Albspirit

Media/News/Publishing

Autoktoninë e shqiptarëve në Maqedoni

Sipas E. Çabejt, vendbanimi i sotëm i shqiptarëve nuk është një trevë ekspansioni, po një trevë restriksioni, përfundim i një ngushtimi të paprerë gjatë historisë shqiptare.

Për vjetërsinë e popullsisë shqiptare në territoret e tyre të sotme, përfshirë dhe Maqedoninë e sotme perëndimore, është me interes ajo që ka thënë N. Jokl për vjetërsinë e popullsisë shqiptare në viset verilindore përreth Nishit.

Sipas tij, në periudhën para ardhjes së sllavëve në rajonin e Nishit, prejardhja toponimike e të cilit nga latinishtja, Naissus është në përputhje me ligjet fonetike të shqipes, ka qenë vendosur një popullsi e afërt në gjini me shqiptarët.

Si provë për vjetërsinë e shqiptarëve në Maqedoninë e sotme është sjellë prej kohësh edhe emri i qytetit të Shkupit. Sipas P. Skokut, shqiptarët kanë ruajtur emrin e vjetër të qytetit të Shkupit sipas ligjeve të gjuhës së tyre. Emërtimi i tyre, Shkup tingull për tingull mbulohet me formën latino-dardane Scupis dhe kurrsesi nuk mbështetet në formën sllave ose trake.

Kështu qëndron puna edhe me emrin Scardus, sot Sharr. V. Tomashek, J. Ivanov, I. Duridanov, St. Mladenov, L. Miletiç, A. Bariç, E. Hamp etj..

Edhe tek emri i sotëm i qytetit të Ohrit (sll.Ohrid) shohin një vazhdimësi të drejtpërdrejtë të trajtës antike Lychnidos me ndërmjetësi të shqipes, me rotacizimin e n-së pas gaturalit në r, karakteristike kjo vetëm për toskërishten.

Për vjetërsinë e vendbanimeve shqiptare në territoret e Maqedonisë së sotme flasin edhe emrat e kështjellave të ndërtuara e të rindërtuara nga Justiniani në Dardaninë antike (Kosovë e Maqedoni perëndimore) që përmend Prokopi i Cesaresë. Emrat që përmenden atje nuk shpjegohen me anë të greqishtes e të latinishtes, kurse disa prej tyre afrohen me fjalë të leksikut të shqipes ose ruajnë gjurmë të një tradite ilire. Të tillë janë Gurason, Gurbikon (Kështjellë pranë Nishit), Genzana, Azeta, Gabulo, Timiana, Berzana etj. Këta emra, A. Meyer i ka përfshirë në listën e emrave ilirë.

Pra, të dhënat onomastike tregojnë se popullsia parashqiptare (ilire) në periudhën para dyndjeve sllave shtrihej, përveçse në viset në breg të Adriatikut (në Shqipërinë e sotme), edhe në viset verilindore e lindore deri në afërsi të Nishit dhe të Shkupit.

Ka edhe emërtime mesjetare shqiptare të periudhës paraturke dhe parasllave në Maqedoni. Ndër të tjera përmendim: Albince, katund në Jakubince, Arangjëll (Arhangel)(= kryeangjëll nga lat.kishtare archangelus), Arbinore, lokalitet i rrethit të Ohrit (dokumentuar më 1589), Arnavud, lagje shqiptare në qytetin e Kërçovës (shek.XV) etj.

Dokumente historike të pakundërshtueshme dëshmojnë praninë e popullsisë shqiptare në krahinat perëndimore të Maqedonisë së sotme edhe në shek XIII-XIV.

Në shek XIV flitet për shqiptarë dhe vllehë, si dhe për tufa të tyre në rrethin e Pollogut. Stefan Dushani dhe Uroshi ja dhanë përfundimisht Manastirit të Tetovës krahinën pranë Novi Dolit. Themeluesit kishin shënuar se atë nuk mund ta përdorin as tagërmbledhësi i krahinës, as vllehët, as shqiptarët.

Shqiptarët përmenden si popullsi e vendosur (jo shtegtare) e Pollogut në shek. XIV.

Në regjistrin e pronave të Manastirit të Tetovës njoftohet edhe për njëfarë Progon-i, i cili kishte marrë si pronë në mënyrë të ligjshme Pleshën e Tetovës që i përkiste këtij manastiri. Këtë emër Progon, me sa duket, e mbante një shqiptar.

Sipas Selishevit, edhe në shek. XV ka njoftime për shqiptarë jo shtegtarë në Pollog.

Edhe K.Taliavini ka pranuar që dokumente historike të padiskutueshme i përmendin shqiptarët si frekuentues të pazarit të manastirit të Shën Gjergjit pranë Shkupit. Ai përmend një dokument të mbretit të Serbisë, Stefan Urosh Milutin ku shkruhej se: “Në kohën e mbretit Milutin (1282-1321), në panairin e vjetër të Shën Gjergjit, që zgjaste 8 ditë, ndër të tjerët edhe shqiptarët duhej t’i paguanin igomenit doganën e ligjshme”.

Edhe historiani maqedonas, Aleksandër Stojanovski pranon ekzistencën e popullsisë shqiptare në Maqedoninë Perëndimore para pushtimit turk, çka për nahijen e Kërçovës provohet edhe nga Regjistri turk i shek. XV. Sipas këtij Regjistri, një nga tri mehallat e Kërçovës mbante emrin Arnautsko, ku janë regjistruar emra shqiptarë si këto: Gjon, Martin, Progon, Gjergj, Gjin, Arnaut.

Defterët turke të Maqedonisë si edhe dokumente të tjera sllave-bizantine dëshmojnë se shqiptarët përmenden, përveçse në territoret e tyre të sotme në Maqedoni, edhe në shumë vendbanime e krahina të tjera si Nahija e Mariovës, e Velesit, e Poreçës, e Manastirit etj.

Këtu duhet shtuar se edhe në kohën e Skënderbeut, kufiri i principatë së Kastriotëve shkonte deri në afërsi të Gostivarit.

Të gjitha këto na shtyjnë të pranojmë se popullsia shqiptare vazhdonte të jetonte në Maqedoninë perëndimore edhe në shek. XIII. Këto të dhëna kundërshtojnë pikëpamjet e studiuesve serbë ose maqedonas, po edhe të atyre të Akademisë së shkencave të Maqedonisë, që mendojnë se shqiptarët e Maqedonisë Perëndimore janë kolonë jo të hershëm që kanë ardhur në shek.XVII-XVIII-XIX.

Edhe K.Tagliavini insistonte për praninë e shqiptarëve si vazhdim i pandërprerë i popullsisë së hershme iliro-shqiptare në Maqedoni në shek. XIV, duke shtuar që gjatë sundimit turk Maqedonia në turqishte quhej Arnavutlluk dhe banorët e saj Arnavutllar (Tagliavini, 1942, 14).

Këto pikëpamje gjejnë mbështetje edhe nga të dhënat gjuhësore e dialektologjisë historike shqiptare. Së pari, në territorin ku shtrihen të folmet shqipe të Maqedonisë, kalon kufiri që ndan dy dialektet e shqipes si vazhdim i natyrshëm dhe i drejtpërdrejtë i kufirit të dy dialekteve të shqipes brenda territorit të Republikës së Shqipërisë. Pra në jug të Strugës kalon kufiri që ndan të folmet gege të Maqedonisë perëndimore të sotme nga të folmet toske, çka tregon që të folmet shqipe të Maqedonisë perëndimore të sotme kanë marrë pjesë drejtpërdrejt dhe në mënyrë të natyrshme në ndarjen dialektore të shqipes në gegërishte dhe toskërishte. Në të mirë të kësaj flet edhe fakti tjetër që në zonën e Strugës, në territorin ndërmjet dy dialekteve të shqipes ndeshen edhe të folme të ndërmjeme ose kalimtare (e folmja e fshatrave Frengovë, Kalishtë dhe Radonishtë të Strugës). Pra në territorin poshtë Strugës kalimi nga njeri dialekt në tjetrin bëhet shkallë-shkallë, çka flet për vjetërsinë e pranisë se dy dialekteve të shqipes në këto territore.

Në një rast tjetër ne besojmë se kemi provuar se kjo ndarje është parasllave, kështu që edhe kufiri ndërmjet të folmeve gege dhe toske në Maqedoninë e sotme perëndimore është i kësaj periudhe.

Së dyti, të folmet gege të Maqedonisë, që shtrihen deri në rrethinat e Shkupit në lindje dhe deri në Strugë në jug, formojnë një njësi dialektore më vete brenda gegërishtes së bashku me të folmet që shtrihen brenda kufirit politik të Shqipërisë deri në luginën e Drinit të Zi. Ato i përkasin grupit lindor të gegërishtes qendrore, kanë pra tiparet e dialektit të Veriut ose të gegërishtes në përgjithësi dhe tiparet e gegërishtes qendrore në veçanti, si edhe disa tipare karakteristike të veçanta që e dallojnë si njësi dialektore më vete brenda gegërishtes qendrore.

Kjo tregon se të folmet shqipe të Maqedonisë kanë marrë pjesë drejtpërdrejt dhe në mënyrë të natyrshme në zhvillimin historik të strukturës dialektore të shqipes në përgjithësi dhe të gegërishtes në veçanti si pjesë përbërëse e pandarë e tyre. Pra, të folmet gege të Maqedonisë së bashku me të folmet brenda kufirit politik të Shqipërisë deri në Luginën e Drinit të Zi, formojnë një njësi dialektore më vete brenda gegërishtes dhe kanë disa tipare dalluese që i veçojnë nga të folmet e gegërishtes veriore dhe jugore.

Ne mendojmë se fakti që të folmet shqipe të Maqedonisë kanë marrë pjesë drejtpërsëdrejti dhe në mënyrë të natyrshme në zhvillimin historik të strukturës dialektore të shqipes, është një provë tjetër e rëndësishme e vjetërsisë së popullsisë shqiptare të Maqedonisë në këto territore. Kështu që janë pa baza pikëpamjet që i shohin këto të folme si rezultat zgjerimesh ose kolonizimesh të reja. Janë pra jo bindëse, madje tendencioze pohimet e bëra se shqiptarët e Maqedonisë së sotme janë kolonë jo të hershëm që kanë ardhur në shek. XVII-XVIII deri në fillim të shek. XIX.

Analiza që u bë këtu, po edhe të dhëna të tjera historike e gjuhësore, që nuk qe e mundur të paraqiten këtu, mendojmë se vërtetojnë praninë e pandërprerë të shqiptarëve në territoret e tyre në Maqedoninë e sotme perëndimore.

Bahri BECI*
*Autori është ish-drejtor i Institutit të Gjuhësisë

Please follow and like us: