1.4 milionë portale dhe vrulli për përçmim
Përdorimi popullor i internetit në Shqipëri, në 10 vitet e fundit është katërfishuar, duke arritur një përhapje në nivelin 66% të popullsisë, referuar statistikave të InternetWorldStats. Kjo përhapje është mbi mesataren botërore të përhapjes së internetit në popullsi, 51%, por nën mesataren e kontinentit evropian, që është diçka mbi 80%. Kjo na rendit në vend të 46-të, nga 53, në renditjen europiane. Një statistikë tjetër, ajo e përhapjes së medias sociale “Facebook” ndër përdorues të internetit, na nxjerr të njëmbëdhjetët në nivel evropian, me një përhapje 72%, që rezulton si pasojë e pranisë së rreth 1.4 milionë llogarive të regjistruara në “Facebook” prej Shqipërisë, ku kanë akses në internet rreth 1.9 milionë banorë. Përpara nesh, duke hequr disa vende ishullorë, si Islanda, Malta, Qipro, Ishujt Man etj., vendet e tjera që na e kalojnë janë Turqia, Bullgaria dhe Mali i Zi. Gjermania sipas këtij indeksi është në vend të 44-rt! Përtej indeksit të “Facebook”-ut, një indeks tjetër me rëndësi për teknologjinë e informacionit është Indeksi i Gatishmërisë së Rrjetit (gjendet në botimin vjetor Raporti Botëror për Teknologjinë e Informacionit, i Forumit Ekonomik Botëror), i cili mat kapacitetin e përdorimit të teknologjisë së informacionit nga një vend për të rritur mirëqenien dhe konkurrueshmërinë. Indeksi nxirret nga të dhëna që nisin nga kuadri rregullator, tek angazhimi i trinomit qeverisje-biznes-publik, te roli ekonomik që ka teknologjia e informacionit në vend. Për vitin 2016, Shqipëria në rang botëror renditet në vendin e 84-rt (nga 139 vende të shqyrtuara). Maqedonia dhe Mali i Zi, respektivisht renditen në vendet 46 dhe 51. Gjermania në vendin e 15-të!
Ajo se çfarë faktojnë këto tri indekse është pohimi i thjeshtë se, pavarësisht se si popull kemi një qasje krahasimisht të mirë në teknologjinë e informacionit, e përdorim shumë pak atë për t’ia bërë vetes jetën më cilësore në aspektet thelbësore të saj, siç janë zhvillimi ekonomik, punësimi, edukimi etj., dhe e përdorim shumë atë për arsye jothelbësore, siç janë komunikimi informal dhe rrethanor. Kurrsesi nuk mund të nënvlerësohet shërbimi që sjellin mediat sociale, si “Facebook”-u, për të mbajtur komunikim me të afërm e miq që nuk ke mundësinë t’i takosh sa herë ke dëshirë, por tashmë është e mirëpranuar botërisht se publiku në pjesën më të madhe të kohës i përdor mediat sociale më së shumti për qëllime të ndryshme nga ai i heqjes së barrierës së largësisë në komunikimin me të dashurit.
Kështu, përdorimet e mediave sociale, e më gjerësisht aplikacioneve ndërvepruese të internetit, shkojnë nga vëzhgimi e shkëmbimi i informacionit informal ndërmjet rrethit shoqëror virtual ose me vetveten, te shfrytëzimi i lehtësisë për t’u bërë pjesëmarrës në debate e evente publike, qoftë edhe në anonimitet. Në këtë (sh)përdorim të fundit duket sikur shkëlqejmë! E më keq akoma, është e habitshme se sa rritet fluksi i përdorimit të internetit nga ne, kur si levë komunikimi është përçmimi. Nëse shqyrtohen “lajmet”, ose bocetat e informacionit, të publikuara në një ditë në portalet mediatike shqiptare, është pothuajse e sigurt që lajmet që do përcjellin njëfarë përçmimi do tërheqin më shumë vëmendje, dhe gjithashtu do të prodhojnë një efekt reaksioni zinxhir, ku përçmuesit e parë do vijojnë të përçmohen nga përçmues të tjerë derisa të ketë një farë lodhjeje virtuale, e më pas përçmues në dukje të parë asnjanës do japin verdiktin-përçmues final. Nga ana tjetër, mungesa e qëllimshme e përgjegjësisë redaksionale për të ruajtur njëfarë standardi qoftë dhe semantik, pasi përçmimi shet edhe më shumë, e favorizon debatin e mbrapshtë e të pavlefshëm derisa palët të kenë thënë gjithçka kanë për të thënë, pa kufizim. Si përfundim, redaksia fiton vëmendje pa ndonjë mundim, ndërsa publiku në rastin më të mirë keqinformohet, e në rastin më të keq përçahet, sidomos kur objekt përçmimi bëhen çështje që i interesojnë një pjese të zgjeruar të publikut.
Rasti më i fundit ishte “mbulimi” i supozuar me dashje i Skënderbeut nga ana e besimtarëve myslimanë të cilët do kryenin një rit fetar në sheshin “Skënderbej”. Kundërshtarët e “mbulimit” përçmuan myslimanë e islam, dhe i shpallën antikombëtarë, ndërsa pjesa radikale e islamit shqiptar mbështeste “mbulimin” me argumente të cilat ushqenin më shumë përçmimin nga pala pararendëse. Në të vërtetë, i gjithë debati ishte një furtunë në gotë uji, pasi zëri më përfaqësues e më autoritar i komunitetit mysliman në Shqipëri, kurrsesi nuk kishte dhënë asnjë shenjë për cenim të monumentit të Heroit Kombëtar, përkundrazi, në fjalën përshëndetëse të mbajtur disa metra përpara Skënderbeut, bëri thirrje për dashuri, shpresë e paqe, dhe kurrsesi për konflikt, përçarje e urrejtje. Por problemi nuk qëndron te mospublikimi i këtij mesazhi autoritar, pasi një gjë e tillë ndodhi, e kurrsesi s’ka se si të mos ndodhte. Gjithashtu, nuk ka vend as për dyshim për vërtetësinë e atyre fjalëve. E s’ka se si të jetë ndryshe! Problemi qëndron te vrulli e gatishmëria për përçmim të dyanshëm. E gjithashtu edhe te papërgjegjshmëria redaksionale e mediave tona që nuk ushtrojnë kurrfarë roli qetësues në të tilla debate virtuale. Së pari, të gjithë duhet ta kuptojmë se në një shoqëri të së drejtës dhe të hapur nuk mund të homogjenizohet mendimi, e aq më pak mendimi për një figurë historike, sado e rëndësishme qoftë ajo. Gjithnjë do jenë të pranishëm zëra radikalë nga shtresa shoqërore të ndryshme. Alternativa e kundërt, ka vdekur zyrtarisht përpara 27 viteve, sa për rikujtesë! Myslimanët tanë me pikëpamje radikale, sado që një pjese të madhe prej nesh s’na pëlqen çfarë thonë, janë tanët. Dhe, këtu, gjëja më e mirë çfarë bëjnë është që na e thonë çfarë mendojnë! Do ishte shumë më shqetësuese sikur të bëheshin aq shumë radikalë sa të mos shpreheshin fare, e sidomos sikur të mbylleshin në vetvete e të mendonin të bënin ndonjë çmenduri! Nga ana tjetër, pavarësisht se përçmimi një pjese i errëson sytë, radikalët tanë nuk na përçmojnë edhe aq shumë, dhe gjithashtu Skënderbeun thellë-thellë nuk e përçmojnë dhe aq, ose më saktë është e pamundur të mos e çmojnë, pikërisht se figura e tij ka frymëzuar ndër shekuj bashkëkombësit e tyre në krijimin dhe ruajtjen e një vendi me rend e kulturë bashkëjetese ku radikalët jetojnë e shprehen lirisht.
Përkundruall të dyja palëve, redaksitë mediatike duhet të kuptojnë se gazetaria që mbështetet në shfrytëzimin e debateve të kota e të ushqyera nga përçmimi, nuk është një model jetëgjatë. Modeli i gazetarisë ose më saktë i mediumit që shfrytëzon ekseset publike për të tërhequr vëmendje, është i njohur, dhe në vende me traditë më të gjerë në këtë fushë, ky model mediumi është i diferencuar nga gazetaria klasike, për shkak se e dëmton atë. Ky model ka dëmtuar dhe gazetarinë shqiptare, përderisa portale të vetëshpallura gazetareske krijohen dita-ditës me lehtësi dhe kthehen në konkurrentë të fortë në aspektin e vëmendjes që tërheqin, edhe me mediat që kanë prezencë shumëvjeçare në treg/rrjet. Mungesa e profesionalizmit redaksional në servirjen e informacionit te publiku pa kurrfarë filtri e përpunimi, e sidomos rendja pas scoop-it të momentit ul besueshmërinë e medias dhe largon ndjekësit/lexuesit tradicionalë të saj. Tërheqja e lexuesve emocionalë, përkundrazi, është afatshkurtër, e që zgjat po aq sa vonon shpërthimi përçmues i radhës. Gazetaria nuk duhet të tërhiqet nga thjeshtësia e të bërit lajm nëpërmjet përcjelljes së mesazheve subjektive, pasi kjo e bën rolin e gazetarit të panevojshëm, sidomos duke marrë parasysh zhvillimet e teknologjisë së informacionit, që mundësojnë këdo të shprehet e të arrijë audiencë pa nevojën e mediumeve tradicionale. Gazetaria shqiptare duhet të përpiqet të rigjejë rolin e vet, duke marrë parasysh se përballë ka të paktën 1.4 milionë konkurrentë. Promovimi i përçmimit, kurrsesi nuk mund të jetë një faktor suksesi në këtë proces.