Tri poezi nga Viron Kona
Në respekt dhe nderim të prindërve
Rrobaqepësi
(Kushtuar babait tim rrobaqepës Toli Kona, të njohur në Vlorë me emrin “Usta Toli”(1898-1977)
Të përqendruar familjarisht te Sanremo, 1)
që ishte i ndaluar, s’lejohej ta shikonim,
babai shihte me vëmendje dhe me ngulm,
spikerët italianë që festivalin prezantonin.
Shihte Pippo Baudon dhe s`ia ndante sytë 2),
kostumin dopjopetë që pas trupit i shkonte,
pastaj vështrimi i tim ati rrëshqiti tek unë,
për kostumin shik diçka nisi t`më thoshte:
“Ç’kostum i shkëlqyer, ç’prerje, ç’qepje!
me jakë të hapur, i ri i derdhur në trup,
i lumshin duart rrobaqepësit italian,
zanatçi i mbaruar për t’u pirë në kupë!
Bukur dhe mëngët e kthyera me butona,
kravata flakëruese dhe jeleku ngjyrë gri,
xhaketa me klasë dhe me dopjo kopsa,
shamia, në xhepin e zemrës, i jep hijeshi. 3)
E shikon, or bir, veshja e njeriut është art,
rrobaqepësi i vërtetë nuk qep por pikturon,
nuk besoj se po bëj ndonjë gabim apo faj,
kur lëvdoj zanatçiun që e kemi gjitonë!?
1). Sanremo, bëhet fjalë për Festivalin e Sanremos. Në vitet e diktaturës komuniste në Shqipëri nuk lejohej të shihej TV Italian, ashtu si dhe televizione të tjera perëndimore. Megjithatë, në Shqipëri dhe, veçanërisht në Vlorë, festivali ndiqej nga populli në forma dhe mënyra të ndryshme klandestine. Improvizoheshin sidomos antena të tipit “kanoçe”…
Sanremo,(San Remo) është qytet në Italinë Veriore, i famshëm për lulet, por edhe port peshkimi…Në Sanremo zhvillohet festivali i njohur i këngës italiane“Festivali i Sanremos” ku konkurrojnë këngëtarë nga më të njohurit e Italisë..
2). Pippo Baudo, moderator historik, ikonë e TV Italian (lindi 1936).Që nga viti 1968 prezantues i famshëm i Festivalit të Sanremos, por ai ka drejtuar edhe një numër të madh spektaklesh të suksesshme mes të cilave edhe “Domenica In”. Ka ardhur dy herë në Shqipëri i ftuar në koncerte nga këngëtari, kantautori, producenti dhe prezantuesi i suksesshëm Ardit Gjebrea. Pippo Baudo u befasua kur pa se sa shumë i njohur ishte në Shqipëri…
3). Shamia e xhepit është një copë pluhur, e cila futet në xhepin e zemrës së xhaketës dhe i jep pamjes së mashkullit më shumë klasë dhe elegancë,ajo nuk del kurrë nga moda.
Kostumi i bariut
Disa ditë babai punoi me kostumin e bariut,
kishte merak që puna t’i dilte pa të metë,
prerja, qepja, jaka, beli, pullat dhe penjtë,
s`e prishte kurrë dorën, donte t’flinte i qetë.
“Aman, usta Toli! – i tha një mik i shtëpisë,
po ia qep sikur Llazi do t’punoj në qeveri`,
ai gjithmonë me dhenë e me dhi do të jetë,
sido që t`ia presësh e qepësh kostumin ti!”
Babai shkëputi vështrimin nga kostumi,
dhe iu kthye mikut me qortim në sy:
“Po të flet gjuha para mendjes, o Miti,
te puna e çdo ustai është dhe emri i tij.
Për mua çdo klient është i nderuar,
nuk bëj dallim në është bari a zotëri.
Bariu përgjigjet për dhenë e për dhi,
për kostumin unë, rrobaqepësi i tij!”
Everesti dhe ti
Kur e shikon Everestin nga larg,
madhështor që lartësohet te retë,
thua se lehtë mund t`i ngjitesh,
mjafton pak dëshirë dhe vullnet.
Mendon kështu se nga largësia,
s`ia ndjen stuhitë dhe erërat,
syri t`i rrafshon shkëmbinjtë,
t`i zhdukë rrëpirat, humnerat.
Mendon se s`do t`ndjesh lodhje,
se i ftohti s`do t`jetë aq i madh,
lartësive do t`u ngjitesh me qejf,
si një marshim argëtues në mal.
Mendon se edhe kur të lodhesh,
do pushosh dhe do freskohesh,
po të vijë ndonjë stuhi dëbore,
brenda çadrës do të mbrohesh.
Mendon se kur ajri t`rrallohet,
maskë oksigjeni do përdorësh,
por dhe pak fërkim e aspirinë,
kur të kapin dhembjet e kokës…
Ca si lehtë po e merr këtë punë,
të nevojitet informacion shtesë,
se si mund të ngjitesh në Everest,
Edmund Hillarin dhe Norgein pyet. 1).
1). Edmund Hillary(neozelandez) dhe Tenzing Norgay (nepalez), dy njerëzit e parë që më 29 maj të vitit 1953 iu ngjitën majës Everest (Xhomolungma) e cila shënon majën më të lartë të tokës, mbi nivelin e detit 8.848 metra