CIA: Plani jugosllavo-grek për të sulmuar Shqipërinë, Hrushovi provokon Pekinin duke sulmuar Enver Hoxhën në kongresin e PKBRSS
CIA ka zbardhur të tjera dokumente sa i takon Shqipërisë komuniste. Në një prej tyre tregohen marrëdhëniet mes Kinës dhe Bashkimit Sovjetik. Më 1961 këto vende u duk se po përafroheshin në qëndrime, mirëpo gjatë Kongresit që mbajti Partia Komuniste e BRSS, Nikita Hrushovi sulmoi Enver Hoxhës, duke provokuar Kinën, e cila kishte marrëdhënie shumë të mira me vendin tonë. Po ashtu në një tjetër dokument përshkruhet rreziku që vinte nga fqinjët.
Maj 1951: Propaganda jugosllave
Sipas analizave të vazhdueshme të akuzave ushtarake ndaj Jugosllavisë prej vendeve të bllokut sovjetik, nuk rezulton rrezik urgjent për sulm apo intensifikim i përgatitjeve psikologjike të kësaj natyre. Gjatë vitit 1951 vendet satelite sovjetike nuk kanë transmetuar akuza ushtarake për audiencat e tyre dhe niveli i armiqësisë ka mbetur konstant. Vjeshtën e kaluar u shënua njëfarë rritjeje nga ana e Shqipërisë me transmetimin e gjyqeve të dy të akuzuarve si spiunë të regjimit të Titos, që u mbajtën në janar në Peshkopi dhe Korçë. Edhe nga ana cilësore akuzat nuk kanë shënuar përkeqësim të kërcënimeve. Përveç këtyre gjyqeve të spiunëve, kërkesat e Titos ndaj Perëndimit për armatime nuk kanë bërë të nevojshme plotësimin e nevojave. Stacionet klandestine greke të radios, të cilat i përkasin grupeve të rebelëve komunistë, akuzojnë Jugosllavinë për planifikimin e një operacioni kundër Shqipërisë, ndërsa vetë Shqipëria nuk i ka dhënë shumë hapësirë këtyre temave në transmetimet e saj apo në shtyp. Kërkesa e Titos për armatime nga Perëndimi ka tërhequr vëmendje të konsiderueshme, por pretendimet se propagandistët pro-sovjetikë janë përpjekur ta përdorin si pretekst për sulm kundër Jugosllavisë, rezultoi e pabazë. Vjeshtën e kaluar Radio Moska i dhënë më shumë rëndësi donacioneve ushqimore të SHBA për Jugosllavinë sesa kërkesës së saj për armatime. Sulmi i mundshëm i Jugosllavisë ndaj Shqipërisë është përdorur nga radiot satelite sovjetike si objekt pasqyrimi i politikave “agresive” të Titos, së bashku me incidentet kufitare dhe aktivitetet e spiunazhit me Shqipërinë. Radio klandestine greke “Greqia e Lirë” ka njoftuar fillimisht më 11 janar se Jugosllavia dhe Greqia po organizojnë pushtimin e koordinuar të Shqipërisë nga dy fqinjët. Ky stacion ka zakonisht një gjuhë shumë më të ndezur sesa stacionet radio të vendeve të bllokut sovjetik. Zbulimi i “operacionit të pushtimit” të Shqipërisë është përmendur dhe në transmetimet e Budapestit në gjuhën serbo-kroate. Por asnjë vend tjetër sovjetik nuk ka folur për operacionin, edhe pse ato shpeshherë i kanë përçuar akuzat e radios komuniste greke Greqia e Lirë”. Propagandistët e bllokut sovjetik kanë thënë për audiencat e tyre se kërkesa e Titos për armë nga Perëndimi po merret në konsideratë vetëm nga SHBA.
Qershor 1952: Vendndodhja e centraleve elektrikë
Kryeqyteti i Shqipërisë, Tirana, mbulohet nga energjia e dy impianteve energjetike të vendosura pranë aeroportit, në rrugën mes Tiranës dhe Durrësit. Impianti më afër Tiranës ka kapacitet 3000 kiloëatt dhe funksionon me pesë motorë nafte “Mann” dhe tre motorë të tipit “Buchej”. Personeli teknik i centralit energjetik përbëhet nga katër shqiptarë dhe një austriak. Impianti më larg në perëndim të Tiranës ka një kapacitet 1000 kilovat dhe funksionon me dy motorë me naftë “Tosi”, një motor amerikan i paidentifikuar dhe një motor gjerman i tipit “Benz”. Më 8 nëntor 1951, u inaugurua dhe hidrocentrali i Tiranës, bazuar në planet e mëhershme të teknikëve italianë gjatë qëndrimit të tyre në Shqipëri. Aktualisht ai ka vetëm një turbinë gjeneruese me potencial prodhimi 2500 kilovat, por në të ardhmen numri i turbinave pritet të shtohet. Centrali funksionon me ujin nga mali i Dajtit dhe pas përdorimit, uji kalon në kanalet kooperativës Stalin në Kamëz, në perëndim të Tiranës. Në Durrës, impianti i vetëm elektrik ka potencial prej 200 kilovat dhe funksionon me një numër të paspecifikuar motorësh me naftë. Ai operohet nga teknikë shqiptarë dhe furnizon gjithashtu me energji Kavajën.
Qyteti Stalin (Kuçova)
Një termocentral me fuqi 6000 kilovat është vendosur në qendër të rajonit naftëprodhues, i cili funksionon me gjashtë motorë nafte dhe një turbinë me avull. Një linjë ajrore elektrike e përçon energjinë drejt qendrës tjetër naftëmbajtëse Patos, ku punojnë një numër i paspecifikuar teknikësh sovjetikë. Numri i rusëve dhe natyra e punës së tyre nuk njihet pasi zona ruhet nga kontrolli i ashpër i Sigurimit të Shtetit dhe personat e paautorizuar nuk lejohen në komunitete. Vlora ka gjithashtu një central elektrik me fuqi 1000 kilovat që gjendet mes plantacioneve të ullinjve në periferi të qytetit. Impianti operohet nga teknikë shqiptarë. Komuniteti i Korçës ka një termocentral me fuqi 1500 kilovat me pajisje të prodhimi italian, të operuar nga katër teknikë. Shkodran ka një termocentral elektrik me kapacitet 2500 kilovat në veri të qytetit. Ai funksionon me tre motorë me naftë “Tosi” dhe dy motorë të tipir “Dorchieuerk”. Plani pesë-vjeçar i zhvillimit parashikon ndërtimin e një hidrocentrali në këtë zonë.
Tetor 1961: Kongresi i Partisë Komuniste sovjetike
Qetësia e përkohshme e arritur në marrëdhëniet Kinë-BRSS në nëntor 1960, u prish nga zhvillimet e kongresit të 22 të partisë së BRSS. Sulmet e ashpra verbale sovjetike ndaj regjimit në Shqipëri, lanë në hije programin e ri të partisë sovjetike dhe sugjerojnë se Hrushovi kishte zgjedhur këtë çështje për provën e tij të forcës me Pekinin, dhe rrjedhimisht për kontrollin e lëvizjes botërore komuniste. Ringjallja e akuzave të tij ndaj grupit të njohur si “anti-parti”, tentonin ta lidhnin çështjen me akuzat e “kultit të personalitetit” të drejtuara kundër Shqipërisë, dhe rrjedhimisht edhe kundër Kinës. Zhvillimet e Kongresit ishin një sinjalizim se pozita e Hrushovit si lider i Bashkimit Sovjetik është e pacenueshme. Pekini k sinjalizuar edhe më parë se do të mbrojë Shqipërinë, por ndoshta do të kërkojë që çështja të zgjidhet me diskutime private. Edhe fitorja e Hrushovit për udhëheqjen e partisë së tij është e kompletuar brenda BRSS, pozita e tij si lider i lëvizjes ndërkombëtare komuniste është dëmtuar nga sfida e Kinës ndaj autoritetit të tij dhe mbështetja e Shqipërisë ndaj saj. Në nëntor dhe dhjetor 1960, Hrushovi ishte detyruar të bënte kompromis në interes të unitetit, por akordi i dobët i arritur ishte konsideruar nga të dyja palët si një armëpushim i përkohshëm dhe jo një zgjidhje afatgjatë. Hrushovi kishte vendosur se kishte ardhur koha që balanca të rivlerësohej. Sulmi i ashpër i Hrushovit nda regjimit të Hoxhës në Shqipëri tregon se ai e ka zgjedhur qëllimisht çështjen për të vënë në provë Pekinin. Lideri sovjetik po përpiqet që ta kthejë situatën e sikletshme me Shqipërinë në një goditje ndaj liderëve kinezë. Ai po përpiqet të vërë Pekinin në pozicion difensiv, duke i quajtur drejtpërsëdrejti liderët shqiptarë deviacionistë, për të nxitur konfrontimin me kinezët. Me shumë gjasa Hrushovi ka parashikuar se kinezët nuk do të kenë zgjedhje tjetër pr të reagojnë ndaj sfidës së tij. Ai shpreson të shfrytëzojë mbështetjen e Pekinit për regjimin e Hoxhës, të cilin e ka akuzuar për “distancim nga linja e përbashkët komuniste”, për të diskredituar pretendimet e Pekinit për zë të pabarabartë me BRSS në strategjinë e botës komuniste, ose për të izoluar edhe më shumë Kinën në të ardhmen. Megjithëse sulmi i tij verbal u drejtua vetëm kundër regjimit shqiptar, ai duket qartë se i referohet përballjes së madhe me Kinën, në një terren ku Hrushovi beson se gëzon avantazh. Gjithashtu zëvendësimi i influencës sovjetike politike, ushtarake dhe ekonomike me atë kineze në Shqipëri ka sjellë një sfidë ndaj autoritetit të Moskës në bllokun sovjetik ndërkombëtar, çka nuk mund të mos vihej re përgjithmonë. Dështimi i tentativës sovjetike për rrëzimin e Hoxhës nga pushteti në verën e 1960 ishte një tjetër element që pati pasoja në hegjemoninë e BRSS në Evropën Lindore. Veprimet e mëpasshme të Kinës, duke i ofruar ndihmë Shqipërisë, e bënë të paevitueshëm konfrontimin me BRSS. Hrushovi mund të besojë se problemet ekonomike të Kinës kanë reduktuar besimin e Pekinit në rezistencën ndaj presionit politik të Moskës, teksa shumica e vendeve satelite të BRSS dhe atyre komuniste në botë e kanë bërë veten palë me sulmin sovjetik ndaj Shqipërisë. Ato kanë sugjeruar që rruga më e mirë për Shqipërinë duhet të ishte autokritika dhe uniteti me bllokun sovjetik, por gjithsesi e kanë dalluar që kjo mund të jetë e pamundur dhe po përgatisin publikun e tyre për çfarëdo veprimesh që mund të ndërmerren kundër Tiranës. Lideri gjermano-lindor Ulbricht bëri akuza të rënda ndaj Shqipërisë në fjalimin e 20 tetorit, ku tha se ajo kishte shkelur vendimet e përbashkëta të Paktit të Varshavës, çka sugjeron përjashtimin e mundshëm të Tiranës. Sipas analizës së lajmeve të agjencisë sovjetike TASS, duket se në Azi, Koreja e Veriut dhe partia komuniste e Vietnamit të Veriut nuk i kanë bërë jehonë akuzave të Moskës ndaj Shqipërisë, dhe njëfarë heshtjeje mbi çështjen gjithashtu ka pasur nga partitë komuniste të Indisë, Indonezisë dhe Japonisë. Koreja e Veriut e ka ruajtur me kujdes heshtjen mbi çështjen duke mbrojtur frymën e kompromisit me Tiranën.
Akuzat e grupit anti-parti
Qëllimi kryesor i ringjalljes së akuzave të Hrushovit ndaj grupit sovjetik të njohur si “anti-parti” ishte lidhje e çështjes me akuzat e “kultit të individit” të bëra ndaj liderëve shqiptarë, dhe rrjedhimisht dhe atyre kinezë. Fjalimet e Hrushovit dhe të liderëve të tij kryesori kanë përqendruar akuzat në faktin se grupi anti-parti ka kundërshtuar de-Stalinizimin dhe ka shprehur simpatinë në rikthimin e masave represive të asaj epoke. Malenkov, Molotov, Kaganoviç dhe Voroshilov janë akuzuar për përgjegjësi personale në shumë nga krimet e Stalinit.
Përveç kësaj, grupi anti-parti akuzohet për gabime në skenën politike ndërkombëtare, me qëndrime që i afrohen atyre të Shqipërisë apo Kinës. Molotov për shembull, u dënua nga Mikojan për kundërshtimet e politikave të bashkë-ekzistencës paqësore, që tingëllonin të ngjashme me interpretimin ushtarak të çështjes nga Mao Ce Dung. Kështu Hrushovi arriti t’i mposhtë komplotet e grupit anti-parti, që në fakt i drejtoheshin politikave të Shqipërisë dhe Kinës. Por gjithsesi Partia Sovjetike po përpiqet shumë që konfliktet e brendshme të mos përhapen duke shtuar sfidat ndaj udhëheqjes së Hrushovit. Zëvendës-kryeministri Kygysin tha: “Ne po bëjmë këtë tani për t’i treguar partisë dhe popullit se mund të të çojë kulti i individit. Ne duam që mësimet e historisë të mos harrohen asnjëherë”. Ndërsa Leonod Iliçev, kreu i agjitacion-propagandës, bëri të qartë se kritika ndaj kultit të individit nuk duhet të ngatërrohet me autoritetin e liderëve të partisë, dhe paralajmëroi se partia do të bëjë ç’është e mundur për të mbrojtur “autoritetin e njerëzve që po i kushtojnë të gjitha energjitë kauzës së komunizmit”. Kjo sjellje ka si qëllim forcimin e pozitave të Hrushovit si lider i komunizmit botëror, në rivalitetin e tij me Pekinin, duke u përpjekur të çarmatosin paraprakisht kundër-pretendimet se Hrushovi është vetë i dobët në elementët me të cilat po sulmon grupin anti-parti. Në të njëjtën kohë, sulmet kundër ish-stalinistëve kanë efektin të tregojnë se sa më mirë populli sovjetik është tani në krahasim me epokën e terrorit të Stalinit. Të gjithë folësit në kongresin e fundit sovjetik kanë dhënë adhurime për figurën e Hrushovit, si pasuesi legjitim i Leninit. Ministri Malinkovski iu referua atij si “komandanti suprem”, titull që askush nuk e kishte marrë mbi vete që prej “generalissimo” të Stalinit.
Gusht 1963: Aktivitete të porteve dhe anijeve
Bazuar në statistikat e raportuara fluksi i anijeve në portet shqiptare ka shënuar rritje të ndjeshme në pesë vitet e fundit. Numri i anijeve të huaja të ardhura në Shqipëri ka shënuar rritje të vazhdueshme me një mesatare prej 1200 ton të shkarkuara në ditë, kryesisht nga Kina. Muajin e kaluar pesë anije kineze u shkarkuan në Durrës, ndërsa këtë muaj në Shqipëri ka ardhur vetëm një anije kineze (Xin Hua) me një ngarkesë 3500 tonë. Ka pasur gjithashtu disa anije të ardhura nga Gjermania Lindore, Çekia dhe Bullgaria, por këta ndalesa duhet të konsiderohen të rastësishme pasi ato kishin ndaluar më parë në portet jugosllave dhe në Durrës morën pak mallra për udhëtimin e kthimit. Vetëm anija gjermano-lindore Falke erdhi në Durrës për të shkarkuar rreth 300 ton materiale që i kishte ngarkuar në portin rumun të Konstanta. Anija rumune Oltenia erdhi në Durrës nga Ravena për të shkarkuar 1063 ton gomë sintetike, por nuk dihet nëse e shkarkoi në Shqipëri apo vazhdoi me të në Rumani.
17 Shkurt 1965
Lëvizja surprizë e Shqipërisë dje në Asamblenë e Këshillit të Sigurimit i gjeti të papërgatitur anëtarët dhe zyrtarët e OKB, të cilët me shumë gjasa tani po kërkojnë rregullat e procedimit për të kundërshtuar kërkesën e Tiranës për votë në lidhje me rikthim në procedurat e mëparshme të forcave paqeruajtëse. Shumica e delegatëve spekulojnë se Kina komuniste është përgjegjëse për lëvizjen shqiptare, me qëllim diskreditimin e organizatës duke konfrontuar SHBA dhe BRSS për një çështje të prapambetur. Që prej 1 dhjetorit kur sesioni i 19 u hap pas disa shtyrjeve, asambleja i është shmangur mbajtjes së votës me shpresën e zgjidhjes së çështjes së vjetër të paqeruajtësve me anë të negociatave mes dy kampeve. Kjo skemë kishte mbështetjen e të gjithë anëtarëve por kërkesa e Shqipërisë detyroi shtyrjen e seancës deri në shkurt. Për fat të keq kjo shtyrje i jep kohë Shqipërisë të përballet me rregullin që kërkon kopje të propozimeve jo më vonë se ditën para takimit. Siç qëndrojnë gjërat tani, asambleja e përgjithshme mund të mbetet për disa kohë pezull, në kërkim të procedurave siç mund të jenë (1) mundësia që presidenti të mos thërrasë takimin, (2) kryetari t’i mohojë Shqipërisë të drejtën për të folur, (3) ose bojkot demonstrativ nga anëtarët në mënyrë që të mos ketë audiencë. Por edhe këto strategji mund të diskreditojnë Asamblenë në sytë e botës, duke arritur në fakt atë që Shqipëria kërkon, së bashku me Kinën siç supozohet. Delegati sovjetik Morozov i tha dje ambasadorit Yost se besonte se kryetari i Asamblesë Quaison-Sackey mund të trajtonte problemin e Shqipërisë me konsultime mes anëtarëve. Kështu pas hapjes së takimit të radhës presidenti raporton se asnjë vend nuk mbështet propozimin, ose vetëm një ose dy vende. Morozov tha se një delegacion nuk duhet të lejohet të trazojë asamblenë dhe se presidenti duhet ta injorojë delegatin, edhe nëse ngrihet shumë herë. Aq sa mund të parashikohet në këtë situatë delikate, zyrtarët amerikanë janë gjithsesi të përgatitur për konfrontimin nëse vota e kërkuar nuk mund të evitohet. Si SHBA dhe BRSS po marrin pjesë të madhe të fajit për ndarjen e OKB. Shumica e anëtarëve po i kërkon SHBA të tërhiqet, si anëtare më e përgjegjshme dhe e arsyeshme.