Trojet shqiptare në syrin e personaliteteve botërore
Isuf Bajrami
Autorë të ndryshëm dhe specialistë të gjeografisë kanë shpjeguar me të dhënat e tyre për madhësinë e trojeve shqiptare. Sami Frashëri thoshte se “Shqipëria ka një sipërfaqe prej 70000 km katrorë”. Studiuesi francez L.Uelavitch thotë se “madhësia e sipërfaqes së Shqipërisë është 75000 km2”. Studiuesi tjetër shqiptar T.Selenica na jep një “sipërfaqe të Shqipërisë prej 80000 km2”. Ndërsa kufijt e vërtetë etnik të Shqipërisë, ashtu siç na i përshkruan prof. A.Gashi, janë:
Trojet etnike shqiptare
Kufiri perëndimor
Nga kjo anë Shqipnija etnike kufizohet me detin Jon dhe fillon nga Preveza e mbaron në pikën Skepi i Zi. Gjatësia e buzës në këtë anë është 651 km. Kufiri veri-perëndimor Ky kufi fillon nga pika Skepi i Zi e mbaron nga Ferro.
Kufiri veri-lindor
Ky kufi fillon nga veriu i katundit Shapoja, ecën nga lindja deri te katundi Japor, pastaj varet nga jugu deri te kuota 1548 e pastaj kthen përsëri në lindje të Karakollit të Osman Pashës nën kuotat 1619-1931. Kjo vijë e kufirit përmbledhë qytetin e Kurshumlisë, Prokuples, Leskocit dhe të Vrajes së bashku me rajonet dhe katundet e tyre.
Kufiri lindor Ky kufi fillon nga Gradnica dhe mbaron në qoshin ku bashkohen dy lumenjtë Venetika e Vistrica me një gjatësi prej 342 km. Kjo vijë lindore fut përbrenda krejt viset e humbura mbas luftës ballkanike (1912), të cilat përbëhen prej këtyre kryeqendrave dhe krahinave: Gjakovë, Prizren, Kaçanik, Vranie, Gostivar, Tetovë, Shkup, Kumanovë, Preshevë, Dibër, Kërçovë, Strugë, Ohër, Krushevë, Përlep, Resnie, Manastir, Follorinë, Kostur, Naselicë e Grebenë.
Kufiri jug-lindor Kjo vijë fillon nga pika ku bashkohet lumi Bistricë me Venetikon e mbaron në grykën e lumit Artë me një gjatësi gati 180 km. Kufiri jugor Përmbledh brigjet detare të gjirit të Artës. Këto brigje janë shume të përthyeme e kanë një gjatësi prej mëse 93 km dhe duke filluar nga goja e lumit Artë mbërrijnë te qyteti i Prevezës. Brenda këtyre kufijve ndodhet Shqipëria, e cila shtrihet në jug- perëndim të siujdhesës ballkanike, mbi brigjet detare të Adriatikut dhe të detit Jon, nga jugu në veri ndërmjet skepave Skepi i Zi në lindje të Vrajës, gjatësi lindore nga Ferro.
Me luftërat ballkanike dhe Konferencën e Londres më 1913 plotësuan ëndrrat e shteteve fqinje, Greqisë, Serbisë dhe Malit të Zi dhe u vendos kufiri i sotëm që përmbledh më pak se gjysmën e Shqipërisë së vërtetë. Shqipëria etnike para ardhjes së turqve në Ballkan zinte një sipërfaqe prej rreth 110000 km2.
Në periudhën e pavarësimit të shteteve të Serbisë, Malit të Zi dhe Greqisë, Turqia u “fali” këtyre shteteve rreth 5000 km2 të tokës shqiptare. Pas luftës se vitit 1876-1877 me Rusinë, Turqia dhuroi në interes të popujve ortodoksë të Ballkanit rreth 25500 km2 të tokave shqiptare.
Shqipëria etnike në fund të shekullit 19
Në fund të shekullit XIX, dheu i Shqipërisë etnike do të tkurrej në 80000 km2 me 2.5 milionë banorë, ndërsa Konferenca e Paqes, që u mbajt në Versaje më 1919-1920, do të pranonte se dherat shqiptare në vitet 1912-1913 zinin një sipërfaqe prej 90270 km2 me rreth 3 milionë banorë. Përkundër këtyre pohimeve, kjo Konferencë lejoji vendimet e Traktatit Paqësor të Londrës (1913), duke shkëputur nga trungu etnik shqiptar rreth 80000 km2 që iu shpërndau shteteve fqinje, kështu që Shqipërisë i mbetën vetëm rreth 28700 km2. Ndërsa sipas Vjetarit Shtetëror Statistikor të Shqipërisë, sipërfaqja në km2 e shtetit shqiptar është 28748km2.
Sipas dokumenteve historike të botuara qysh herët, Ilirinë e Jugut grekërit e quanin Epir, ashtu siç e shihnin nga ishujt. Është njëlloj, vazhdojnë studiuesit, si peshkatarët e ishujve Bohama ta quanin Floridën “Kontinent”. Emër që s’ka asgjë të përbashkët me kombësinë e popujve që jetojnë aty.
Në pjesën që i kushtohet Greqisë, Straboni nuk e përmend Epirin, kurse Ilirinë dhe Maqedoninë i trajton së bashku. “Pas epirotëve dhe ilirëve, thotë ai, vinë fiset greke”. Sipas veprës Iliada, këto fise “barbare” jo helene nuk bënin pjesë në Lidhjen kundër Trojës. Maqedonia dhe Epiri kishin një gjuhë të përbashkët jashtëhelene, thotë Straboni dhe Plutarku. “Epirotët e maqedonët, përforcon studiuesi gjerman Hahni, qenë fise të afërta me njëri-tjetrin ose me prejardhje të përbashkët”. Skënderbeu thoshte: “Nëse kronikat nuk gënjejnë, ne quhemi epirotas” ndërkohë që Barleti e quante Skënderbeun “Princ i epirotëve”. Ndërsa Pirroja quhej “Shqiponja”. “Në Epir gjatë lashtësisë banonin vetëm popujt jogrekë, shkruante Tumman, që flisnin gjuhën maqedone ose çka është njësoj gjuhën ilire”.
Aristoteli, te vepra e tij “Politika”, i kushton vëmendje të veçantë Kushtetutës së Epirit, si e ndryshme nga ajo helene. Skylaki i lashtë, duke përmendur Ambrakinë thotë: “…prej këtej nis Helada”. Aristoteli shkruan për ishullin Diomeda në detin Adriatik: “…kur vinë këtu helenët…” dhe më poshtë: ’’…kur vinë barbarët që rrojnë aty afër…”. Të gjithë autorët e hershëm grekë gjuhën e Epirit e quajnë pellazgjike, jo greke. Në asnjë dokument a historian s’përmenden përkthyes në bisedime mes popujsh “barbarë”. Pasi ata merreshin vesh pothuaj në të njëjtën gjuhë të tyre johelene. Rrënjët e fjalëve të vjetra të Epirit s’njiheshin nga grekërit, sepse qenë të kohës së pellazgëve më të lashtë, me të cilët grekërit trazuan gjuhë e kulturë.
Studiusit e huaj për Shqipërinë etnike
Në këtë rrjedhë historike studiuesi suedez Martin P. N. Nilson thotë: “Epiri nga çdo prirje del jogrek”. Perandori bizantin i shekullit X, Luani i Mençur thotë se: “banorët e Epirit janë shqiptarë”. Studiuesi Lyber shkruan: “Ishulli i Korfuzit në zanafillë banohej nga ilirët”. Kronisti bizantin i shekullit XIV, Mihal Dukasnantari, i Shtëpisë Perandorake, tregon paanshëm se “sunduesi i Janinës, Thoma Preluboviqi, i mbiquajtur “shqiptar vrasës”, Janinën e pastronte nga shqiptarët në një mënyrë të tillë saqë dhëndrrit të vet shqiptar, Gjin Bue Shpatës, i cili e rrethoi kërcënueshëm, i dërgonte me cinizëm si dhuratë shporta me sy të nxjerrë të shqiptarëve”!
Megjithate, osmanët të kujdesshëm në regjistrime, Janinën kur e pushtuan më 1431 e quajtën tokë shqiptare. Kështu, ata shkruan Delvinë, Grebenë etj., e jo Dhelvinon, Grevena etj., pavarësisht se kishte ndodhur që në shekullin VI p.e.r. mbreti Tharip i Epirit në administratën e oborrit mbretëror kishte marrë me rrogë një athinas, i cili gjeti rastin dhe e hapi greqishten si një gjuhë të dytë.
Holand, Epiri dhe suliotët
Dr.Holand, në vitin 1812-1813, shënon në shënimet e tij: “Udhëtime në Ishujt Jonianë, Shqipëri”. “Hyra në Epir në brendësi të Shqipërisë”, shkruan piktori i shquar Levis. Në vizatimet e veta, piktori I.Leiç shënon mes të tjerash: “Janinë, kryeqytet i Shqipërisë; Qyteti dhe Kështjella e Paramithisë – Shqipëri; Varri i Ali Tepelenës – Janinë, Shqipëri; Kështjella e Pargës – Shqipëri; Lugina e Sulit – Shqipëri” etj.
Në ditarin e vet në Qefalon në gusht 1823, Bajroni shkruan: “Suljotët qenë një kastë ushtarake e të krishterëve shqiptarë, që rronin në male të larta, të cilat sundonin rrjedhën e lumit Akeron”. Për njerëz të tillë Bajroni vazhdon: “…ka diçka të trashëguar nga lashtësia, diçka epike nga koha e Pirros”.
Në librin “Udhëzues për udhëtarët në Greqi” thuhet: “Shqipëri sot quhet tërë Epiri i lashtë si dhe provincat jugore të Ilirisë së hershme që arrijnë deri në gjirin Rizonik, ose grykat e Kotorrit”. Marksi shkruan: “Duke zotëruar Durrësin dhe bregdetin shqiptar nga Tivari tek Arta… ai popull flet në gjuhën e lashtë ilire që bënë pjesë në familjen e madhe të gjuhëve indoevropiane”. Koloneli Lik shënon:
“Shqipëria zë tërë vijën e bregdetit në lindje të Jonit dhe Adriatikut, e përfshirë në paralelet 39–43”. Duke qenë në Epir, ai shkruan se “…aty rregulloheshin punët në atë mënyrë që qe e përgjithshme në Shqipëri”. Në zgjatje të Epirit më në Veri, Liku shkruan: “Asgjë nuk mund të jetë më tërheqëse e më piktoreske se pamja e Luginës së Gjirokastrës… katundet e shumta tregojnë se ajo është një nga rajonet më të lulëzuara të Shqipërisë”.
Dijetari Spencer bën një gjykim përgjithësues: “Mund të ndryshojnë emrat e një sërë rajonesh e t’i përfshijnë ato në provinca të tjera, por hartën natyrore të Shqipërisë s’ka dorë njeriu ta fshijë, ndërkohë që banorët e krishterë a myslimanë shquhen nga të njëjtat tipare, zakone, doke dhe prej të njëjtës gjuhë”. Dr.Holland gjatësinë e Shqipërisë e përcakton 250 milje; Lik e jep 30 milje në skajin jugor dhe 100 milje në pjesët e tjera, ndërsa kufijtë në bregdet i jep gjer në Prevezë dhe Sulin e quan rajonin e skajshëm të Shqipërisë.
Ai plotëson më saktë, duke thënë se “Shqipëria nis me një rrip toke të ngushtë nga malet e Sulit në Vai të gjirit të Artës, duke u zgjeruar me një gjerësi, që është vështirë të përcaktohet”; dhe vazhdon më tej: “Gjiri i Artës mund të quhet dalje kryesore për pjesën jugore të Shqipërisë”.
Kufijtë e Shqipërisë sipas Hobhauz
Shoku i shquar i Bajronit, Hobhauz, thotë se “kufijt e Shqipërisë mbarojnë në jug në gjirin e Lepentos, ose sipas disave në gjirin e Artës… E tërë zona, duke përfshirë dhe Akarnaninë mund të quhet pa gabuar Shqipëri”. Kur vizitoi fshatin Qestorat, të Gjirokastrës, ai tha për shtëpitë e tyre: “…krejt ndryshe nga ç’kishim parë në Shqipërinë e sotme”.
Të njëjtën gjë, por nga një drejtim tjetër, e përcakton ushtari anglez Paton: “Prej Novipazarit, 10 orë larg tokës së Malit të Zi… fillon shqipja, e cila që këtej shtrihet për në jug drejt Epirit”. Dijetari Erkhart Janinën e quan: “Kryeqytet i fiseve çame”. Hjuz, duke e përcaktuar Janinën në Shqipëri, shton se kësaj të fundit “mund t’i shtohet Arta e Lura”.
Më tej Konicën e përshkruan si: “…një prej maleve më të mira të qytetit shqiptar… ka 5000 banorë me dy të tretat myslimanë, 600 shtëpi shqiptare, 200 greke”. Pastaj flet për peshkopatën e Gjirokastrës Drinopollis (Dropulli i sotëm) me shkurtimin e emrit Fusha e Drinit. Para meje, shkruan Erkharti, kur doli përballë limaneve të Artës “shtrihet toka e Pirros, e Skënderbeut dhe e Ali Pashë Tepelenës”. Gjithashtu, gjatë vizitës së tij, studiuesi Doduell shkruan: “Gjiu i Ambrakisë ndan Epirin nga Akarnania dhe në anën jugore të tij është fillimi i Greqisë“.
Regjistrimet osmane kanë qenë mbajtur tepër saktësisht, pasi lidheshin me interesat ekonomike e administrative të tyre me rastin e krijimit të nahijeve. Epirit i shënojnë 617 mijë vetë, nga ku rreth 120 mijë grekë dhe 33 mijë vllehë dhe të tjerët i vë shqiptarë; pra, vetëm një e pesta grekë. Statistikat e Sanxhakut të Gjirokastrës në mesin e shekullit XIX shënojnë 148759 banorë; nga këta 68915 myslimanë, 60872 krishterë, 18972 grekë, asnjë vlleh.
Çamëria kishte 212 fshatra të krishterë dhe 80 myslimanë. Statistikat më pas shënojnë se më 1913 në Çamëri 96% flasin shqip, ndërsa më 1940 bie në 80%.
Pukëvili, Napoleoni dhe të tjerë për Shqipërinë
Pukëvili i njohur si filohelen shkruan: “Habitem shumë dhe nuk mund të kuptoj si ka ndodhur që në Çamëri dëgjohet vetëm gjuha shqipe, sikur shqiptarët të jenë këtu vendës e jo grekërit”. Napoleoni e quajti pashallëkun e Janinës: “…një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve”. Për këtë hapësirë shqiptare i apelohet Papës së Romës për të ndihmuar Epirin, kur i shkruhet nga Shqipëria “për një pjesë të vendit… nga Gjiri i Artës në portin e Vlorës, përfshi Manastirin në kufi të Maqedonisë e Mecovën në shpatet e Pindit”. Në botimet e Pukëvilit lexojmë: “…me numrin e tyre të madh, me guximin, zellin e veprimtarinë e tyre, shqiptarët do ia ndërronin një ditë faqen Greqisë”. Studiuesja e shquar rumune me origjinë shqiptare Dora D’Istria, thotë për shqiptarët në Greqi: “Vetëmohimi e flija e tyre qenë ndihma më e madhe në kryengritjen greke për çlirim. Mbi shkëmbinjtë e mbi zellin e Pargës gjenden ende tepricat e një populli që dha jetën e vet për Pavarësinë e Greqisë.
Atje ndodhen edhe gjurmët e gjakut të martirëve”. Bashkëkohësi i Ali Pashës, rusi i pranishëm E.Golubinski, thotë për të: “Atdheu i tij qyteti i Artës, nuk gjendet në Perandorinë e Konstandinopojës… por në një principatë të lirë shqiptare. Ai qe pushtuar nga turqit më 24.03.1449”. Këto thënie pohojnë atë që Ali Pashë Tepelena i tha lirshëm Bessierit francez: “Unë e quaj shtëpinë time Butrintin, Pargën, Prevezën dhe Vonicën”.
Çamëri quhet qarku i Shqipërisë që përfshinë krahinat e Paramithisë, Filatit, Pargës, Margëlliqit, Gumenicës etj. Topografikisht, etnografikisht, folklorikisht, Çamëria përbënë një krahinë jo të veçantë të Shqipërisë”. Po kështu thuhet edhe më vonë: “Çamëria është pjesa më jugore e Shqipërisë dhe jep të dhëna për numrin e popullsisë në myslimanë e ortodoksë”. Historiani grek Sathos shkruan se: “…në Mesjetë, Thesprotia përmendet si krahinë e banuar kryesisht prej shqiptarëve”. Një përcaktim të tillë e jep edhe Enciklopedia italiane: “Thesprotia është emri grek i Çamërisë”
. Edhe në Konferencën e Loussanos, në janar 1913-të përfaqësuesi i shtetit grek, M. Cacllamanos, në debatet e nxehta për Shqipërinë u shpreh: “…shqiptarët banojnë në një krahinë plotësisht të caktuar në Epir”. Ç’ndodhi me tërë këta shqiptarë në Epirin e tyre?! “Tretja” nga çkombëtarizimi prej Patriarkanës dhe megalidesë motivoi parashikimin e diplomatit grek Stefano Skuludhis, shprehur me letër ministrit grek të Punëve të Jashtme më 18.02.1877, ku thuhet: “…shqiptarët pa gjuhë të lëvruar, pa arsim të zhvilluar, pa fe të përcaktuar, nuk do t’i ruajnë dot për një kohë të gjatë kombësinë e tyre, po do të asimilohen gradualisht prej grekërve”…
Trojet pas Revolucionit Francez
Pas revolucionit francez, filloi një epokë e re. Me likuidimin e copëtimit feudal lindën tërësitë kombëtare. Një ndër shtetet që lindën pas kësaj periudhe është Greqia (1831), e cila u garantoi shtetasve të saj liritë civile, politike në masë të barabartë. Klauzola të tilla u përcaktuan me Traktatin e Londrës më 1829, të Parisit 1856, të Berlinit 1878, që janë quajtur traktate “Minoritare”. Deri më 1914 ishin bërë jo më pak se 30 traktate të tilla ndërkombëtare.
Siç u tha edhe më lart Pukëvili shkruan: “Çamët jetojnë në jug të lumit Kalama. Distrikti i tyre shkon deri në Janinë. Vendbanimet e tyre kryesore janë: Suli, Paramithia, Luarati, Margariti, Parga dhe Agjia”. Çamëria, pra, është një zonë e banuar nga popullsia autoktone shqiptare.
Ajo e cila e përbënte pjesën kryesore të pakicës kombëtare shqiptare në Greqi, në një sipërfaqe me 1950 km2, u çlirua nga pushtimi turk më 1912, në të njëjtën kohë si e gjithë Shqipëria. Kongresi i Berlinit (1878), Konferenca e Londres (1913) e më pas Konferenca e Firencës, që përcaktuan kufijtë e pjesës jugore dhe juglindore të Shqipërisë, vendosën që kjo trevë shqiptare të kalonte nën sundimin grek.
Ajo përfshinte 189 qytete dhe fshatra me një popullsi sipas regjistrimit turk të vitit 1908 mbi 72.000 banorë. Pas caktimit të kufirit shqiptaro–grek nga Protokolli Firencës, Fuqitë e Mëdha i kërkuan Greqisë të tërhiqte trupat e pushtimit brenda një muaji nga Shqipëria e Jugut.