Letra për Ramizin: Presidenti Miterand ka dëshirë të takojë shkrimtarin Ismail Kadare
Dashnor KALOÇI
Ashtu siç kemi parë edhe në disa prej kapitujve paraardhës të këtij libri, nga fillimi i viteve ’80-të dhe në vazhdim, në adresë të shkrimtarit të njohur shqiptar, Ismail Kadare, rezulton të kenë ardhur një numër i madh ftesash nga vende të ndryshme të botës, ku vendin kryesor e zinin ato nga Franca, në të cilat Kadare ftohej të merrte pjesë në festa, përvjetorë, takime, simpoziume, promovime, panaire librash e tjera evente kulturore dhe artistike. Por, ndryshe nga kjo mori ftesash, aty nga fillimi i qershorit të vitit 1985, në adresë të tij ka ardhur një ftesë e veçantë, apo më saktë “një propozim për një ftesë”, nga ana e Frederik Miteran, (nip i Presidentit francez, Francois Miterand), gazetar dhe drejtues i njohur i emisionit të filmave “Etotiles et Totiles”, në kanalin e parë të televizionit francez. Kjo gjë bëhet e ditur nëpërmjet një telegrami shifër “Tepër sekret” të ambasadorit shqiptar të asaj kohe në Paris, (Maxhun Peka), dërguar në adresë të eprorëve të tij në Ministrinë e Punëve të Jashtme në Tiranë. Sipas dokumentit me telegramin në fjalë, ambasadori Peka rezulton që të ketë pasur për një darkë pune, (ku ka asistuar dhe vartësi i tij, Thoma Haxhi) zotin Frederik Miteran dhe kolegun e tij, Patric Jaudi, ku ndër të tjera ata i kanë shprehur dëshirën që presidenti Miteran ka dëshirë që të presë në një takim, shkrimtarin e njohur shqiptar, Ismail Kadare. Për të cilin ata janë shprehur me superlativë, duke thënë mes të tjerash se: “Kadare pa asnjë dyshim është një nga shkrimtarët më të mëdhenj të sotëm”. Po kështu, ata i kanë bërë të ditur ambasadorit shqiptar dhe kolegut të tij se të gjitha romanet e Kadaresë ndodhen në zyrën e këshilltarit kulturor të presidentit Miteran, Erik Arnalt, i cili njihej si një nga adhuruesit më të mëdhenj të shkrimtarit shqiptar, Ismail Kadaresë në Francë. Thamë pak më sipër se kjo ftesë ishte e veçantë, pasi ndryshe nga herët e tjera, ftesa apo më saktë propozimi, (që bëhej gjysmë zyrtarisht në adresë të Kadaresë), bëhej jo për ndonjë njeri të artit, kulturës dhe letërsisë, por “për llogari”, të një personaliteti tepër të madh politik, jo vetëm të Francës, siç ishte presidenti francez Francois Miterand. Gjë e cila nuk rezultonte që të kishte ndodhur më parë nga ftesat e ardhura në adresë të shkrimtarit të njohur shqiptar, i cili që nga viti 1972 kur në Francë u përkthye dhe u botua romani i tij “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, po ngjallte interes të jashtëzakonshëm me veprat e tij në vijim, (tashmë të botuara jo vetëm në Francë), si në qarqet frankofone ashtu edhe më gjerë. Në këtë kontekst të famës gjithnjë e në rritje të shkrimtarit të njohur shqiptar nga vendi vogël komunist dhe i izoluar i Ballkanit, duket që ka ardhur edhe ftesa në fjalë, e cila i është komunikuar ambasadorit shqiptar nga njeriu i familjes së presidentit Miterand, i cili kurrsesi nuk mund ta bënte atë gjë (propozimin) pa lejen, pëlqimin dhe miratimin e xhaxhait të tij.
Nisur nga mënyra se si është vepruar dhe komunikuar dëshira e presidentit francez për një takim të mundshëm të tij në rastin më të parë të vizitës që shkrimtari Kadare do të bënte në Francë, ajo gjë ka qenë as më pak dhe as më shumë një manovër diplomatike për një “matje pulsi”, të autoriteteve më të larta të udhëheqjes shqiptare, para se ftesa për Kadarenë të bëhej zyrtarisht nga ana e tyre. Dhe duket që nuk kanë qenë të gabuar, pasi edhe pse ‘Telegrami shifër’ u është adresuar dy krerëve më të lartë të shtetit shqiptar të asaj kohe, (presidentit Ramiz Alia dhe kryeministrit, Adil Çarçani), autoritetet zyrtare shqiptare nuk u kanë kthyer asnjë përgjigje miqve francezë. Të paktën në dosjen përkatëse ku gjendet dokumenti me telegramin në fjalë, nuk rezulton asnjë praktikë e tillë, apo shënim me shkrim dore mbi dokument nga ndonjë prej zyrtarëve apo titullarëve të Ministrisë së Punëve të Jashtme! Si psh., është vepruar herë të tjera në të gjitha ftesat ndaj Kadaresë dhe jo vetëm, ku ministri Reiz Malile apo zëvendësit e tij (Sokrat Plaka e Ksenofon Nushi), e deri tek drejtorë të drejtorive përkatëse të atij dikasteri si Pirro Bita, Kujtim Hysenaj etj., që shënonin për Kadarenë: “Të mos vejë në Francë, se nuk është koha e përshtatshme”, “Kadare të mos shkojë, por t’u përgjigjet me një falënderim për ftesën”, “Të lihet në heshtje ftesa për Kadarenë”, “Kadare të mos shkojë, se aktiviteti në Francë bëhet nga Komuniteti Evropian” etj., etj. të kësaj natyre, të cilat i kemi parë në faqet e këtij libri. “Lënia në heshtje”, për ftesën që “miqtë francezë” bënin ndaj Kadaresë, me shumë gjasa ka pasur të bëjë edhe me kohën “jo të përshtatshme” që kanë gjetur ata për ftesën në fjalë, pasi ajo rezulton fiks dy muaj pas vdekjes së udhëheqësit komunist të Shqipërisë, Enver Hoxha. Dhe duket që autoritetet zyrtare shqiptare deri diku kanë qenë “të justifikuar” për moskthimin e përgjigjes ndaj miqve francezë, pasi në ato momente “delikate” për ta dhe “popullin shqiptar”, ata “nuk e kanë pasur mendjen aty”! Por, me shumë gjasa nuk përjashtohet as mundësia që Tirana zyrtare ta ketë paragjykuar ftesën që i bëhej Kadaresë, duke menduar se kreu i shtetit francez e thërriste shkrimtarin e njohur shqiptar për t’i marrë një mendim se: “Ç’do të ndodhte tani me Shqipërinë, pas vdekjes së Enver Hoxhës…”! Sidoqoftë, të gjitha këto janë thjesht aludime dhe mbeten për t’u parë nga ata studiues e historianë, që mund të merren një ditë me “marrëdhëniet shqiptaro-franceze gjatë luftës së ftohtë”, por fakti është se udhëheqja e lartë shqiptare në atë periudhë kohe, thjesht e ka injoruar ftesën e “miqve francezë” për Kadarenë, gjë e cila do të behej realitet vetëm katër vite më vonë, në 1989, kur presidenti Francois Miterand i bëri ftesë nominale Kadaresë, (si i ftuar special) në festimet e 200-vjetorit të Revolucionit Francez, krahas 35 kryetarëve të shteteve të ndryshëm nga e gjithë bota. Gjë për të cilën do njihemi në kapitullin në vijim.
TELEGRAMI SEKRET I AMBASADORIT MAXHUN PEKA, PËR MINISTRINË E JASHTME
Shokut Ramiz
Shokut Adil
Të rikthehet në organin e shifrës
Ndalohet me nxjerr kopje
Tepër sekret
DESHIFRIM
Nr. i fletës
Nr.19780
Nga Parisi
3K
…………………………………
Nr.1022
Datë 14. 6. 1985
MINISTRISË SË JASHTME
Pata për darkë bashkë me Thomanë, drejtuesin e emisionit të filmave “Etotiles et Totiles” të kanalit të parë të televizionit francez, Frederik Miteran, nip i presidentit dhe realizatorin e filmave, Patrik Jendi.
…………………………………………………………………………………………………………………………
Të rikthehet në organin e shifrës
Tepër sekret
Ndalohet me nxjerr kopje
Nr. i fletës
DESHIFRIM
Nr.19781
Nga Parisi
3K
…………………………………………………………………………………………………………………………
Nr.1023
Datë e dytë
Ata vlerësuan lartë politikën e pavarur të vendit tonë dhe guximin për të kundërshtuar dy superfuqitë. Gjithashtu, ata vlerësuan arritjet tona në fushën e kinematografisë, si nga ana e aktorëve, edhe nga ana e regjisorëve. Frederik Miteran tha se vlerësonte shumë veprat e I. Kadaresë, (vijon)
Të rikthehet në organin e shifrës
Tepër sekret
Ndalohet me nxjerr kopje
Nr. i fletës
DESHIFRIM
Nr. 19782
Nga Parisi
3K
………………………………
Nr.1024
Datë e treta
I cili është pa kundërshtim një nga shkrimtarët më të mëdhenj të sotëm. Të gjitha romanet e tij ndodhen në tavolinën e këshilltarit kulturor të presidentit Miteran, Eric Arnault, që është një nga admiruesit më të mëdhenj në Francë të Kadaresë. (vijon)
………………………………
Të rikthehet në organin e shifrës
Tepër sekret
Ndalohet me nxjerr kopje
Nr. i fletës
DESHIFRIM
Nr. 19783
Nga Parisi
3K
………………………………
Nr.1025
Datë e katërta
Ai ka shprehur dëshirën që në vizitën e parë të Kadaresë ta takojë dhe me këtë rast do e presë edhe presidenti Miteran, i cili i ka lexuar një pjesë të mirë të romaneve të tij. Gjithashtu, propozoi që të organizojë një emision me Berndard Pivot në emisionin “Apostrof”. (vijon)
………………………………
Të rikthehet në organin e shifrës
Tepër sekret
Ndalohet me nxjerr kopje
Nr. i fletës
DESHIFRIM
Nr.
19784
Nga Parisi
3K
………………………………
Nr.1026 Datë e katërta
Kushtuar krijimtarisë së Kadaresë. Premtoi se do të bëjë përpjekje për futjen e filmave tanë në televizionin francez. I falënderuam për emisionin që bënë për kinematografinë tonë.
Maxhuni