Albspirit

Media/News/Publishing

Faik Konica: E thëna Maqedoni nuk ka më shumë se njëqind vjet histori

 

Shtypi po flet shumë këtë çast për një shpallje që ka lëshuar një lidhje albano-maqedone e Londrës. Duke i rezervuar vetes të drejtën për të folur më pas për thelbin e çështjes, le të kënaqemi sot duke thënë se kjo lidhje nuk ka e nuk mund të ketë të bëjë aspak me ndonjë komitet të çfarëdoshëm shqiptar. Në fakt, shqiptarët, kurrë nuk do t’i japin mbështetje një shoqërie të vetëquajtur albano-maqedone. Ne nuk njohim dhe nuk pranojmë Maqedoni. Kjo fjalë

Mali i zi lakmon Shqipërinë

Mali i zi lakmon Shqipërinë

kishte njëfarë kuptimi në Lashtësi. Po a ka një gjuhë maqedone? Jo! Pra, nuk ka Maqedoni. A mund të gjendet qoftë edhe një fshatar i vetëm në Turqinë evropiane që ta kuptojë e ta përdorë këtë fjalë? Jo. Pra, nuk ka Maqedoni! Turqit – tek erdhën në Ballkan në një shekull kur as që vihej në dyshim çështja e kombësive dhe kur intrigat e sotme as që njiheshin –, i përcaktonin me një emër të vetëm vendet që shihnin në realitet: ata gjithmonë u kanë thënë e u thonë “Arnautlluk” (Shqipëri). Po a e kanë përdorur vallë ndonjëherë fjalën “Maqedoni”? Jo. Pra nuk ka Maqedoni! Ku është Maqedonia juaj? A është Manastiri, gjithë fshatrat e të cilit janë shqiptare? Dibra, tërësisht shqiptare, apo Kosova, e cila, me të marrë vesh incidentet në Berana, lëshoi katër mijë luftëtarë shqiptarë të shfaqeshin mbi kufirin e Malit të Zi? Jo, jo, nuk ka Maqedoni! E nëse ndonjë minoritet i paktë, përbërë nga raca të ndryshme banon me ne dhe kërkon të përparojë me ne, ai edhe mund ta bëjë një gjë të tillë, po jo duke na detyruar ne cilësimin “maqedon”, por duke marrë ata mbi vete cilësimin “shqiptar”!

Albania 21, tetor-dhjetor 1898.

***

SHËNIME POLITIKE

Guximi i zhurmshëm i disa sllavëve synonte ta bënte opinionin publik europian (nëse vërtet ekziston një opinion i tillë publik) të besonte se kishte diku një Maqedoni, dhe se bullgarët që banojnë në

Shqiptarë të Selanikut

Shqiptarë të Selanikut

këtë vend të quajtur kështu do të ngrinin krye pas pak. Për këdo që ka përshkuar vilajetet e Manastirit dhe Selanikut, kjo thënie ishte nga më qesharaket: dihet në fakt se të vetmet armë të bullgarëve të këtyre dy vilajeteve janë kopaçet dhe është e pamohueshme se, për të shtypur çdo orvatje për kryengritje, do mjaftonin dy mijë ushtarë të disiplinuar mirë, të armatosur mirë, të komanduar mirë, të përforcuar me nga një gjysmë duzine topash “Maxim”. Ah! sa janë për t’u mëshiruar e sa më bëjnë të qeshë ata gazetarë që pandehin se sllavët e Turqisë evropiane – të lidhur me shekuj pas arës së tyre, bujq paqësorë e të nënshtruar ndaj telasheve administrative, budallallepsur nga vetë llojet e punëve që bëjnë dhe të paaftë jo më për t’u orvatur, por as për ta shkuar ndër mend një kryengritje – na qenkan të gatshëm ta bluajnë e ta bëjnë thërrime Perandorinë osmane!

Ngjarjet e Ballkanit kanë një domethënie që nuk u shpëton mendjeve të zgjuara. Ato provojnë në mënyrë të qartë epërsinë dërrmuese numerike të shqiptarëve në të ashtuquajturën Maqedoni; ato provojnë në mënyrë të qartë të drejtat e tyre të mohuara; ato provojnë njëkohësisht se ata, për të ushtruar plotësisht këto të drejta dhe brenda kufijëve të ndershmërisë, kanë ndoshta nevojë për tutelë, të paktën morale.

Albania 22, 15-30 janar 1899.

***

SHËNIME POLITIKE

Deri më 1830, shqiptarët kanë pasur autonominë e tyre. Vetëqeveriseshin dhe ishin zotër në vatrat e tyre; nga ana tjetër, kishin një pjesëmarrje të gjerë në qeverisjen e përgjithshme të Perandorisë.

Ushtarët turq nuk vinin tek ne për të bërë eksperimentime kryqëzimi të racave, siç bënin tek serbët, apo të na zhvasnin. Andaj, ne nuk kishim kurrfarë arsyeje për të ngritur krye; stërgjyshërit tanë as që e kanë menduar ndonjëherë arsyen për t’i hyrë në sy a për t’i bërë qejfin turkut, siç pretendojnë sot gazetarët e rinj serbë. Që prej heqjes së autonomisë shqiptare më 1822-1830, pati shumë kryengritje, dhe ndonëse turqit mbetën në Shqipëri falë diplomacisë dhe forcës së tyre numerike, ata prapëseprapë nuk u lejuan tek ne të bëjnë as një të njëqindën e asaj që u kanë bërë serbëve prej shumë kohësh, si dhe armenëve të shkretë kohët e fundit.

Për më tepër, unë jam i gatshëm të pranoj që shqiptarët nuk janë dhe aq të qytetëruar; por ama, me një kusht: që serbët, nga ana e tyre, të pranojnë haptas se – ndërsa shqiptarët, të mbetur në padije, kanë ecur sigurisht pak në rrugën e përparimit – vetë serbët, që ndodhen në po atë stad, nuk kanë kurrfarë arsyeje për të përligjur vetveten. Të pavarur prej mbi gjysmë shekulli, ata janë ende të qelbur kokë e këmbë nga fanatizmi dhe nga egërsia kafshërore : janë pa qeveri, pa ligje, më të prapambetur dhe më të korruptuar nga vetë turqit, duke dhënë kështu nga lart shembullin e të gjitha skandaleve dhe nga poshtë, shembullin e të gjitha veseve. Dhe Serbisë, për t’u qytetëruar, do t’i duhen lepuj të tjerë, veç Taushanoviçit.

Albania, Viti V, 15 tetor 1901, nr. 10.

***

SHËNIME POLITIKE

Një revolucion është lajmëruar për stinën e ardhshme në Maqedoni. Shpresohet që rezultatet, efektet e këtij revolucioni të jenë të mëdha. Do jetë revolucion me efekte të mëdha, dua të them me orkestër të madhe, shfaqje të madhe.

Ariu rus për copëtimin e Shqipërisë

Ariu rus për copëtimin e Shqipërisë

A nuk ju duket se ka, në këtë revolucion të tmerrshëm që u pritka, njëfarë analogjie me luftërat dhe betejat operistike? Sepse edhe këtu kemi shfaqje të programuar: jeni paralajmëruar dhe, ndërsa prisni të ngrihet perdja, një kalemxhi i stërvitur ju parashtron me besnikëri gjithë peripecitë e luftës në të cilën do jeni të pranishëm, pa u trembur aspak madje, se mos armiku përqendron forca të tepërta. (…)

Menjëherë, sapo një vend turbullohet dhe një stuhi kërcënon të shpërthejë, shfaqen në çast, e nga tërë anët, individë të dyshimtë që hiqen se duan të informojnë publikun. Dhe nëse shkojnë për të bërë një xhiro të vogël gjer në ato vende, kjo thjesht për t’i vënë një datë artikujve të tyre të përgatitur paraprakisht. I tillë është rasti për shembull i njëfarë zotërie Mallet, më parë gur shahu i mbretit të Serbisë dhe hëpërhë gazetar, në pritje të diçkaje tjetër. Ky individ boton në Le Correspondant të 25 shkurtit(1903) një artikull mbi Veri-Lindjen e Shqipërisë (të cilën e quan Serbia e Lashtë, pa dyshim duke pasur parasysh se serbët e Mesjetës pushtuan këtë pjesë të vendit tonë!…  E përse atëherë të mos quhet edhe vetë Franca Anglia e Lashtë?).

Sipas këtij artikulli, shqiptarët na e kalokan kohën duke shtypur fshatarin serb: vjedhjet pasojnë vrasjet dhe djegiet pasojnë vjedhjet; brenda tridhjetë faqeve shfaqet një shtjellë e vërtetë krimesh.

Dhe, a doni të njihni burimin e këtij prospekti histerik? Qenka qerrata pa shumë djallëzi ky Mallet-i: me një cinizëm të pavetëdijshëm dhe i kënaqur, ai vetëpohon se krejt thelbin e artikullit e ka nga konsulli rus i Shkupit! Vërtet që paska harruar të na vërë në dijeni se mos është, krejt rastësisht, Z. Scherbina, konsulli i emëruar në Mitrovicë, të cilit iu desh të bëjë pikërisht në Shkup tetë muaj pritje në paradhoma para se të pranohej si konsull. Atëherë do ishte e ç’do ishte!…

Madje, një konsull rus mund të jetë tërësisht i denjë për t’u besuar; por duhet pranuar se, duke qenë në qendër të konflikteve dhe në një gjendje shumë të veçantë, ai domosdo do jetë i prirë t’i vëzhgojë ngjarjet me një lente zmadhuese. Dhe, për të pasur paanshmëri, çdo njeriu të ndershëm do t’i shkonte mendja, do t’i vinte vetes si detyrë të pyeste edhe palën e kundërt, të shkonte të gjente ndoca nga ata shqiptarët e rreptë për t’u kërkuar sqarime të mëtejshme. Dhe e marr me mend se si ata do t’i përgjigjeshin veglës franko-serbe, konkretisht:

“Kur Nishi, Leskovaci, Vrania dhe të tjera lokalitete, në atë kohë shqiptare, iu dhanë Serbisë (nga Kongresi i Berlinit), kjo principatë, në mënyrë të padrejtë e të urryer shpronësoi dhe dëboi që andej mijëra shqiptarë, pa u njohur këtyre kurrfarë identiteti. Asaj iu lëshua sovraniteti i këtij territori, por askush nuk i shiti të drejtën e pronësisë private të fshatrave dhe tokave që zotëronin shqiptarët. Që nga ajo kohë, serbët, të krekosur, nuk rreshtin duke na thënë çdo ditë dhe hapur se edhe ne, ashtu si bashkëpatriotët tanë të Vranias, së shpejti do t’i aneksohemi Serbisë dhe, ashtu si ata, do të na detyrojnë të shpërngulemi nga vatrat tona. Që tani na shohin si çiban në këtë vend që është i yni dhe ku të gjitha racat e tjera nuk janë veçse shtresa të lehta të mbivendosura nga dyndjet mbi racën e lashtë të vendit, raca shqiptare. Po ne kemi edhe diçka tjetër: jemi duar-artë në punë. Në mbarë Turqinë, madje edhe në Greqi e Rumani, do gjeni muratorë, vreshtarë, ndërtues ujësjellësish, të gjithë shqiptarë myslimanë dhe të gjithë nga Veri-Lindja, nga ai vilajet i Kosovës ku, sipas jush, na punokan vetëm serbët. Por që, të grabitur e të vjedhur një herë, të kërcënuar për të dytën herë, domosdo që shqiptarët realitetin e gjërave e shohim me sy të keq, dhe këtë, ju duhet ta kuptoni mirë; e kur ndoca prej nesh i bëjnë serbët të kalojnë një orë të keqe e të hidhur, – ja një shpagim që e kuptoni mirë përse ju bëhet pikërisht juve.”

Djallëzive të veglës Mallet, u duhen shtuar qarjet e Z. Zinzar Markovitch, kryetar i këshillit të ministrave të Serbisë. Ky burrë shteti, në një bisedë që pati me një redaktor të Neue Freie Presse, ankohet se serbët nuk gëzojnë të drejta të barabarta me ato të shqiptarëve.

Po përse pra u dashka që serbët të gëzojnë të njëjtat të drejta, përderisa në çdo rast që u është dhënë mundësia për ta bërë, ata nuk kanë ngurruar t’i vënë shqiptarët në kushte inferoriteti absolut? Është e drejtë që shqiptarët e Shqipërisë t’i tejkalojnë serbët: kemi të bëjmë me ligjin e reciprocitetit, me drejtësinë e kompensimeve, si e vetmja që mund të kuptohet nga popujt e Ballkanit, të gjithë me mentalitet të kufizuar.

Për më tepër, dhe duke iu rikthyer asaj çka thamë pak më sipër, nuk duhet harruar se është faji i Serbisë nëse serbët ndihen të keqtrajtuar në Shqipëri. Z. Zinzar Markovitch e di këtë më mirë se kushdo.

Kujtojmë me këtë rast atë çka na thoshte një ditë një paraardhës i Z. Zinzar Markovitch:

“Një gabim është bërë nga Serbia, na deklaroi  ai personazh me një çiltërsi që i bën nder atij vetë. Më 189…, në …, i propozova bashkëpatriotit tuaj T. Pasha të vihej në rolin e ndërmjetësit, me pëlqimin e qeverisë turke midis Serbisë dhe shqiptarëve të dëbuar, me qëllim që ai keqkuptim i vajtueshëm të merrte fund, edhe pse Serbisë do t’i duhej të shpenzonte disa miliona për dëmshpërblime. T. vazhdimisht ka frikë, siç e dini, se mos kompromentohet: ai i bëri bisht propozimit”.

Kuptohet që e kemi të pamundur të përmendim emra; sepse do tradhtonim kështu besimin e një bisede private. Atë çka ai njeri i mirë e quante, nëpërmjet një eufemizmi që i falet, “keqkuptim”, është një fakt më se i njohur për të gjithë ata që merren seriozisht me shkaqet dhe zanafillat e konflikteve racore (etnike) në Ballkan.

Me një fjalë – dhe do të flasim për këtë në Shënimet tona të ardhshme – çka do donin një kategori sharlatanësh është thjesht që shqiptarët të rrinë duarkryq dhe moskokëçarës para vërshimit të guximshëm të racave fqinje që po dynden kafshërisht nga tërë anët mbi Shqipërinë, duke e zbukuruar këtë akt të madh banditizmi me emrin “lëvizje emancipuese”.

Sa për Mallet-in e urryer, artikulli i tij i mjeran nuk ka kurrfarë rëndësie. Por më e rëndë këtu është ajo që një revistë si Le Correspondant, themeluar nga një njeri si Montalbert dhe që boton përgjithësisht studime me përmbajtje serioze, vete dhe mirëpret dërdëret e një ish mëndeshe që kërkon t’i vërdalliset (ngathtësisht për më tepër) ish foshnjës së vet të gjirit.

Një nga ata shqiptarë të egër për të cilët flet njëfarë shtypi.

Albania, Viti 7, Shkurt 1903, nr. 2

 

****

SHËNIME POLITIKE 

Po ta mendojmë hollë, tërë zënkat politike rreth të ashtuquajturit problem “maqedon” përmblidhen në një çështje të tipit letrar.

IMG_1352Kur kundërshtari ynë është një fshatar dinak, që ka më shumë ligësi se ortografi (dije), ngathtësia e shkrimit lë të shihen, pa vështirësi, gjithë ndjenjat e urrejtjes që bullgarët e Maqedonisë ushqejnë ndaj popullit shqiptar. Por nëse, në të kundërt, kundërshtari ynë ngjyroset disi me letërsi (nga gazetat), menjëherë egërsia e bullgarëve merr emrin “energji”, etja e tyre prej skllevërish të babëzitur për të sunduar quhet “dashuri për liri” dhe fanatizmi i tyre i shfrenuar prej kandillonaftësh të tërbuar nga dashuria për Perëndinë emërohet, me ton të rëndë serioziteti, “lëvizje emancipuese”.

Përkundër, qëndresa e elementit shqiptar ndaj dyndjes sllavo-tartare – ajo forcë qëndrese epike që përballoi njëpasnjë perandoritë romake, bizantine dhe turke, dhe që do të ishte e denjë për të ngjyrosur penën e një Paul Adami – do të quhet “egërsi”, me një thjeshtësi shpërfillëse.

Ja shtatë vjet që po ndërmarrim në këtë revistë luftën kundër fanatizmit mysliman; jemi përpjekur, të parët ndër shqiptarët, të krijojmë në Shqipëri një rrymë të vazhdueshme dhe të pjekur kundër sundimit turk; dhe çdo herë që paraqitej rasti – e për t’u bindur, mjaft të lexohet pjesa shqipe e koleksionit të Albania-s – kemi marrë anën e mbrojtjes së fshatarit bullgar të Turqisë, i shtypur e i rrënuar pa mëshirë nga xhandari apo funksionari. S’ka pse na hidhet atëherë hije dyshimi për ndonjë angazhim apo pasion meskin tonin.

Por s’ka se si të mos nxjerrim në pah tejkalimin e masës nga ana e bullgarëve kur duan të ngulen në Shqipëri. Shkojnë gjer aty sa pretendojnë se Dibra, domeni i Skënderbeut, ku princi rekrutonte ushtrinë e tij më të mirë shqiptare, na qenka e ashtuthënë Maqedoni, që hajt merre vesh se ç’do të thotë si term! Dhe është për të ardhur keq që injoranca e publikut perëndimor i lejon të tilla paturpësi, që vetë moskokëçarja e fuqive jo sllave i bën të mundura, duke favorizuar krijimin e shkollave dhe të ikonostaseve bullgare në atë pjesë të vendit tonë. Edhe këtu, pa dyshim paskemi të bëjmë me një nga etapat e “lëvizjes emancipuese”.

Deri në njëfarë pike, nuk e kanë gabim kur pretendojnë se shqiptarët janë të egër. Kështu, për të dhënë unë vetë një shembull, ndonëse jam larguar nga Shqipëria që fëmijë dhe kam kaluar më të shumën e kohës në bankat e shkollave se sa shtigjeve të maleve tona, atavizmi i të egrit shfaqet në atë që as unë vetë ende nuk po arrij ta kuptoj se përse na qenka “lëvizje emancipuese” veprimi i futjes së hundës në pjatën e fqinjit. E shoh që është lëvizje, por unë këtë nuk e shoh veçse si një lëvizje harbutërie. Pale që na thonë se në futkan feçkën e tyre në mes të Shqipërisë, ky veprim harbutërie nuk është veçse një akt humanitar e liberal i rëndësisë më të madhe!

Bullgarët le të kënaqen duke u “emancipuar” në atë që ata e quajnë Maqedoni dhe që është një vend mjaft i pasur e i gjerë për të plotësuar tërë ambiciet e tyre, pa ia vënë syrin një pjese të Shqipërisë. Vetëm atëherë ata do fitonin kështu simpatinë e shqiptarëve, një simpati e çiltër dhe e plotë; dhe vetëm atëherë një afrim i tillë, jo artificial por real, do kishte pasoja të pallogaritshme. Mirëpo bullgarët e Turqisë as që pyesin për simpatinë shqiptare: do e shohim për bukuri gjatë konfliktit të ardhshëm serioz.

Po për çfarë pra shqiptarët mund të ankohen? Ja britma e disa njerëzve të guximshëm. Një gazetë franceze e përmbledh me një fjali mendimin e tyre: “Shqiptarët – guxon të shkruajë ajo pa u trembur se mos humbet nderin – janë pothuaj të pavarur; ata gëzojnë tërë liritë”.

Që shqiptarët çdo ditë syrgjynosen, burgosen, vriten se kështu u pëlqen eunukëve turq që i dërgojnë tek ne për të qeverisur; që sundon në krejt Shqipërinë një ndjenjë pasigurie dhe armiqësie sistematike nga ana e turqve; që krejt popullsia shqiptare jeton në mjerim për faj të qeverisë, armike e çdo përparimi e çdo mërgimi, e çdo veprimi frenues tek ne; që, më në fund, moralisht, ne jemi më të pa favorizuarit nga tërë popujt e Turqisë, duke qenë se ne nuk mund të hapim një shkollë apo të prekim një libër shqip, kur ky privilegj u njihet në Shqipëri bullgarëve e serbëve, me një fjalë të gjithë të huajve dhe vetëm të huajve, – ja pikërisht se çfarë nuk duan të kuptojnë kurrën e kurrës.

Një i egër.

Albania, Viti 7, Mars 1903, nr. 3

 

Përgatiti për shtyp e përktheu nga frëngjishtja: M. Maneshi.

Please follow and like us: