Albspirit

Media/News/Publishing

Dr. Klementina Shiba: Liria e shtypit, një dimension demokracie

Shpesh del në diskutim në mjediset akademike, institucionale, por edhe qytetare niveli i lirisë së shprehjes për rëndësinë në funksionimin e demokracive, por edhe të jetës së komuniteteve. Që në vitet 1700, Volteri do të deklaronte se “edhe pse nuk ishte dakord me idetë e dikujt, do të rrezikonte jetën për të drejtën e shprehjes së tyre”, gjë që tregon se sa e rëndësishme ka qenë kjo e drejtë për njerëzit me vizion të qartë për të drejtat e njeriut dhe për sigurinë e përfitimeve që merrte shoqëria me aplikimin e këtyre të drejtave. Në fjalorin filozofik, që më 1764 thuhet: “…ne kemi të drejtën natyrale të perdorim stilografët tanë dhe gjuhët tona, rrisqet dhe sakrificat tona”. Vihet re qartësisht, shumë herët, është vlerësuar rëndësia e lirisë së shprehjes, duke e konsideruar, këtë të fundit, si një nga parimet themeltare të sistemeve demokratike që bazohen mbi lirinë e opinionit, lirinë e mendimit dhe të të shprehurit dhe se antiteza e saj është censura. Për Kantin, liria e të shprehurit kushtëzon totalisht lirinë e të meduarit. “Sigurisht, thuhet se liria e të folurit ose të të shkruarit mund të na mohohet nga një pushtet superior, por absolutisht jo ai i të menduarit. Megjithatë çfarë vlere do kishin përmasat dhe drejtësia e mendimit tonë, nëse nuk mendojmë, në një farë mënyre, në komunitet, me ata që ne do t’iua komunikojmë mendimet tona dhe që do na komunikojnë të tyret”. Pra një pushtet i jashtëm që privon njerëzit nga liria e komunikimit në publik të ideve të tyre, iu heq atyre edhe lirinë e të menduarit .
Shtypi, pa dyshim, është ai mjet që i jep mundësinë lirisë së mendimit që të shprehet në një nivel profesional dhe me një interes qytetar me të drejtë. Shumë herë Thomas Jefferson do të deklaronte se do të preferonte të jetonte në një vend, pa qeveri po jo në një vend pa gazeta. Në ditët e sotme rëndësia e ekzistencës së shtypit dhe e lirisë së tij është e padiskutueshme. Por liria pa kufi është liri që nuk i shërben askujt, si rrjedhim Liria dhe Përgjegjësia është e nevojshme të shkojnë bashkë. Shumë shpejt shtypi u konsiderua si një rrjet kolektiv i krahasuar me postën apo hekurudhën. Në nenin 11-t ë të “Deklaratës të të Drejtave të Njeriut dhe të Qytetarit” të vitit 1789 në Francë deklarohet: “Komunikimi i lirë i mendimeve dhe i opinioneve është një nga të drejtat më të çuara të njeriut. Çdo qytetar mund të flasë, të shkruajë, të hedhë në shtyp lirisht mendimet, por edhe të përgjigjet për çdo abuzim të kësaj lirie në rastet e përcaktuara nga ligji. Shtypi është tribuna e popullit, pushteti i katërt, depozituesi i lirive tona publike… atë që profesorët e popullit bënin për Athinën në epokën e Sokratit dhe të Platonit, shtypi e bën sot për popullin”. Në rrjedhën e historisë së bërjes së ligjeve të kësaj demokracie të vjetër dhe të konsoliduar, ligji i 16 korrikut 1871 me Komunën e Parisit dhe Ligji i 1876 me Republikanët në pushtet, që me fillimin e negociatave me palën konservatore vendosën një “rend moral”, disa pika, kufij që nuk duhen shkelur. Ligji i 29 korrikut 1881, votuar nga Republika III e Francës, përcakton liritë dhe përgjegjësitë e shtypit, i cili është konsideruar si teksti themeltar i lirisë së shtypit dhe i të shprehurit, i inspiruar nga neni 11 i Deklaratës të të Drejtave të Njeriut në Francë. Pra, garantimi i lirive të të shprehurit gjithmonë është shoqëruar me kufijtë e të mbajturit përgjegjësi që të mos shkelen të drejtat bazë të njeriut.
Liria e mendimit dhe e shprehjes është një nga të drejtat bazë politike dhe civile që përmbush plotësisht instrumentat përkatëse të të drejtave të njeriut. Ajo është rrënjosur në luftën për të drejtat individuale në shekullin e 18-të e 19-të, që kur u regjistrua në Kushtetutën e SHBA-së dhe në kushtetutat moderne në Europë. Filozofi britanik John Stuart Mill e quante lirinë e shtypit si njërin nga mjetet themelore kundër qeverisë shtypëse dhe të korruptuar. Është një e drejtë kushtetuese e një shteti demokratik, në të cilin të gjithë, jo vetëm qytetari i shtetit, kanë të drejtën njerëzore të thonë çfarë mendojnë dhe, në të njëjtën kohë, të kritikojnë qeverinë. Në Janar të vitit 1941, Presidenti Rusvelt do të shpallte lirinë e fjalës dhe të shprehjes si një nga katër liritë parësore mbi të cilat u themelua rend i ri botëror pas Luftës së dytë Botërore, si element madhor për një shoqëri të hapur dhe pluraliste.
Që prej vitit 2002, Reporterët pa Kufi – një organizatë ndërkombëtare e mbrojtjes së lirisë së informimit, që disponon një status konsultativ në OKB dhe në UNESCO – paraqet një herë në vit klasifikimin botëror të lirisë së shtypit. Kjo organizatë ka për objekt të vlerësojë lirinë e informimit në 180 vende të botës, përfshirë edhe Shqipërinë. Ky klasifikim bazohet në 7 tregues kryesorë: pluralizmi, pavarësia, ambienti dhe autocensura, kuadri ligjor, transparenca, infrastruktura, intensiteti i dhunës. Treguesi i fundit ka një peshë të rëndësishme në këta tregues e për këtë arsye llogaritet më vete.
Në përgjithësi situata ekonomike është e lidhur me lirinë e shtypit dhe të shprehjes. Në pozicionimet e para të vendeve me një shtyp të lirë bëjnë pjesë vende me një nivel të lartë ekonomik si Danimarka dhe Norvegjia, përballë vendeve shumë të varfra si Etiopia, Eritrea apo Gambia që zënë vendet më pranë fundit. Një përjashtim nga kjo prirje bën përshtypje Nigeria që pavarësisht se është vendi me zhvillimin më të ulët në Afrikë, sipas statistikave të OKB-së, është klasifikuar e 47-ta nga 180 vende përballë disa vendeve shumë të pasura, të pozicionuara në vendet e fundit.
Stabiliteti politik shkon në rezonancë me lirinë e shtypit. Kjo duket qartë dhe me ecurinë e lirisë së shtypit në vendin tonë, sipas këtij klasifikimi që nga viti 2002 deri sot, ku rezulton: viti 2003 pozicioni 34/158 vende, viti 2004 pozicioni 50/158 vende, viti 2005 pozicioni 62/161 vende, viti 2006 pozicioni 80/161 vende, viti 2007 pozicioni 87/164 vende, viti 2008 pozicioni 79/168 vende, viti 2009 pozicioni 88/170 vende, viti 2010 pozicioni 80/173 vende, viti 2012 pozicioni 102 /178 vende, viti 2013 pozicioni 102/178 vende, viti 2014 pozicioni 84 /180 vende. Mund të themi se vihet re një zigzake e çuditshme që herë –herë mund t’i gjesh argument interpretimi stabilitetin politik dhe ekonomik të paqëndrueshëm. Në nivelin qytetar, liria e shprehjes është shumë e rëndësishme, si element bazë në funksionimin e demokracive.
Nga 1000 persona të intervistuar, vetëm 7% janë të lirë në shprehjen e mendimit të tyre, 25% janë pjesërisht të lirë, 37% nuk janë të lirë, 31% nuk prononcohen; një shifër e lartë kjo për të menduar që mund t’i shtohet asaj pjese që nuk janë të lirë. Natyrshëm del pyetja nëse ka ndonjë përmirësim në lirinë e shprehjes apo kjo prirje që vihet re në vitet e fundit në Shqipëri do të vazhdojë. Ajo që është e sigurt është se mbetet ende punë për të bërë që vendi ynë t’i bashkëngjitet vendeve më të zhvilluara të Europës në krye të renditjeve të lirisë së shtypit.

21.03.2015

Please follow and like us: