Xhemal Ahmeti: Mediokriteti i politikës shqiptare në Maqedoni
Paraprakisht: Zaev le t’i harrojë kësaj radhe votat shqiptare. Do t’i ketë vetëm ato qindra që i kishin edhe gjyshërit e tij. Po cila parti shqiptare do të prijë? Asnjëra. Përkundrazi fragmentarizimi defaktorizues kësaj radhe do të jetë edhe më i dhimbshëm; do të humben jo vetëm disa vende deputetësh, por komuna të tëra!
Kandidatë të rinj me fytyra të vjetra. Partitë shqiptare refuzojnë mësimet e përvojës. Kandidojnë me një divizion politikanësh edhe aty ku nuk kanë as shansin minimal. Ose kandidojnë me një çetë militantësh pa përmbajtje, paradoksalisht aty ku për pak përqindje i djegin vetes çdo mundësi. Në favor të pakicave dhe opsioneve tjera politike, natyrisht.
I thonë normalitet demokracie pluraliste kësaj? Jo. Kësaj i thonë mediokritet autodestruktiv që e rezulton parapolitika, e cila kronikisht ka vetëm një efekt: vetëdefaktorizimin! Ky është zhvlerësim total i votës së marrë nëpërmjet manipulimit masiv të masave dhe hiçtjetër – irritim masash, të cilat poashtu përdhunët e me trashtinë e tyre, po si primatët që kanë, injorojnë përvojën, atë që tashmë u është bërë biografia. Dështim në rrotullim. Vetëmartirizim pa ideal, i kotë, prodhim i një psikoze që nuk e kap dot jetën në tokë, por kërkon shpresën qiellit e përfundon në nëntokë.
Kanë arsye zaevianët shqiptarë të mprehin dhëmbët? Ata që sapo u zgjodhën u pajisën me automobila rreth 100 mijë euro? Ata besojnë se përballë kësaj situate të mjerë të partive shqiptare sërish do t’ia dalin t’i fshinë rreth 100 mijë vota shqiptare. Do t’ia ridalin? Nëse analizojmë disponimet aktuale në masë: kurrë më!
LSDM të vetmin resurs numrash plus brenda fuqisë së saj reale kundër VMRO-së ka dështimin e partive shqiptare – dhe këto vota do të jenë aq minimale saqë partia e Gruevskit do të vrasë dy miza me një të rënë: shqiptarët dhe socialdemokratët.
Kandidatët e Zaevit në komunat shqiptare qysh tash shikohen si figura të amputuara, syresh që si duket njerëzve u kujtojnë epokën e rrejshme të «vëllazërim-bashkimit» jugosllav, u shkaktojnë aversione, shfaqen të vetërefuzueshëm.
Shanse kanë partitë shqiptare atje ku s’ka konkurrencë edhe ndëretnike. Kush do të fitojë atje dhe çka do të thotë kjo për komunat shqiptare gjatë katër viteve që vijnë?
«BDI meriton atë groposjen që pësoi PDSH herën e fundit», këtë ta thonë shumica e analistëve seriozë brenda sapo t’ia nisësh intervistës. Ajo megjithatë do të mbijetojë përsëri – me humbje të sërishme, por nuk do të mbetet vetëm me dy njerëz. Edhepse nuk është përmirësuar fare. Përkundrazi ka degraduar edhe më shumë sidomos në personelin që ofron. Ajo rri në grahmën e fundit pa ikur për shkak të mungesës së alternativave, jo për gjë tjetër. Përveç Teuta Arifit në Tetovë, kjo parti duhet të dridhet qetash për reduktimin masiv të numrit të këshilltarëve nëpër komuna.
PDSH nuk rigjenerohet dot pa ikë Menduh Thaçi. Këtë e ka kuptuar edhe ai vetë por si duket nuk mundet ndryshe. Pse? Veç «munxhitoret» e Rekës mund t’ia qëllojnë. Përndryshe partia, baza ende posedon me kapacitete që do të mund ta ringjallin ish partinë e Arbër Xhaferrit. Bekim Fazliu, i cili gëzon një popullaritet të hatashëm në Shkup dhe konkurruesit Pollogut e dëshmojnë se PDSH ende ka fuqi, porse s’do t’ia dalë. Nofka «veren do smrt» që e mban si epoletë në ballë kryetari i kësaj partie, ndërkohë është bërë refren edhe i çdo fëmijë që sapo ka filluar të belbëzojë.
Kur kali rri në lloç, karroca nuk ec dot para.
BESA premton shumë. E ka nga mendjemadhësia apo forca e saj reale, kur deklamon se ish votuesit shqiptarë të SDSM-së, Aleancës për Shqiptarë dhe BDI-së do t’u ngjiten atyre? Për shkak të natyrës dhe formimit, ata janë afinë për të shpresuar në mrekullira. Vetëm se në këtë besim të tyre ka një defekt të madh – si në gjithë ideologjinë e tyre: mrekullia nuk vjen si pasojë kundër tjerëve, pra në luftën kundër tjetrit, përmbysjen e tjerëve, porse është mbinatyrore, të pakushtëzuar nga teatralikat njerëzore. Apo edhe Zoti e paska vendosur të bëhet kryetari komunës së Sallarevës?
Në një raport nga Shkupi drejtuar një instance perëndimore lexojmë arsyet pse BESA ia huqka me shpresat e saja kolosale. Aty shkruan kështu:
«Në rajonet e Shkupit dhe Kumanovës, tashmë çdo elektor që voton me vetëdije, që di t’i lexojë opsionet pa qenë i fiksuar dhe me frikë mos ta gabojë numrin që duhet ta rrethojë e dinë se organizata BESA nuk mund të jetë alternativë: Ideologjia e tyre doli si Healing as Killing për shqiptarët aty: ata nëpërmjet fesë dhe bamirësisë së kushtëzuar me varësi, premtonin shërimin e shoqërisë dhe politikës shqiptare, por në fakt shkaktuan demolimin e identitetit kulturor shqiptar aty ku kanë dominim. Qytetari i Shkupit dhe ai i Kumanovës ndihet i ngulfatur nga presioni i grupit që kërkon vënien e gruas nën ferexhe; ndihet i kërcënuar nga fetarë që u kërkojnë fëmijët për në çerdhet e natyrës vahabiste; ndihen të detyruar të ecin xhamive ku përçahen besimtarët herë pse s’funksionojnë si vahabitët, herë pse jo si shiitët e herë pse jo si Said Nursi, Gyleni apo tjerë të historisë së radikalizmit. Lagjet shqiptare të Shkupit në pamje s’janë më të tilla. Nuk janë as shqiptare, as urbane, as kompatible me rrethin, me qytetin, me kontinentin ku jetojnë. Ato duken si lagje të depalcuara nga Afganistani apo ndonjë vend tjetër i botës lindore. Njerëzit e kësaj „lëvizjeje“ u dëshmuan si sabotues permanent karshi çdo kërkesë të bllokut shqiptar; u bënë bashkë me VMRO në aferën e dokumentit të sajuar kinse nga Edi Rama; nxitnin dhe iknin […]».
Raporti vazhdon edhe më negativ se ç’mund të lexohet. Interesant është optimizmi i përshkruesit, i cili konstaton se tashmë shumica e njerëzve, madje edhe vetë nga radhët e tyre kanë kuptuar se agjencia e financuar nga Turqia, Katari dhe Sauditët nuk mund të jetë kompatible me shtet qytetar, vlerat shqiptare të harmonisë fetare, e më hiç me kulturën autoktone të njerëzve aty.
Nëse ky përshkrim vërtet ka depërtuar në kokën e shumëve të asaj toke, atëherë kjo parti nuk do të mundet më të luajë – si në zgjedhjet e kaluara – rolin e «Kalit të Trojës» për defaktorizimin dhe fragmentimin edhe më të thellë të shqiptarëve. Një sinjal se kjo analizë mund të qëndrojë është edhe ky fakt: që nga zgjedhjet nacionale njerëzit e «Besës» bënë çmos për të dëshmuar procesin e shqiptarizimit të tyre, pasi konstatuan se me xhamitë nuk ia dalin dot. Është kundër këtij procesi vetënacionalizimi të tyre tash shpallja e imamëve si kandidatë (Bogovinjë) për kryetar komunash. Këtë ata e bëjnë se nuk iu bashkohen më njerëz përtej shtresës që ende i mbajnë të manipuluar.
Paska mbetur vetëm Aleanca për Shqiptare (ASH) ajo më e pastra, alternativa e vetme që domosdoshmërisht duhet t’i lihen komunat shqiptare në duar? Jo. Edhe partitë e këqija ofrojnë kandidatë të mirë, por si parti është e vetmja që nuk përbëhet nga oligarkë të dyshimtë, nuk financohet nga burime të dyshimta dhe është më transparentja. Kjo parti nuk arriti edhe shtrirjen më efektive. Ajo u hyn edhe këtyre zgjedhjeve me frikë: ndryshe nuk do të hiqte ministrat duke i kandiduar në nivel lokal. Edhe kjo s’ka resurse në njerëz. Pasojë që e prodhoi edhe vetë duke imituar konkurrencën e saj aty ku merr pjesë në pushtet. Ndoshta as që kishte kohë. Kjo nuk luan rol në prodhimin e perceptimeve tek masat. Edhe pse partia më konsistente në qëndrime dhe vlerat që përfaqëson ajo nuk ka buxhet si BDI, BESA dhe PDSH, të cilat kanë support marramendës financiar dhe janë moti të etabluara dhe disponojnë me sponsorizues të shumtë në të bardhë e në të zezë. Aty ku ia del është meritë puro e aktivistëve të saj dhe qytetarëve që e kuptojnë e jo e ndonjë faktori tjetër prapaskenor. Suksesi i saj varret edhe nga mënyra se si do të funksionojë Sela si lideri më kredibil në anën shqiptare për çastin.
E qartë: komunat shqiptare do t’i fitojnë tri partitë ASH, BDI dhe PDSH dhe aksidentalisht mund t’i mbetet në duar ndonjëra organizatës BESA. Që edhe BESA ta merrte ndonjë komunë nuk është vetëm negative: aty do të dëshmohej dështimi esencial dhe përfundimtar, ngase imami është aty për aspektin metafizik të besimtarit e jo për zhvillimin dhe ndërtimin e një sistemi politik që nuk përputhet me monarkinë që e kërkon Zoti i tij, qoftë ai i myslimanëve, krishterëve apo hebrenjve.
IV.
Racionale natyrisht do të ishte që masat atje njëherë e përgjithmonë ta përdorin shpatën duke zgjedhur alternativat që i konsiderojnë pa hipoteka, të pastër; të atilla që nuk krijojnë konflikte të kota brenda identitetit shqiptar; që nuk janë fashiste apo raciste, apo edhe më keq të ndihmojnë të atilla që luftojnë për zhdukjen e sistemit shqiptar të jetës siç ka qenë me shekuj; është me rëndësi të përkrahen ata që nuk prodhojnë urrejtje ndaj etnive e religjioneve tjera, por që ofrojnë jo vetëm programe me kërkesa për mirëqenie ekonomike, por edhe që ngulin këmbë në ruajtjen e identitetit dhe dinjitetit të qytetarëve deri më tani trajtuar si të klasit të tretë, ngaqë të diskriminuar dhe të nëpërkëmbur nga sistemi etnokratik i shtetit. Natyrisht se asnjëra nga partitë nuk i plotëson gjitha këto kushte që i listuam lartë, por së paku votuesi i mençur duhet ta bëjë një listë që së paku kësaj radhe të votojë ata me më së paku pika negative në biografi. Jo të votojë me njohje, lidhje, manipulime por vetë dhe në bazë të nivelit të besueshmërisë së partisë. Pa politikë të pastër transparente, të drejtuar pro shqiptarëve e jo kundër shqiptarëve tjerë ata do të mbeten ashtu siç kanë merituar deri tash – pré e çdo ideologjie që i shtyp, mashtron, keqshfrytëzon.
V.
Nëse shqiptarët humbin komuna duke ia lënë në duart ato LSDM, VMRO apo agjenturave anti-shqiptare kanë humbur shansin e fundit për të fituar të drejtat e tyre njerëzore, kulturore, fetare, po aq e baras siç i kanë tjerët aty. Kjo për arsye se si kurrë më parë BE ka përqendruar angazhimin maksimal të saj në atë vend dhe çka vendoset e fitohet tash do të mbrohet nga kjo instancë supranacionale e çka jo nuk do ta rregullojë më as prishja e shtetit – si ashtu e pamundshme pas hyrjes në NATO. Aq sa mundemi ta prishim Greqinë që vë veto kundër Shqipërisë apo Malin e Zi nëse nuk heq dorë nga Kulla e Çakorri.