Albspirit

Media/News/Publishing

Edi Rama: It is all about the economy your Excellency!

 

 

E kam kërkuar këtë takim të posaçëm dhe c’është e drejta të vonuar, pas disa kohësh që dua të shtjelloj një teme me rendësi të veçantë, një temë të lënë veçanërisht pasdore në tërë vitet e tranzicionit të shërbimit të jashtëm shqiptar, ku 4 vitet e fundit, fatkeqësisht nuk bëjnë përjashtim: Roli i shërbimit të jashtëm në ekonominë e Shqipërisë.

Kjo është padiskutim një temë me një problematikë mjaft komplekse, kërkon një reflektim të thellë, një shoshitje të imët, pikëpamjesh dhe mendimesh, një projekt të plotë dhe një plan të kalendarizuar dhe të mirëartikuluar veprimesh dhe masash.

Unë sot këtu mund të bëj vetëm çeljen e një vazhde të domosdoshme dhe te pandalur diskutimesh dhe konsultimesh që ky dikaster duhet të ndërmarrë menjëherë dhe në vazhdim mbi këtë temë madhore.

Dua ta nis duke bërë shumë të qartë një gjë, sipas meje me fort rëndësi. Padyshim përgjegjësia për mungesën dramatike 27 vjeçare të shërbimit të jashtëm, në raportin me ekonominë e vendit, bie mbi shumë faktorë dhe mbi shumë aktorë. Për ta kuptuar si duhet këtë mungesë të pajustifikueshme për një vend  si i yni dhe në fakt për asnjë vend në ditët  e sotme, duhet bërë një analizë serioze e të gjitha arsyeve të saj.

Por e para arsye është vëmendja tradicionalisht krejt periferike për të mos thënë fare e munguar e lidershipit politik të Ministrisë së Jashtme ndaj diplomacisë ekonomike dhe kjo është e para gjë që duhet të ndryshojë menjëherë dhe me “se s’bën”.

Duke u përgatitur për këtë takim mu kujtua se një të ngjashëm e pati bërë të hapur edhe për mediat, afro 15 vjet më parë, ish Kryeministri Fatos Nano, i cili e pat ngritur zërin me koleget tuaj, ndoshta edhe me ndonjë nga ju që mund të ketë qenë i pranishëm në atë takim për të njëjtën gjë, për të njëjtën mungesë dramatike që më ka sjellë edhe mua sot këtu. Por, asgjë nuk ka ndryshuar më pas. E pavarësisht nëse ka pasur apo jo, nuk e di, ndonjë përpjekje të ngjashme nga pasardhësi i tij dhe paraardhësi im, në këtë detyrë, – asgjë nuk ka ndryshuar sot e gjithë ditën.

E pra, kjo histori e fjalimit të radhës që e merr era si në çdo radhë tjetër më parë, nuk duhet përsëritur më, dhe unë do të bëjë çmos që mos të ndodhë.

Ekonomia e vendit është një fushë që Ministria e Jashtme s’mund ta konsiderojë  asnjë ditë më tutje jashtë sferës së përgjegjësive dhe detyrimeve të saj funksionale.

Natyrisht, unë vetë, nuk i laj duart këtu para jush, lidhur me këtë përgjegjësi dhe besoj se vetëkuptohet që jam unë i pari si Kryeministër që mbaj përgjegjësi për një dobësi kaq të rëndë, natyrisht të trashëguar në shumë vite, por të pa adresuar fare gjatë mandatit tonë të parë.

Nuk mund të jetë më kështu dhe nuk do jetë më kështu!

Duhet dhe do të nisë kthesa dhe përgjegjësinë për fillimin e kësaj kthese do ta marrë dhe do ta mbajë të plotë për aq sa i takon natyrisht edhe secili dhe secila prej jush në këtë sallë.

Puna e shefit të ardhshëm të diplomacisë shqiptare në mandatin e ri të qeverisë do të matet dhe do të vlerësohet çdo vit, në radhë të parë, me “si” dhe me “sa” do të përmirësohet roli i shërbimit të jashtëm në ekonominë  e vendit tonë. E puna juaj po ashtu do të matet dhe do të vlerësohet, në radhë të parë në bazën e kontributeve reale  që do të jepni në këtë drejtim.

Kam bindjen se në ketë sallë ka mirëkuptim të plotë për domosdoshmërinë e një qasje radikalisht të re. Në aspektin që po flasim ashtu siç edhe besoj , këtu janë të gjitha aftësitë për ta përballuar me dinjitet dhe me efikasitet këtë sfidë aspak të lehtë.

Nga ana tjetër, kam po ashtu bindjen se, askush këtu apo jashtë këtyre mureve, nuk do të thoshte dot një fakt, apo një shifër që do të mund të justifikonte ekzistencën e shërbimit tonë të jashtëm, në raport me ekonominë tonë të vendit, nëse do të pyetej, sa ka ndikuar realisht aktiviteti i diplomacisë shqiptare në rritjen  e shkëmbimeve tregtare, apo të investimeve në këtë vend.

Ndërsa pyetjes tjetër, se sa ka mundur diplomacia jonë, të jetojë me kërkesat e realitetit ekonomik dhe financiar të vendit në një kontekst marrëdhëniesh të jashtme me një realitet që evoluon me gjithnjë e më shumë shpejtësi dhe imponon ndryshime themelore në mënyrën tonë të mendimit dhe të veprimit, – po i përgjigjem unë për të gjithë ju: Zero!

Përgjigjet e këtyre pyetjeve thelbësore janë padyshim shumë të thjeshta për t’u dhënë sot, por ndryshimi i përmbajtjes së këtyre  përgjigjeve është larg të qenit një punë e thjeshtë. Duhet qartësi, përkushtim, disiplinë dhe patjetër një nivel tërësisht  tjetër organizimi dhe koordinimi mes shërbimit të jashtëm, kësaj ministrie bazë dhe ministrive dhe agjencive të tjera të zhvillimit ne vend.

Duhet të jeni të gjithë të bindur, se unë e njoh të gjithë angazhimin dhe volumin e madh të punës që përballon shërbimi ynë i jashtëm, e vlerësoj cilësinë  e përmirësuar te shërbimit, posaçërisht të shërbimit publik, konsullor, ku është ulur ndjeshëm korrupsioni dhe ankthi e stresi torturues i bashkatdhetarëve tanë jashtë atdheut.

Patjetër që ka ende shumë për të bërë deri kur kjo pjesë kaq sensitive e shërbimit tonë publik të kalojë tërësisht online, por nuk ka diskutim se rruga është e duhura dhe rezultatet janë mjaft inkurajuese. E njoh edhe kontributin e pamohueshëm të këtij shërbimi në tërësi, dhe as nuk do ta mohoja, asnjë kontribut individual të secilit prej jush brenda shërbimit.

I kam mirë parasysh edhe sfidat me të cilat është përballur shërbimi ndër vite, po ashtu mungesat evidente që ende janë të pranishme në disa aspekte të funksionimit të tij, si  dhe  të vetë jetës tuaj të përditshme qoftë në zyrat, qoftë në banesat tuaja, jashtë atdheut.

As nuk diskutohet që ne, qeveria duhet të bëjë më shumë për të garantuar mundësi dhe kushte dinjitoze në punën dhe në jetesën tuaj.

Prandaj edhe u kam kërkuar ekspertëve tanë që të më paraqesin disa skenarë të rritjes të kontributit financiar për ju, qysh në buxhetin e vitit tjetër.

Diferenca ende e lartë në nivelin e pagave të ambasadorëve rreth nesh dhe të rajonit, për të mos marrë Evropën, përfshirë edhe vetë Kosovën, – ka ardhur koha të ngushtohet. Unë jam shumë i vendosur që brenda këtij mandati të zerohet.

Por, thënë të gjitha këto, pasi të vendosim gjithçka në peshore, dëshiroj që fjala ime sot, të reflektojë sa më besnikërisht një të vërtetë të cilën duhet ta shohim me kurajë dhe me ndershmëri siç është, e hidhur dhe e ftohtë.

Dhe për të ndihmuar në shikimin tuaj, unë po vijoj më tej.

Në harkun kohor të 4 viteve, të këtij mandati që po mbyllet, unë  e kam shumë të vështirë të gjej në kujtesën time, rastin e fundit kur kam takuar në zyrën time operatorë ekonomikë, sipërmarrës, përfaqësues ndërmarrjesh, apo prospektues të sjellë apo të inkurajuar nga ju, për të ardhur dhe për të parë, nëse apo si mund të bëhet biznes në Shqipëri.

E kam pyetur veten dhe pyes edhe ju sot, shumë hapur: Po si ka mundësi që keni qenë kaq  të avashtë, ose për ta thënë shqip, kaq të leshtë, për të ndjerë urgjencën e domosdoshmërisë, për të gjetur mekanizmat e duhur, për të ndërtuar platformat, për të hartuar formulat, skicuar rrugët e nevojshme, në mënyrë që realiteti ynë, ky vend që ndryshon me muaj dhe me javë, të pasqyrohet me zhdërvjelltësinë e  duhur, angazhimin e vazhdueshëm, aftësinë dhe shprehitë e nevojshme, jashtë kufijve tanë, ku na njohin pak, s’na njohin fare ose më keq akoma, na njohin keq.

Unë nuk di ta justifikoj këtë boshllëk të trashëguar për kaq shumë vite, por siç e thashë edhe në 4 vitet që sapo mbyllim, ne kemi bërë një vrimë në ujë.

Nuk di të pajtohem me mungesën e interesit apo qoftë edhe thjeshtë të kuriozitetit të dërguarve tanë të posaçëm nëpër botë për të mësuar nga eksperienca dhe praktikat e suksesshme të aplikuara nga të tjerët. Dhe jo vetëm vende shumë më të zhvilluara dhe realitete shumë të konsoliduara, por edhe nga disa fare afër nesh.

E nuk di ta kapërdij dot mungesën e ideve, propozimeve apo thjesht shqetësimeve prej vetë jush, në adresën tonë që keni par excellence privilegjin e krahasimit të përditshëm, pra siç besojmë, mund të kuptohet që, shija që të lë kjo situatë është për të thënë më të paktën, aspak e këndshme.

Nuk ju them asgjë pa dëgjuar, por dua që ta dëgjoni  edhe këtu sot, se kohët kanë ndryshuar rrënjësisht. Gjithkund përreth nesh, gjeopolitika është përshpejtuar dhe përshpejtohet çdo ditë. Kontinenti ku jetojmë është i trazuar. Globalizimi ka cenuar, madje dhe prishur ekuilibra të hershem, duke përshpejtuar vendosjen e ekuilibrave të rinj dhe  shpeshherë në dukje kërcënues.

Por, qoftë rreziqet e reja, qoftë oportunitet e reja, kërkojnë një qasje të re. Kërkojnë përpjekje dhe zgjidhje të reja. Kërkojnë zgjidhje specifike dhe të guximshme, në ndërkohë që vendi ynë dhe shoqëria jonë kanë kërkesa që shtohen, legjitime dhe çdo ditë e më të mëdha, më këmbëngulëse, kërkesa ndaj të gjithëve natyrisht, ndaj qeverisë në radhë të parë dhe kërkesa kudo, në çdo sferë, por sigurisht kjo vlen ndër radhët më të para për diplomacinë tonë dhe shërbimin tonë të jashtëm, sepse kjo sferë mbulon një pjesë të popullit e të kombit tonë që është shumë më e madhe jashtë, sesa brenda.

Transformimi që kemi nisur është epokal, por hendeku me ku duhet të jemi është abisimal e për rrjedhojë dhe natyrshëm dhe përgjegjësitë e kujtdo që paguhet nga taksapaguesit sot, përgjegjësitë e mija, përgjegjësitë e përfaqësueseve të lartë politikë, përgjegjësitë tuaja si përfaqësues të lartë të shtetit, jashtë atdheut, janë sot më të mëdha se dje, do jenë nesër më të mëdha se sot dhe harku i përgjegjësisë së rritjes së këtyre përgjegjësive është shumë herë më intensiv se sa ishte qoftë dhe pak vite më parë. Nuk ka nevojë as të thuhet besoj. Është e ditur që diplomacia jonë do të vijojë të bëjë atë pjesë të punës së saj që di ta bëjë më mirë, të mbrojë interesat tona kombëtare me qartësi dhe këmbëngulje siç kemi bërë deri tani. Të respektojë e të zbatojë të gjitha protokollet, rregullat, kodet e diplomacisë klasike pa asnjë mëdyshje dhe po ashtu edhe angazhimet e reja që ne marrim. Do vazhdojë të punojë për forcimin e marrëdhënieve dhe pozitave tona në rajon e të ndjekë me të gjitha energjitë procesin madhor të integrimit europian.

Por kjo nuk mjafton!

Si mund të na mjaftojë ne kjo dhe kaq? Ne nuk jemi as një shtet i madh me përgjegjësi të pashmangshme globale dhe as një shtet i vogël me probleme ndërkombëtare. Ne nuk mund ta justifikojmë dot, ekzistencën e shërbimit të jashtëm brenda një rutine të përditshme që fillon dhe mbaron me vijat e trasha të marrëdhënieve politike ndërkombëtare.

Në këndvështrimin tim, kjo lloj rutine ngjan ende qametshëm  me kohën kur ky vend ishte ende izoluar dhe i jepte mend gjithë botës. Na duhet një përmbysje e madhe përmes një qasjeje të re, një angazhimi shumë më dinamik. Një vullneti dhe një energjie të ripërtërirë në funksion të zhvillimit të vendit e jo thjesht të përfaqësimit formal të vendit jashtë kufijve.

Na duhet kreativitet e pragmatizëm, cilësi të cilat për 1001 arsye, sot janë të fjetura ose mungojnë fare.

Juve ju thërrasin “Shkëlqesi”. E do profesioni dhe e imponon respekti për përfaqësuesit e një kombi. Është një nder i madh e një përgjegjësi e jashtëzakonshme për këdo që arrin të ngjitet në lartësinë tuaj.

Po ju a e jetoni atë lartësi ku ju ka ngritur kjo shoqëri dhe ky shtet, me të gjithë nderin dhe përgjegjësinë që ju takon?

A jeni ju të vetëdijshëm se sa duhet që të gjithë shqiptarët të presin, e këtë e them pa bërë asociacione rastësore fjalësh që ju të shkëlqeni në atë që bëni, t’i përfaqësoni ata në më të mirën e tyre, të justifikoni lartësinë e pozicionit tuaj e të merrni e të përballoni me sukses këtë përgjegjësi kaq të madhe.

A e pyesni ju veten sesa shumë nuk është bërë,  me çfarë mund të bëhej prej jush e prej secilës nga përfaqësitë tuaja, për një vend të vogël si Shqipëria në ndryshim të pandërprerë, por dhe me nevoja nga më të ndryshme e më ekzigjentet, me një hall të parrëfyeshëm për të rifituar kohën e humbur, zhvilluar dhe përparuar me një shpejtësi që është e pamëshirshme për shkak të kontekstit ku zhvillohet sot bota, diplomacia klasike le ta quajmë, – kjo e jona për mua nuk është as klasike, por është thjesht atavike, – nuk mund të jetë një opsion me të cilin ne mund të pajtohemi, jo për katër vjet të tjera, por as për katër muaj të tjerë.

Për rrjedhojë, unë besoj se pajtohemi plotësisht që angazhimet e përgjegjësitë tona të sotme nuk mund të realizohen, duke kaluar ditën me një notë verbale, duke justifikuar pagën me një pasqyrë shtypi apo duke u mjaftuar me një raportim të thatë të një takimi periferik dhe pa bereqet, në pritje të një telefonate.

Nuk mund të ketë kurrsesi vend në diplomacinë e një vendi europian të shekullit të 21 për burokratë që nuk arrijnë të depërtojnë natyrshëm në shoqëri dhe në struktura relevante në vendet ku shërbejnë, të cilëve nuk u hapen dyert sepse nuk dinë të trokasin apo nuk kanë kulturën e nevojshme të artikulohen, as në gjuhën amtare, lëre pastaj në një gjuhë e në një kulturë të huaj.

Unë jam i bindur që nëse ju do lironit gjuhën nga prangat e diplomacisë, do kishit shumë për të thënë për shumë nga burokratët me të cilët punoni nëpër përfaqësitë tuaja.

Ne nuk na duhen të dërguar fuqiplotë në letër dhe as diplomatë të rraskapitur kur zgjohen nga gjumi e të çlodhur kur shkojnë për të fjetur.

Nuk na duhen individë që nuk janë në gjendje, jo ti kuptojnë rrjedhat politike, shoqërore të vendeve ku shërbejnë e t’i përkthejnë sipas interesave tona, por as e dinë që kjo mund të jetë pjesë e detyrave të tyre.

Nuk na ndihmojnë asgjëkundi diplomatë që ke dëshirë t’i harrosh sapo ju kthen shpinën e në kohën që je me ta ke një si sëkëlldi se mos po të shohin.

Është bërë goxha pastrim për hir të së vërtetës këto 4 vjet nga gjithfarëlloj parazitësh të katapultuar apo të desantuar në përfaqësitë tona, për arsye nga më të ndryshmet, përveç arsyes për të shërbyer me dinjitet për vendin. Por ende kemi diplomatë delenxhinj dhe parazitë, për të cilët unë ju bëj thirrje ju ambasadorëve të ngrini zërin në komunikimet tuaja me lidershipin politik të ministrisë.

Nuk po zbres deri tek shoferët e ambasadave, ku edhe sot gjendet akoma ndonjë timonier allçak nga ata që u bënë famozë duke i kthyer ambasadorët në këmbësorë e veturat e shtetit në taksi familjare.

Shqipëria, kjo që duam, që po ndërtojmë e që projektojmë sot ka nevojë në të gjitha nivelet e lëre pastaj në rangjet e shërbimit të jashtëm për njerëz që duan dhe dinë të flasin, të sillen, të respektojnë, të respektohen, që dinë të bëjnë miq të çmuar, të vendosin e të zgjerojnë kontaktet me dynjanë, të gjejnë mënyrat e duhura në çdo rast dhe mundësi për të promovuar vendin dhe emrin e shqiptarit në mënyrë pozitive.

Një mendje e zgjuar dhe si zakonisht cinike kur është fjala për njerëzit e diplomacisë, e ka cilësuar diplomacinë si “arti patriotik i të gënjyerit për hir të vendit”.

Në fakt, nuk është kjo që unë kërkoj dhe as kjo që ne synojmë që të shesim një imazh të rremë, por kemi të gjithë të drejtën që të themi na duhet të paraqesim më të mirën tonë përmes shërbimit të jashtëm, jo të krijojmë iluzione.

Ishte një mjeshtëri e rreme e diktaturës dhe zakonisht është e diktaturave, ky vend e ka provuar e nuk ka asnjë arsye të tundohet për t’u kthyer mbrapa, por ama të kërkojmë që përmes paraqitjes së më të mirës të krijojmë ura e hapësira të reja komunikimi me botën në mënyrë të vazhdueshme, lidhje e marrëdhënie të reja me njerëzit e sipërmarrjet e komunitetet matanë kufijve tanë.

Ajo që na duhet një orë e më parë është të jemi maksimalisht aktivë, të organizuar dhe profesionalë për të vënë vendin e avantazhet e tij, potencialet, mundësitë, planet tona të punës e zhvillimit, projektet tona konkrete për të sotmen dhe të nesërmen, pasurinë tonë natyrore e trashëgiminë tonë kulturore e shpirtërore përpara gjithë syve të interesuar apo kuriozë të të huajve si një magnet në ndihmë të vendit, të ekonomisë dhe të mirëqënies së popullit tonë.

Menjëherë pas shpalljes së qeverisë së re ditën e dielë, unë do ti kërkoj ministrit të mandatit të ri që të organizojë një takim treditor me të gjithë ju, diku këtu në Shqipëri për të nisur një diskutim të brendshëm,  të hapur, të gjerë dhe të thellë në funksion të rolit që do të ndërmarrë menjëherë shërbimi i jashtëm në ekonominë e vendit për të draftuar një projekt të ri të diplomacisë ekonomike dhe për të projektuar për secilën përfaqësi, në përputhje me kuadrin dhe cilësinë tërësore të marrëdhënieve dhe me specifikat përkatëse natyrisht, objektiva realistë por ambiciozë, të matshëm që do të kërkojnë angazhimin maksimal për të vazhduar nga ana juaj, me një metodë dhe stil pune tejet të ndryshëm nga deri tani.

Unë dua që gjithçka që lidhet dhe identifikohet me të ashtuquajturën diplomaci ekonomike, të jetë shtylla qendrore e aktivitetit tuaj të përditshëm dhe jo më një frazë boshe apo mbulesa, çadra, ombrella e aktiviteteve që nuk sjellin asgjë. Do të kërkoj dhe do të pres çdo tre muaj një pasqyrë të detajuar, të personalizuar, për secilën përfaqësi, të përpjekjeve që janë bërë, aktiviteteve që janë organizuar, apo po përgatiten, në një kuadër të gjerë dhe të shtrirë marrëdhëniesh ekonomike e tregtare. Dhe si e sa janë reflektuar ato në volumin e shkëmbimeve në oportunitete për biznes dhe investime, në cilësinë e kontakteve dhe raporteve politike, ekonomike dhe tregtare në të gjitha nivelet. Kontaktet me operatorët e biznesit, me dhomat e tregtisë, me operatorët turistikë, analizat mbi modelet dhe mbi praktikat e të tjerëve, duhet të jenë sot e tutje prioritet i lartë në axhendën tuaj.

Unë ju lutem që ta filloni këtë përpjekje duke vënë me bujari të gjithë eksperiencën tuaj në dispozicion të një diskutimi shumë serioz, të gjithë kompetencën tuaj të akumuluar në vite dhe me ndershmëri intelektuale, në kuptimin më të mirë të fjalës, për të mos lënë pa thënë gjërat që janë aty dhe nuk thuhen dhe që pa diskutim gjithkush prej jush i ka të renditura në kokë.

Unë jam i bindur që nëse cilido prej jush do të dilte këtu për të justifikuar këtë situatë nga pozicioni i tij, do të kishte argumente të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm. E pra, këto argumente të padiskutueshëm dhe të pakontestueshëm nuk na vlejnë për t’u justifikuar, por duhet të na vlejnë për ta hapur shtegun e mbyllur të këtij transformimi.

E folura hapur nga secili prej jush për çka duhet të bëjë sipas jush ministria, qeveria, kryeministri, që ju ta bëni siç po ju kërkohet këtë punë kaq të madhe, është gur themeli për ta ndërtuar së bashku këtë rrugë të re.

Nëse ju nuk e bëni këtë, atëherë një pjesë e rëndësishme e dijes, e eksperiencës, e informacionit lidhur me “pse-në” e kësaj prapambetjeje kaq të madhe, mbetet e pa vënë në dispozicion për të adresuar prapambetjen.

Duhet ta keni të qartë që sot, sepse kjo mund të ndihmojë në përgatitjen e këtij diskutimi të gjerë që mbi bazën e pasqyrave tremujore do të vendoset qoftë vlerësimi dhe promovimi, qoftë largimi nga detyra i ambasadorëve. Ashtu sikundër, bilanci vjetor i kësaj pune do të përcaktojë mbështetjen e mëtejshme politike për ministrin tuaj, apo largimin e ministrit nga detyra. Nuk mundemi më të pranojmë si të mirëqenë atë pjesë të punës që sigurisht është bërë mirë, dhe s’mund ta pranojmë më si bisht opsional diplomacinë ekonomike në mënyrën e të qenit dhe të vepruarit të shërbimit tonë të jashtëm.

Historinë e fjalimeve që i ka marrë era në gjithë këto vite, na mëson se një gjë është e sigurte, se nuk mund ta presim vetëm nga shërbimi i jashtëm, as nuk mund t’ia kërkojmë thjesht dhe vetëm ministrisë dhe ministrit të jashtëm, realizimin e këtij ndryshimi radikal të qasjes së kësaj ministrie dhe të këtij shërbimi, në raport me ekonominë e vendit.

Se kjo është një nga ato kthesa rrënjësore që kërkojnë një angazhim të të gjithë faktorëve dhe aktorëve qeveritarë dhe jo qeveritarë të lidhur me ekonominë dhe me rrugët e zhvillimit të vendit. Nëse Ministria e Jashtme, bashkë me shërbimin e jashtëm, me gjithë vullnetin më të mirë mbeten prapë një ishull i izoluar për shkak të mos ndërveprimit dhe të mos marrjes së përgjegjësisë nga aktorët e tjerë qeveritarë dhe të mos përfshirjes së aktorëve të tjerë qeveritarë, patjetër që jemi të sigurte për dështimin. Por, si dhe sa duhet të përfshihen të tjerët, kjo është diçka që duhet ta kuptojmë duke bërë në radhë të parë analizën e mangësive, dhe në këtë analizë të mangësive jeni ju çelësi me gjithçka keni mësuar, gjithçka keni parë dhe gjithçka keni ndeshur si pengesë në gjithë këto vite eksperiencë.

Unë pres që nga takimi juaj treditor të dalë një raport paraprak, i plotë, ku të sugjerohen edhe të gjitha këto që po flasim siç ju i mendoni, për të ecur më tutje me një grup ndërministror, që në bashkëpunim me aktorët dhe faktorët e zhvillimit të vendit, me vetë ju, në vazhdimësi pa diskutim dhe pse jo, edhe me veteranët e punëve të jashtme të Shqipërisë dhe të shërbimit të jashtëm, të finalizojmë planin kombëtar të diplomacisë ekonomike shqiptare për një dekadë në vijim. E së bashku të përfshijmë të gjithë ata që kanë diçka për të thënë e për të dhënë në këtë proces, për të analizuar dhe konsideruar diskrecionet ligjore, administrative, ekonomike të shërbimit të jashtëm, në promovimin dhe mbështetjen e projekteve, qoftë të investimeve të huaja, qoftë të vetë shkëmbimeve tregtare të vendit; akseset e privilegjuara, ndërhyrjet e mundshme dhe incentivat e domosdoshme për shërbimin e jashtëm për ambasadorët vetë sipas peshës së nismave të organizuara dhe projekteve të përfituara; burimet njerëzore që duhen për këto qëllime, riorganizimet dhe me gjasë strukturat e reja brenda dhe jashtë vendit në shërbim të këtyre qëllimeve; autoritetin shtetëror koordinues të kësaj qasje, pa diskutim me ministrin e jashtëm në krye, por domosdoshmërisht me një përfshirje më të gjerë të aktorëve të tjerë qeveritarë dhe jo qeveritarë.

Nga ana tjetër, pjesë e kësaj teme, po kaq e rëndësishme sa kjo temë, është dhe bashkëpunimi me diasporën që lë jashtëzakonisht shumë për të dëshiruar, me organizatat e diasporës, me forcat e reja të krijuara në diasporë, në mënyrë që të ecim më tutje, jo thjeshtë për të konkretizuar më tej angazhimet e Samitit të parë të Diasporës, por për të bërë dhe këtu përputhjen mes kohës së re që jetojmë, forcave të reja në fushë dhe shërbimit tonë të jashtëm në funksion të Shqipërisë së re që duam.

Dua t’ju informoj që në funksion të këtij aspekti themelor të kësaj qasje të re, qeveria e re do të ketë dhe një ministër shteti ekskluzivisht për shqiptarët jashtë atdheut.

Vota e shqiptarëve jashtë atdheut është tanimë një detyrim i paanashkalueshëm më nga një qeveri shqiptare. Marrëdhëniet ndërshqiptare në rajon kërkojnë një vëmendje shumë më të fokusuar dhe intensive nga niveli më i lartë i qeverisë. Pra, në këtë aspekt, që është dhe një nga aspektet më të shkëlqyera të punës së Ministrisë së Jashtme në katër vitet që shkuan, Ministria e Jashtme ka nevojë për një krah shumë të fortë, për një forcë të re, me fuqi të plotë politike që buron drejtpërdrejt nga niveli i kryeministrit.

Po ashtu, bota shqiptare e dijeve jashtë kufijve ka marrë përmasa të reja, dhe distanca jonë me atë botë dijesh që zhvillohet, – ndërkohë që ne kemi mbetur pre e kontakteve të vjetra dhe e marrëdhënieve me disa organizata që megjithë respektin janë shumë pak në krahasim me këtë botë të re dijesh shqiptare – duhet të ngushtohet çdo ditë, çdo muaj, çdo vit si hendek.

Sepse fuqia sot e diasporës shqiptare në mbështetje të zhvillimit ekonomik dhe social të vendit, përbën një potencial të pashfrytëzuar që nuk mund të vazhdojmë ta trajtojmë si një peizazh të bukur në një kartolinë urimi nga larg dhe s’mund të vazhdojmë ta jetojmë si një marrëdhënie që kurorëzohet në festa kombëtare apo në takime sporadike të përfaqësuesve të qeverisë shqiptare me shqiptarët jashtë vendit, të cilat janë takime shumë të rëndësishme, por krejt periferike dhe krejt pa fryt, po të shohim gjerësinë dijës së dijes shqiptare sot jashtë kufijve. Vendosja  e një figure qendrore Ministër Shteti pranë Kryeministrit ndihmon, besoj shumë por nuk mjafton fare, sepse ndërkohë komunikimi ynë jashtë, përshirë përmes rrjeteve sociale të ambasadave, konsullatave apo edhe përmes ekseseve të drejtpërdrejta të medias apo dhe në forma të tjera kontaktesh, nuk është as i pasur, as dinamik, as tërheqës, është një komunikim për t’u skuqur nga sikleti! Me të huajt po e po, por edhe me diasporën nuk bënë asnjë dallim. Ndërkohë që ne jemi një vend i vogël, jemi një komb i vogël dhe nuk e kemi luksin të lëmë jashtë vëmendjes dhe të lemë pa u përpjekur të përfshijmë çdo qelizë të zhvilluar të trurit shqiptar nëpër botë. Çdo qelizë, e jo më pjesë të tëra të këtij truri që janë jashtë kontakteve me Shqipërinë, në kuptimin institucional dhe në kuptimin e bashkë funksionimit, s’po flas për kontaktet e tyre individuale, familjare që janë pjesë e jetës të çdo individi.

Duhet të ndryshojë ky komunikim dhe jam i bindur që së bashku do ta ndryshojmë  dhe do të fillojmë ta ndryshojmë në një kohë relativisht të shpejtë se s’kemi rrugë tjetër.

Ana tjetër e medaljes është që ne do t’i kushtojmë një vëmendje të veçantë historive të suksesit të ambasadorëve dhe do të gjejmë mënyrat e përshtatshme për t’i nxjerrë në pah siç duhet, duke ndërtuar mbi to dhe duke replikuar kudo që është e mundur. Ashtu sikundër, do të gjejmë mënyrat e përshtatshme për t’i incentivuar në  mënyrë konkrete angazhimin, kreativitetin dhe rezultatet e gjithësecilit prej jush.

Ata që kanë rezultate më shumë  do të marrin më shumë në çdo aspekt, financiar, moral. Një ambasadë që vazhdon, gjallon si zyrë dezhurni dhe jo si katalizator dhe si gjenerues kontaktesh, lidhjesh idesh dhe që do të vijojë si e tillë, nuk ka arsye të ekzistojë dhe nuk do të ekzistojë më.

Këtu s’do të përmend shembuj, sot, sepse konsideroj që, secili prej jush është një minierë dijesh në raport me këtë që duam të bëjmë. Dhe dua që ne, falë secilit e secilës prej jush të shfrytëzojmë çdo aspekt të dijeve tuaja, për këtë transformim që duam, që nuk e bëjmë dot as vetëm, as me konstatime siç po bëjë unë, as me fjalime dhe me plane të bëra jashtë realitetit konkret të punës të shërbimit të jashtëm.

Pra, shembuj nuk do sjell, por një gjë është e sigurt, me të njëjtin kriter, sot po të ishte aplikuar, këtu do të ishte gjysma e sallës dhe do të jetë gjysma e sallës vitin e ardhshëm,  nëse ambasadat tona nuk do të justifikojnë arsyen e ekzistencës së tyre.

Unë nuk do t’i pranoj teoritë mbi nevojën e ambasadave që vetëm harxhojnë. Ndërkohë që harxhimet e tyre fare mirë mund të shkojnë për ambasada që harxhojnë pak, në raport me energjitë që shpenzojnë për të bërë punën e tyre.

E gjithë qeverisja, që nga qeveria e re do të ngrihet mbi parimin” Më shumë me më pak”. Ky parim do të vlejë edhe për këtë ministri, edhe për ambasadat, edhe për konsullatat tona.

Në një botë ku teknologjia na jep mundësi të pakufishme, ne s’kemi pse të shtojmë ambasadat. Ne duhet të duhet të shtojmë kontaktet dhe duhet të fokusohemi shumë më tepër, me shumë më seriozitet për t’i dhënë shumë më tepër fuqi, shumë më tepër dinjitet ambasadave relevante atyre që mbajnë peshën më të madhe, po kështu edhe konsullatave që  mbajnë peshën më ta madhe.

Dhe jam i bindur që këto ambasada mund të mbulojnë shumë më tepër dhe shumë  më tepër eficencë, territore jashtë juridiksionit të tyre aktual nëse fuqizohen siç duhet nga pikëpamja financiare, nga pikëpamja e burimeve njerëzore dhe nga pikëpamja e instrumenteve të tjerë që ju e dini më mirë se unë, se sa ju mungojnë.

Besoj se ju kujtohet të gjithëve motoja e famshme e  fushatës së Presidentit Clinton në vitin 1992 “It is the economy, stupid”. Nëse do ta sintetizoja sot në një fjali të vetme, me zhargonin tuaj këtë fjalë timen, do të ishte  “It is all about the economy your Excellency!”

Kjo është në thelb ajo që kërkohet prej jush Shkëlqesi ambasadorë dhe që  pres të detajohet më tej në javë e ardhshme së bashku me eprorët tuaj.

Me padurimin për t’u njohur me raportin e takimit tuaj të ardhshëm treditor dhe me lutjen e përsëritur që të jeni bujarë në shkëmbimin e dijes dhe eksperiencës tuaj dhe të mos mbani asgjë për vete sado e hidhur qoftë për ne.

I bindur se së bashku ne mund ta hapim këtë epokë të re për shërbimin e jashtëm, unë ju falënderoj për vëmendjen dhe ju siguroj që gjithçka që ndava me ju sot, nuk e ul aspak peshën, rëndësinë dhe vlerën e asaj që ju keni bërë deri më sot.

Nga sot e tutje, pesha e gjerave duhet të rekuilibrohet dhe me shumë shpresë që ju do jeni forca shtytëse në këtë proces, ju uroj çdo të mirë dhe çdo sukses në këtë vit  të parë në sprovën tonë të përbashkët!

 

Fjala e kryeministrit Edi Rama në takimin me ambasadorët dhe konsujt e Shqipërisë në botë, me temë “Roli i ri i Shërbimit të Jashtëm në Ekonominë e vendit”.

Please follow and like us: