Albspirit

Media/News/Publishing

Dashuria ime në vendin e harruar nga Zoti dhe njerëzit

Intervistë me publicisten dhe përkthyesen e njohur polake, DOROTA HORODYSKA

 

Dashuria ime në vendin e harruar nga Zoti dhe njerëzit

 

 

 

 

Çerçiz LOLOÇI

 

Dorota Horodyska nuk mund të jetë shumë e njohur në të gjitha viset shqiptare, por, nëse përmendet emri i saj në qarqet kulturore shfaqet sakaq admirimi i veçantë. Dhe kjo nuk ndodh thjesht te të përkthyerit e saj në gjuhën polake, mes të cilëve Kadare, Aliçka, Velo, Lubonja, por shumë më tepër se kaq: komunitete të tëra kulturore në atë që quhet hapësira e natyrshme shqiptare shprehen me konsideratat më sipërane për zonjën e hijshme polake të dashuruar kaheri me Shqipërinë. Si gjithë komuniteti zëheshtur i përkthyesve që janë lajmëtarët dhe kumtuesit më të mëdhenj, Dorota ka filluar të njihet me shqipen në vitet studentore, i është përkushtuara asaj në vitet e mëvonshme duke u shndërruar gradualisht në portën e parë të kumtit kulturor që vjen prej Shqipërie.

 

Kush është DOROTA HORODYSKA

Polake, përkthyese e letërsisë shqipe, autore e reportazheve për Shqipërinë dhe e shënimeve kritike për jetën letrare shqiptare

Ka lindur më 01.08. 1955.

1978: Ka mbaruar gjuhë e letërsi ruse në Universitetin e Varshavës.

1984: U doktorizua në fushën e letërsisë bashkëkohore ruse në Universitetin e Varshavës.

1997-1990 ka punuar si përkthyese në Bashkimin Sovjetik.

Ka filluar të mësojë gjuhën shqipe si autodidakt.

 

Libra të përkthyer

  1. 1997, Ligj “Për dispozitat kryesore kushtetuese”. (2000 botimi i dytë).
  2. 2001, Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë.
  3. 2002, Ylljet Aliçka: Kompromisi, përmbledhje tregimesh, Sejny. Libri i parë artistik i përkthyer në gjuhën polake nga një përkthyes polak.
  4. Duke punuar: Fatos Lubonja, përmbledhje e publicistikës.
  5. Ismail Kadare: “Breznitë e Hankonatëve”, “Qorrfermani”, ‘Komisioni i festës”.
  6. Tregime dhe publicistikë në polonisht.
  7. Fragmente të prozës të Nasi Lerës dhe Zija Çelës (1998).
  8. Ismail Kadare: Shqiptarët në prag të mijëvjeçarit të tretë (1999).
  9. Rreth 25 shkrimeve nga autorë të ndryshëm shqiptarë (që nga viti 1997): Fatos Lubonja, Bashkim Shehu, Artan Puto, Shkëlzen Maliqi, Maks Velo.
  10. Punon në Bibliotekën e Sejmit (Parlamenti polak).

 

Të tjera nga Dorota Horodyska

 

Publicistikë

 

  1. Horodyska Dorota, Albańska Matrioszka, Tygodnik Powszechny 1995/42, s.7.
  2. Horodyska Dorota, Chleb, sól i serce; Dni śmierci, Polis 1995/1.
  3. Horodyska Dorota, Tryptyk albański, Polis 1995/6, s.71-73.
  4. Horodyska Dorota, Najważniejszy człowiek, Przegląd Albański 1997, s.70-71 (literatura).
  5. Horodyska Dorota, Dział zagraniczny. Albania, Twórczość 2000/9, s.150-152; 2000/11, s.147-148.
  6. Horodyska Dorota, Dział zagraniczny. Albania, Twórczość 2001/4, s.136-139 (Perpjekja).
  7. Horodyska Dorota, Saga rodziny Lubonjów, albańskich intelektualistów, “Gazeta Wyborcza” 22 III 2002.
  8. Horodyska Dorota, Jeden przeciw elitom, “Gazeta Wyborcza”, 03 IX 2003.

