Albspirit

Media/News/Publishing

WSJ, raportazh për Gjirokastrën: Qytetin ballkanik, një sekret i ruajtur mirë

Një kapsulë e vërtetë kohore e Perandorisë Osmane, qyteti shqiptar i Gjirokastrës mund të jetë qyteti më intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë

Gjirokastra, në jug të Shqipërisë, mund të mos jetë destinacioni i parë që të vjen në mendje nëse vendos të bësh një udhëtim në Europë këtë fund-verë. Por ky qytet kodrinor prej 66,000 banorësh është jashtëzakonisht tërheqës dhe me çmime të përballueshme, si dhe dy orë me makinë larg nga plazhet e bukura të bregdetit shqiptar. Ende nuk jeni të bindur? Një kapsulë e vërtetë kohore, Gjirokastra shërbeu si qendër tregtare për rreth 500 vjet nën Perandorinë Osmane (1385-1912) dhe si skenë për një “Game of Thrones” të vërtetë. Vendosni aty një kështjellë mesjetare, një bunker nëntokësor të epokës komuniste dhe një “avioni spiunësh” të SHBA-së, dhe Gjirokastra mund të jetë vërtetë qyteti më i vogël intrigues për të cilin nuk keni dëgjuar kurrë.

Gjatë fundjavës që kalova në Gjirokastër, qëndrova në Shtëpinë Babameto që ndodhet mu nën kalanë e madhe gotike. Megjithëse strehimi është i thjeshtë (madje edhe dhomat private kanë tualete të përbashkët), struktura është komplet e kundërta. Një shtëpi-kullë osmane e shekullit të XIX, me rreshta elegantë dritaresh dhe ambiente të brendshëm të ngrohta prej druri, Babameto është një nga restaurimet e shumta historike të ndërmarra në dekadën e fundit nga Fondacioni jofitimprurës Gjirokastra.

Pas mbërritjes sime në Babemeto, takova drejtorin ekzekutiv të fondacionit, Sadi Petrela, dhe soditëm panoramën përtej mureve të kopshtit: pallate përrallore në kodrat përreth, një minare e shekullit të 18-të që rri pezull mbi çatitë prej argjile dhe, më tutje, kreshtat malore. Fondacioni ka qenë në krye të mbi 50 projekteve, përfshirë rehabilitimin e rrugëve me kalldrëm dhe restaurimin e pazarit në Qytetin e Vjetër, të quajtur “Qyteti prej Guri” falë qindra ndërtesave të gurta. Projekti më i madh mund të jetë Shtëpia Zekate, një rezidencë e vitit 1811, tani një muze. Ndërsa unë dhe z. Petrela ecnim drejt Zekates, në anën tjetër të qytetit, ai u ndie i detyruar, sipas zakonit vendor, të bisedonte me këdo që njihte – pothuajse të gjithë. Vura re pak turistë të huaj gjatë vizitës sime në Gjirokastër. Pas disa ditësh, gratë që qëndronin në pragun e shtëpive dhe burrat që pinin kafe turke në kafene më përshëndesin sikur të isha vendase.

Shtëpia e Zekateve fillimisht i përkiste një zyrtari të lartë të kryekomandantit Ali Pasha. Ali Pasha pushtoi Gjirokastrën dhe e bëri atë një fortesë kundër regjimit osman. E ndërtuar gjatë kësaj kohe trazirash civile dhe banditizmit të pamëshirshëm, Zekati u ndërtua si një kështjellë, me mure të trasha guri, dyert të rënda të përforcuara dhe dritaret të vogla. Në lagjet e banuara, në katet e sipërme të shtëpive ndodhet salloni i pritjes me divanë të ulët ngjitur pas murit, tavanet e lartë prej druri të gdhendur dhe një oxhak madhështor i stolisur me motive lulesh që përsëriten në afresket e murit. Pasi u kthyem me z. Petrela në Zekate, u ulëm për kafe me Zekatët, çiftin e moshuar që ka trashëguar dhe menaxhon shtëpinë. “Ndërtesa e vogël ku ata jetojnë tani ishte dikur për shërbëtorët”, thotë Petrela. Pasi regjimi komunist shtetëzoi rezidencën, familja Zekate u varfërua.

Faktikisht, komunistët morën shumë ndërtesa historike në Gjirokastër; pas rënies së regjimit, në vitin 1991, të gjitha ndërtesat iu kthyen familjeve që i kishin zotëruar ato. Fondacioni nuk po punon vetëm për t’u kthyer këtyre ndërtesave lavdinë e tyre të mëparshme. Pjesë e çdo projekti është një plan biznesi që shpreson të rikthejë në atdhe anëtarët e familjeve, shumë prej të cilëve janë larguar për të kërkuar punë jashtë vendit. Shtëpia Babameto, për shembull, do t’i dorëzohet pronarëve vitin e ardhshëm, pasi ajo gjeneron të ardhura të mjaftueshme si hotel për të paguar kostot e rinovimit. “Ne dëshirojmë t’u tregojmë pronarëve se këto shtëpi mund të prodhojnë para dhe se ata mund të kenë një të ardhme premtuese”, thotë z. Petrela.

Edhe e kaluara Komuniste e Gjirokastrës po ruhet.
Të nesërmen, z. Petrela më ftoi të vizitoja Muzeun e Luftës së Ftohtë, i cili u hap në 2014 pas betejave të ndryshme burokratike. Muzeu përfshin një bunker me labirinte të ndërtuar në fshehtësi në vitet 1970 dhe i zbuluar vetëm dekada më vonë. Ky rrjet i ngushtë tunelesh ndërlidh rreth 80 dhoma, të cilat ende janë të etiketuara me funksionet e tyre zyrtare dhe të mbushura me mobilie metalike të ndryshkura.

Evolucioni i kalasë së madhe që ngrihet mbi bunker mishëron peripecitë e historisë ballkanike. Ali Pasha dhe Mbreti Zog, sundimtari shqiptar në fillim të shekullit të 20-të, e zgjeruan strukturën gjatë mbretërimit të tyre dhe e përdornin atë si burg, ashtu sikurse nazistët dhe komunistët, të cilët gjithashtu e përdorën atë si dhoma torture deri në vitin 1963. Tani, e transformuar në Muzeun Kombëtar të Armatimeve, ajo strehon një koleksion mbresëlënës të artilerisë së Luftës së Dytë Botërore, përfshirë një aeroplan të spiunazhit amerikan të kapur në vitin 1957. “Kur e ndërtuam muzeun në kala, u akuzuam nga qeveria për korrupsion dhe se ishim nostalgjikë të komunizmit “, thotë Petrela. “Por kjo është padyshim një pjesë shumë e rëndësishme e historisë sonë.”

Kalaja shërben gjithashtu si një hapësirë festive. Në mbrëmjen që u gjeta aty, në skenën e jashtme u organizua një koncert i grupit të tunxhit Fanfara Tirana dhe i këngëtarit popullor Hysni Zela – një fuzion i ritmeve të sinkronizuara të Ballkanit të shoqëruar nga klarineta. Unë iu bashkova valles në rreth që nisi spontanisht mes publikut të të rinjve, dhe ia dola mjaft mirë.

Valëvitja e perdes me dantella më përshëndeti teksa zgjohesha në shtëpinë Babameto të nesërmen në mëngjes. Teksa shihja ndërtesat osmane që spikasnin në kodra, më erdhi në mendje një fragment i shkruar në vitin 1933 nga shkrimtari britanik i udhëtimeve Patrick Leigh Fermor. Gjirokastra, shkruante ai, është “njëkohësisht tepër e vjetër dhe krejt e re dhe fare e panjohur”. Pothuajse 100 vjet më vonë, përshkrimi i tij është ende i vërtetë. / Cathryn Drake – Wall Street Journal

Please follow and like us: