Robert Goro: Mos qëlloni mbi gazetarët!
Para pak ditësh, gazetari Dritan Hila “zhbiriloi” në emisionin e vet “Arena” në Ora News, një temë mjaft interesante: “Liria e medias në Shqipëri, përmirësim apo përkeqësim?”. Gjithë pjesëtarët në panel: Afrim Krasniqi, Elsa Ballauri, Aleksandër Çipa e Erion Kristo, e paraqitën situatën me notat më të zymta dhe në një farë mënyre “prekën” gjithë problematikën esenciale të sektorit të mediave: pronarët, shefat, gazetarët.
Politologu i njohur, Afrim Krasniqi shprehu konstatimin se “media shqiptare është modeli më i pasuksesshëm në rajon”. Edhe më shqetësues përcaktimi i kolegut Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të gazetarëve Shqiptarë: “Media në Shqipëri janë vetëm si godina, por nuk janë institucione në raport me atë çka thuhet e asaj që raportohet”. Ndërsa Erion Kristo e krahasoi profesionin e gazetarit me atë të minatorit: “Profesioni i gazetarit sot në Shqipëri, është profesioni më i tmerrshëm, madje as minatorët nuk krahasohen. Ti mund të punosh gjashtë muaj dhe nuk merr rrogën, kurse minatori bën një grevë dhe e merr rrogën”. Pavarësisht se çfarë mund të thuhet, me ose pa kompetencë, me ose pa dashmirësi, duhet të kemi parasysh një gjë: gazetarët, ashtu si dhe profesionistët e tjerë në Shqipëri po ndeshen me gjithë atë mori problemesh që përfshihen në kalvarin e tranzicionit të pambarimtë shqiptar.
Të kemi gjithashtu parasysh se diskutimi për gjendjen e medias nuk është një temë ekskluzivisht shqiptare. Siç shkruaj edhe nëlibrin tim të fundit, “Në kërkim të së vërtetës”, prej vitesh, në të gjithë botën po diskutohet gjerësisht për gazetarinë – një diskutim që ka nisur qysh me ravijëzimin e krizës së shtypit të shkruar, kryesisht për shkak të rritjes marramendëse të internetit. Është e vërtetë që gazetaria sot ka humbur shumë nga sharmi i të qenit një mision. Me përjashtime të rralla, pronarët e mediave, qofshin këto private, qofshin publike, ushtrojnë një presion dëshpërues, duke vënë në pikëpyetje e shpesh duke e mpakur gazetarinë e vërtetë. Të parët, ngase janë krejtësisht të interesuar për fitimet nga reklamat dhe shitjet (audiencat), të dytët, ngase janë si marinarët që ankohen për detin, po të perifrazojmë një shprehje të politikanit konservator anglez, Enoch Powell *).
Po. Gazetaria ndodhet në krizë. Mirëpo gazetarët, ose më mirë me thënë, një pjesë e konsiderueshme e gazetarëve, vazhdojnë të mbeten misionarë. Dhe vazhdojnë të luftojnë për afirmimin e, shpeshherë, edhe për mbijetesën fizike të tyre, sidomos në zonat e nxehta të planetit. Sipas Komitetit për Mbrojtjen e Gazetarëve (CPJ), nga viti 1992 deri më sot në gjithë botën janë vrarë 1.282 gazetarë. Viktima e fundit në këtë listë (në momentin që libri po shkonte në shtyp), është gazetari afgan Mohammad Nasir Mudasir që u ekzekutua pasditen e 15 dhjetorit 2016. Ishte 53 vjeç dhe baba i katër fëmijve… Mudasir ishte gjithashtu i 75-ti gazetar që humbi jetën brenda vitit 2016. Siç vë në dukje organizata tjetër e rëndësishme, “Reporterë Pa Kufij” (RSF), numri i të vrarëve në 2016 është më i ulët nga një vit më parë, kur u vranë 101 gazetarë. Mirëpo, “kjo ulje e numrit nuk është inkurajuese, sepse në masë të madhe i dedikohet faktit që shumë gazetarë janë larguar nga vendet e tyre, ku qëndrimi i mëtejshëm do të ishte i rrezikshëm për jetën” **).
Nga organizatat ndërkombëtare relevante janë evidentuar 452 gazetarë që u detyruan të largohen nga vendi i tyre, ku përballeshin me rrezikun për humbjen e jetës apo të burgimit dhe kanë shkuar në vende të më të sigurta, kryesisht në perëndim, në shumicën e rasteve duke lënë “peng” në atdhe, familjet e tyre. Po gjatë vitit 2016, ndodheshin në burg 259 gazetarë, 81 prej të cilëve vetëm në Turqi. Duke parë këto shifra, nuk është aspak ekzagjerim të thuhet se gazetarët janë grupimi profesional më i rrezikuar në botë. Në këtë kuptim, ngjan krejtësisht e drejtë kërkesa që OKB të caktojë një përfaqësues special për mbrojtjen e gazetarëve; kërkesë që u artikulua në fund të 2016-s nga sekretari i përgjithshëm i “Reporterëve Pa Kufij”, Christopher Deloire: “Dhuna ndaj gazetarëve po bëhet përherë e më e qëllimshme. Është e qartë se ata vihen në shënjestër dhe vriten ngase janë gazetarë.
Kjo situatë alarmante reflekton dështimin flagrant të iniciativave ndërkombëtare që synojnë mbrojtjen e tyre dhe është një urdhër ekzekutimi për raportimet e pavarura në ato zona ku përdoren gjithë mjetet e mundshme për të imponuar censurën dhe propagandën, sidomos nga grupet fondamentaliste. Për t’u imponuar ligji ndërkombëtar, OKB duhet të krijojë një mekanizëm konkret për zbatimin e rezolutave. Me ardhjen e sekretarit të ri të Kombeve të Bashkuara, Antonio Guterres, duhet caktuar me emergjencë një përfaqësues special për mbrojtjen e gazetarëve”. Sigurisht, edhe nëse kjo kërkesë realizohet, nuk do të thotë që problemi zgjidhet. Sepse liria e shprehjes dhe e informimit është “liria më e rëndësishme në botë”. Dhe lufta midis të mirës e të keqes do të vazhdojë sa të jetë jeta…