Albspirit

Media/News/Publishing

Armand BORA: Fjalimi i Gertës si tagji për mediat dhe si një mundësi e humbur

Entuziazmi në mbështetje të fjalës së Gertës në parlamentin shqiptar të kujton, as më pak dhe as më shumë, flakën e kashtës; ndizet shpejt, ndriçon, nuk të ngroh dhe shuhet po aq shpejt.

Në rradhën e ngjarjeve dhe historive që hidhen si ushqim i vazhdueshëm për t’u ripërtypur nga mediat kjo ngjarje dallon nga të tjerat vetëm prej faktit se ky fjalim në parlament erdhi edhe si një mundësi e humbur; madje dy herë mundësi e humbur.

Në rradhë të parë, mundësi e humbur, për vetë personin, pra Gertën dhe në rradhë të dytë për problemet agro-zooteknike të zonave rurale. Nuk u nxitova që të bashkohem me komentet entuziate të atyre që të përlotur nga përlotjet e Gertës postuan shkrime të cilat fatkeqësisht të kujtonin mesazhet përshëndetëse të kolektivave punonjëse dërguar individëve që realizonin dhe tejkalonin dikur planin në ndërrmarjet socialiste.

“Propoganda është një monolog i cili nuk kërkon përgjigjie por vetëm jehonë”, shkruan poeti dhe shkrimtari amerikan Auden.

Nuk po nxitoj të bashkohem as me ato zëra që Gertën e bënë aktore, thjeshtë dhe vetëm një interpretuese të një teksti të shkruar nga tjetër kush. Po përpiqem të besoj se ajo ç’ka dëgjuam nga Gerta ishte produkti i asaj ç’ka ajo mendoi se si duhej ta shfrytëzonte mundësinë për të folur prej parlamentit shqiptar.

Them prej parlamentit dhe jo në parlamentin shqiptar, pasi Gerta foli në parlamentin shqiptar për parlamentarët shqiptarë.

Me këtë pozicionim të saj Gerta e humbi mundësinë që prej foltores së parlamentit t’ju drejtohej qytetarëve apo qoftë edhe vetëm pjesës rurale të Shqipërisë. Gerta zgjodhi që të fliste me parlamentarët, ata të cilët mbajnë edhe përgjegjësinë kryesore për gjendjen e fshatit dhe qytetit shqiptar.

Gerta zgjodhi të përdorë një rrugë emotive t’u kujtonte parlamentarëve se sa i mirë dhe i bukur është fshati që ata, të zënë me punë dhe halle më të mëdha, e paskan harruar.

Tingëllon më shumë se naive idea se Gerta solli dhe ndriçoi parlamentarët shqiptar me informacionin e munguar nga fshati shqiptar. Ata njerëz të zgjedhur aty e dinë shumë mirë se si është gjendja e fshatit shqiptar. Ata e dinë shumë mire se ku janë nevojat e fshatit dhe cilat janë rrugët e zgjidhjes dhe plotësimit të tyre. Ata e dinë mjaft mirë se si mundet të ndryshojë gjendja e fshatit shqiptar.

Pyetja që duhej shtruar është se përse nuk duan ta ndryshojnë? Dhe këtë pyetje Gerta duhej t’ua drejtonte qytetarëve dhe fshatarëve nëse ishin duke e ndjekur.

Foltoren e parlamentit Gerta ishte dashur ta përdorte për të komunikuar me shqiptarët e thjeshtë nëse akoma brenda saj do kishte mbetur diçka nga studentja e univeristetit italian, “La Sapienza”. Problemet e fshatit shqiptar janë probleme të krijuara nga qyteti, më saktë nga politika shqiptare dhe si të tilla zgjidhja duhet kërkuar në bashkëbisedim me qytetarinë shqiptare e cila i ka braktisur sfidat e saj duke lënë hapësirën e mjaftueshme për abuzime gati në çdo fushë të zhvillimit ekonomiko-social të Shqipërisë. Nëse duhej t’i drejtohej dikujt atë ditë ai nuk ishte parlamenti shqiptar por qytetaria e fjetur shqiptare.

Kjo tashmë është një mundësi e humbur për Gertën.

Mundësia e dytë edhe kjo e humbur ishte që të fliste si eksperte e çështjeve të fshatit, por Gerta zgjodhi të prezantohej si një e diplomuar në shkencat politike dhe marrdhëniet ndërkombëtare në Romë dhe nuk arriti të flasë as si zooteknike dhe as si agronome në një takim kushtuar fshatit dhe bujqësisë.

Jam i sigurt se në fermën e saj të dhive ajo përballet çdo ditë me më shumë probleme se sa mungesa e ujit dhe rrugës, dhe megjithatë Gerta nuk zgjodhi të fliste atë ditë për dhitë dhe për fermën e saj të suksesshme.

Do kishte qënë më e vërtetë dhe më pak patetike në atë fjalim nëse mbështetur mbi dashurinë që ka njeriu për kafshën do na tregonte për vështirësitë por edhe për gëzimet që jep puna në fermë. Gerta zgjodhi të fliste si çdo kryekomunar komune ku hallet janë gati për të gjithë njësoj si në Mirditë, Tropojë, Kuç apo Kurvelesh.

Të gjithë kërkojnë rrugë, ujë, shkolla dhe qendra mjekësore.  Gerta zgjodhi të mos flasë për fermën e saj, por të flasë për hallet e Kristinës duke harruar që rrugët dhe rrugicat e qyteteve shqiptare janë të mbushura me simotrat e saj të cilat dinjitetin e tyre nuk e kërkojnë te rruga dhe te uji, por te mundësia për të tregëtuar produktet e tyre.

Fatkeqësisht, nga ai parlament i cili me të drejtë u përshëndet nga Gerta si parlamenti i parë rural në Shqipëri, fjalimi i Gertës nuk arriti që të adresonte saktë problemet dhe nevojat e fshatit  shqiptar.

Idea dhe bindja  e Gertës se zhvillimi i Shqipërisë vjen nga periferia, nëse Tirana do ta presë zhvillimin prej Mirditës këto edhe pse të kujtojnë idetë maoiste të zhvillimit të “qytetit të rrethuar nga fshati”, mbeten  teza që duhen parë dhe studiuar nga ekspertë dhe akademikë të zhvillimit anthropologjiko-agrar të Shqipërisë, ndoshta në ditë të tjera që parlamenti shqiptar do planifikojë që të zhvillojë përsëri dëgjesa për fshatin dhe problemet e tij.

Please follow and like us: