Arrestimi-Fragment nga “Arkipelagu Gulag”, Aleksander Solzhenitsyn
Si i dërgojnë njerëzit tek ky Arkipelag klandestin? Për çdo orë, avionët fluturojnë për atje, anijet e drejtojnë timonin atje dhe trenat fishkëllejnë drejt këtij vendi – por asnjë prej këtyre mjeteve nuk ka ndonjë shenjë që të tregojë këtë destinacion. Në sportelet e biletave ose në agjencitë e udhëtimit për turistët e huaj apo sovjetikë, punonjësit e tyre të shikojnë të çmeritur nëse u kërkoni biletë për të shkuar atje. Ata nuk dinë asgjë dhe nuk kanë dëgjuar ndonjëherë për Arkipelagun si të tërë ose për ndonjë nga ishujt e tij të panumërt.
Ata që shkojnë në Arkipelag të ngarkuar me punë administrative, drejtohen për atje nga shkollat e trajnimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme.
Ata që shkojnë atje për t’u bërë roje sigurie, merren në punë nga degët ushtarake të rekrutimit, kurse ata që ju duan ju dhe mua, i dashur lexues, dhe që shkojnë atje për të vdekur, mund të shkojnë atje vetëm dhe detyrimisht nëse janë të arrestuar.
Arrestimi! A ka nevojë të themi që është një pikë kthese në jetën tuaj, një shkrepje rrufeje që shënjon një goditje të drejtpërdrejtë mbi ju? Ai është ky një tërmet shpirtëror i papërtypshëm që jo çdo person mund ta përballojë dhe si pasojë e të cilit shumë njerëz kalojnë në çmendinë.
Njerëzimi ka aq qendra të ndryshme sa ka qenie të gjalla. Secili prej nesh është një qendër e universit dhe ky univers shkatërrohet kur ata ju drejtohen me një zë të murrëtyer: “Jeni i arrestuar!”.
Nëse jeni i arrestuar, a mund të mbetet ndonjë gjë tjetër e pashkatërruar nga ky kataklizëm?
Por mendja e errësuar është e paaftë për t’u përshtatur me këto ndryshime të menjëhershme të universit tonë dhe qoftë personi më i zgjuar apo më leshko, duke sjellë në mend eksperiencat e jetës së tij, mund të nxjerrë vetëm këto fjalë: Me?, What for? (Mua? Për çfarë?).
Kjo është një pyetje që, megjithëse e drejtuar miliona e miliona herë, ende nuk ka marrë një përgjigje.
Arrestimi është një akt i menjëhershëm, goditje shkatërruese, dëbim dhe përmbysje nga një gjendje në një tjetër.
Ne kemi lindur me fat – ose ndoshta jemi zvarritur mjerisht të drobitur në rrugën e gjatë dhe të kryqëzuar të jetëve tona, kemi kaluar të gjitha llojet e mureve dhe gardheve të bëra nga dru i kalbur, tokë e ngjeshur, tulla, beton, shina hekuri. Ne asnjëherë nuk kemi menduar çfarë ka pas tyre. Ne asnjëherë nuk kemi tentuar të depërtojmë në këto gjëra me vizionin ose kuptimin e tyre të vërtetë. Por atje është vendi ku filloi Gulagu, pranë nesh, dy jardë[1] larg prej nesh. Përveç këtyre, ne nuk kemi arritur të dallojmë një numër shumë të madh të dyerve dhe portave të puthitura mirë, të maskuara mirë në këto gardhe. Të gjitha ato porta ishin përgatitur për ne, si një mundësi e fundit! Krejt në mënyrë të papritur, ora e fatit tonë bie dhe katër duar të bardha meshkujsh të pamësuar me punën fizike, por megjithatë të fortë dhe rezistentë, të mbërthejnë nga këmba, krahu, jaka, kapelja, veshi të tërheqin zvarrë si një thes dhe porta prapa nesh, porta e jetës sonë të kaluar, përplaset dhe mbyllet njëherë e përgjithmonë.
Kaq është e gjitha! Jeni i arrestuar!
Dhe ju nuk mund të bëni asnjë reagim tjetër, përveçse si një blegërimë qengji: Mua? Për çfarë?
Ky është arrestimi, është një shkrepje verbuese dhe një goditje që e kthen menjëherë të tashmen në të kaluar dhe të pamundurën në një realitet tronditës.
Kjo është e gjitha, as në orën e parë të arrestimit dhe as gjatë ditës së parë, ju nuk mundeni të merrni vesh ndonjë gjë tjetër.
Përveçse në dëshpërimin tuaj, hëna si në një shfaqje cirku të rreme ju jep ndonjë dritëz shprese: “Ky është një gabim, ata do t’i kthejnë gjërat në vendin e duhur”.
Dhe gjithçka që është e ndërtuar mbi tradicionalen, bile edhe letraren nuk shkon me realitetin. Imazhi i një arrestimi do të marrë formë jo në kujtesën tuaj të çorientuar, por në atë që familja dhe fqinjët tuaj kujtojnë: zilja kobndjellëse e orës së natës ose trokitja e fortë në derë; hyrja arrogante me çizme të papastra e operativëve të pagjumë të Sigurimit të Shtetit. Dëshmitari civil i frikësuar dhe i trembur pas shpinës së tyre. (Për çfarë funksioni shërben ky dëshmitar civil? Viktima as nuk guxon të mendojë më rreth kësaj dhe operativët nuk ia kujtojnë, por kjo është çfarë rregullat kërkojnë dhe kështu ai duhet të presë gjithë natën zgjuar për të firmosur në mëngjes. Për dëshmitarin të trazuar në krevatin e tij, është torturë gjithashtu të dalë jashtë pothuajse çdo natë dhe të ndihmojë për arrestimin e fqinjëve dhe të të njohurve.)
Imazhi tradicional i arrestimit është gjithashtu mbledhja e gjërave personale nga viktima me duar që i dridhen − ndryshim i të brendshmeve, një copë sapuni, diçka për të ngrënë… dhe askush nuk e di për çfarë ka nevojë, çfarë është e lejuar, çfarë rrobash janë më të mira për t’u veshur… dhe agjentët e Sigurimit që iu ndërpresin dhe ju ngutin:
“Nuk keni nevojë për asgjë. Do t’ju ushqejnë atje, është ngrohtë atje. Janë të gjitha gënjeshtra, ata ju ngutin për t’ju frikësuar.
Imazhi tradicional i arrestimit është edhe çfarë ndodh pas kësaj, pasi i arrestuari i mjerë është hequr prej andej. Është një bastisje e apartamentit për orë të tëra duke ushtruar një forcë të ashpër dhe shkatërruese, derisa në fund kemi një skenë të thyerjeve, shqyerjeve, zhvendosje të mobilieve nga muret, boshatisje e gardërobave dhe e dollapëve të rrobave dhe hedhja e tyre në dysheme, tronditje, zbrazje, grisje – grumbullimi i maleve të plehrave mbi dysheme dhe kërcitje e gjërave që shkelen nën çizme. Asgjë nuk kursehet në këtë bastisje.
Gjatë arrestimit të inxhinierit të lokomotivës, Inoshin-it, arkëmorti me trupin e djalit të tij të vogël të vdekur ishte vendosur në dhomën e tij. “Juristët” e nxorën kufomën e djalit nga qivuri dhe e kontrolluan atë. Ata i trazuan njerëzit e sëmurë nga krevatet dhe i hoqën fashat e plagëve të tyre për kontroll.
Për të afërmit e të arrestuarve, ka një tmerr pa fund të një jete të rrënuar. Përpjekje për të shkuar dhe për t’u dërguar pako ushqimesh, por nga të gjitha sportelet, përgjigjja vjen përmes zërave hungërues: “Nuk ka njeri me këtë emër këtu… Nuk kam dëgjuar kurrë për të”. Po edhe në ditët më të këqija në Leningrad, duheshin pesë ditë qëndrimi në radhët e grumbulluara për të mbërritur në një sportel për të pyetur dikë. Mund të shkojë 6 muaj deri në një vit që nuk merret asnjë lajm nga personi i arrestuar, ose, ndryshe, përgjigjja është për të të hequr qafe: “I është hequr e drejta e korrespondencës”. Dhe kjo do të thotë njëherë e përgjithmonë. “S’ka të drejtë korrespondence,” − që kuptohet se: “Është pushkatuar”.
Kjo është një nga mënyrat se si mund të perceptohet arrestimi.
Rasti i arrestimit natën, i përshkruar më sipër, në të vërtetë është i favorshëm, sepse ka disa avantazhe të rëndësishme. Të gjithë banorët e atij apartamenti kalojnë në një gjendje terrori nga trokitja e parë e derës. Personi i arrestuar hiqet nga shtrati i ngrohtë. Ai është i shushatur, gjysmë në gjumë, i pandihmë dhe me një gjykim të mjegulluar. Në një arrestim natën, burrat e Sigurimit të Shtetit kanë superioritet në numra; shumë prej tyre janë të armatosur kundër një personi që ende nuk ka mbërthyer pantallonat. Gjatë arrestimit dhe kontrollit të shtëpisë, nuk ka gjasa që një turmë mbështetësish të mundshëm të mblidhen te hyrja. Vizitat e ngutshme hap pas hapi, së pari, te një apartament, pastaj te një tjetër, nesër te një i tretë, te një i katërt i jep mundësi personelit të operacioneve të Sigurimit të zhvendosen me maksimumin e efektshmërisë dhe të burgosin shumë më tepër qytetarë në një qytet, sesa vetë numri i forcave të policisë.
Përveç kësaj, ka një avantazh të arrestimeve gjatë natës: as njerëzit në apartamentet ngjitur dhe as në rrugët e qyteteve nuk mund të shohin kush është marrë nga policia. Arrestimet që i frikësojnë fqinjët e afërt nuk paraqesin ngjarje për ata që jetojnë larg. Është sikur mos të ketë ndodhur fare. Përgjatë të njëjtit brez të asfaltit në të cilën zizat e zinj të policisë (Black Marrias) ikin natën, një grup të rinjsh parakalojnë gjatë ditës me flamuj, lule, gëzim dhe këngë, të paturbulluar.
Por, për ata që “i marrin”, puna e të cilëve konsiston vetëm me arrestime, tmerri përsëritet në mënyrë monotone dhe arrestimet kanë një kuptim shumë më të gjerë. Ato zhvillohen sipas një teorie të komplikuar dhe askush s’mund ta shpërfillë këtë për shkak të pafajësisë së tij. Shkenca e arrestimit është një segment i rëndësishëm i veprimit në penologjinë e përgjithshme dhe është mbështetur në një pjesë thelbësore të teorisë sociale. Arrestimet klasifikohen në bazë të kritereve të ndryshme: të kryera natën apo ditën, në shtëpi, në punë, gjatë një udhëtimi, arrestime për herë të parë dhe të përsëritura, arrestime individuale dhe në grup. Arrestimet dallohen nga një shkallë e mungesës së parashikimit: masa e rezistencës së pritshme (megjithëse në dhjetë milionë raste, nuk pritej ndonjë rezistencë dhe në fakt nuk kishte asnjë). Arrestimet diferencohen gjithashtu nga tërësia e kontrollit të kërkuar: nga udhëzimet për të bërë ose jo një inventar të pasurisë së konfiskuar ose kyçjen e një dhome apo të një apartamenti; arrestimin e një gruaje pas burrit të saj dhe dërgimin e fëmijëve në jetimore; dërgimin e pjesës tjetër të familjes në internim ose duke i dërguar të moshuarit në kampe pune gjithashtu.
Jo, jo, arrestimet ndryshojnë shumë në formë. Në vitin 1926, Irma Mendel, hungareze, mori përmes Kominternit dy bileta të radhës së parë për të shkuar në teatrin “Bolshoi”. Hetuesi Klegel po e ndiqte në atë kohë dhe ajo e ftoi të shkonin së bashku. Ata e ndoqën shfaqjen duke qëndruar në mënyrë shumë të afërt me njëri-tjetrin dhe kur ajo mbaroi, ai e dërgoi atë drejt e në Lubyanka[2]. Dhe, nëse në një ditë të bukur të qershorit të 1927-s në Kuznesky Most, Ana Skripnikova, kuqalashe, me quka në faqe, që sapo kishte blerë një cohë blu të errët për fustan, hipi në një karrocë që e ngiste një djalë i ri që dukej se ishte i qytetit, ju duhet të jeni të sigurt që ky nuk ishte aspak një takim të dashurish, sepse karrocieri e luajti shumë mirë lojën dhe kjo u dëftua nga fytyra e tij e vrenjtur (ai e dinte që “zyrtarët” nuk paguajnë). Ishte një arrestim. Brenda disa momenteve, ata do të merrnin kthesën për në Lubjanka dhe do të hynin në gojën e zezë të atyre portave. Jo, askush s’mund të thotë me siguri nëse arrestimet e bëra ditën, gjatë një udhëtimi, ose në mesin e një turme kanë munguar në vendin tonë. Megjithatë, ka qenë gjithnjë e qartë dhe më e habitshmja e të gjithave, që viktimat, në bashkëpunim me njerëzit e Sigurimit, janë sjellë në mënyrën më fisnike të mundshme për të ruajtur veten e tyre nga dëshmia e vdekjes së të dënuarve.
Jo të gjithë mund të arrestohen në shtëpi, me një trokitje paralajmëruese në derë (nëse ka një trokitje, atëherë duhet të jetë pronari i shtëpisë ose postieri). Jo çdokush mund të arrestohet në vendin e punës, gjithashtu. Nëse personi që do të arrestohet është i dhunshëm, është më mirë të arrestohet jashtë prej ambientit të tij të zakonshëm, larg prej familjes dhe kolegëve të tij, nga ata që ndajnë të njëjtat pikëpamje me të, pra të kapet në ndonjë vend të fshehur. Është shumë e rëndësishme që ai të mos ketë mundësi të bëjë dëme, të fshihet ose të shpëtojë përmes ndonjë personi tjetër. VIP-ave, në ushtri ose parti, në shumë raste iu jepet fillimisht një detyrë e re, e rehatshme, në një kabinë të veçantë hekurudhe dhe pastaj arrestohen rrugës. Një person tjetër i zakonshëm, i zymtë, i frikësuar për vdekje nga arrestimet epidemike të të gjithë të njohurve të tij dhe gjithashtu i demoralizuar me javë nga shikimet e liga të shefit të tij, thirret papritur nga komiteti lokal i partisë ku i dhurohet bujarisht një fletëpushimi në sanatoriumin “Sochi”. Lepuri është mposhtur dhe menjëherë arrihet në përfundimin që frika e tij ishte pa baza. Pas shprehjes së mirënjohjes së tij, fitimtar, ai nxiton për në shtëpi për të bërë gati valixhen e tij. Kanë mbetur vetëm dy orë nga nisja e trenit dhe ai e qorton gruan e tij, që është shumë e ngadalshme. Ai arrin në stacion para kohe. Qëndron në dhomën e pritjes ose në bar ku përshëndetet nga një djalosh jashtëzakonisht i sjellshëm. “A nuk më kujtoni mua, Pyotr Ivanich-in?” Pyotr Ivanich-i ka një kujtesë të dobët. “Po, jo plotësisht, megjithatë…” Djali i ri, megjithatë, është duke e tepruar me kujdesin e tij miqësor. “Hajde tani, si mund të jetë kështu? Do të më kujtoni…” Dhe ai përkulet me respekt para gruas së Pyotr Ivanich-it. “Do të ma falni pak. Do të mbaj atë vetëm një minutë” Gruaja pranon dhe kështu burri e lë veten e tij të tërhiqet për krahu – përgjithmonë ose për dhjetë vjet!
Stacioni gëlon nga njerëzit – dhe askush nuk dallon ndonjë gjë të veçantë… Oh, ju qytetarë që doni të udhëtoni! Mos harroni që në çdo stacion ka një degë të GPU-së[3] dhe disa qeli paraburgimi.
Kjo bezdi e njohjeve të pretenduara është kaq e befasishme, saqë vetëm një person që ka pasur nga jeta në kamp një përvojë mbijetese si në xhungël, ka gjasa të mos tërhiqet prej saj. Mos mendo, për shembull, se nëse ju jeni një i punësuar në Ambasadën amerikane me emrin e Alexander Dolgun, ju nuk mund të arrestoheni në mes të ditës, në rrugën “Gorki”, në të djathtë të Zyrës Qendrore të Post-Telegrafit. Një mik i panjohur ju hidhet në qafë në mes të turmës së ngjeshur të njerëzve dhe hap krahët për t’ju përqafuar: “Saaasha!”Ai ju thërret natyrshëm, pa bërë përpjekje për të mos rënë në sy. “Hej pa! Ka kohë që s’ju kam parë! Hajde të shkojmë diku, të dalim nga rruga”. Në atë moment, një makinë “Pobeda” duket në kthesë… Disa ditë më vonë, TASS-i do të lëshojë një deklaratë acaruese për të gjithë shtypin, duke pretenduar se qarqet informative të qeverisë sovjetike nuk kanë asnjë informacion mbi zhdukjen e Alexander Dolgun. Por, çfarë ka të pazakonshme këtu? Djemtë tanë kanë bërë arrestime të tilla në Bruksel, ku u kap Zhora Blednov-i – jo vetëm në Moskë.
Duhet t’u japësh Organeve (të Sigurimit) atë që u takon; në një moshë kur fjalimet publike, shfaqjet në teatër dhe moda e grave duket që e ka kaluar kufirin, arrestimet mund të bëhen në forma nga më të ndryshmet. Ata ju heqin mënjanë në një korridor fabrike pas kontrollit të fletëhyrjes – dhe më pas ju arrestojnë. Ata ju marrin nga një spital ushtarak me temperaturë 40ºC siç bënë më Ans Bernshtein dhe doktori nuk arrin të hapë gojën për arrestimin tuaj – le ta provojë po të mundet! Ata do t’ju marrin drejt e nga salla e operacionit, siç e morën N.M Vorobyev-in, një inspektor arsimi, në vitin 1936, në mes të një operacioni të ulçerës në stomak – ju tërheqin zvarrë në një birucë, siç ia bënë atij, gjysmë të gjallë dhe krejt të përgjakur (siç dëshmon Karpunik). Në Gastronomi, në pazarin e ushqimit të shijshëm, ju bëjnë një ftesë për në një njësi të porosive speciale dhe arrestoheni atje. Ju arrestoheni nga një pelegrin besimtar të cilin e keni strehuar në shtëpi gjatë natës “për hir të Krishtit”. Ju arrestoheni nga një faturist që ka ardhur të lexojë sahatin tuaj të dritave. Ju arrestoheni nga një njeri me biçikletë me cilin ju ka rënë rruga, nga një faturist treni, shofer taksie, arkëtar i bankës së kursimit, drejtues i një teatri lëvizës. Çdokush prej tyre mund t’ju arrestojë dhe ju e vëreni tepër vonë, të fshehur, kartën ngjyrë gështenjë të identifikimit.
