Albspirit

Media/News/Publishing

Familja Popa nuk solli rastësisht kaq shumë mjekë, Ylli, i fundit i pinjollëve

Familja fisnike e Simon dhe Marie Popës shquhej në lagje si më mikpritëse jo vetëm për të afërmit, por dhe për të tjerë. Kishin miq të shumtë në fshatra si në Funar, Shpat, Labinot, Qukës, Bërzeshtë, të cilët i mirëprisnin. Pushimet verore i kalonin jo vetëm në rrethinat e Elbasanit si Shelcan, Funar, Shijon, Labinot etj., por deri në Strugë, Ohër, Shën Naun e Itali. Këta prindër të shquar e fisnikë sakrifikuan gjithçka për shkollimin e fëmijëve të tyre, sidomos të djemve në Perëndim. Kolë Popa, një nga përfaqësuesit e kësaj familje në Elbasan, është një ndër personalitetet më të spikatura në shkencat natyrore, e veçanërisht në ato kimike e farmaceutike të vendit, që sa më tepër kalojnë vitet, aq më i vlerësuar mbetet. Ai lindi në Elbasan më 5 gusht 1913 në lagjen “Kala”. I ati i tij, Simon Popa (1875-1968) mjek i dëgjuar, i diplomuar në Athinë të Greqisë, pasi punoi për një farë kohe në spitalin francez të Stambollit, u kthye në vendlindjen e tij dhe u emërua mjek i bashkisë. Simon Popa njihej prej vitesh si mjek, mik dhe këshilltar në familjen e nderuar të Aqif Pashë Elbasanit (Biçakçiu). Në zgjedhjet parlamentar të vitit 1925 u zgjodh anëtar i Dhomës së Deputetëve. E ëma e Kolës, Maria Jorgaqi, ishte mbesë e Lef Nosit. Ajo meditonte gjatë para tyre dhe gjente sadopak ngushëllim për fatkeqësitë jo të rralla që i ndodhën gjatë jetës familjare. Hipokrati shkollën e mesme dhe studimet e larta i kreu në Freystad, pranohet pa konkurs në universitetin e Vjenës për filozofi ekonomike, të cilin e mbaron më 1933. Kthehet në Elbasan me shumë libra e i diplomuar shkëlqyeshëm, por për fat të keq i sëmurë. Ishte i talentuar në pikturë e në të gjente ngushëllimin për shëndetin e lig. Vasili diplomohet për mjekësi në Bolonja, Itali më 1941. Nuk kthehet në atdhe, por shkon për specializim të mëtejshëm në SHBA. Mbas specializimit pranon ofertat e atjeshme, punësohet e sistemohet përgjithmonë në klinikat e Nju-Jorkut. Pasion tjetër pas profesionit të mjekut kishte dhe muzikën, sidomos atë klasike, luante mirë në piano e në violinë. Frekuentonte shpesh dhe kazinotë e lojërave, sidomos në Itali, që në një farë masë shqetësonte dhe familjen në Elbasan për shpenzimet ekonomike. Ndërsa tri vajzat e tyre, Sina, Efemia dhe Aspasia vazhduan Institutin femëror “Nana Mbretneshë” dhe mbetën deri në fund të emancipuara, pavarësisht nga problemet e hallet që i shoqëruan gjatë jetës.

Pinjollët e familjes Popa që vazhduan traditën

  1. Petraq Popa (1878-1957), mjek patholog
  2. Simon Popa (1875-1968), mjek patalog
  3. Kolë Popa (1913 – 1993), kimist dhe profesor
  4. Theofan Popa (1914-1985), teolog e studiues arti
  5. Ylli Popa lindi në 1930, mjek kardiolog, qytetar nderi i Elbasanit

 

 

Biblioteka dhe diskutimet 

Në bibliotekën e tyre të pasur, krahas të tjerash kujtojnë të rinjtë e asaj kohe, si Vasil Santo, Aleksandra Shuteriqi, Bardhul e Margarita Papa, Frederik e Stiliano Nosi, Agim e Ylli Papa etj., vizitorë të përhershëm të saj nuk mungonin asaj kohe dhe literatura filozofike, në gjuhën gjermane, italiane, franceze etj., vepra nga F.Niçe, Shopenhauri, Ernest Renan, Benedikt Spinoza, Kanti, Hegeli etj.

Kjo literaturë e pasur e mbartur kryesisht nga Kola e Hipokrati, kohë më vonë nuk u gjend më në këtë bibliotekë, sikur i përpiu dheu.

Një pyetje që iu bë Kolës nga një i afërt, vite më vonë, për fatin e këtyre librave, mbeti pa përgjigje. Edhe vëllai Vasili, i ardhur shumë vite më pas për t’u çmallur, u çudit e u pezmatua për këto zhdukje pa lënë gjurmë të kësaj pasurie të paçmuar, bile nuk gjeti as pikturat, e as partitura të kompozitorëve, sidomos atyre gjermanë e italianë që edhe vetë Kola i kishte shumë për zemër e që i interpretonte.
Takime e biseda të natyrave të ndryshme ishin karakteristike në disa familje intelektuale të lagjes, sidomos pasditeve e mbrëmjeve. Diskutimet në to përqendroheshin në tema nga më të ndryshmet, duke u drejtuar me një farë sqime nga ata që kishin studiuar jashtë. Për një takim të tillë kujtonte doktor Kolë Papajani (thënë nga i ati Foti) ish zhvilluar në shtëpinë e Lef Nosit me praninë edhe të Fan Nolit, krahas disa intelektualëve elbasanas, në drejtim të emancipimit shoqëror e të pavarësisë të kishës ortodokse.

Për probleme të arsimit e të gjuhës mblidheshin herë pas here në shtëpinë e Foti Papajanit, A.Xhuvani, S.Shuteriqi, M.Papajani. Ndërsa në familjet Paparisto e Shuteriqi diskutohej edhe për art e kulturë, kurse shquheshin familjet Buda e Popa për diskutimet në filozofi, shkencë e histori.

Ishin pikërisht këto takime në kohë, premisa të një emancipimi të pritshëm me protagonistë si pjesa më vitale e realitetit elbasanas. Në disa në këto diskutime kanë marrë pjesë edhe personalitete të huaja si p.sh., Edith Durham, Margaret Hazllek etj.

Herë pas here biseda në këtë rreth familjar nxitej më tej. Kultura e gjithanshme e djemve të kësaj familje, sidomos prania e studentit për teologji, kushëririt të tyre Theofan Popa (1914-1985), i bënte diskutimet e kësaj natyre sa kurajoze e aq interesante, thuajse fjalët dilnin nga goja e një peskopi, ndonëse vetë fanatizmin e dogmën fetare nuk e përkrahnin.

Kremtimi i Krishtlindjeve dhe Pashkëve në këtë familje si në gjithë familjet ortodokse të Kalasë, ishte një ngjarje e shënuar, ajo shërbente për një lidhje e harmoni jo vetëm midis tyre, por dhe me familjet myslimane. Pas daljes nga kisha fillonin vizitat nëpër familjet e krishtera.

E më pas në rrjedhë të kohës debatohej më gjatë për probleme të tjera kulturore, shkencore, politike etj. Afria e kësaj familje dhe e këtij mjedisi me kishën e, veçanërisht me klerikë të veçantë si Papa Petri e me klerikë të tjerë pa përjashtuar dhe ata myslimanë, tregonin jo vetëm kulturën, intelektin e tolerancën në përgjithësi, por dhe atë fetare në veçanti, sidomos të Kolës, një njohës i mirë edhe i Kuranit të Shenjtë, i cili e vlerësonte. Veçohej në këtë mjedis i ati i Kolës, doktor Simoni, që tregohej indiferent, thuajse nuk besonte, i dhënë vetëm drejt zanatit të mjekut.

Të tre djemtë e shkolluar të kësaj familje shprehnin jo fanatizëm kristian për një besim pa zbukurime e rregullime, pa ndërhyrë e përndjekur mendimin e të tjerëve e instiktet themelore fetare të tyre, pavarësisht nga niveli kulturor i shtresës shoqërore që të ishin.

Më vonë gjatë trazirave të Luftës Dytë Botërore, diskutimet, debatet e gjithçka u zëvendësuan me ato ideologjike propagandistike, duke filluar hendekun e çarjet e para midis familjeve e individëve, drejt luftës së klasave.

Please follow and like us: