Albspirit

Media/News/Publishing

Luljeta PROGNI: Diana Çuli nuk është vetëm

Diana Çuli nuk çudit. Ndoshta është normale që ajo nuk çudit. Madje, sjellja e saj mund të konsiderohet normale. Ne nuk reflektuam asnjëherë për komunizmin, për dhunën, krimet, të keqen që ai u solli shqiptarëve. Nuk u morëm kurrë me ata që i shërbyen regjimit, të cilët ishin vegla apo ekzekutorë të krimeve të tij. Ne nuk i bëmë kurrë publike emrat e tyre.

Diana Çuli i ka shërbyer me zell diktaturës, madje me aq zell sa është bashkëfajtore në ekzekutimin e poetit Genc Leka. Më pas u shpërblye nga diktatura për të ndërtuar një karrierë që ju dhurohej zakonisht bashkëpunëtorëve ose të afërmve të tyre. Ngjiti shkallët e karrierës duke synuar botën e letrave dhe kur sistemi dukej se po rrëzohej ndodhi ajo që nuk pritej. U rrëzua do mendoni ju? Jo. Përkundrazi, si shumë pinjollë të tjerë të funksionarëve të diktaturës vazhdoi të ngjiste shkallët, por jo vetëm nëpërmjet projekteve të  OJF-ve, por edhe si përfaqësuese në Këshillin e Europës. Diana Çuli nuk çudit aspak, sepse si ajo janë shumë. Dhe janë në krye të institucioneve shtetërore, në krye të partive politike, në krye të bizneseve, në krye të artit, kulturës e medias. Si Diana Çuli ka shumë, që kanë firmosur recensa, vlerësime, raporte e vendime gjykate, nëpërmjet të cilave ndërtuan diktaturën më të egër komuniste. I vetmi ndryshim është se dosjet e tyre nuk patën fatin e dosjes së Dianës. Diana Çuli, bashkë me ata dhjetëra mijëra shërbëtorë të zellshëm dhe persekutorë janë strukturat që ndërtuan atë sistem dhe jo anasjelltas, siç duan ta përmendin shpesh, me qëllimin për të krijuar një alibi që ju hyn në punë vetëm për të mos humbur asgjë nga ato që kanë përfituar, duke mos dashur të zbresin asnjë shkallë.

Fajin e ka sistemi jo njerëzit”, pikërisht kjo tezë i shërben edhe sot për t’u mbrojtur asaj e armatës së shërbëtorëve të sistemit komunist.

Isha pjesë e përdorur nga sistemi dhe unë isha e detyruar që ta bëja këtë”, tha në një emision televiziv, Diana Çuli. Ajo sqaroi më tej se: “Nëse nuk do ta bëja unë ekspertizën, recensën e poezive të Lekës, unë do të dënohesha dhe këtë do ta bënte një tjetër shkrimtar. Nuk e quaj veten përgjegjëse për vrasjen, se ndryshe nuk do të dilja në rrugë.”

Shumë mirë, nëse nuk do ta bënte atë recensë dhe do ta bënte një shkrimtar tjetër, atëherë sot do të ishim duke analizuar atë shkrimtarin tjetër. Por, Diana nuk e mendoi ta refuzonte, sepse do t’i duhej të linte privilegjet që kishte nga sistemi komunist e të bëhej një mësuese fshati apo edhe më pak se kaq. Në një rast të tillë, Diana do të ishte në krah të familjes së Genc Lekës duke folur me dinjitet e krenari se i kishte thënë jo urdhërit të partisë për të vrarë poetë. Por, ja që nuk e zgjodhi dot këtë rrugë, ndaj dhe i duhet të përballet me pasojat. Padyshim që vrasja e dy poetëve nuk lidhet vetëm me recensën e saj por lidhet edhe me recensën e saj. Kjo do të thotë se Diana Çuli ishte pjesë e ekipit të shërbëtorëve të regjimit që vranë dy poetët. Kaq mjafton që ajo të mos iu dilte kurrë në rrugë familjes së Genc Lekës dhe Vilson Blloshmit.

Ndaj dhe nuk duket të ketë pendesë për atë recensë, ndaj nuk ka menduar kurrë të respektojë dhimbjen e familjarëve të Genc Lekës. Falja që ajo thotë se ka kërkuar është një togfjalësh fyes për familjen e viktimës. Të kërkosh ndjesë do të thotë të jesh fisnik, të jesh njeri i përulur, ta njohësh dhimbjen që i ke shkaktuar tjetrit, ta pranosh e të pendohesh. Diana nuk i ka kaluar në mendje, ndaj dhe ka dalë vazhdimisht e gjithmonë në rrugën e familjes Blloshmi. Iu ka dalë përballë e ka fyer dhimbjen e tyre me mijëra herë, sepse Diana u bë aktiviste e të drejtave të njeriut, pasi u rrëzua sistemi i saj komunist. Doli në rrugë, në ekrane në auditore e kudo për të dhënë leksione demokracie duke harruarr atë firmë të recensës së zezë mbi dosjen e Genc Lekës.

Ajo është aktiviste e Shoqërisë Civile për të drejtat e grave, barazinë gjinore, dhe luftës kundër trafikimit të grave dhe vajzave. Diana Çuli, është zgjedhur edhe presidente e Federatës Shqiptare të Grave. Ka qenë edhe përfaqësuese e Shqipërisë në Asamblenë e Këshillit të Europës. E kanë zgjedhur në këto institucione të nderuara pa marrë parasysh të shkuarën e saj. Diana nuk është e vetmja, ka me mijëra si ajo. Diana dhe të  ngjashmit e saj gjetën strehë tek parulla e komunistëve të rinj të pas viteve 90, “Bashkëvuajtës dhe bashkëfajtorë!”. Kjo është filozifia që i shfajësoi xhelatët për krimet në komunizëm. Kjo armatë individësh që ndërtuan sistemin diktatorial, bashkë me bijtë e tyre kanë gjetur tashmë parullën e re: “Fajin e ka sistemi, jo individi”.

Please follow and like us: