Më shumë se fituesi, rëndësi ka procesi demokratik në Kosovë
Suzana Tahiri
Shteti më i ri i Europës, Kosova sot do të votojë sërish për strukturat e reja në pushtetin vendor. Ashtu si në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, beteja më e madhe është përqëndruar te partitë kryesore politike, por për shkak të natyrës së këtyre zgjedhjeve në strukturat bazë, mundësi përfaqësimi kanë gjithashtu edhe partitë më të vogla.
Burime nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve bëjnë me dije se rreth 155 mijë të rinj, mbi 18 vjeç do të votojnë për herë të parë, çka votat e tyre mund të jenë vendimtare në përzgjedhjen e subjektit i cili do të qeverisë në katër vjetët e ardhshme.
Lista Përfundimtare e Votuesve (LPV 2017) përmban 1 milion e 872 mijë e 941 emra të votuesve. Në funksion të tyre janë 889 qendra të votimit, pra rreth 91 më shumë se në 2014.
Natyrisht se zgjedhjet vendore nuk e kanë atë rëndësi sa ato parlamentare, por e përbashkëta e tyre është që procesi të jetë sa më demokratik, njerëzit të votojnë lirisht për alternativat më të mira, për figura me individualitet, që nuk kanë lidhje me korrupsionin, me trafiqet, me abuzimin me pushtetin dhe me fenomene të tjera negative.
Kosova ndodhet sot përballë shumë sfidash të integrimit euro-atlantik dhe pikërisht për këtë pozita dhe opozita lypset të luftojnë së bashku për të garantuar procesin zgjedhor, larg ekseseve dhe veprimeve të dhunshme, që shpesh kanë ndodhur në zgjedhjet e mëparshme.
Apeli për klasën politike aktuale në Prishtinë vjen së bashku edhe me thirrjen për gjithë qytetarët që të marrin pjesë në votime, si një e drejtë kushtetuese, ku çdo pushtet vjen dhe ikën me votë, në mënyrë të lirë dhe demokratike.