Albspirit

Media/News/Publishing

Ilir Vata: Shqipëria, vija e fundit ku përplasen dy botë

Shqipëria vija e fundit ku përplasën dy botë, ku ngërdheshet krishterimi dhe myslimanizmi, ku fetë bashkëjetojnë në kufirin e fundit në harmoni përtej paragjykimeve. Vendi që tenton të qasi perëndimin, ndërsa disa rrënjë i ka në lindje; vendi që kërkon të thyejë barrierat e kohës; vendi ku qaset e reja, tërhiqet nga pas nga e vjetra. Toka që u bë djerrë nga pushtuesit dhe sa ikte njëri, vinte tjetri që në kohë të perandorisë romake; koha e ilirëve, stërgjyshërve tanë; vendi i cili pas ndarjes së perandorisë romake ra nën sundimin e Bizantit, ku shqiptarët përplasën kulturat, mendësitë, qëndresën, rebelimin madje edhe ligjet i sfiduan, por kurrë nuk u arrti që pushtuesi ta asimilojë, apo ta sundojë plotësisht.

Të tjerë e të tjerë; herë sllavët, e sërish sllavë dhe për pesë shekuj një perandori tjetër, ajo otomane nguli rrënjë në vendin e shqipes, por asnjëherë i qetë, me ligj dhe sundim kurrë nuk mundën ta sundojnë Shqipërinë plotësisht me fe dhe me ligj, sepse një popull i vjetër e kryeneç, me kulturë në rrënjë nuk u asimilua asnjëherë dhe i tillë mbetet, sa sot ndonëse në kufirin e fundit të përplasjes së kulturave sfidon me harmoni fetare. Edhe kur perandoritë ishin në kufijtë e fuqisë së zotit në tokë, krishtërimi dhe myslimanizmi jetonin bashkë, madje fe të tjera erdhën e zunë vend në folenë e shqiponjave sepse këtu ishte kufiri i fundit ku botët përplaseshin me njëra-tjetrën dhe humbnin fuqinë e tyre në botën shqiptare.

Duke hyrë thellë në lashtësi, gjurmët e historisë të çojnë në tokën e shqiptarëve që shfaqen në periudhën musteriane, që i përket Paleolitit. Kur Perandoria Romake u nda në atë të lindjes dhe atë të perëndimit në vitin 395, trojet e Shqipërisë së sotme u bënë pjesë e Perandorisë Bizantine. Në kohën e Perandorisë Romake, disa ilirë u ngritën në poste të larta në perandorinë e re.

Tre perandorët që mbruajtën historinë e Bizantit ishin me prejardhje ilire: Anastasi I, Justini I dhe perandori më i njohur i Bizantit, Justiniani I, pra shqiptarët u ngjitën lart.

Më pas u derdhën nëpër Ballkan, sllavët dhe me kalimin e disa qindvjeçarëve, nën përplasjen me romakët, bizantinët dhe kulturën sllave, fiset ilire të jugut pësuan një shndërrim dhe pasoi një kalim nga popullata e vjetër ilire në shqiptare të rinj. E më vonë, sulmet e ushtrive osmane për pushtimin e viseve shqiptare nisën në mesin e viteve deri kur mbërriti koalicioni Ballkanik: Historia tregon se në vitin 1387 u krijua një koalicion i gjerë ballkanik, ndërkohë që më 1388 sulltani përqendroi forca të shumta në Plovdiv për të vijuar pushtimet në Ballkanin Qendror dhe në vitin 1389 ushtritë e koalicionit ballkanik u bashkuan në Fushë-Dardani (Fushë-Kosovë). Nga mesi i shekullit të XIX-të, Perandoria Osmane ishte në grahmat e “Çështjes Lindore”, në kohën që ballkanasit, duke përfshirë edhe shqiptarët, kërkonin të plotësonin ëndrrën e tyre kombëtare, bashkimin e katër Vilajeteve shqiptare që shqiptarët e finalizuan në vitin 1878 dhe krijuan Lidhjen Shqiptare të Prizrenit. Lidhja Shqiptare e Prizrenit, u shtyp nga Perandoria Osmane në vitin 1881 dhe qëllimi i fuqive evropiane ishte të pengonte krijimin e një shteti me shumicë absolute myslimane në zemër të Evropës.

Historia sikur përsëritës, vendet e Ballkanit tentojnë në përpjekje pa fund për t’u integruar në BE dhe përpjekjet vazhdojnë prej dekadash, por ende porta europiane duket larg, sa ballkanasit u mblodhën pak kohë më parë në Trieste. Krerët e shteteve dhe të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor u mblodhën në Takimin e Nivelit të Lartë për një tjetër etapë të procesit të Berlinit, nismë e cila mori jetë në 2014 falë angazhimit direkt të kancelares gjermane Angela Merkel. Takimi u mbyll me arritjen e një marrëveshjeje për krijimin e një Zone Ekonomike Rajonale, dhe nënshkrimin e një plani veprimi për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Ndërkohë, Bashkimi Europian ofroi 48 milionë euro në mbështetje të sipërmarrjes. Një koalicion i ri Ballkani pas shumë shekujsh për të kaluar barrierat, mendësitë, hamendësitë, paragjykimet fetare që ende jetojnë në vende perëndimore si BE-ja duke e akuzuar sërish Ballkanin si vend mysliman.

Perëndimi nuk e qas ende Ballkanin si pjesë të Europës sepse e konsideron si kufirin ku përplasen kulturat e besimet, por mësimi për këtë është Shqipëria, shekull pas shekulli madje edhe në kohët moderne të ditëve të sotme, pasi të gjitha besimet jetojnë në harmoni dhe respektojnë palët e besimit në shkallën e lartësimit te vetë zotit të tyre. Dikur kishte një kalorës të krishtërimit, si Skënderbeu; diku në një vend si Kruja u ul Abaz Aliu dhe solli Bektashizmin, madje i përket gjithë botës. Thellë në kohë, krishtërimi kishte tempujt e tij, më vonë pas pushtuesve sërish një pushtues vendas, diktatura shpalli ateizmin dhe zhduku gjithçka, çdo minare apo tempull, por jo besimin. Pas rënies së regjimit komunist fetë u ngritën me të njëjtën forcë dhe besim sa jetojnë në harmoni.

Paragjykimi vazhdon të jetojë në skutat e errëta të së shkuarës, ndonëse në vijën e kufirit ku përplasen besimet, fetë mbretërojnë në paqe dhe Shqipëria është unikale në këtë drejtim dhe Europa me çeljen e portës së saj do i shtonte vetes dhe perëndimit një pasuri që ta ketë si kurorë në këtë periudhë ku në emër të besimit, vende të tjetra tmerrojnë botën dhe e bëjnë atë më të pasigurt. Shqipëria është vija e fundit ku përplasen botë, por mund të jetë ura e bashkëpunimit për të gjithë fetë e besimet, madje dhe qytetërimet.

Please follow and like us: