Albspirit

Media/News/Publishing

Kastriot Dervishi: Për një reformë strukturore të përgjithshme të shtetit shqiptar

 

Qysh nga rënia e regjimit komunist, ende shteti shqiptar ka probleme në drejtim të përcaktimit dhe formësimit të institucioneve të tij. Midis përvojës pozitive të viteve 1920-1939 (me institucione të pakta dhe efikase) dhe asaj negative të viteve 1944-1990 (me institucione të shumta e fillhumbëse), nuk është arritur të nxirren mësimet e duhura që na jep historia. Një reformë e vërtetë institucionale e shtetit shqiptar duhet të jetë tërësore dhe jo e pjesshme.
Në vitet 1920-1939 Shqipëria kishte pak ministri, por të gjitha i të rregulluara me ligje organike në të cilat përveç strukturës ishin të përcaktuara qartë detyrat funksionale të nëpunësve. Ligjet ishin të qarta dhe të shkurtra. Asnjë nëpunës nuk i shkruante vetë detyrat funksionale siç ndodh sot. Pas vitit 1991, ministritë tona nuk kanë pasur ligje organike. Janë ndërtuar e shkatërruar me qindra herë strukturat e tyre, saqë nuk ka arkivist që i jep drejtim strukturës dokumentare të tyre. Këtë mungesë të ligjeve organike, 4 vjet më parë, qeveria e “zgjidhi” me VKM, duke krijuar situata absurde sepse ndërsa ministritë rregullohen me akte administrative, pjesë të tyre funksionojnë me ligje të posaçme. Kjo “teknikë” funksionimi e ka kthyer Shqipërinë në një shtet karnaval dhe eksperimentesh të pangjashme me vende të tjera. P.sh. Ministria e Punëve të Brendshme ka ligje për pjesë të saj si Policinë, Gardën, Arkivin, Gjendjen Civile, etj, por nuk ka ligj për vetë ministrinë. Struktura e ministrisë caktohet me urdhër të kryeministrit. Mjaftonte të dilte ligji për MPB-në dhe detyrat e posaçme të Policisë, Gardës, Gjendjes Civile, etj, të përpiloheshin me akte administrative, etj.
Shqipëria është shtet i vogël dhe si i tillë nuk mund të ketë institucione sikur të ishte me 200 milionë banorë. Parimisht vendi ka një shumicë institucionesh me shumë drejtorë, por pak punonjës. Një reformë e mirë duhet të shkurtonte rreth 90% të drejtorive të përgjithshme (brenda ministrive janë të panevojshme) dhe rreth 60% të drejtorive në shkallë vendi. Departamentet nuk duhet të ekzistojnë fare ndërsa agjencitë duhet të reduktohen ndjeshëm.

Harmonizimi i pushteteve

Qarku është njësia më e madhe vendore, në të cilën duhet të harmonizohen si qeverisja vendore ashtu edhe juridiksioni i organeve qeveritare të varësisë. Ai nuk duhet parë si principatë e shkëputur. Në asnjë rast nuk është e pranueshme keqqeverisja për shkak të organizimeve të dobëta, moskuptimit të kompetencave apo paqartësive të ushtrimit të tyre. Prirja e vazhdueshme decentralizuese, në të vërtetë gjatë gjithë këtyre viteve ka qenë një anarkizëm i përkryer në moszgjidhje problemesh, mosmarrje përgjegjësish dhe probleme që barten vit pas viti.
Pushteti vendor në nivel qarku duhet të ketë vetëm kryetarin e tij të zgjedhur drejtpërdrejt nga populli, duke zëvendësuar të gjitha bashkitë. Pushteti qendror duhet t’i ndërtojë e shtrijë institucionet e veta në bazë qarku e jo rajonesh. Qeveria qendrore me prefektin në krye, duhet të përputhë me qarkun njësitë e saj që i takojnë: Policisë, SHISH-t, Arsimit, Pronat, Mbrojtjen, Financat, Shëndetësinë, Arkivin, Bujqësinë, Punët Publike, Kulturën, etj. Kryetarët apo drejtorët e këtyre njësive, nën drejtimin e prefektit përbëjnë këshillin administrativ të qarkut, i cili mblidhet së paku një herë në muaj dhe koordinon qeverisjen për problematikat që dalin në njësi e ku pushteti qendror mund të rrisë cilësinë e qeverisjes.
Po ashtu edhe drejtësia, prokuroritë e gjykatat mund të vendoseshin fare mirë në nivel qarku.

Please follow and like us: