Arben Llalla: Origjina shqiptare e ish Presidentit grek, Karolos Papulias
Shumë kryetarë që kanë udhëhequr Greqinë kanë qenë shqiptarë ose kanë pasur origjinë shqiptare. Njëri prej tyre që ka origjinë shqiptare është kryetari i Greqisë, Karolos Papulias, i cili qysh herët është shpallur mik i shqiptarëve. Karolos Papulias, është rizgjedhur dy herë President i Republikës së Greqisë.
Karolos Papulias gjithnjë ka qenë çelësi i zhbllokimeve të marrëdhënieve të krizave të ngrira të politikës mes Greqisë dhe Shqipërisë. Atij i takon merita se ideoi në fillim të viteve ‘80, heqjen e ligjit të Luftës me Shqipërinë, por kjo inisiativë dështoi në Parlamentin grek.
Karolos Papulias ka lindur më 1929 në fshatin Voshtina (sot quhet Pogoniani) pranë kufirit me Shqipërinë. Ky fshat ndodhet në krahinën e Çamërisë dhe dikur banohej nga popullsia shqiptare. (Siç dihet në vitet 1913-1945 qeveritë greke dëbuan me forcë popullsinë shqiptare nga trojet e tyre mijëravjeçare. Kështu, qindra bashkëfshatarë të Kryetarit të sotëm grek u përzunë me dhunë edhe nga fshati i lindjes së tij, Voshtina. Voshtinën shqiptarët e themeluan në shekullin XVI, por më tej pas përzënies së shqiptarëve myslimanë, në këtë fshat u sollën vllehë dhe “grekë” nga Azia e Vogël.)
Pas mbarimit të shkollës së mesme në Janinë, Karolos Papulias studioi për drejtësi në Universitetin e Athinës dhe doktoraturën e mbrojti në Universitetin e Këlnit. Që në moshë të re ishte pjesëtar i rezistencës kundër pushtuesve nazistë gjermanë. Më 1974 u bashkua me Partinë Socialiste, PASOK dhe u bë anëtar i Këshillit Qendror të Lëvizjes dhe që nga prilli i 1975 zgjidhet Sekretar i Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të PASOK-ut dhe në vitin 1977 zgjidhet për herë të parë deputet i PASOK-ut për Janinën. Ai ka qenë njëri nga bashkëpunëtorët më të ngushtë i themeluesit të PASOK, Andrea Papandreut. Papulias mori postin e Ministrit të Jashtëm më 1981 dhe që atëherë luajti një rol të rëndësishëm në formimin e politikës së jashtme të qeverisë së PASOK-ut. Ai ka qenë Ministër Plotësues i Jashtëm nga 8 shkurti 1984 deri në 5 maj 1985 dhe nga 5 naji 1985 deri më 26 korrik 1985. Ka qenë ministër i Jashtëm nga 26 koriku 1985 deri në 2 korrik 1989, si dhe në periudhën nga 13 tetori 1993 deri 22 janar 1996. Në Nëntor të vitit 1989 mori pjesë në qeverinë ekonomike të Ksenofoda Zolotas si ministër Plotësues i Mbrojtjes Kombëtare. Më 24 Shtator 1990 në Kongresin e dytë të socialistëve grekë zgjidhet anëtar i Këshillit Qendror të PASOK, post në të cilin rizgjidhet deri në Kongresin e gjashtë në nëntor të 2001. Më 11 Tetor 1995 zgjidhet për herë të parë anëtar i Këshillit Ekzekutiv të PASOK-ut dhe një vit më vonë u betua si anëtarë i Sekretarisë Politike. Në Tetor të vitit 1996 zgjidhet kryetar i Grupit Parlamentar për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes dhe në Korrik të 1999 zgjidhet Kryetar i komisionit për Çështjet e Jashtme dhe të Mbrojtjes të Parlamentit grek, post në cilin rizgjidhet edhe më 2001, 2002 dhe 2003. Në vitin 2005 u zgjodh Kryetar i Republikës greke dhe më 2010 u rizgjodh përsëri në këtë post të lartë shtetëror. Është i martuar me Maria Panu dhe ka tre vajza.
Njeriu që shkrinte akujt e politikës greko-shqiptare
Karolos Papulias kur ishte ministër i Jashtëm i Greqisë bëri vizitën e parë në Shqipëri, Janar të vitit 1985, në hapjen e pikës të kalimit kufitar të Kakavijës. Në nëntor të vitit 1987, Karolos Papulias me një grup ministrash grekë vizitoi për herë të dytë Shqipërinë. Midis ministrave në atë vizitë ishte edhe ministria e Kulturës greke me origjinë shqiptare, Melina Mërkuri. Kur marrëdhëniet greko-shqiptare në nëntor të vitit 1993 ishin të përkeqësuara për arsye të dëbimit të një prifti grek nga Shqipëria, i cili akuzohej për agjitacion, atëherë policia greke dëboi me forcë mbi 80 mijë emigrantë ekonomikë shqiptarë nga Greqia. Ministri i Jashtëm i sapo zgjedhur, Karolos Papulias do të udhëtonte drejt Shqipërisë për të zhbllokuar marrëdhëniet dypalëshe që ishin ngrirë në qershor të vitit 1993, kur në pushtet në Greqi ishte Partia Demokracia e Re. Në prill të vitit 1994 në repartin ushtarak të Peshkëpisë në rrethin e Gjirokastrës, një komando paramilitare greke e grupit MAVI vrau kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arben Gjini. Po në gusht të atij vitit piloti grek Kosta Vrakas hedh nga avioni i tij në Jug të Shqipërisë fletushka me shkrime kundër kryetarit të shtetit shqiptar, Sali Berisha. Dhe sërish ishte ministri i Jashtëm i Greqisë, Karolos Papulias që do të udhëtonte në Tiranë për të zhbllokuar krizën politike midis dy vendeve. (Papulias ka patur lidhje të ngushta me studiuesin arvanitas Aristidh Kolën).
Origjina shqiptare
Sipas një shkrimi të botuar në gazetën “Republika” në gusht të vitit 1995 shkruhet se: “Karolos Papulias është me origjinë të pastër shqiptare. Babagjyshi i tij quhej Sulejman dhe i përkiste fesë islame dhe ishte nga fshati Voshtina”. Këtë e deklaroi arvanitasi i shquar tashmë i ndjerë, Aristidh Kola. Në librin e Kolës “Arvanitët dhe prejardhja e grekëve”, në faqe 195 e lexojmë emrin e Sulejman Papulies. Nga librat e botuar në shekullin XIX dalin të dhëna se njëri nga pushtetarët e Prevezës quhej Tahir Papulia. Por, këto janë të dhëna, për të cilat duhet të shkruajmë herë të tjera më gjerë. (Interesant është fakti se edhe emri Karolos nuk është një emër greke, por gjerman. Me këtë emër quheshin Despoti i Epirit në shek XV, Karolos Tokos i Parë dhe i Dytë).
Ish-Kryetari, Karolos Papulias ka qenë shok klase në fshatin e lindjes me aktorin fierak, çamin Fuat Boçin dhe midis tyre ruhet ende një miqësi e mirë. Gazetarja Marina Vihu përmes një shkrimit të saj botuar në vitin 2005 ndër të tjera sjell kujtimet fëmijërore nga jeta e Fuat Boçit:
“Një ditë ndërsa ishim nisur për në shkollë me Karolosin, na u kthye mendja dhe shkuam për zogj. Ditën tjetër, mësuesja na nxori të dyve para klasës dhe na i shkuli veshët kaq fort, saqë më dhembin edhe sot e kësaj dite”.
Fuat Boçi po ashtu kujton të atin e Karolos Papulias, kolonelin në lirim Grigoris Papulias, i cili i nxirrte thuajse lakuriq në dëborë, i mbulonte me të dhe pastaj i vinte të vraponin që të kaliteshin. Për të vërtetuar nëse Karolos Papulia e flet shumë mirë gjuhën shqipe duhet pyetur Fuat Boçi, i cili di shumë gjëra për origjinën shqiptare të ish-presidentit grek.
Voshtina-Pogoniani
Voshtina gjendet buzë kufirit greko-shqiptar, përballë fshatrave të Gjirokastrës. Nëse do të futemi thellë në historinë e Epirit ku bënë pjesë edhe Voshtina, Despotati i Artës ku ka qenë përfshirë Janina dhe Voshtina në fillim të shekullit XI e deri sa u pushtua nga osmanët më 1449, asnjëherë nuk ka qenë i udhëhequr nga despotë grekë, por nga latinët dhe shqiptarët. Kur Stefan Dushani pushtoi Ballkanin ai u ndesh me shqiptarët, të cilët e rimorën përsëri Despotatin e Artës. Atëherë logjika e thjeshtë ngre pyetjet përse Epiri asnjëherë nuk është udhëhequr nga Despotë grekë? Sepse popullsia nuk ishte greke, por shqiptare.
Voshtina nga mesi i shekulli XVI e në vazhdim njihet se është themeluar dhe banuar nga shqiptarët myslimanë. Voshtina ishte qendra e fshatrave të Pogonit dhe i përkiste administratës turke të Gjirokastrës. Voshtina mbeti si qendra administratës të zonës së Pogonit deri në vitin 1922, më tej qendra u vendos në Delvinaq. Voshtina ishte dikur një fshat me rreth 3.000 banorë dhe në vitin 1924 u hap gjimnazi në godinën ku dikur shërbente administrata osmane. Gjimnazi kishte edhe konviktin e vet ku strehoheshin nxënësit e fshatrave të tjerë që ndiqnin shkollën. Në këtë fshat kishte një kishë ortodokse, një teqe dhe tre xhami.
Gjatë periudhës së Perandorisë Osmane Voshtina i përkiste Peshkopatës së Vlorës. Ka pasur xhami, kishë, një shkollë për myslimanët dhe një shkollë për orthodoksit, rreth 5 dyqane. Me përzënien e shqiptarëve myslimanë nga treva e Çamërisë në zonën e Pogonit dhe në Voshtinë qeveritë greke sollën popullësi vllehe si dhe “grekët” nga Azia e Vogël për të bërë sa më të lehtë asimilimin e shqiptarëve ortodoksë që mbetën në Çamëri. Vllehët dhe “grekët” e ardhur nga Azia e Vogël u vendosën në shtëpitë e shqiptarëve myslimanë duke marrë në përdorim dhe tokat e tyre.
Me vendim të qeverisë greke për ndërrimin e toponimeve jo-greke në Greqi edhe Voshtinës si shumë fshatra të tjerë ju ndërrua emri në Pogoniani më 1928. Nëse vërtet fshati Voshtina do të ishte banuar nga grekët, atëherë qeveria greke nuk do ta ndërronte emrin e fshatit dhe do të sillte në të banorë jo-vendas. (Është një histori e dhimbshme e shqiptarëve nga Çamëria, sepse pas përzënies së shqiptarëve myslimanë, shqiptarët ortodoksë u deklaruan vllehë ose grekë për t’i shpëtuar dëbimeve dhe masakrave. Si pasojë u shtuan vllehët dhe grekët si në Greqi, por edhe në Shqipëri.)
Pas viteve 1990, shumë fëmijë të minoritetit grek, por edhe fëmijët shqiptarë të fshatrave buzë kufirit vazhduan gjimnazin në Pogoniat. Godina që mësojnë këta fëmijë ka qenë pronë e një familje shqiptare, e Sulejman Corës e cila para se të shpërngulej në vitin 1923 një pjesë në Turqi dhe pjesa tjetër në Shqipëri e bëri dhuratë shtëpinë për të mësuar fëmijët shqiptarë dhe grekë. Kjo është një vepër sa e dhimbshme dhe humane. Fisi Corat që u shpërngulën në Stamboll mbajtën një qëndrim kombëtar duke ruajtur kombësinë dhe mbiemrin shqiptar, për të cilën dhe u bë shkak që një Cora mos të zgjidhej kryeministër i Turqisë.