndron stuhisë. Çndodh më tutje? Ja pra veprimi që nuk ka fund në tablotë e Nazmiut”.
Piktori i ri i talentuar dhe pedagogu Flladi Kulla tregon se takimin e parë me pikturën e Nazmi Hoxhës e ka bërë në vitin e kaluar në studion e Fadil Berishës në Manhattan. Për fatin jo të mirë të piktorit, ekspozita qe e hapur vetëm për dy orë. Atëherë Flladi i propozoi që të hapte një ekspozitë në një galeri në Bronxville, ku vetë Flladi pati hapur një ekspozitë të suksesshme. Flladi thotë se zgjodhën muajin prill për këtë ekspozitë, sepse është muaji më i bukur në këtë zonë dhe zhvillohen aktivitete artistike, përfshirë dhe ekspozita të piktorëve me emër si dhe koncerte artistike, premiera filmash, shfaqje teatrore, etj. Pra pikturat do të kenë mbi vete gjithmonë vështrime vizitorësh.
“Jam shumë i impresionuar nga talenti i piktorit, vlerëson Flladi. Të 33 tablotë janë të realizuara bukur. Janë origjinale dhe ne piktorët shqiptarë ndihemi mirë që pikturat e tij postimpresioniste po pëlqehen nga vizitorët, sidomos ata amerikanë. Kisha si vizitorë studentët e mi të pikturës, që janë mrekulluar nga peneli i Nazmiut. Ia shprehën vetë piktorit impresionet që përjetuan kur vizituan ekspozitën”.
Stili i piktorit shqiptar Nazmi Hoxha është fin, peneli i tij tepër i rafinuar për të përcjellë botë njerëzore në hapësirat e pafund të natyrës. Piktura e tij është plot detaje, ai paraqet natyrën amerikane, ku nuk ka asnjë mal, as një kodër, fushat me pemë, që janë bërë të mërzitshme kur i shohim përditë tek kalojmë pranë tyre, por befas mrekullohemi kur i shohim në tablotë e piktorit shqiptar. Ngjyra dhe stili janë të jashtëzakonshme.
Dr. Sulejman Çelaj, kardiolog, shef i Kateterizimeve në Spitalin Amerikan të St. Barnabas, ndihet i befasuar nga kontakti i parë me pikturën e Nazmi Hoxhës; ngjyra, meditimi, drita që përcjellin pikturat, e kanë tërhequr fort dhe i kanë dhuruar kënaqësi. Biznesmenia Lina Balaj shprehet se i kishte pëlqyer shumë mënyra se si piktori ka hedhur në telajo ndryshimet stinore. Përmes ngjyrës ai ka përcjellë ndryshimet e stinëve, duke operuar suksesshëm në kombinim e ngjyrave. Shkrimtari Pëllumb Kulla, regjisori Leka Bungo, avokati Ylli Cakani me bashkëshorten, përkthyesja Ema Froning, dr. Hasan Ademaj, publicisti Gjekë Gjonlekaj, piktori Astrit Tota, botuesi i gazetës “Bota sot” Dervish Jahjaga, Gjeto e Prelë Sinishtaj dhe dhjetëra vizitorë të tjerë e përgëzuan piktorin për mjeshtërinë artistike.
Po çfarë thotë vetë Nazmiu për këtë ekspozitë? Si u ndie ai në ballafaqimin e pikturave të tij në një galeri amerikane?
Kjo mund të jetë e 30-ta ekspozitë e hapur në jetën e tij. Natyrisht që ndihem mirë, tha ai për gazetarët. Çdo ekspozitë krijon emocione te vetë piktori, por natyrisht i rëndësishëm është reagimi te shikuesi, që në këtë ekspozitë ishte i shumtë në numër dhe cilësor në përbërje. Ishin artistë, biznesmenë, studentë të pikturës etj. Këtu nuk është si në Shqipëri apo vende të tjera të Ballkanit, këtu vlera vlerësohet si vlerë dhe konvertohet në dollarë. Këtu nuk ka rëndësi emri, por vlera që përcjell. Nuk ka numër një, secili është vetja.
Duke qenë se Nazmiu ka hapur shumë ekspozita, madje edhe jashtë Shqipërisë, si: Stamboll, Turqi, 1993; Slloveni, 1994; Brest, Francë, 1996; Porient, Francë, 1997; New York City, 2009, ka marrë vlerësime e komplimente të shumta, por ka qëlluar që ndonjë ekspert, edhe pse ia ka lëvduar punët, nuk ka kapur thelbin e pikturave të tij. Dhe natyrisht që i ka ardhur keq. Kujton p.sh një rast kur një ekspert i UNESCO-s, pasi ka parë pikturat, i ka thënë: “Të bukura për restorante se të relaksojnë”. Piktori ia ka kthyer me buzëqeshje: “Faleminderit për komplimentin, por nuk u ke gjetur vendin pikturave të mia. Në restorant vetëm ushqimi i mirë sjell relaksim”. Një specialist i muzeve të Manhattanit, kur e vizitoi ekspozitën e Nazmi Hoxhës të hapur në Bronxville, tregoi interes të veçantë. Shoqëruesi i tij shqiptar i sugjeroi se ndoshta do të ishte mirë që tu hidhte një sy edhe titujve të tablove.
Ndërsa ai u përgjigj: “Titulli është brenda tablove. Kjo ekspozitë nuk ka nevojë për shpjegime. Pikturat e këtij piktori të talentuar të dhurojnë buzëqeshje. Ato të çlodhin, të relaksojnë. Ngjyrat janë impresive. Stili i veçantë”.
Nazmiu u ndie i mikluar nga ky vlerësim; specialisti nuk e vuri pikturën e tij në restorant, ai e ndjeu relaksimin aty në ekspozitë. Duke i bërë një retrospektivë ecurisë së mjeshtërisë së tij artistike, Nazmiu është i vetëdijshëm për evolucionin e saj, për misionin e penelit të tij. “Duket se një artist si unë, nuk ka tendencë të përqendrohet në ngjarjet dhe fenomenet dramatike, edhe pse bota është e mbushur me to”.
Piktorin e tërheq natyra, hapësira pa limit e saj, qielli gri, i purpurt, blu, stinët nën këndvështrimin e natyrës, i pëlqen tejdukshmëria e qiellit të pafund. Nazmi Hoxha është vetja e tij. Këndvështrimi që merr natyra në sytë e tij nuk është panoramike, por njerëzore, e animuar. Ai është i vetëdijshëm se nuk do të kishte art të pëlqyer, nëse do të kishte kopje të natyrës, pra jo natyrë për natyrë se piktura nuk do të kishte jetë. Njerëzorja në tablotë e N. Hoxhës qëndron pikërisht në thelbin e saj, ajo të dikton meditim. Te piktura e Nazmiut duket se ka elementë që e klasifikojnë pikturën e tij tek postimpresionizmi, siç është ruajtja e siluetës klasike, por nuk e ka ngjyrën klasike; peneli i tij luan brenda një ngjyre, duke dhënë detaje të jetës brenda tablove. Duket se sekreti i pikturës së Nazmiut vjen edhe ngaqë ai është përzgjedhës shumë fin i ngjyrave. Për të vizatimi, skicimi mësohen, ndërsa ngjyra është e lindur.