Luan Rama: Petraq Risto me vargjet e tij trazon oqeanet
LUAN RAMA, (Nga parathënia e botimit të librit “I hidhur mjalti i varreve” Francë, 2009:
…Ndër poetët bashkëkohorë shqiptarë, ky poet na vjen me një mision të ri, ashtu siç vinte Rembo në kohën e tij me “letrat e Profetit” për të bërë një poezi moderne, krejt të re, për një kohë tjetër. Dhe për të bërë këtë, për të ndjekur shembullin e “letrave të Profetit”, Petraq Risto me vargjet e tij trazon oqeanet, zbret dhe ngrihet nga varret, duke pohuar me forcë dhe me zë të lartë atë që kërkonte dikur Rembo: “të jesh modern!” Dhe kjo, sepse jetojmë në një kohë moderne, brenda së cilës kërleshen halle tokësore, gëzime e tragjedi, apo ajo që shprehet nga ky poet brenda një neologjizmi të ri që zbërthen dhe tendencën e vërtetë të tij: “Hallelulja”. Një neologjizëm që formohet nga dy fjalë, “halle” (çka lidhet me dramën e përditëshme njerëzore) dhe “lulja”, (atë ç’ka të brishtë jeta, lumturia, miqësia dhe dashuria jonë). Vargu i tij është i vërtetë dhe tronditës njëkohësisht.
«Mbylla sytë e një të vdekuri dhe drita e njomur nga lotët më bëri alkimist».
Jeta e sotme shqiptare ngërthen paradokse të mëdha. Miku im Petraq Risto, që nuk harron t’i rikthehet dhe ritit sokratik, e di se që të ecësh në shtigjet e hapura të Rembo-së, në shtigje drejt së resë dhe modernitetit, nuk është e lehtë. Por poeti e ka “vjedhur tashmë zjarrin”. Ai do të ngjizë fjalë me të që të ngrohë shpirtra njerëzore. Ai pranon madje të jetë dhe banor i Purgatorit nëse arrin të mposhtë krimin, gënjeshtrën, privimin e lirisë:
“Njohu zakonin e lashtë të bletëve: nuk kullosin në lulet natyrale të varreve
ngaqë mjalti i varreve është i hidhur.”
Po, ky poet e njeh traditën e lashtë të bletëve. Ai e di si kërkohet poleni për të bërë mjaltin e poezisë…