Nganjëherë arrestimet duket sikur janë një lojë – ka shumë fantazi të tepruar, kaq shumë energji të vënë mirë në veprim, që investohet në to. Fundja, viktima, sidoqoftë, nuk do të rezistojë. A bëhen këto rrengje që agjentët e Sigurimit të justifikojnë punën e tyre dhe numrin e punonjësve? Më në fund, do të mjaftonte të dërgoheshin lajmërime tek të gjithë lepujt e shënuar për arrestim dhe ata do të dorëzoheshin të bindur në orën dhe minutën e caktuar në portat e hekurta të Sigurimit të Shtetit duke zgjatur duart – gati për të zënë një copë vend në birucën që iu ishte caktuar. Në fakt, kjo është mënyra si janë arrestuar kolektivisht fermerët. Kush dëshiron ta kalojë natën në një kasolle ku s’të çon asnjë rrugë makine. Ata thirren në këshillin e fshatit dhe arrestohen atje. Punëtorët e krahut thirren në zyrë gjithashtu.
Natyrisht, çdo makineri ka një pikë në të cilën ajo mbingarkohet, përtej së cilës nuk mund të funksionojë. Në vitet e tendosura dhe të mbingarkuara të 1945-s dhe 1946-s kur ngarkesë pas ngarkese me tren të njerëzve nga Evropa, u mbushën menjëherë dhe u dërguan për në Gulag, një pjesë e mirë e tyre ia arritën si në teatër të dilnin nga dritaret e trenit dhe duket se e gjithë kjo teori dëshmoi mungesa të mëdha. Të gjithë agjentët dhe ndihmësit e tyre u vunë në ndjekje në çdo drejtim dhe arrestimet e dhjetëra-mijëra njerëzve u bënë hapur përmes apeleve të turmës: ata qëndronin atje me listat e njerëzve, lexonin emrat e atyre që ishin në një tren, i ngarkonin pastaj në një tjetër dhe kështu u gjetën dhe u arrestuan të gjithë.
Për disa dekada, arrestimet politike janë dalluar në vendin tonë pikërisht nga fakti se njerëzit që janë arrestuar nuk ishin fajtorë për asgjë, kështu që ata ishin të papërgatitur për të bërë ndonjë rezistencë çfarëdo qoftë. Ekzistonte një ndjenjë e përgjithshme e të qenit i destinuar për shkatërrim, një opinion i krijuar: “s’ke ku i ikën GPU-NKVD-së” (i cila, rastësisht, duke marrë parasysh sistemin tonë të dokumenteve të identifikimit, ishte krejt i saktë). Vetëm në raste të rralla njerëzit kryen vetëvrasje, madje, edhe në ethet e arrestimeve epidemike, kur njerëzit që shkonin për në punë, iu thoshin lamtumirë familjeve të tyre çdo ditë, sepse nuk kishin aspak siguri që do të ktheheshin në darkë, bile edhe kur askush nuk u përpoq të ikte. Kjo ishte saktësisht çfarë kërkohej. Një dele e nënshtruar është preja më e mirë për një ujk.
Ky lloj nënshtrimi vinte gjithashtu edhe për shkak të injorancës së mekanizmit të arrestimeve epidemike. Meqë ra fjala, Organet nuk kishin arsye të thella për zgjedhjet e tyre se cili do të arrestohej dhe cili jo. Ata vetëm bënin planifikime, kuota për një numër të caktuar të arrestimeve. Këto kuota duhet të realizoheshin mbi një bazë të rregullt ose krejt arbitrare. Në vitin 1937, një grua erdhi në sallën e pritjes të Novocherkassk NKVD[4]-së për të pyetur çfarë duhet të bënte me një foshnjë të paushqyer, që ende duhet të ushqehej nga gjiri i nënës i një fqinje që e kishin arrestuar. Ata i thanë: “ Ulu, do ta gjejmë zgjidhjen”. Ajo qëndroi aty për dy orë – më pas ata e morën atë dhe e plasën në një qeli. Ata kishin një plan të përgjithshëm që duhej të përmbushej me nxitim dhe nuk kishin asnjë njeri atë moment për ta dërguar në qytet – dhe u gjet kjo grua që ra në duart e tyre.
Pafajësia e plotë sjell edhe dobësinë e përgjithshme për të vepruar. Ndoshta nuk do t’ju marrin? Ndoshta e gjitha kjo do të kalojë? A. I. Ladyzhensky ishte drejtor shkolle në një shkollë në Kologriv-in e largët. Më 1937, një fshatar iu afrua në një treg të hapur dhe i dha një mesazh nga një person i tretë. “Aleksandr Ivanich, ik nga qyteti, je në listë!” Por ai qëndroi. Në fund, e gjithë shkolla është në krahët e mi dhe fëmijët e tyre janë nxënës këtu. Si mund të më arrestojnë? (Disa ditë më vonë ai u arrestua). Jo çdokush ishte kaq me fat sa të kuptonte në moshën katërmbëdhjetëvjeçare, siç bëri Vanya Levitsky: “Çdo njeri i ndershëm është e sigurt që do të përfundojë në burg. Tani, babai im është duke e vuajtur dhe kur unë të rritem, do të më fusin edhe mua. (Ata e futën atë brenda kur ai ishte 23 vjeç) Shumica ende rri në heshtje dhe guxon të shpresojë. Meqë nuk jeni fajtor, si mund t’ju arrestojnë? Ky është gabimi! Ata tashmë po ju heqin zvarrë nga jaka dhe ju ende flisni me vete: Ky është një gabim! Ata do t’i zgjidhin gjërat drejt dhe do të më lëshojnë!” Të tjerët janë duke u arrestuar në masë dhe ky është një fakt shumë shqetësues, por në disa raste të tjera ka gjithmonë ndonjë gjë të paqartë: Ndoshta ai është fajtor…? ndërsa për rastin tuaj, ju jeni qartësisht i pafajshëm. Ende besoni që Organet janë institucione të arsyeshme humanitare: ata do t’i vendosin gjërat në vendin e vet dhe do t’ju lënë të lirë.
Pse, atëherë, ju duhet të ikni? Dhe si mund të rezistoni pastaj? Pas të gjithash, ju do ta përkeqësoni situatën tuaj, do ta bëni edhe më të vështirë për ta, për ta korrigjuar gabimin. Jo vetëm që nuk bëni ndonjë rezistencë; por zbrisni shkallët në majat e këmbëve siç jeni porositur të bëni, që fqinjët të mos ju dëgjojnë.
Në çfarë pike, saktësisht, duhet të bësh rezistencë? Kur t’ju tërheqin nga beli? Kur urdhëroheni të shkoni në një qoshe? Kur dikush kalon pragun e shtëpisë tënde? Një arrestim përbëhet nga një seri veprimesh pa lidhje, gjoja të rastësishme, të një shumësie gjërash që nuk janë të logjikshme, dhe duket që nuk ka kuptim të kundërshtojmë secilën prej tyre në mënyrë të veçantë – veçanërisht në një kohë kur mendimet e personit të arrestuar mbërthehen në një pyetje të madhe “Përse?” dhe gjithë këto veprime të rastësishme të marra së bashku në mënyrë të pamëshirshme përbëjnë arrestimin.
Pothuaj çdo gjë mund të zaptojë mendimet e një personi që sapo është arrestuar! Vetëm kjo do të mbushte vëllime. Mund të kesh ndjenja që nuk i keni pritur asnjëherë. Kur nëntëmbëdhjetëvjeçarja Yevgeniya Doyarenko u arrestua në vitin 1921 dhe tre çekistë[5] të rinj kontrolluan krevatin e saj deri tek të brendshmet dhe komodinën e saj, ajo nuk u shqetësua shumë. Nuk kishte asgjë atje dhe ata nuk gjetën gjë. Por papritur, ata gjetën dhe hapën ditarin e saj personal që ajo nuk do t’ia tregonte as nënës së saj. Këta djem të çuditshëm me pamje armiqësore, që lexonin fjalët që ajo kishte shkruar, ishte më shkatërruese për të, sesa e gjithë Lubjanka me hekurat dhe birucat e saj. Është e vërtetë për shumë njerëz që indinjata e shkaktuar nga arrestimi mbi ndjenjat dhe mënyra vetjake e përjetimit të këtyre ndjenjave është shumë e madhe, më e fortë sesa besimi i tyre politik ose frika e burgimit. Një person që nuk e ka përgatitur veten për të duruar dhunën, është gjithnjë më i dobët sesa personi që e ushtron atë.
Ka disa individë të zgjuar dhe guximtarë që e kuptojnë situatën menjëherë. Grigoryev, Drejtori i Institutit Gjeologjik të Akademisë së Shkencave, u mbyll nga brenda dhe harxhoi dy orë duke djegur letrat e tij derisa ata hynë dhe e arrestuan më 1948.
Nganjëherë, emocioni kryesor i personit të arrestuar është çlirimi, madje edhe lumturia! Ky është një aspekt tjetër i natyrës njerëzore. Kjo ndodhi edhe para revolucionit: mësuesja e shkollës “Yekaterinodar”, Serdyukova, e përfshirë në çështjen e Aleksandr Ulyanov, ndjeu vetëm çlirim kur u arrestua. Por, kjo ndjenjë ishte mijëra herë më e fortë gjatë epidemisë së arrestimeve, kur të gjithë njerëzit e afërt po kapeshin dhe juve nuk iu kishte ardhur radha ende, sepse për disa arsye ata nuk po nguteshin. Fundja, ajo lloj rraskapitjeje, ajo lloj vuajtjeje është më e keqe se çdo lloj arresti, jo vetëm për një person që s’është shumë i guximshëm. Vasily Vlasov, një komunist i patrembur, të cilin do ta kujtojmë më shumë se një herë më tej, hoqi dorë nga ideja e arratisjes e propozuar nga disa ndihmës të tij jokomunistë. Ai nuk iku, megjithëse e gjithë Kryesia e Rrethit Kady u arrestua më 1937-n dhe ata po e vononin gjithnjë e më shumë arrestimin e tij. Ai mundi t’i rezistonte mendimeve që kishte në kokë. Ai duroi, dhe pastaj i shtendosi nervat dhe gjatë ditëve të para pas arrestimit, u ndje i ekzaltuar. Më 1934, prifti, At Irakly, shkoi në Alma-Ata për të vizituar disa besimtarë në internim atje. Gjatë mungesës së tij, ata shkuan tri herë në apartamentin e tij në Moskë për ta arrestuar. Kur u kthye, të afërmit e tij e takuan në stacion dhe nuk e lejuan të shkonte në shtëpi dhe për tetë vjet e fshehën atë nga një apartament në tjetrin. Prifti e vuajti aq dhembshurisht jetën e tij nën ndjekje, saqë ku e arrestuan më 1942-shin, ai i këndonte himne lutjeje Zotit.
“Rezistencë, pse nuk rezistuat?” Sot, ata që vazhdojnë të jetojnë në rehati, qortojnë ata që vuajtën.
Po, rezistenca duhej të kishte filluar pikërisht në momentin e arrestimit.
Por ajo nuk filloi.
Kështu ata po ju çojnë atje. Gjatë një arrestimi ditën, ka gjithmonë një moment të shkurtër dhe të papërsëritshëm, kur ata që po ju shoqërojnë, në mënyrë të shkujdesur, në bazën e një marrëveshjeje frike që keni bërë ose krejt në mënyrë të hapur, nxjerrin pistoletat e tyre nga këllëfi në mesin e turmës të qindra qytetarëve të tjerë të pafajshëm siç jeni ju. Nuk ua ka zënë kush gojën. Në të vërtetë, ju mundeni dhe duhet të bërtisni, të ngrini zërin që po arrestoheni! Horrat e maskuar janë duke zënë në kurth njerëzit! Këto arrestime po bëhen mbi bazën e denoncimeve të rreme. Miliona njerëz po iu nënshtrohen raprezaljeve, në heshtje. Nëse shumë të arrestuar do të ngrinin zërin, do të dëgjoheshin në të gjithë qytetin gjatë ditës, mos ndoshta qytetarët e tjerë do të fillonin të fishkëllenin? Dhe këto lloj arrestimesh nuk do të kishin qenë kaq të lehta.
Më 1927, kur nënshtrimi nuk kishte zbutur ende trutë tanë, në atë shkallë, dy çekistë tentuan të arrestojnë një grua në Sheshin Serpukhov gjatë ditës. Ajo u mbërthye fort pas shtyllës së semaforit dhe filloi të ulërinte, duke refuzuar të dorëzohej. Një turmë njerëzish u mblodhën. (Duhej të kishte qenë ajo lloj gruaje, duhet të kishte qenë ajo lloj turme gjithashtu. Të gjithë kalimtarët nuk i mbyllën sytë dhe nuk nxituan të iknin!) Djaloshi i ri që donte ta arrestonte e humbi toruan menjëherë. Ata s’mund të bëjnë gjë në sytë e publikut. Ata hipën në makinën e tyre dhe ia mbathën. (Menjëherë pas kësaj, ajo duhej të shkonte te stacioni i trenit dhe të ikte! Por ajo shkoi në shtëpinë e saj. Gjatë natës, ata shkuan dhe e morën atë për në Lubjanka.
Në vend të kësaj, një tingull i dobët del nga goja juaj e tharë dhe turma e kalimtarëve beson pa djallëzi që ju dhe ekzekutorët tuaj jeni miq që keni dalë për shëtitje.
Unë, vetë, e kisha shpesh mundësinë të thërrisja.
Në ditën e njëmbëdhjetë pas arrestimit, tre përtacë të SMERSH[6], më shumë të zënë me katër valixhe me plaçka të luftës që po i bartnin, sesa me mua që po më shoqëronin, (ata më kishin marrë me vete më shumë për t’ju treguar rrugën e gjatë që po bënin) më sollën në sheshin “Bjellorus” në Moskë. Ata quheshin Konvoj Special – me fjalë të tjera një gardë eskorte speciale. Në fakt, pistoletat e tyre automatike iu rëndonin më shumë, duke u zvarritur me katër çanta tmerrësisht të rënda, me plaçka që ata dhe shefat e tyre të kundërzbulimit të SMERSH-it, në Frontin e Dytë Bjellorus, i kishin grabitur në Gjermani dhe po ua sillnin tani familjeve të tyre në atdhe, nën pretekstin e shoqërimit tim. Unë vetë po tërhiqja një valixhe të pestë pa ndonjë gëzim, meqë përmbante ditarët dhe shkrimet e mia letrare që ata do t’i përdornin si prova kundër meje.
Asnjëri prej të treve nuk e njihte qytetin dhe më takonte mua të zgjidhja rrugën më të shkurtër drejt burgut. Unë personalisht kisha për t’i drejtuar ata drejt Lubjankës, ku ata s’kishin qenë kurrë më parë (të cilën në fakt unë e ngatërrova me Ministrinë e Punëve të Jashtme).
Kisha kaluar një ditë në burgun e kundërzbulimit në shtabin e përgjithshëm të ushtrisë dhe tri ditë të tjera në burgun e kundërzbulimit të shtabit të ushtrisë të provincës, ku shokët e mi të qelisë më kishin treguar për mashtrimet e praktikuara nga hetuesit, kërcënimet dhe rrahjet e tyre; faktin që personat e arrestuar nuk kishin dalë më nga burgu; për pamundësinë e shmangies së njëdhjetësheje, dënim dhjetë vjet; pastaj si për mrekulli, unë kisha dalë nga ai vend për katër ditë, kisha udhëtuar si një person i lirë ndërmjet njerëzve të lirë, madje isha shtrirë mbi kashtën e kalbur përkundruall një kove nevojtore, sytë e mi tashmë i kishin parë njerëzit e rrahur dhe të pagjumë, veshët e mi e kishin dëgjuar të vërtetën dhe goja ime e kishte shijuar bollgurin e tërshërës së burgut. Kështu, pse qëndrova urtë? Pse në minutën e fundit jashtë burgut unë nuk tentova të përndez turmën e mashtruar?
Unë qëndrova urtë në qytetin polak Brodnica – ndoshta ata nuk kuptonin rusisht atje. Nuk nxora asnjë fjalë në rrugët e Bialystok-ut – ndoshta kjo nuk ishte një çështje që shqetësonte polakët. Nuk nxora asnjë zë në stacionin Volkovysk – kishte shumë pak njerëz atje. Unë eca në platformën e Stacionit të Minskut, përbri të njëjtëve banditë, sikur mos të kishim asgjë të keqe mes nesh – por stacioni ishte ende një gërmadhë. Dhe tani unë po u tregoja rrugën njerëzve të SMERSH-it përmes kryqëzimit rrethor të sipërm të stacionit të metrosë Bjellorusian-Radial në linjën e unazës së Moskës, me një tavan kubeje të bardhë dhe drita elektrike të shndritshme dhe përballë nesh dy shkallë të lëvizshme të vendosura paralel, të ngjeshura mirë me moskovitë, që po vinin nga poshtë. Dukej që të gjithë po më shikonin mua! Ata po vinin nga një korridor i pafund nga poshtë, nga thellësitë e injorancës – nën dritën vagulluese të kubesë, duke u afruar drejt meje për të më thënë të paktën një fjalë të vërtetë – Pse s’po ikja?
Çdo njeri gjithnjë ka një duzinë arsyesh të vogla bindëse për të mos sakrifikuar.
Disa kanë ende shpresa për një zgjidhje të favorshme për rastin e tyre dhe kanë frikë të humbin shanset e tyre për një britmë. (Sepse, në fund të fundit, ne nuk marrim asnjë lajm nga bota tjetër, dhe ne nuk e kuptojmë se që nga momentet e para të arrestimit, fati ynë tashmë është vendosur në kuptimin më të keq të mundshëm dhe kjo nuk mund ta përkeqësojë më.) Të tjerët, ende nuk kanë kuptuar domethënien e një britme proteste në rrugë. Në të vërtetë, vetëm një revolucionar i ka sloganet në buzë që mezi pret t’i nxjerrë jashtë me zë të lartë dhe si mundet që një njeri mesatar paqësor, i papërfshirë në ndonjë aktivitet të paligjshëm, t’i përvetësojë këto slogane. Ai thjeshtënuk di çfarë të thërrasë. Pastaj, në fund të fundit, është personi, zemra e të cilit është plot me emocione, sytë e të cilit kanë parë shumë, që të gjithë thellësinë e këtij oqeani ta derdhë përmes disa britmave pa lidhje.
Sa për mua, unë qëndrova urtë edhe për një arsye tjetër: sepse ata moskovitë që mbushnin shkallët ishin shumë pak për mua, shumë pak. Këtu, britma ime do të dëgjohej nga 200 vetë ose dyfishi, por çfarë është kjo shifër në krahasim me 200 milion? Në mënyrë të vagëlluar, të paqartë, unë kisha një vizion që do të vinte dita që unë do t’ua bëja të ditur këtë 200 milion njerëzve.
Por në atë kohë, unë nuk e hapa gojën dhe ato shkallë më tërhoqën mua zvarrë në botën e skëterrës.
Edhe kur më çuan në Okhotny Ryad vazhdova të rri urtë.
Nuk nxora zë as në hotel “Metropol”.
Nuk i ngrita supet as në Golgotën e sheshit “Lubjanka”.
Perkthyer nga: Kujtim Morina
[1] Njësi matëse e barabartë me 91.4 cm.
[2] Lubyanka është emri popullor për selinë e KGB-së dhe burgjet e saj në sheshin “Lubyanka” në Moskë.
[3] Policia Sekrete Sovjetike nga 1922-shi në 1923-shin.
[4] Policia Sekrete Sovjetike nga 1934-a në 1946-n.
[5] Oficerë të Sigurimit të Shtetit. Cheka është quajtur Policia Sekrete Sovjetike që nga krijimi i saj më 1917-n deri më 1922-shin.
[6] SMERSH ishte Agjensia e Kundërzbulimit e Ushtrisë së Kuqe e formuar në vitin 1942.