Çapajev Gjokutaj: Qëndrimi ndaj trashëgimisë së regjimit totalitar
Profesor Farudin Hoxha, më shkruan një mik i çmuar, ishte inxhinier i mirë për kohën e vet, por edhe ministër ndërtimi që veproi nën tutelën e politikës shkatërruese.
Qëndrimi ndaj trashëgimisë së regjimit totalitar është problem kompleks dhe, sot për sot, i mbingarkuar me pasione e subjektivizëm. Gjithsesi, mund të diskutojmë ndonjë gjë konkrete për kontributet e ekspertëve të asaj kohe.
Jam në anën e atyre që mendojnë se njerëzit nuk mbijetojnë në ofiqe e tituj, por në vepra.
Veprat e mëdha hidroenergjetike, që u projektuan nga ekspertë të përmasave të prof. Hoxhës dhe u ndërtuan nga qindra mijëra inxhinierë, teknikë e punëtorë, hyjnë në trashëgiminë tonë më të çmuar.
Pa to, rruga e Shqipërisë për në modernitet do te ishte thuajse e pamundur.
Po qe se sot nuk do të kishim energjinë elektrike që prodhojnë hidrocentralet, po qe se gjithçka do ta blenim jashtë apo do ta prodhonim nga nafta, problemet tona me varfërinë dhe prapambetjen do të ishin në ditë të kiametit.
Armatat e njerëzve, që ndërtuan vepra të tilla vazhdojnë të kontribuojnë edhe sot e kēsaj dite. Djersa e tyre na e bën jetesën më të lehtë.
Por tragjikomedia është se nuk u shpërblyen as atëherë, as sot.
Atëherë ishin viktimë e barazitizmit totalitar. Sot mbeten viktimë e një privatizim shkel e shko që, krahas tē tjerash, u fali dyqanet shitësve, por la pa gjë ndërtuesit e veprave të mëdha.
Ky privatizim i ideuar prej shejtan budallenjsh e ka bërë vendin lesh e li dhe duket se do të vazhdojë të pjellë grindje mes njerëzve si dhe pasiguri për investime e zhvillim.
( Nga cikli ‘As për mua, as për ty’ )
Marrë nga faqja e autorit në facebook.