Albspirit

Media/News/Publishing

Nacionalisti i vrarë nga Hoxha që kryesoi Konferencën e Pezës

Një nga ato familjet e mëdha shqiptare që kanë nxjerrë personalitete nga gjiri i tyre është edhe ajo e Çobajve  të Shkodrës. Në vite e madje në shekuj nga kjo derë pati mjaft të mëdhenj, emrat e të cilëve dalin në kanalet historike të Shkodrës. Që nga emri i Ejll Çobës, Ndoc Çoba, Gjon Çoba deri te sot tek një ndër femrat më të angazhuara në politikën aktuale të vendit Jozefina Topalli (Çoba). Emri i Ejll Çobës (senior) figuron në listën e anëtarëve të Dhomës të Tregtisë, dhe ishte ndër drejtuesit e Odës të Tregtisë ndërsa është ndër shqiptarët e paktë të dekoruar nga Perandori Austro-Hungarez Franc Jozefi. Figura e Ndoc Çobës zë vend të nderuar në aktivitetin politik e shoqëror të gjysmës së parë të shekullit XX. Mbasi kryen studimet e larta për ekonomi, në Venedik inkuadrohet në lëvizjen kombëtare. Pati një korrespondencë të pasur me patriotët që jetonin e punonin në Shqipëri e jashtë saj, dhe shkroi mjaft artikuj në shtypin evropian. Më 1908 është kryetar i klubit “Gjuha Shqipe”, ku sekretar ishte At Gjergj Fishta. Në vitet 1909-1910 është drejtor i përgjithshëm i doganave shqiptare, pasi mbante gradën e doktorit të shkencave ekonomike. Më 1918 merr pjesë në kongresin e Durrësit duke luftuar për mbrojtjen e kufijve politikë të Shqipërisë të vitit 1913. Ishte përfaqësues i Shkodrës në Kongresin e Lushnjës në vitin 1920 dhe në qeverinë që doli nga ky kongres mori detyrën e Ministrit të Financave. Në këtë kohë ndërmori reforma financiare të panjohura më pare në Shqipëri, siç ishte ajo e forcimit të arkës së shtetit përmes huasë shtetërore në popull. Sipas nipit të Ndoc Çobës, i cili ka trashëguar emrin e gjyshit të tij dhe jeton aktualisht në Shkodër, deri pak kohësh në shtëpinë e tyre ruhet një fletore regjistër financiar i kësaj periudhe, kur financa shqiptare drejtohej nga Ndoc Çoba. Botoi gazetën “Ora e Maleve”. Në vitet 1928-1936 është kryetar i asamblesë bashkiake të Shkodrës. Është kryetar i bashkisë Shkodër nga 27.08.1937 e deri 24.06.1939. Nuk u pajtua asnjëherë me pushtimin fashist të Shqipërisë. Së bashku me figura të njohura të kohës si Ymer Dishnica, Mustafa Gjinishi etj., organizon Konferencën e Pezës më 16 shtator 1942. Për organizimin e saj, ndihmon dhe djali i tij Karlo Çoba, i cili duke qenë i diplomuar në perëndim për jurist e ekonomi punonte në administratën shtetërore të kohës. Ndoc Çoba ishte drejtues i Konferencës së Pezës me qëllimin e bashkimit të gjithë forcave antifashiste. Menjëherë pas konferencës së Pezës, Ndoc Çoba internohet nga fashistët italianë në Ventotenë, në Bergamo të Italisë. Shpëton falë kapitullimit të Italisë dhe kthehet në atdhe ku vazhdon të punojë si nacionalist. Kështu shkon në Zall – Herr dhe drejton kongresin e Lëvizjes së Legalitetit. Pas çlirimit të vendit, arrestohet nga komunistët dhe pse ishte në moshë të thyer. Vdes nga torturat në hetuesi në mars të vitit 1945. Bashkëshortja e Ndoc Çobës, Shaqe (Marije Çoba), ka qenë një ndër gratë e dalluara për atdhetarizmin e saj, luftën për mbrojtjen e trojeve nga copëtimi dhe emancipimin e gruas shqiptare. E arsimuar në Zagreb të Kroacisë dhe në Itali, në vitin 1920, e përkrahur mjaft nga bashkëshorti i saj Ndoci, ajo krijon komitetin “Gruaja Shqiptare” ku së bashku me gra të tjera intelektuale shkodrane grumbullonin në popull ndihma për ushtrinë kombëtare që luftonte për ruajtjen e trojeve shqiptare nga copëtimi, siç ishte Lufta e Koplikut. Ndihmesa e saj shtrihej dhe në spitale. Nga nëntori i vitit 1920 e deri në korrik 1921 boton revistën Gruaja Shqiptare, në nëntë numrat e së cilës publikoheshin ndihmat e familjeve shkodrane për luftëtarët e lirisë si dhe trajtoheshin probleme të tjera shqetësuese të jetës së gruas, si roli i saj për zhvillimin e përparimin e shoqërisë, respektimi i të drejtave e lirive të saj, edukimi e arsimimi i fëmijëve, veçanërisht vajzave, edukimi me ideale kombëtare dhe me virtyte mirësie, etj. Revista u përhap dhe në Tiranë dhe në qytete të tjera të vendit. Shaqe (Marije) Çoba, më 10.11.1937 bën një riorganizim të shoqatave të grave në nivel kombëtar me pjesëmarrjen e 150 grave, me objektiv luftën kundër zakoneve të vjetra, analfabetizmit, përmirësimin e veshjeve të grave, mbrojtjen e shëndetit të nënës e fëmijëve, etj. Familja Çoba disponon dokumente të aktivitetit të saj, të cilat janë ruajtur me kujdes, madje dhe në formë ditari prej saj deri në vitin 1954 kur dhe vdiq, e më pas nga pasardhësit. Të tjerë figura të njohura të kësaj familjeje janë dhe Lec Çoba dhe Ejll Çoba Junior zëvendësministër në vitet 1933-1934. Një vend të veçantë në dinastinë e ndritur të kësaj familjeje zë dhe Dom Ernest Çoba, i njohur për kontributin e tij në meshtari. Dom Ernesti në vitin 1951 u zgjodh famulltar i Shkodrës, ndërsa në vitin 1952 u shugura ipeshkv dhe vazhdoi si ordinator i arkidioqezit të Shkodrës deri në supriminin e kishës në 1967. Pikërisht në kohën kur në Shqipëri ishte rrezik të ishe i lidhur me fenë, Dom Ernesti mbante mbi supe peshën e të qenit klerik dhe drejtues i fesë në Shkodër. Për shumë vite ishte ndërmjetës dhe ndërlidhës i Selisë së Shenjtë me Shqipërinë, çka do të ishte edhe pretekst që do të çojë drejt hekurave Dom Ernesitn, i cili arrestohet më 18 mars 1967. Vdiq në qelitë e hetuesisë pas vuajtjesh e torturash të shumta. Në librin “Çinarët”, të shkruar nga një prej klerikëve shqiptarë të persekutuar At Konrrad Gjonajt, autori shprehet për Dom Ernest Çobën: “Imzot Ernesto Çoba e mori drejtimin e kishës në kohën ma të zezë dhe më të vështirë. Kaloi jetën i suevejuar, i ndjekur, i përbuzur, pasi ishte mjedis telashesh, që nuk do të mbaronin kurrë. Me qeverinë mbante marrëdhënie korrekte zyrtare. Ishte i thjeshtë, i ndershëm e gojëmbyllur. U arrestua dhe u torturua nëpër qelitë e burgjeve deri sa vdiq në duart e persekutorëve. Sipas tregimit të një radilogu në spital, një ditë patën ardhur dy oficerë me një thes në radiologji. E hapën thesin dhe nxorën një njeri që dukej si fëmijë me fytyrë të plakur. I kërkuan t’i bëhej radiografia. Radiologu kërkoi t’i shënonte emrin në fillimin e radiografisë dhe pas hezitimesh, duke u bindur se ishte një rregull që nuk përjashtonte askënd, ato i tregojnë emrin e të sëmurit, Ernest Çoba. “Persekutimi ndoqi pas 1944 dhe të tjerë pjesëtarë të kësaj familjeje. Juristi Ejll Çoba, u dënua fillimisht me vdekje pastaj me burgim të gjatë. Karlo Ndoc Çoba, u arrestua disa herë dhe i dënua me burgim dhe 5 vjet internim politik. Dëmtime të shumta pësuan dhe pronat e Çobajve, pas ardhjes në pushtet të komunistëve. Vetëm Ndoc Çobës, sipas nipit të tij me të njëjtin emër, iu morën 4 shtëpi, tre në rrugën Tre Heronjtë dhe një tek ish restorant Shkodra. Po kështu, shteti u mori mjaft toka bujqësore, shtëpi e magazina në Shkodër e Tiranë, të cilat ishin pronë e kësaj familjeje. Çobajt në Shkodër njihen dhe për kontributin e tyre intelektual. Kështu, në vitin 1878, në shtëpinë Kolë Çobës në Shkodër kishte piano, ndërsa fëmijët e tij ndiqnin konservatoret italianë për muzikë. Një trashëgimtar i denjë i artistëve të kësaj familjeje është dhe dirigjenti e kompozitori i njohur shkodran Zef Çoba. Ai ka kompozuar gjini të ndryshme muzikore ku dallohen kompozimet vokale si dhe ato për filma e teatër, ndërsa ka krijuar dhe këngë të reja qytetare shkodrane”.

Please follow and like us: