Albspirit

Media/News/Publishing

NATO kërcënon Rusinë nga Tirana

 


NATO kërcënon  Rusinë nga Tirana

Nga Qamil Xhani

 

Për herë të parë që pas anëtarësimit në NATO, Shqipëria është bërë qendra e zhvillimeve të politikës globale të Aleancës së Atlantikut Verior. 260 parlamentarë të vendeve të NATO-s kanë marrë pjesë dje në asamblenë që po zhvillohet në kryeqytetin shqiptar. Aktiviteti i përmasave ndërkombëtare është një vlerësim që Aleanca bën për Shqipërinë dhe zhvillimet gjeo-strategjike në rajon. Asambleja i paraparin takimit të krerëve të shteteve anëtare të NATO-s që do të zhvillohet në Poloni në muajin korrik. Si i tillë takimi është një parathënie e qëndrimeve finale që do të mbajë NATO për çështjet më të rëndësishme që shqetësojnë aleancën.

Dita e parë e punimeve të Asamblesë Parlamentare është fokusuar në çështje që kanë të bëjnë me krizën e refugjatëve, konfliktet në Afrikën e Veriut, sigurinë dhe terrorizmin. Ajo që ra në sy ditën e parë të asamblesë ishte përqendrimi në atë që tashmë njihet si “Çështja Ruse”. Konflikti në Ukrainë, ndikim i Rusisë në Siri, por edhe avancimi ekonomik dhe gjeo-strategjik i Moskës në Ballkan është komentuar gjatë nga pjesa më e madhe e parlamentarëve të vendeve të NATO-s që morën pjesë në samit. “Çështja Ruse” në Tiranë është trajtuar në mënyrë direkte dhe pa shumë doreza diplomatike. Dje u fol hapur për kërcënim të Aleancës nga Rusia dhe marrjen e masave për uljen e ndikimit rus në rajon.

Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, kongresmeni amerikan, Michael Turner ishte i drejtpërdrejtë se aleanca duhet të trajtojë me seriozitet qëndrimet e Rusisë dhe se kërcënimeve të saj duhet t’u përgjigjemi. “Rusia e sheh NATO-n si kundërshtare. Duhet parë se si NATO do të merret me këtë kërcënim, të njohë gamën dhe natyrën e këtij kërcënimi dhe të denoncojë deklaratat e Rusisë edhe për përdorimin ndoshta të armëve bërthamore. NATO duhet të rishfaqë veten e të sigurojë aleatët e saj në Lindje”,- tha Kongresmeni Turner. Ai foli dhe për një plan masash që SHBA-të kanë propozuar për sigurimin nga rreziqet e jashtme, duke nënkuptuar në këtë rast Rusinë. “SHBA-të kanë propozuar kohët e fundit katërfishimin e fondeve për praninë e NATO-s në Europë. Edhe pse SHBA-të po bëjnë më shumë, partnerët evropianë, gjithashtu, duhet të bëjnë më shumë, si një përgjigje në rritje, pasi bëhet fjalë për stabilitetin e Europës”,- tha Turner.

Nga ana tjetër raportuesi i Francës, Jean Marie Bocekl kërkoi marrjen e masave konkrete për atë që ai e quajti kërcënim rus. Ai tha se, Aleanca duhet të rishikojë planet e armatimeve duke vënë në dukje se vetë Rusia ka rritur ndjeshëm shpenzimet për mbrojtjen.

Ministri Ditmir Bushati bëri të qartë qëndrimin e Tiranës zyrtare. Në fjalimin e tij para anëtarëve të Asamblesë së NATO-s, ai tha se, rajoni duhet të eliminojë ndikimin e faktorëve të tretë. Dhe për Shqipërinë, pas BE dhe NATO-s, faktori i tretë është Rusia. “Duhet një bashkëpunim i strukturuar mes BE-së dhe NATO-s në rajon duke qenë se këta janë dy aktorët kryesorë, të cilët shtrijnë rrezen e veprimit dhe influencës në Ballkanin Perëndimor. Fola dhe për nevojën e një politike konstante për të reduktuar praninë influencës së aktorëve të tretë që kanë ndikim, gjithashtu, në mjedisin e sigurisë, të cilët jo domosdoshmërisht ndajnë të njëjtat objektiva e vlera me familjen euroatlantike”,- tha kryediplomati shqiptar Ditmir Bushati, duke nënkuptuar Rusinë.

Qëndrimet e forta të NATO-s kundër Rusisë në Tiranë nuk kanë qenë të rastësishme. Gjatë 48 orëve të fundit mes Moskës dhe Uashingtonit ka pasur një tensionim të deklaratave për çështjen e sistemeve raketore. Një ditë para se të niste takimi i NATO-s në Tiranë, Presidenti rus Vladimir Putin ndodhej për vizitë zyrtare në Greqi. Një vizitë që duket se nuk ka qenë e rastësishme. Pas një viti mungesë në vendet e BE-së, Putin zgjodhi të vizitojë Greqinë në kohën, kur flitet më shumë për ndikimin rus në Ballkan dhe Europën -Juglindore. Përveçse konfirmoi zgjerimin e ekonomisë ruse dhe tregtisë në Greqi, Presidenti Putin bëri dhe një kërcënim të hapur ndaj NATO-s dhe SHBA-ve. Ai tha se nuk ka zgjidhje tjetër veçse të kundërpërgjigjet ndaj Shteteve të Bashkuara lidhur me sistemin e mbrojtjes nga raketat në Europë. Ndërsa shtoi se, Polonia dhe Rumania duhet të marrin parasysh pasojat e lejimit të raketave amerikane në territorin e tyre. Kërcënim i hapur rus. Nuk duhet marrë me shumë indiferencë kjo deklaratë. Rusia është  një superfuqi tjetër, e cila luan për interesat e saj. Është një “NATO 2”.

“Nëse deri dje në këto zona të Polonisë njerëzit nuk e dinin çfarë do të thotë të jetosh në shënjestër të pushkës, sot jemi përballë faktit që na detyron të marrim masa për të garantuar sigurinë tonë”,- tha zoti Putin, pas takimit me kryeministrin grek Alexis Tsipras.

Rusia është e njohur për ndikimin e saj në rajon. Vende si Serbia, Greqia, Maqedonia dhe Mali i Zi kanë pasur gjithmonë mbështetjen e Moskës në investime ekonomike, por edhe ushtarake. Në Serbi, pak ditë pas fitores së zgjedhjeve Kryeministri Aleksandër Vuçic vizitën e parë e zhvilloi në Moskë. Mediat në Beograd aluduan se edhe lista e ministrave të rinj të kabinetit serb është miratuar nga Putin. Në Maqedoni, ka një linjë të qartë politike në mbështetje të Rusisë që shihet si variant aleance në rast se vendi nuk pranohet në BE dhe NATO për shkak të Greqisë. E njëjta linjë ekziston edhe në Mal të Zi, ku  marrja e ftesës për në NATO u shoqërua me protesta të disa subjekteve politike dhe kërcënime të Rusisë ndaj BE-së dhe Aleancës së Atlantikut Verior. Shpesh herë këto vende të Rajonit afrimin me Rusinë e kanë përdorur si presion ndaj BE për të shpejtuar procesin e integrimit ose për thithur qindra milionë euro nga Brukseli.

Ndaj dhe ashpërsimi i toneve të NATO-s ndaj Moskës erdhi një ditë më pas në mënyrë kërcënuese në Shqipëri, duke qenë se praktikisht ndikimi i Moskës është dukshëm në gjithë rajonin. Ndërsa në kryeqytetin tonë flisnin diplomatët dhe politikanët, në Poloni, po dje, situatën e kanë marrë në dorë ushtarakët. Komandanti ushtarak i NATO-s, gjeneral-major Hans van Griensven tha dje në Varshavë se: “Rusia po destabilizon rajonin e Europës Lindore”. Sipas tij, situata mund të përshkallëzohet dhe më tej në këtë rajon dhe kërkoi marrjen e masave nga Aleanca e Atlantikut Verior.

Asambleja Parlamentare e NATO-s do të vazhdojë punimet edhe gjatë dy ditëve në vijim dhe qëndrimet e aleancës ndaj Moskës mund të jenë edhe më të ashpra. Tirana është kthyer edhe një herë si pikëtakimi e përplasjes mes Perëndimit dhe Rusisë. Vetëm se këtë herë pozicionimi është i qartë, si pjesë e NATO-s dhe si vend aspirant për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Dikur ishte pjesë e Traktatit të Varshavës përkrah Bashkimit Sovjetik.

Shqetësimi i NATO-s është real për ndikimin rus në Ballkan. Por si do të reagojë BE në raport me këto vende, mbetet të shikohet në të ardhmen, pasi BE pa një NATO të fortë është përherë kafshatë e mëngjesit për Rusinë.

Please follow and like us: