Albspirit

Media/News/Publishing

8 muaj hetime për kotecin e pulave

Një çift në Libofshë të Fierit përballet prej tetë muajsh me drejtësinë për rindërtimin pa leje të murit të kotecit të pulave, ndërsa bashkëshorti rrezikon 1 vit burg në kuadër të luftës së ashpër kundër informalitetit.

Caci Dhamo dhe në sfond koteci i pulave që i ka shkaktuar telashe ligjore me prokurorinë | Foto nga : Arben Velo

Caci Dhamo dhe e shoqja Zoica besojnë se rindërtimi i kotecit të shpendëve u ka sjell ters; vezët e shtruar për zogj kanë dalë më shumë klluka (lluka) këtë vit. Karakatina pjesërisht e shembur, e ndërtuar ngjitur me shtëpinë që më 1977 me tulla, blloqe, kallama dhe e mbuluar pjesërisht me tjegulla e eternit i ka hapur çiftit punë me shtetin dhe drejtësinë.

Kakarisjet e gjelave dhe zogjtë e hallakatur në oborr i kujtojnë tani 61 vjeçarit nga Libofsha e Fierit se i duhet të shkojë në gjykatë në një proces që zgjat prej 8 muajsh, pasi është kallëzuar për ndërtim pa leje të kotecit të shpendëve.

Në dosjen që Prokuroria i ka dorëzuar Gjykatës, Caci Dhamo akuzohet se ka konsumuar

elementët e veprës penale të ndërtimit të paligjshëm, parashikuar nga neni 199/a i Kodit Penal. Hetimi kundër tij ka nisur shtatorin e vitit të shkoi, pas denoncimit të një fqinji.

Dhamo rrezikon të dënohet deri në 1 vit burg, pas ndryshimeve të bëra në Kodin Penal në dhjetor të 2014 në mbështetje të një fushate që qeveria ndërmori për prishjen e disa godinave pa leje dhe asaj që e cilësoi si luftën kundër informalitetit.

Dënim penal për kotecin e pulave
Gjykata e Fierit e shpalli sot Caci Dhamon fajtor për ndërtimin pa leje të kotecit. 61-vjeccari u dënua me tre muaj burg, ai përfitoi ulje në 2 muaj për shkak të gjykimit të shkurtuar. Dënimin gjykata e konvertoi në 150 orë punë në shërbim të komunitetit. Dhamo u dënua pasi fillojë riparimine një koteci shpendësh pa marrë më herët leje nga autoritetet.

Policia e Shtetit njoftoi në fillim të 2016 se kishte proceduar më shumë se 1600 raste ndërtimesh pa leje në të gjithë vendin për vitin 2015. Por fushata e qeverisë nuk ka mundur të veçojë shkelësit e mëdhenj nga banorët që kryejnë ndërhyrje të vogla në shtëpitë e tyre.

Në Fier, zyra e ALUIZN-it i tha BIRN se ka marrë 10 kërkesa për informacion nga Prokuroria e Rrethit, kryesisht për raste meremetimi çatish, ndërtimi avllish e suvatimi, për të cilat kishte filluar hetimin edhe pse këta persona kishin aplikuar për legalizim të ndërhyrjeve.

Kërkesa e Prokurorisë Fier për gjykimin e Caci Dhamo për ndërtim të paligjshëm | Foto nga : Arben Velo

Drejtori i zyrës,  Ervin Bushi i tha BIRN se edhe Caci Dhamo ka  dorëzuar aplikimin për  legalizim, ndërkohë që shton se “nuk ka asnjë vendim gjykate që pezullon këtë proces dhe se ai shumë shpejt mund ta përfitojë këtë leje”.

Caci Dhamo thotë se nuk do e kishte filluar rindërtimin e kotecit gati të rrënuar, por një topograf i ish-komunës i tha se nuk kishte ndonjë problem nëse fillonte punë për një mur që mund të mbante çatinë me eternite dhe teneqe të kasolles, që mund të shembej e njëkohësisht të aplikonte për leje.  “Kasollja po binte. S’kisha ku të vendosja shpendët, pulat, patat dhe rosat që rris për mish”- thotë ai.

Pas bisedës me topografin, Dhamo kërkoi leje në ish-komunën e Libofshës dhe ngriti një mur me blloqe në njërin krah të kotecit, por pa kaluar tre ditë nga kjo, në derë i erdhën dy oficerë policie e i bënë me dije se kishte shkelur ligjin.

“Policët bënë verifikime, pastaj më thirrën të shkoja në komisariat ku më morën në pyetje”, thotë Dhamo, i cili prej asaj dite ndiqet në gjendje të lirë.

Vladimir Kumaraku, fqinji 61-vjeçar që e ka denoncuar pretendon se Dhamo po ndërtonte në truallin që dikur i takonte atij edhe pse shtëpia dhe kasolla ishin ndërtuar së pari në vitin 1977 dhe Dhamo ka me tapi edhe shtëpinë, edhe oborrin në të cilin ndodhet koteci.

“Mua  këtë truall ma ka dhënë  pushtetit i atëhershëm për banesë, siç jepeshin në kohën e para ndërrimit të sistemit”, thotë 61 vjeçari elektriçist. Edhe prokuroria ka gjetur se kasolla është në tokë të Dhamos, e ndarë një herë më 1977 dhe një herë me ligjin 7501 në emër të së njëjtës familje.

Por prokurorët këmbëngulin se ai ka shkelur ligjin kur ka vendosur të ngrejë mure të reja për kotecin e pulave dhe rosave. “Nga kqyrja e vendit të ngjarjes…në anën veriore muri ishtë në ndërtim e sipër dhe sipër tij gjendet një kovë me llaç dhe mistri,” thuhet në kërkesën për gjykim që prokuroria i ka dërguar gjykatës së rrethit, duke veçuar ndër të tjera kovën e llaçit dhe mistrinë, si prova të krimit.

“Na vjen turp kur na pyesin se përse shkojmë në gjykatë”, thotë Zoica Dhamo. “Kam punuar një jetë të tërë ndershmërsht, dhe nuk kam qenë asnjëherë në derën e gjykatës… Por turp duhet të ketë ky shtet. Sarajet shumë katëshe nuk i quan ndërtime pa leje, kasollen e cilëson  pa leje dhe ne presim vendimin e gjykatës për kasollen,” shton ajo gati e përlotur.

Në Shqipëri deri në janar të 2015 ishin vetëdeklaruar sipas kreut të ALUIZN Artan Lame, 427.000ndërtime pa leje, të ndërtuara këto 22 vjetët e fundit. Mes tyre ka pallate apo godina disa katëshe, që kanë aplikuar dhe janë në proces legalizimi, por pas ligjit të dhjetorit 2014 policia e shtetit dhe inspektoriatet e ndërtimit u treguan skrupulozë në ndjekjen e çdo rasti ndërtimi, riparimi apo edhe suvatimi.

Kjo duket se e detyroi qeverinë që pas hyrjes në fuqi të ligjit të nxjerrë dy VKM (në 13 maj dhe 25 nëntor të 2015) që synonin të sqaronin rastet kur një leje ndërtimi nuk ishte e nevojshme apo kur ndërhyrjet mund të bëheshin vetëm me vetëdeklarim.

Caci Dhamo thotë se pasi kishte filluar punimet ka bërë edhe një vetëdeklarim në njësinë vendore Libofshë të Bashkisë Fier dhe se ka marrë një leje më 26 tetor për të vijuar me “riparimin e zakonshëm”. Edhe prokuroria e pranon se ka një dokument vetëdeklarimi, por ajo po e përdor këtë si një prej provave kundër Dhamos.

“Sipas këtij vetëdeklarimi rezulton se shtetasi Caci Dhamo ka deklaruar një muaj pasi ka kryer punimet e ndërtimit,” thotë prokuroria, duke bërë njëkohësisht me dije se kjo vërtetonte se punimet më të hershme ishin bërë në mungesë të lejes. Prokuroria u angazhua edhe në një ekspertizë mbi objektin dhe ndërhyrjen në të që zbuloi se koteci ishte 3 me 3 metra  dhe është i shtruar me beton të varfër. “Objekti është ndërtuar qysh në vitin 1977 me leje të organeve të pushtetit administrativ të asaj periudhe,” thuhet në kërkesën për gjykim, ndërsa në parashtrimin e çështjes i bën me dije gjykatës se kërkon dënimin e tij.

Caci Dhamo në mes të dy mureve që akuzohet se ka ndërtuar pa leje | Foto nga : Arben Velo

Prej shtatorit kur ka filluar kjo çështje, Gjykata e Fierit ka zhvilluar katër seanca, një prej të cilave është shtyrë, ndërsa pritet ende të japë një vendim. Të dëshpëruar, burrë e grua e kanë lënë kotecin të rrënohet, ndërsa shpendët i mbajnë në oborr.

Avokati i tyre, Ilir Dushi ironizon procesin 8 mujor kundër çiftit nga Libofsha, ndërsa përmend si argument edhe kostot e gjyqit që duhet të paguajë shteti.

“Shteti është duke e paguar shtrejtë kasollen që është lënë të rrënohet,” përfundon Dushi.

Please follow and like us: