Albspirit

Media/News/Publishing

Mimoza Mëholli, mjekja që kuron shqiptarët e Amerikës

mimozaFlora Nikolla/Mimoza Mëholli, ka lindur në Mitrovicë, por kur ishte vetëm 1 vjeç familja e saj u shpërngul në Prishtinë. Mitrovicën e mban mend si vendi ku shkonte të vizitonte të afërmit dhe si një qytet me një industri të zhvilluar. Fëmijëria e saj në Prishtinë ka qënë e lumtur. Aty ka kaluar momente të bukura me familjen, shoqet dhe shokët e shkollës, përkundër situatës së rëndë politike të viteve  90-të. Kur erdhi në Amerikë ishte 17 vjeç, jetonte në një familje e cila e kishte mikëpritur dhe vazhdonte shkollën e mesme.Vendosi të studionte mjekësi pas përfundimit të studimeve në Biokimi në Amerikë, dhe punës si Research Assistant në Boston Biomedical Institute me shkencëtarë që kishin detyrë zbulimin e shërimit të  sëmundjes “Malignant Hyperthermia”. Aty i lindi interesi për të patur një efekt më të drejtpërdrejtë të aplikimit të shkencës në shërimin jo vetëm të sëmundjes, por edhe të njeriut që vuantë nga ajo. Sot, Mimoza, punon në Qëndrën Spitalore Jacobi në NYC, një qëndër shumë e madhe ku kurohen edhe shumë shqiptarë. Ajo tregon se kur pacientët shqiptarë pranohen ne spital, i vendosin nën mbikqyrjen e saj pasi të gjithë e dinë që është shqiptare dhe që ka dëshirë të punoj për popullin e saj. Çdo pacient gëzohet dhe krenohet kur e di qe mjekja e tyre është vendase. Vizita fillon me shumë pyetje për Mimozën si ka arritur deri këtu. Pastaj ajo nis të merret me punen rreth pacientit. Kur bëri intervistën për punë tek Jacobi, për Residency Training, pa udhëzime në gjuhën shqipe dhe u ndje e mirëseardhur. Ky gjest i tregoi se ky spital  dhe stafi i tij, respektojnë popullin të cilit i shërbejnë dhe janë të dedikuar ndaj komunitetit të tyre. Mimoza, planifikon të vazhdojë punën në spital dhe në të ardhmen mendon të angazhohet më tepër në leksione për studentët e  mjekësisë si associate professor.  Mimoza Meholli është nominuar nga Albanian Excellence të jetë pjesë e Zonjave shqiptare të Nju Jorkut, një libër që do të promovohet në një mbrëmje Gala, mbrëmjen e 24 Shtatorit në Teatrin Symphony Space në Nju Jork

F.N : Ju jeni lindur në  Kosovë , çfarë do të kujtonit nga vëndlindja juaj , si do të mund ta përcaktonit atë ?

mimoza6M.M : Unë jam lindur në Mitrovicë, por kur isha 1 vjeç familja u shpërngul në Prishtinë. Mitrovicën e mbaj mend si vend ku shkoja shpesh të vizitoja të afërmit dhe si një qytet me një industri të zhvilluar. Gjyshja (nëna e babait) jetonte në një fshat në veri të Mitrovicës dhe familja  dhe shumë kusherinj, ishin minatorë në Fabrikën e Trepçës. Dajat jetojnë në Pejë, dhe ne atë kohë çdo verë ishim në Rugovë për pushim 3-4 javë. Sot e kësaj dite më kujtohet natyra e bukur dhe ushqimi freskët nga bulmeti i gjyshes,që i shijonim së bashku me fëmijët e tezeve dhe dajave. Më mungon nga vendlidja familja,shoqëria,dhe populli dashamirës, atmosfera e të qenit prezent të njerëzit që të kuptojnë në aspektin kulturor.

 F.N : Po nga fëmijëria juaj në  Prishtinë ?

M.M  Fëmijëria ime në Prishtinë ka qënë e lumtur. Kam kaluar shumë momente të bukura me familjen , si dhe me shoqet dhe shokët e shkollës, përkundër situatës së rëndë politike të viteve  90-të. Mendoj që Prishtina ka qënë dhe mbetet një qytet plot gjallëri dhe ndihem shumë mirë sa herë kthehem aty për të vizituar familjen dhe shoqërinë.

mimoza11F.N : Pse zgjodhët të studioni mjekësi ?

M.M : Që në shkollën e mesmem vura re se shkencat natyrore më interesonin shumë.Vendosa të studioja mjekësi pas përfundimit të studimeve në Biokimi në SHBA si dhe si Research Assistant në Boston Biomedical Institute me shkencëtarë që kishin për detyrë zbulimin e shërimit për sëmundjen “malignant hyperthermia”. Aty më lindi interesi për të patur një efekt më të drejtpërdrejtë të aplikimit të shkencës në shërimin jo vetëm të sëmundjes, por edhe njeriut që vuan nga ajo.

mimoza2F.N : Cila ka qënë rruga juaj për të arritur deri në diplomimin tuaj si  mjeke ?

M.M : Konkurenca për studime në mjekësi në SHBA, është shumë e madhe, si dhe obligimi financiar për të paguar shkollimin.Është shumë e vështirë të fitosh bursë për shkollim,dhe për këtë arsye vendosa të shkoj në Fakultetin e Mjekësisë në Izrael ku kishte Mjekësi Ndërkombëtare dhe bashkëpunim me Columbia University në Nju Jork.

F.N : Sikur të mos ishit realizuar si mjeke cili mund të kishte qënë profesioni i jetës tuaj ?

M.M : -Arkitekte

F.N : Çfarë është mjekësia për ju ?

M.M : Mjekesia për mua është një ndër fushat më delikate që përbëjnë aplikimin e shkencës, shërimin e të sëmurit, dhe mirëqënien e popullit. Është një fushë e cila të shtyn të jesh gjithmonë e gatshme të mësosh sa më shumë, të përgatitesh për sfida në çdo nivel të ngritjes profesionale. Në epiqëndër të punës është komunikimi me njerëz të cilët duhesh t’i kuptosh.

mimoza 10F.N : A është e vështire të jesh mjeke në Amerikë ? Kujt ja kushtoni  suksesin në profesionin tuaj ?

M.M : Të jesh mjeke është e vështirë në çdo vend, madje edhe më shumë në vende të pazhvilluara apo me burime të pakta. Suksesin në mjekësi si dhe suksesin e qëndrimit në Amerikë ja kushtoj familjes. Pa mbështetjen dhe sakrificat e tyre, nuk do mundesha të ecja përpara. Qëndrimi në Amerikë gjithashtu më është bërë më i lehtë për shkak të mbështetjes së familjes Amerikane, të Alice Mead, e cila më ndihmoi të vija me studime që në shkollë të mesme. Alice Mead, është një autore e librave për fëmijë e cila pasi kishte dëgjuar për trazirat në Kosovë ,vendosi ta vizitonte në vitin 1994. Ajo u takua me mua një vit më vonë në Prishtinë.

F.N : Ju punoni në Qëndrën Spitalore Jacobi , një qëndër shume e madhe por ku edhe kurohen edhe shumë shqiptarë…  Cila është marrdhënia juaj me pacientët shqiptarë ?

mimoza3M.M : Zakonisht kur pacientët shqiptarë pranohen ne spital, mundohen t’i vendosin nën-mbikqyrjen time pasi të gjithë e dinë që jam shqipatre dhe kam dëshirë të punoj me popullin tim. Çdo pacient gëzohet dhe krenohet kur e di qe mjekja e tyre është vendase. Vizita fillon me shumë pyetje për mua dhe si kam arritur deri këtu (e jo anasjelltas siç është sistemi në SHBA). Pastaj filloj unë të merrem me punën rreth pacientit. Pacientët shqiptarë janë shumë falenderues për kujdesin dhe kanë respekt të madh për të gjithë.

F.N : Tek Jacobi edhe tabelat janë të shkruara në shqip , cila ka qënë ndjesia juaj kur I patë për herë të parë ?

M.M : Ne fakt, kur erdha të bej intervistën te Jacobi, për Residency Training dhe pashë  udhëzimet në gjuhën shqipe, menjëherë ndjeva veten të mirëseardhur. Ky gjest më tregoi se ky spital dhe stafi i tij, respektojnë popullin të cilit i shërbejnë dhe janë të dedikuar ndaj komunitetit të tyre.

F.N : Ju keni punuar edhe te Klinika Ilyria e ngritur pas luftes në Kosovë… çfarë mund të tregoni nga kjo eksperiencë ? 

 M.M : Kjo klinikë është themeluar nga iniciativa e Dr. Alan Ross, pediatër, i cili ka punuar me OSBE-në para luftës në Kosovë. Ai ka studiar kulturën shqiptare dhe ka shumë pacientë shqiptarë nga vende te ndryshme, si dhe nga Mali i Zi. Në vitin 2008 dhe 2009, Dr. Ross organizoi nje grup mjekësh të specializimeve të ndryshme (unë isha në këtë grup), të punojnë si vullnetarë në qëndrën e Urgjencës në qytetin e Ulqinit gjatë verës. Ky bashkëpunim ishte jashtëzakonisht me vend dhe i ndihmoi mjeket në qender me trajnime të ndryshme, si dhe vizita në SHBA. Pasi punoj si Interniste në spital, apo Hospitalist, nuk kam patur mundësinë të punoj në klinikën Ilyria, por jam kujdesur që shumë pacentë shqiptarë të trajtohen në atë klinikë.

mimoza5F.N : Si u përballët ju me jetën amerikane ?

M.M:  Kur kam ardhur në Amerikë isha 17 vjeç, jetoja në një familje e cila më kishte mikëpritur në shtëpinë e tyre dhe vijoja shkollën e mesme. Më është dashur t’i adaptohem një mënyre pak më ndryshe të jetesës dhe sistemit shkollor ndryshe nga ai që kishim në Kosovë. Në fillim, ka qënë shumë e vështirë, mirëpo me kalimin e kohës u adaptova. Isha mjaft fatlume pasi pata mundësinë të vizitoj familjen në Kosovë gati  çdo vit. Kjo më ndihmoi të eci përpara duke mbajtur rrënjët e përqëndruara.

F.N : Cilat janë planet tuaja më të afërta ?

M.M : Planifikoj të vazhdoj punën në spital dhe në të ardhmen ndoshta të angazhohem me tepër në ligjërata të studentëve të mjekësisë si associate professor.

Dicka që doja të nënvizoja është  shpërblimi nga studentat e mjekësisë për kontributin që kam dhënë në trajnimin e tyre gjate viteve të praktikës. Po ashtu këtë vit  kam marrë pjesë në trajnimin e mjekëve të Kosovës në kujdesinPaliativ, në kuadër të OJQ-së Smile International me bazë në Angli. Ndërkohë jam emëruar anëtare e Këshillit Konsultiv të Smile International për  Zhvillimin e kujdesit Paliativ në Kosovë

F.N Në SHBA, ka një komunitet të konsiderueshëm shqiptarësh, sa të integruar e shihni këtë  komunitet në jetën amerikane ?

M.M : Mendoj se komuniteti shqiptar është relativisht i integruar në jetën amerikane.Shumë prej tyre punojnë, studiojnë dhe i kontribojnë zhvillimit të komuniteteve ku jetojnë.

mimoza10F.N Po gruan shqiptarë në këtë komunitet ?

M.M : Ka hapësirë që gruaja shqiptare të inkuadrohet më shumë në jetën amerikane,qoftë përmes shkollimit dhe punësimit, qofte duke marre pjese si vullnetare në aktivitete të ndryshme.

F.N Cili mendoni se duhet të jetë imazhi i gruas shqiptare në shekullin e XXI ?

M.M :  Mendoj se gruaja shqiptare e shekullit XXI, duhet të jetë e pavarur në aspektin ekonomik, të ketë një karrierë të qëndrueshme dhe te kontribuojë në mirëqenien e familjes se saj he të rrethit ku jeton.

 

Please follow and like us: