Kristaq Rama: Nga takimi me të strehuarit në ambasadën italiane
Familja Popa ishte e para që do të godiste regjimin komunist pas vdekjes së Enver Hoxhës. Pas strehimit në Ambasadën Italiane, pati disa tratativa nga shteti shqiptar për t’i nxjerrë ata prej andej, por qëllimi i Popajve ishte vetëm të shkonin në Itali. Një ndër të dërguarit për të gjetur një gjuhë të përbashkët me ta ishte edhe skulptori Kristaq Rama, atëherë deputet i Kuvendit Popullor.
Raporti i Kristaq Ramës
Sot, më datë 23 janar 1987, në orën 10:00, u bë takimi në Ambasadën Italiane në Tiranë. Në hyrje të Ambasadës na priti një punonjës i Ambasadës, i cili na drejtoi në një studio që ndodhet në të majtë të hyrjes, ku na priste ambasadori me një punonjës tjetër (një djalosh i ri).
Paraprakisht, mbasi u ulëm, ambasadori filloi të më pyeste se a po punoj për statujën e shokut Enver në sheshin “Skënderbej” dhe biseduam për monumentet që kam punuar unë. Kur ra fjala për Monumentin e Vlorës, ambasadori na tha: Në atë monument paraqitet edhe Ismail Qemali dhe se një mbesa e tij, Nermini, është martuar me një kolegun tonë dhe nuk është çudi që, një djalë i tij, një ditë të zërë këtë karrige të ambasadorit italian në Shqipëri.
Në një moment ambasadori iu drejtua punonjësit italian, duke e pyetur a jemi gati. Ai i tha dhe një minutë. Sa pritëm ata, biseduam për artin dhe skulptorët italianë. Mbas pesë- gjashtë minutash bisedë, në dhomë u fut një burrë dhe një grua dhe që ishin Liliana dhe Akili.
Para se të vinin ata, Pëllumbi vuri re nga dritarja (mbas shpinës sime) se nga një derë doli një grup më i madh. Kur u futën, ata as na përshëndetën, por na shihnin pak si të çuditur, por edhe me njëfarë inati. Vumë re se ishin irrituar dhe ishin të veshur me rroba shumë të përdorura shqiptare, që nga këpucët dhe gjeri te palltot.
Kur i tha ambasadori që ju e njihni zotin Rama, ato mohuan, atëherë unë i thashë se njihemi se jemi durrsakë dhe se me Lilianën kemi qenë në shkollë, në Liceun Artistik, ajo prapë nuk dha të njohur. Ishte shumë e zbehtë dhe e zbardhur komplet. Kur u ulëm, i pyeta: Ku janë të tjerët? Kjo pyetje i befasoi, panë njëri-tjetrin në sy dhe pastaj na thanë: Këtu janë.
Kur i pyetëm se përse nuk vijnë, se unë dua të bisedoj me të tërë, përgjigjja qe se janë të sëmurë dhe jemi ne e s’ka nevojë për ata. “Po kaq keq janë, që s’mund të lëvizin? Unë desha që të bisedoj e t’i takoj edhe ata, që të dëgjojnë dhe ata”. Po dhoma ku ishim ne dhe nga karriget që ishin vendosur, dukej që paraprakisht ishte menduar që ata do të ishin vetëm dy vetë.
Akili pyeti: Përse keni ardhur? Unë i shpjegova që si deputet, në takime me popullin më kanë pyetur për ju dhe më kanë ngarkuar t’ju takoj, t’ju shpjegoj e t’ju sqaroj pozitën tonë, duke ju bërë thirrje të reflektoni. Këtu ndërhyri prapë Akili: A na keni sjellë ndonjë përgjigje lidhur me peticionin që kemi bërë ne? A ju dërgon qeveria?
I shpjegova se nuk kam ardhur për përgjigje, por si deputet e përfaqësues i popullit në organin më të lartë të pushtetit popullor, për t’ju sqaruar, për t’ju ndihmuar e për t’ju bërë thirrje që të reflektoni. Ndërkohë që unë po u shpjegoja me qetësi pikat tona, propozimet tona (sipas materialit bashkangjitur), herë pas here ata të irrituar bënin këto ndërhyrje; “Ne nuk kemi punë me ju, jemi italianë, sepse jemi në tokë italiane. Çështjen tonë do ta shqyrtojë OKB-ja, Gjyqi i Hagës, nuk kemi punë me autoritetet tuaja”.
Unë i thashë që Ambasada është në tokë shqiptare…, se ne jemi shtet sovran e i pavarur, që lirinë e kemi mbrojtur gjithnjë vetë dhe asnjë armik nuk na tremb, këtë e ka treguar historia.
Këtu ai ndërhyri me ironi: Posi, posi, jeni superfuqi ju, nuk pyesni për asnjeri. Organizatat ndërkombëtare ju i njihni kur u vjen puna për ndihma, kurse për çështjet tona nuk i njihni, megjithëse kartën e të drejtave të njeriut e keni nënshkruar. Me gjithë ndërhyrjet e tyre ne, me qetësi ia parashtruam qartë të gjitha gjërat që kishim për t’i thënë. Gjatë bisedës ata u çuan tri herë në këmbë, duke thënë nuk kemi çfarë të bisedojmë.
Duhet thënë se dy herë ambasadori ndërhyri për t’i qetësuar, duke u thënë se ju duhet të qetësoheni dhe ta dëgjoni zotin Rama deri në fund. Herën e parë, Akili u ul dhe uli edhe Lilianën. Herën e dytë i bindi ambasadori me kolegun e tij, i cili shtoi se zoti Rama nuk po ju merr në pyetje, por po ju parashtron disa gjëra të cilat duhet t’i dëgjoni.
Mbas disa minutash diskutimi, që ata e bënë në këmbë me ambasadorin (me një pozë teatrale), iu drejtuan ambasadorit, i dhanë dorën duke e falënderuar dhe duke i thënë që nuk kemi ç’bisedojmë më dhe u larguan pa na përshëndetur.
Te dera i prisnin dy italianë, që i çuan andej nga erdhën. Mbas ikjes së tyre, na mbajti ambasadori dhe pesë minuta. Unë i thashë që, pavarësisht nga irritimi i tyre e si u sollën ata, ne mendojmë që zoti ambasador, si përfaqësues i Italisë, mund të kontribuojë edhe ai për zgjidhjen e këtij problemi, sepse ishte në interes të të dyja vendeve.
Ai tha: “Unë jam munduar t’u sqaroj që në fillim atyre, se Ambasada e Italisë është në territor shqiptar dhe këtej ne nuk mund t’i nxjerrim nga Rinasi, as nga Hani i Hotit, e as nga Durrësi, por gjithashtu dhe policia shqiptare nuk futet në Ambasadën Italiane, sepse është tokë e padhunueshme. Vetë fakti që ky takim u bë, i detyrohet punës sime, sepse jam munduar t’u mbush mendjen për këtë takim, se ata nuk donin.
Këto biseda telefonike që unë kam bërë me Popajt për t’i bindur, i njohin dhe autoritetet shqiptare, sepse sigurimi juaj i ka incizuar me aparatura këto biseda”.
(Këtu i ndërhyra, duke i thënë se këto nuk janë të vërteta dhe se ambasadat në Shqipëri nuk përgjohen si thoni ju dhe më vjen çudi që e thoni këtë gjë.)
“Unë jam ambasadori i Italisë dhe veproj sipas udhëzimeve të qeverisë italiane dhe ata strehohen këtu sepse do qeveria ime. Jam i bindur se kjo punë zgjidhet vetëm me marrëveshje të dy qeverive tona. Megjithatë, pavarësisht si shkoi biseda, unë e konsideroj një sukses që u bë ky takim i parë”.
Disa vërejtje të përgjithshme:
-Gjatë gjithë kohës ata flisnin të irrituar, mundoheshin të mos linin radhë për të folur, nuk shfaqnin interes, duket që ishin përgatitur për të kundërshtuar dhe për ta kthyer në sens negativ çdo gjë.
-Liliana gjithë kohës fliste italisht dhe nuk pranoi të fliste shqip. Ajo të jepte përshtypjen e një njeriu të papërqendruar psikologjikisht, kurse i vëllai ishte më normal.
-Gjatë gjithë kohës flisnin “juve, qeveria juaj, organet tuaja”, si për të thënë që nuk ishin më shqiptarë.