Konica: Përfaqësuesit e vërtetë të helenëve të dikurshëm janë shqiptarët e sotëm
Po. Thjesht po, sepse, shkencërisht, nga pikëpamja antropologjike, shqiptarët e sotëm janë dolikocefalë si helenët e dikurshëm, kurse grekët e sotëm janë brakicefalë, përzierje kelto-sllave. Në fakt, këtë konkluzion të filozofit francez Alfred Fouillée (maj 1898), Faik Konica e kishte paraqitur tashmë me argumente të fuqishme historike që një vit më parë në shkrimin e tij te “Albania” famëmadhe “Legjenda qesharake” (mars 1897). Çka bie dukshëm këtu në sy është fakti se shkrimet e “Albania-s” të Konicës jo vetëm tërhiqnin vëmendjen e publikut të huaj të kohës, por edhe po bëheshin objekt studimi nga personalitete të shquara të shkencës, për vetë origjinalitetin që paraqisnin dhe sidomos e në radhë të parë për forcën e tyre konkluduese. Është e njohur vija klasike franceze “pro-helene – pro-greke – pro-sllave” në gadishullin e Ballkanit dhe në Egje që nga fundi i shek. XVIII për interesa të caktuara gjeopolitike, ndërkohë që francezëve nuk u kishte buzëqeshur dhe aq fati, apo nuk u kishte ndritur, siç do donin, me shqiptarin Mahmud Pashë Bushati në Shqipërinë e Veriut dhe në Ilirikumin e lashtë, me shqiptarin Ali Pashë Tepelena në Janinë (dështimi i misionit të konsullit Pouqueville në fillim të shek. XIX), si dhe me shqiptarin tjetër përtej Mesdheut, Mehmet Aliun e
famshëm, themeluesin e Egjiptit modern. Në fakt, angazhimi francez “pro-grek”, sidomos gjatë periudhës së revolucionit grek të viteve 1821-1824 – shtylla kryesore e të cilit ishin, siç dihet, arvanitasit e shkëlqyer (dhe më kot presim në këtë drejtim, prej vitesh e dekadash, një pohim zyrtar me plot gojën nga qarqet e Athinës, por edhe të Parisit, që vazhdon ta njohë Boçarin me shokë si heronj grekë!) – pra, angazhimi gjeopolitik francez kërkonte doemos një bazë të shëndoshë përligjjeje, harmonizim shkak-pasojë në emër të humanizmit, të mbartjes më tej e përtej, në kohë e hapësirë, të vlerave të revolucionit demokratiko-borgjez, kërkonte pra, vetë bazën e mirëfilltë teorike, sipas tezës se vlerat evropiane e kanë burimin në vlerat e qytetërimit të lashtë helen dhe se grekët e sotëm janë, “pa mëdyshje”, mbartësit e këtyre vlerave. Po ja që Konica e sheh këtë “gatesë” me mëdyshje, dhe ka arsye të shëndoshë, tek njeh mirë historinë tragjike të kombit të tij dhe klasikët francezë e anglezë, që nga Edmond About e deri te Bajron, të cilët i ranë kryq e tërthorë Greqisë në mesin e parë të shek. XIX dhe panë me sytë e tyre tipin e zvetënuar të grekut, pa kurrfarë virtyti helen, përkundrazi, që mishëronte vesin si mos më keq, gjer në pikë të hallit.
Jo më kot, analistë francezë, por së shumti gjermanë, gjatë debateve të sotme rreth borxhit marramendas grek, kanë përmendur më se një herë veprën mjaft të suksesshme për kohën “La Grèce contemporaine – Greqia bashkëkohore”, (1855) të shkrimtarit të shquar Edmond About, që e nxjerr lakuriq, karkacul fare Greqinë e shek. XIX me krejt financat e veta, e nxjerr pa pikë dinjiteti helen. E megjithatë, u vazhdua e u përvijua me eth, në rrafsh evropian, linja klasike franceze pro-greke – pro-helene, gjer ditën kur Valéry Giscard d’Estaing, ish presidenti francez, do të shpallte bujshëm më 1970: “Nuk mund ta lëmë Platonin në kategori të dytë”, domethënë jashtë Bashkimit Europian. Dhe futja e Greqisë post-diktatoriale në Bashkimin Europian u bë realitet që në vitet ’70, falë përkrahjes së fuqishme franceze, e cila nuk do mungonte asnjë çast edhe në përpjekjet e mundimshme, me buzëqeshje të hidhët të presidentit aktual francez Hollande gjatë bisedimeve me Znj. Merkel, cilësuar Zonja e hekurt europiane. Po prapë, në kulmin e këtyre bisedimeve franko-gjermane për dhënien e borxhit të tretë Greqisë, do të ishte po ish presidenti Giscard d’Estaing, në moshë të thyer, që do deklaronte tanimë: “Greqia duhet të dalë nga zona euro”, apo më konkretisht: “Duhet ta lëmë Greqinë në periudhë lejë-pushimi të euros”…
Tashmë, Borxhi i tretë u dha, për tre vjet; por me çfarë çmimi!… E për çfarë? Borxh për të larë borxhet, e për të mbajtur me maskë oksigjeni të sëmurën rëndë Greqi. Po ç’do të bëhet pas tre vjetësh?Atë, veç një Perëndi e di. Po ama, e di mirë edhe forca e kapitalit.
Konica parashikoi, Konica vërtetoi, Konica polemizoi, gjer me personalitete e organe në zë të kontinentit të vjetër. I vuri pikat mbi “i”, ngaqë fort në qafë i bihej Lokes së tij Shqipëri. Që veç ai dinte ta mbronte si askush tjetër. Sepse e ka thënë tashmë për të Gijom Apolineri, poeti i madh që fliste gjuhën hyjnore të qiejve: “Ky dijetar (Faik Konitza) është në llojin e tij një kolos që mishëron në vetvete dyfishimin e Argusit me Briareun”. Që do të thotë, as më shumë e as më pak, të bashkosh gjigandin mitologjik Argus me njëqind sy, nga të cilët pesëdhjetë i rrinin hapur përherë, me gjigandin tjetër Briare, i cili kishte njëqind krahë dhe pesëdhjetë koka. Ja kush ishte GJIGANDI KONICA për Apolinerin. Héj, lum miku, Héj, Konicë shqiptari, si të ka vlerësuar aq bukur i ndrituri Apoliner! / Monet Maneshi.
***
Përfaqësuesit e vërtetë të helenëve të dikurshëm janë shqiptarët e sotëm
SHËNIME
Z. Alfred Fouillée, filozofi i shquar, ka botuar te “Revue des Deux Mondes” e 1 majit (1898) një “skicë psikologjike” rreth popullit grek. Pavarësisht se ç’vlerë ka mendimi i tij, Z. Alfred Fouillée është para së gjithash një “universitar”, domethënë i përket asaj klase njerëzish që kanë për zanat të mburrin për çdo gjë grekët, dhe jo pa arsye për më tepër, sepse pa grekët, bota pa dyshim nuk do të ekzistonte, dhe sidomos disa qindra mijë pedantë të përhapur në krejt sipërfaqen e tokës do ta shihnin veten në siklet për të gjetur një punë tjetër. Por duhet t’i jemi mirënjohës Z. Alfred Fouillée që – krahas mendimeve dhe fjalive që prej kohësh i përkasin fushës publike dhe mund të gjenden kollaj në një numër të madh librash shkollore –, vuri në dyshim, parashtroi dhe u përpoq të zgjidhë këtë çështje: “Grekët e ditëve tona, a janë pasardhësit e bashkëkohësve të Leonidhit dhe Miltiadhit? Dhe nëse kjo lidhje mohohet, a janë megjithatë trashëgimtarët, për një pjesë të ndjeshme, të cilësive dhe të metave të paraardhësve të tyre?” Për këtë çështje, dhe le të kujtojmë se me çfarë zelli të përligjur ne e kemi trajtuar tashmë para një viti po këtu, Z. Alfred Fouillée sjell disa vëzhgime të reja:
“Një gjë është e sigurt, që treguesi cefalik (raporti i gjerësisë me gjatësinë e kafkës), që është i një rëndësie madhore nga pikëpamja e racave, është ngritur në Greqi, nga 76 në 81; numri i doliko-biondëve, madje edhe i doliko-brunëve, është pra, zvogëluar tek ata. Ky fakt tregon një ndryshim të thellë të tipit grek; Greqia sot është brakicefale, dhe rrjedhimisht, nga pikëpamja antropologjike, ajo është në shumicën e saj “kelto-sllave”.
Megjithatë, kemi parë se hasen ende në tërë anët, por në gjendje të shpërndarë (nënvizimi i F.K.), tiparet e ndryshme të tipit grek klasik: hunda e drejtë, sytë e mëdhenj të kaltër, leshrat e bukura verdhane. Z. E. Reclus, jo pa shtuar njëfarë doze simpatie, rinjeh tek beoti i sotëm të njëjtën ecje të rëndë të dikurshme “që e bënte atë një objekt talljeje midis grekëve”; athinasi i ri i duket atij sikur ka “zhdërvjelltësinë, hijeshinë dhe pamjen e guximshme”që i njihej në Lashtësi. Gratë e Athinës, sipas Z. Gaston Deschamps, më shumë ngjajnë me figurina nga të Tangarasë, se sa me Venusin e Milos, “me një fije egërsie ngacmuese” që të kujton fqinjësinë e racës shqiptare. Përgjithësisht,“flokët e tyre janë tërbimshëm të zinj, kurse sytë u ndrisin nën velin e qerpikëve të gjatë; ngjyrën e kanë të marrtë, lehtas të zbehtë”.
Tek parashtron këto vërejtje, Z. Alfred Fouillée, si i penduar, rifutet brenda formatit të “Revue des Deux Mondes”, domethënë, nis ta mbështjellë mendimin me të tilla perçe, ta dobësojë me të tilla kufizime, sa kjo mënyrë të shkruari – e quajtur me shije të hollë – e zhvesh krejt artikullin e tij nga çdo përmasë rëndësie dhe nga çdo konkluzion; është për të ardhur keq që Skica Psikologjike përfundon në mënyrë të papritur dhe të denjë për konkluzionin e një kandidati për deputet: “besim në fatet e veta”, “mobilizim i arrirë me shpejtësi”, “rezervistë që i përgjigjen gati të gjitha thirrjeve”, “çështjet e drejtësisë dhe administrimi i saj”, “duke pranuar tërë sakrificat”, etj. Por të gjitha këto janë në këtë mes hollësira e garnitura. E rëndësishme është që Z. Alfred Fouillée ka prekur një çështje të lartë historie e psikologjie dhe se, pavarësisht që ne prisnim me të drejtë më shumë nga filozofi i ideve-forca, ai dha megjithatë një shembull fisnik dyshimi për ata që pohojnë me një siguri të vajtueshme se Grekaja e ditëve tona rrjedh nga gjaku i Praksitelit, Platonit dhe Sofokliut.
Z. Alfred Fouillée duket për më tepër jo larg të besojë se përfaqësuesit e vërtetë të helenëve do të ishin më mirë të themi shqiptarët. “Në fund të fundit, thotë ai, nga të gjitha dokumentet që përmbledh shkenca bashkëkohore mund të arrihet në përfundimin se Greqia e lashtë shfaqte një karakter të dyfishtë: ajo ishte gati e tëra me kafkë të zgjatur; tabani ishte doliko-brun, por me një përmasë të konsiderueshme doliko-bjond”. Mirëpo “shqiptarët, tek të cilët tipi grek me sa duket është ruajtur më mirë, janë dolikocefalë”./ Albania 12, prill-maj 1898.
***
SHËNIME
Gazeta Le Soir e Brukselit, e datës 1 maj (1897), në një artikull të shkëlqyer të Z. D’Arsac shkruan:
Greqia moderne nuk është ajo që mendojnë filantropët, sentimentalët dhe helenistët. Greqia është një vend që u përpoqën ta galvanizojnë nga dashuria për greqishten e lashtë. Por të vdekurit nuk ngjallen.
“Greqia, venë e shkruajnë, mbron sot, si përherë, tokën e Europës dhe qytetërimin e Europës ndaj Azisë. Europa është tërësisht brenda në Athinë: nuk është më në Paris, as në Londër”.
Në fakt, Greqia nuk mbron as Europën, as qytetërimin. Athinasit e këtij fundshekulli (shek. XIX) nuk janë vazhduesit e Sokratit, të Platonit, të Sofokliut, të Fidias e të Perikliut.
Greqia është e paaftë të mbrojë qoftë edhe gjënë më të vogël – Themistokliu e Leonidha janë në mbretërinë e hijeve.
Greqia nuk i është përgjigjur asnjë prej shpresave që Europa mbante tek ajo. Ajo e la veten të kolovitet majë shilarësit parlamentar. Nuk ka shënuar as përparime materiale, as përparime intelektuale. Arkat e saj janë bosh dhe borxhi i saj është gjigand; nuk ka prodhuar as edhe një vepër, as edhe një njeri (me emër). /Albania nr 3, 25 qershor 1897.
Përktheu nga frëngjishtja e përgatiti për botim: M. Maneshi.