 

Përkthime

  1. Aliçka Ylljet, Kompromis. 13 opowiadań albańskich, wybór, przekład i posłowie Dorota Horodyska, Sejny 2002.
  2. Aliçka Ylljet, Przykry incydent (opowiadanie), tłum. Dorota Horodyska, Krasnogruda XVI (2002/2003), s.146-148.
  3. Çapalliku Stefan, Znajomość z Anną była całkiem przypadkowa, przeł. Dorota Horodyska, (opowiadanie) Krasnogruda nr. 15, Sejny 2002, s. 51-59.
  4. Čubrilović Vaso, Wysiedlenie Albańczyków, tłum. Dorota Horodyska, Przegląd Albański nr.3 (1998-2000), s.25-32.
  5. Kadare Ismail, Naród albański u progu trzeciego tysiąclecia [Populli shqiptar ne prag te mijevjecarit te trete], tłum. Dorota Horodyska, Więź 1999/12.
  6. Konstytucja Republiki Albanii [Kushtetuta], opr. Adam Bosiacki, Dorota Horodyska, Wyd. Sejmowe, Warszawa 1997.
  7. Konstytucja Albanii z 1998 roku [Kushtetuta], tłum. Horodyska Dorota, Lloha Edlira, wstęp: Włodzimierz Milanowski, Warszawa 2001.
  8. Lera Nasi, Anna, tłum. Dorota Horodyska, Przegląd Albański 1997, s.78-80 (opowiadanie).
  9. Leka Martin, Wojna w czasie pokoju, tłum. Dorota Horodyska, Polis 1998/2-3, s.117-118, (Kosowo).
  10. Lubonja Fatos, Albańczycy i Kosowarzy, tłum. Dorota Horodyska, Krasnogruda nr. 15, Sejny 2002, s.33-36.
  11. Lubonja Fatos, Intymność w machinie, tł. Dorota Horodyska, Gazeta Wyborcza 2001/45, s.18.
  12. Lubonja Fatos, List do przyjaciela z Kosowa, tł. Dorota Horodyska, Gazeta Wyborcza 2000/76, s.12-13.
  13. Lubonja Fatos, Nostalgia i ból, tłum. Dorota Horodyska, [w:] Nostalgia. Eseje o tęsknocie za komunizmem, Wołowiec 2002.
  14. Lubonja Fatos, Religia i Albańczycy (krótki zarys historyczny), przeł. Dorota Horodyska, Krasnogruda nr. 15, Sejny 2002, s.73-80, fot..
  15. Lubonja Fatos, Spojrzenie Skanderbega (tłum. Dorota Horodyska), Gazeta Wyborcza 1999/79, s.14-15.
  16. Lubonja Fatos, Toksyczne Bałkany, tłum. Dorota Horodyska, Gazeta Wyborcza 2002/97.
  17. Lubonja Fatos, Wirtualna świetność, mizerna rzeczywistość: Albańczycy, tł. Dorota Horodyska, Gazeta Wyborcza 2000/223, s.20-21.
  18. Lulija, Sny, tłum. Dorota Horodyska, Polis 1998/2-3, s.119.
  19. Maliqi Shkëlzen, Albańczycy i Europa [fragm], tłum. Dorota Horodyska, Polis 1998/1, s.56-62.
  20. Puto Artan, O planach emigracji Żydów do Albanii, tłum. Dorota Horodyska, Midrasz 2000/5.
  21. Shehu Bashkim, Anatomia biblioteki dyktatora, tłum. Dorota Horodyska, Krasnogruda XVI (2002/2003), s.135-142 (publicystyka).
  22. Shehu Bashkim, Czerwony i czarny Hodża, tł. Dorota Horodyska, Gazeta Wyborcza 2001/45, s.16-17.

 

Intervista

 

  1. Horodyska Dorota, Jak rodzi się pasja: Dorota i jej Albania, rozm. Kinga Wiechecka, Polis 1998/1, s.63-67.

 

Kur një i huaj angazhohet me kulturën shqiptare, shumëkush është i interesuar të dijë: çfarë ju lidh ju me Shqipërinë?

 

Kam ardhur në Tiranë, në vitin 1993, krejt rastësisht për të qëndruar një jave. Pata, atëherë, rastin dhe kënaqësinë të njoh elitën e shkrimtarëve shqiptarë. Në një prej takimeve Bardhyl Londo më pyeti si me shaka nëse kisha ndër mend të mësoja shqip. Si me shaka ju përgjigja po. Dhe ndoshta atëherë e vulosa ‘shqiptarizmën’ time. Atëherë nuk e kisha kuptuar se kjo ishte si një lloj dhënie bese. Atëherë, në vitin 1993, nuk më shkonte ndër mend se do të bëhesha përkthyese. Doja thjesht të bisedoja me njerëzit që më kishin tërhequr në gjuhën e tyre. Formimi im është filologe. Kam studiuar gjuhën ruse.

Këndej ndoshta më është krijuar edhe zakoni për të folur me ‘vendasit’ në gjuhën e tyre. Kështu është më e lehtë të njihet vendi dhe njerëzit. Ndërsa fakti se asnjëherë nuk kam pushuar së interesuari për Shqipërinë buron nga të qenit kryeneçe. Gjithmonë më ka pëlqyer të jem aty ku është më vështirë, gjithnjë diçka më ka shtyrë atje ku duhet të fillohet nga zeroja, aty ku asgjë nuk është e gatshme apo e lehtë dhe ku nuk vlen asnjë recetë. Më pëlqen ta vë veten në provë, t’i vendos vetes kërkesa të larta. Zgjodha Shqipërinë, pikërisht për faktin se të gjithë: familja, të njohurit ma kishin shkëshilluar këtë vend; i frikësoheshin këtij vendi të harruar “nga Zoti dhe nga njerëzit”. Ndërsa mua pikërisht kjo më tërhiqte. Kjo ishte ajo që doja. Mund të bëhesha ashtu siçthotë poeti ynë Adam Mickieviç “vetë të jem timon, marinar, anije”. Kjo ishte një sfidë e madhe. Dhe ende vazhdon të jetë.

 

Jam autodidakte. Në vitet 90, në Poloni nuk  ka pasur filologji të shqipes. Fillimisht kam mësuar nga librat shkollorë në Poloni, ndërsa më pas fillova të vij në Shqipëri çdo vit. Këtu më kanë ndihuar miqtë e mi shqiptarë. Në mes të viteve ‘90 kam ardhur me disa gazetarë të rinj polakë nga shoqata POLIS për të bashkëpunuar me të rinjtë shqiptarë në kuadër të Fondacionit SOROS. Dhe atëherë u pa se të dyja palët – polake dhe shqiptare – filluan të kërkonin diçka prej meje, të mbështeteshin tek unë: për të shkruar diçka për Shqipërinë, ose për të dhënë ndonjë informacion, kontakt, për të ndihmuar në organizmin e ndonjë ekspozitë, për të përkthyer diçka. Dhe kështu pa e vënë re u bëra e nevojshme, madje e domosdoshme për njërën apo tjetrën palë. Shkallë-shkallë ‘u zhyta’ në Shqipëri. Sot, pas dhjetë vjetësh, Shqipëria është shumë e afërt për mua, është pjesë e jetës time. Kam këtu miq, vende, tek të cilat kthehem, kujtime të mira dhe të këqija. Shqipëria është puna dhe pasioni im, shqetësimi dhe trazimi im, gëzimi dhe kënaqësia ime.

 

Megjithatë, ju, Dorota Horodyska shumë shpejt nuk do të ishit më e huaj në Tiranë, madje jeni e mirënjohur në qarqet intelektuale dhe më gjerë. Përse ky ndryshim?

 

Epo, Shqipëria është e vogël dhe të gjithë i njohin, të gjithë dhe dinë gjithçka, ndërsa informacioni i tejkalon shumë shpejt kufijtë. Sikurse e kam përmendur, për disa vjet kam punuar aktivisht në revistën POLIS, të redaktuar prej të rinjve, e cila i drejtohej jo vetëm të rinjve, por një rrethi të gjerë të lexuesve polakë. Këtu janë shfaqur përkthimet e mia të para, të teksteve të Fatos Lubonjës, Shkëlzen Maliqit, autorëve që më vonë janë botuar në „Gazetën Wyborcza”, gazeta më e lexuar në Poloni. Rinia polake, e cila sot punon në gazetat dhe revistat polake më të rëndësishme, ‘mbi Shqipërinë’ ka mësuar të shkruajë reportazhe, ese, të bëjë intervista. Në POLIS janë paraqitur grafikat e Maks Velos dhe artikuj për të. Në atë kohë kjo revistë ishte e para, e cila në mënyrë serioze dhe të ekuiliburar paraqiste Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët në të dy anët e kufirit. Në vitin 1996 kemi përgatitur një numër special të revistës në gjuhën shqipe dhe promovimin e saj e bëmë në Tiranë.

Kushdo që e ka provuar gazetarinë, kushdo që nuk mund të rrijë në të njëjtin vend, kushdo që ka një shpirt të trazuar dhe kushdo që merret me Shqipërinë, duhet patjetër ta ketë një shpirt të tillë, duhet të jetë i hapur ndaj botës dhe njerëzve. Mendoj se kam patur fat kur vjen puna tek njerëzit, pavarësisht se ashtu si kushdo nga ne edhe unë kam përvoja të ndryshme. Zhgënjime dhe dështime. Por, bilanci është gjithmonë pozitiv. Gjithnjë në favor të njerëzve të mençur, të painteres, të mirë edhe kur ata janë pakicë. Motoja e punës sonë me të rinjtë në POLIS ka qenë parimi: do të fitosh shumë, nëse shumë do t’u japësh të tjerëve nga vetja. Kjo është edhe motoja ime.

 

Mund t’u jap të tjerëve me anë të punës sime – kryesisht përkthimit, pra sikundër thuhet në zakonishte  “të ndërtoj urat kulturore”. Por jo vetëm me anë të kësaj, por edhe me anë të asaj që nuk duket, duke ndihmuar ata që kanë nevojë për këtë ndihmë. Ndërsa mbi „famën” nuk kemi ndikim. Dihet që nuk jetojmë në boshllëk. Kontaktet rriten si ortek. Njerëzit që njohim na njohin me të tjerë. Me ata që janë të famshëm dhe dalin në faqet e para të gazetave dhe me ata që janë të thjeshtë dhe të zakonshëm, por që mbeten në kujtesën dhe zemrën tonë.

 

Falë punës suaj të palodhur kanë filluar të flasin në polonisht disa autorë të spikatur të kulturës shqiptare; cila ka qenë vepra e parë shqiptare që u keni dhënë bashkëkombësve të tu?

 

U përkas atyre përkthyesve, të cilët debutuan në vitet ‘90 dhe, siç e kam lexuar aty-këtu, atyre që kanë njëfarë ‘merite’ apo edhe ‘fat’ sepse nuk përkthyen autorët socrealistë dhe prandaj nuk u njollosën me „mëkatin e gërmimit” në literaturën socrealiste. Duke lexuar sot veprat e përkthyera në gjuhën polake të autorëve rusë, gjermanë, serbë, kroatë, çekë, hungarezë, bullgarë, rumunë të viteve të komunizmit, pyes veten nëse është gjë e mirë apo e keqe që ndërmjet tyre nuk gjen vepra të letërsisë shqipe, që nuk kanë ekzistuar përkthyesit, që përveç Kadaresë, të përkthyer nga frëngjishtja, nuk është shfaqur asnjë autor tjetër shqiptar.

Në thelb ajo ishte një letërsi socrealiste në formë dhe në përmbajtje, por megjithatë ajo ka ekzistuar. A duhet të shtiremi se nuk ka ekzistuar, se në atë kohë asgjë nuk ka ndodhur në letërsinë shqipe? Kjo letërsi sot shërben më tepër për shkrimin e doktoraturave me temë prozën, poezinë apo dramën skematike. Por, gjithsesi, në këndvështrimin e procesit historiko-letrar dhe të krahasimeve është për studiuesin jashtëzakonisht interesante, e vlefshme dhe e rëndësishme. Mungesa e saj bëri që të krijohej një imazh tjetër fals për letërsinë shqipe. U krijua një vrimë e zezë, të cilën nuk e mbush më dot asgjë. Pasi shumë prej autorëve shqiptarë nuk mund të përkthehen dot më. Koha e tyre përfundoi.

Apo duhet të kemi shkak për t’u krenuar që për disa dhjetëra vjet në Poloni nuk është përkthyer asgjë nga shqipja? Kur kjo ka qenë thjesht një rastësi, pasi pikërisht në atë kohë nuk është gjendur asnjë përkthyes. Këtu nuk kemi të bëjmë me ndonjë kundërshtim të përkthyesve, me ndonjë protestë. A duhet pra të na gëzojë fakti se kemi një llogari të zbrazët, se nuk duhet të na vijë turp dhe mund ta nisim gjithçka nga zeroja? A mund të thuhet se letërsia shqipe në Poloni ishte në këtë rast fatlume? Edhe kështu mund të shpjegohet mungesa e saj.

 

Në vitet ‘90 lindi në Poloni nevoja për autorët e gjallë shqiptarë, që do të thotë të përkthyer nga origjinali. Bëhej fjalë për ndriçimin e problemeve të rëndësishme shqiptare në këndvështrimin shqiptar. Kështu, fillimisht këto ishin piramidat financiare të viteve 1996-1997, ndërsa më vonë lufta e Kosovës e vitit 1999.

Prandaj, pas vitit 1990, e para u shfaq në Poloni publicistika shqiptare. Pikërisht, atëherë, në mesin e viteve ’90, fillova të përkthej Fatos Lubonjën, Shkëlzen Maliqin. Ata shfaqeshin në radhët e gazetës polake më të madhe, më të rëndësishme dhe opinionbërëse ‘Gazeta Wyborcza’, prandaj edhe ndikimi i tyre tek lexuesi polak ishte i madh dhe i dukshëm. Më vonë redaksitë nisën të kërkojnë karakterizimin e sistemit diktatorial të Hoxhës nga këndvështrimi i protagonistëve të saj, kështu që Lubonjës iu shtua edhe Bashkim Shehu. Gjithsej janë botuar në këtë gazetë një dyzinë artikujsh.

Letërsisë artistike shqiptare i jam afruar gradualisht dhe paksa me mosbesim, nëse isha e aftë të merresha me të. Për një kohë të gjatë nuk jam ndjerë e përgatitur për përkthimin e letërsisë artistike. Ende fare pak e njihja kontekstin kulturor dhe zakonor. Nuk nxitoja, grumbulloja përvojë, prisja derisa të vinte çasti, kur mund t’i thoja vetes: mund ta provoj. Isha e bindur se ky çast do të vinte.

Dhe kështu ndodhi. Në dorë më ra ‘Kompromisi’ i Ylljet Aliçkës dhe fillova ta përkthej, kohë përpara se filmi ‘Parrullat’ në mbështetje të skenarit të tij të fitonte ‘Çmimin e të Rinjve’ në festivalin e Kanës në vitin 2001 dhe para se Aliçka të fitonte ‘Penën e Argjendtë’. Pas suksesit të ‘Kompromisit’ në Poloni, kam marrë porosi të ndryshme nga disa shtëpi botuese. Është kërkuar Kadare dhe Lubonja, duke më lënë mua të zgjedh titullin e librit. Në këtë moment, ndodhem në një pozitë të tillë, saqë mund t’i propozoj vetë botuesve librat shqip. Uroj që kështu të vazhdojë sa më gjatë.

 

Mes autorëve të përkthyer në polonisht, do të donim disa konsiderata për krijimtarinë e Kadaresë apo Aliçkajt?

 

Në Poloni janë të njohura pesë libra të Ismail Kadaresë, të cilat të përkthyera nga frëngjishtja janë botuar çdo pesë vjet. Libri i parë ishte “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (1984) dhe më vonë, “Prilli i thyer” (1988), “Kush e solli Doruntinën” (1991), “Dosja H.” (1994) dhe “Përbindëshi” (2000). Më i rëndësishmi prej tyre ka qenë “Gjenerali…”. Ky libër i cili u botua me një tirazh prestigjioz prej 20 000 kopjesh, u kthye në një ngjarje. Kjo ndodhi pasi, krejt papritur, një shkrimtar i jashtëzakonshëm u shfaq nga një vend i harruar, i cili fliste gjëra të rëndësishme për botën, në një mënyrë që askush tjetër nuk kishte folur më parë.

Plus kësaj, libri ishte kompozuar në formën e realizmit magjik, i cili deri në këtë kohë ishte i rezervuar për prozën amerikano-latine. Çfarë i preku aq shumë polakët? Cili ishte shkaku që një libër thellësisht shqiptar të ishte kaq universal? Para së gjithash, ishte trajtimi i varrit në një mënyrë të jashtëzakonshme. Polakët kanë  ndoshta një marrëdhënie të veçantë me varrin. Në terrenin e Polonisë gjendet Aushvici, i cili ka lënë gjurmë në mentalitetin tonë. Gjenden, gjithashtu, miliona varre të paemër nga të gjitha luftërat e pamagjinueshme. Në këto varre prehen të gjithë: armiqtë dhe viktimat e tyre. Nuk janë më të afërmit, që do të bënin homazhe para tyre, nuk ekzistojnë më disa shtete, historia e të cilave është zhdukur pa nam e nishan. Këta varre janë kthyer në varre polake, pasi janë në tokën tonë. Këta janë varret tona.

Por në përmbajtje të “Gjeneralit…” është njeriu. Dhe ja pra, varret, banorët e tyre të jashtëzakonshëm i bëjnë përshtypje njeriut të gjallë. Ai dialogon me ta për sensin, mossensin, pashmangshmërinë…

Informacioni se Kadare është kandidat i Çmimit Nobel tek ne është kuptuar si një homazh që i bëhej “Gjeneralit…”. Mbizotëronte bindja se librat e tjerë të tij janë gjithashtu të shkëlqyera. Megjithatë, krijimet e botuara në vitet ‘90 kanë kaluar pa ndonjë  jehonë të madhe. Ndoshta ishte diçka tjetër që asokohe fitoi rëndësi për lexuesit. E kaluara shqiptare mitologjike, apo fatet e komplikuara të individit, si një hiperbolë e robërimit në përgjithësi, duke përfshirë robërinë komuniste, pushuan së qeni tërheqëse për ne.

Ndërkohë që “Kompromisi” i Aliçkës ishte si një lloj shoku. Papritur u bë e qartë se ndërmjet Polonisë dhe Shqipërisë ekzistojnë çuditërisht shumë ngjashmëri. Se ne na lidhin jo vetëm përvojat e diktaturës, por edhe jeta e përditshme dhe absurdet e transformimeve. U bë e qartë se mund të flasim në të njëjtën gjuhë, se transmetojmë në të njëjtat valë, se mund të qeshim nga të njëjtat sjellje dhe qëndrime. Dhe e qeshura është sot ajo që na duhet më shumë se gjithçka. E qeshura pastron, shkarkon emocionet, mbron nga çmenduria.

Edhe pse kjo është ndonjëherë e qeshur nëpërmjet lotëve. Këtu është Shqipëria e parë nga brenda, nga perspektiva e një dite të zakonshme, e njeriut të thjeshtë. Kjo është Shqipëria e lagjeve dhe e kafeneve, e klasave shkollore dhe zyrave, e autobusëve dhe e stacioneve të tyre. Kjo është Shqipëria në koncentrat – qoftë ajo e periudhës së diktaturës, por edhe ajo më e rëndësishmja e periudhës së shndërrimeve të vitit 1991. E prekshme, po ta zgjasësh dorën. Libri është blerë në mënyrë të rrufeshme dhe shtëpia botuese mendon për ribotimin e tij.

 

Por për autorët më të rinj, a keni informacionin e nevojshëm, prirjet…

Nuk bëhet fjalë vetëm për autorët “më të rinj”, por për një informacion të plotë mbi krijimtarinë letrare të kohës. Secili përkthyes ka punishten e tij, mënyrat e tij të marrjes informacion për botimet e reja: kërkon në Internet, kontakton me autorët, gazetarët, kritikët dhe lexuesit e thjeshtë, vërejtjet e të cilëve mund të jenë shumë të vlefshme; prokuron libra në rrugë të ndryshme. Dhe para së gjithash lexon, lexon, lexon … Derisa situata në Shqipëri të mos ndryshojë, puna e përkthyesit do të jetë, ashtu sikurse thotë Hans-Joachim Lanksch ne ese “Arti është art.” [“Fjala”], “çështje rastësie, çështje miqësie, çështje lidhjesh”. Po a ka këtu diçka të parregullt? Nëse do të doja ta kisha gjithçka të sistemuar, të numëruar, të gatshme, të ofruar në tabaka do të mësoja p.sh. gjuhën gjermane dhe do ta provoja përkthimin nga kjo gjuhë.

Sigurisht, gjithnjë mbetet shqetësimi dhe ankthi se diçka mund të anashkalohet. Në Shqipëri ka disa qindra shtëpi botuese dhe secila prej tyre mund të botojë ndonjë kryevepër. Ankohemi se në Shqipëri nuk ekziston kritika dhe kjo është e vërtetë. Por edhe sikur ajo të ekzistonte në një nivel serioz, cila është garancia se vepra e reklamuar do të jetë me gjithë mend e vlefshme dhe jo e lavdëruar për faktin se kritiku është një i njohuri i autorit? Këto praktika ekzistojnë kudo dhe Shqipëria nuk bën përjashtim. Unë përdor parimin e ‘besimit të kufizuar. Më duhet vetë të verifikoj, pasi në instancë të fundit është ‘hunda’ apo intuita e përkthyesit ajo që vendos për atë që do t’i paraqitet botuesit për përkthim. Kjo zgjedhje do të jetë gjithnjë subjektive dhe gjithnjë pikërisht përkthyesi do të jetë përgjegjës.

Jam e ndjeshme karshi krijimtarisë së tridhjetvjeçarëve të sotëm, së pari – nisur nga kureshtja, së dyti – këtë e kërkojnë prej meje botuesit. Prandaj, me interesimin më të madh ndjek veprimtarinë e grupit ALEPH të Gentian Çoçolit, i cili, natyrisht, më pëlqen si poet, përkthyes, organizator. Më ka lënë mbresa romani i Agron Tufës ‘Dueli’. Lexoj në shtyp tekste të ndryshme të Tufës, në të cilat ai dylufton me kundërshtarët e vet për jetë a vdekje. Ndodh të jetë i ashpër dhe i padrejtë, por ndodh që pajtohem me të. Në romanin ‘Dueli’ kam hasur megjithatë në një ndjeshmëri të jashtëzakonshme të këtij autori. Aty ka një klimë, e cila është tepër e afërt për mua: një përzierje ruso-shqiptare ngrohtësie dhe agresiviteti. Mendoj se një libër i tillë do të jetë i kuptueshëm për lexuesin polak. Ai do të frymojë në Poloni. Kjo është një kryevepër.

 

Me aq sa e njihni kulturën shqiptare, cili është mendimi juaj për këtë kulturë?

 

Jetojmë në kohët e transformimeve të mëdha dhe kultura gjithashtu merr pjesë në këtë transformim. Kultura shqiptare, sikurse shumë kultura të tjera kombëtare, kërkon ta ripërkufizojë vetveten. Dhe një gjë e tillë përballë globalizimit duke përfshirë atë kulturor është shumë e vështirë. Duhet vetë t’u përgjigjemi pyetjeve, si në Shqipëri ashtu edhe në Poloni, çfarë funksionesh duhet të përmbushë kjo kulturë, në çfarë mënyre duhet të dialogojë me njerëzit, të cilët ndjehen të humbur në botë. Duke folur me fjalë të mëdha: para kulturës shqiptare dhe polake shtrihen disa sfida: pikërisht ato të globalizimit, identitetit të njeriut të zakonshëm, individit të cilit i janë ofruar alternativa pak të pëlqyeshme. Këto janë bërja e karrierës me çdo kusht [“rat-race”], dorëzimi ndaj mekanizmit tjetërsues  të modernizmit, apo edhe rebelimi i provokuar nga ndjenja e pafuqisë. Dilema e rradhës e kulturës është identiteti i saj. Çfarë duhet të jetë ajo? Mall, zbulim, sfidë…?

 

Disa autorë polakë janë tashmë të përkthyer edhe në Shqipëri: a mund të bëhet më tepër në këtë fushë?

 

Gjithmonë mbetet diçka më shumë për të bërë. Problemi qëndron në faktin si dhe kush duhet ta bëjë. Nuk duhet të ndodhë që përkthyesi të sillet i hutuar duke kërkuar sponsorët dhe botuesit. Shumë shpesh ai dekurajohet. Akuzat, që Agron Tufa drejton në adresë të institucioneve kulturore shqiptare në artikullin në “Fjala” [„Politika e integrimit jokulturor”, me 09/10 nentor 2003] i cili përshkruan takimin e krijuesve dhe përkthyesve në Shkodër “Exodus 2003”, mund t‘i përshtaten realitetit polak.

Tek ne mungon vizioni dhe koncepti i promovimit të kulturës tonë jashtë kufijve dhe sidomos i promovimit të saj në vendet e vogla. Nuk e di nëse ka ndonjë që e sheh diçka të tillë si domosdoshmëri. Pak kohë më parë ishte në Shqipëri me një vizitë zyrtare, Presidenti i Polonisë Aleksander Kvashnjevski. Në shtypin shqiptar, në reportazhet nga kjo vizitë, mund të lexojmë se: “u diskutuan çështjet e bashkëpunimit në fushat e ekonomisë, financës, turistikës, transportit, bujqësisë, punëve publike, energjetikës, etj”.

A mos vallë duhet të nënkuptojmë se bashkëpunimi kulturor përfshihet tek “etj”? Apo kështu mund të shprehen vetëm më optimistët, pasi mundet të mos përfshihet as tek “etj”. Do të jemi ne fajtorët nëse letërsinë polake asnjë nuk do e përkthejë.  Letërsia jonë ka qenë me fat në Shqipëri, pasi ka patur përkthyes të përsosur: i ndjeri Shefqet Kambo, i cili ka përkthyer shumicën e veprave nga polonishtja, Astrit Beqiri – përkthyes i brezit të dytë, i cili ka përkthyer ndër të tjera Rishard Kapushçinjskin; tridhjetëvjeçarët e sotëm: Rigels Halili, Edlira Lloha, Petrit Dollani, të cilët janë shpresa jonë. Por duhet që atyre t’u krijohen të tilla kushte që të ndjejnë kënaqësinë e asaj që bëjnë, por edhe honorare dinjitoze.

Duhet të ekzistojnë të tilla mekanizma, që e bëjnë përkthyesin të ndjehet i vlerësuar dhe i respektuar. Prandaj të domosdoshme janë takimet, të ngjashme me atë të Shkodrës, edhe në vende të tjera. E nevojshme është një ndihmë serioze dhe miqësore për gjetjen e fondeve dhe për organizimin e promovimeve të përshtatshme. Përkthimet më të mira duhet të nderohen me çmime. Di që në Poloni planifikohet takimi i përkthyesve të gjuhëve të rralla, në Gjermani p.sh. nderohen me çmim bashkërisht autori dhe përkthyesi për bashkëpunimin më të mirë. Në Poloni ka çmime për propagandimin e kulturës polake tej kufijve. Mirë do të ishte që medalja të jepej në kohë dhe jo të futej në varr së bashku me përkthyesin.

Nuk është mirë kur një përkthyes i talentuar i letërsisë artistike, i dekurajuar nga vështirësitë, nga moskuptimi, apo edhe nga injorimi, ndahet përfundimisht me letërsinë, për t’u marrë me përkthime komerciale, nga të cilat mund të sigurojë jetesën. Dhe kjo për fat të keq ndodh shpesh me përkthyesit e letërsisë polake.

 

Ju keni marrë pjesë në një takim të fundit mes përkthyesve dhe autorëve shqiptarë, çfarë mbresa keni nga ky takim dhe a ka ndonjë shtysë në njohjet respektive të kulturës?

 

Përshtypja ime e parë ishte se përkthyes ka tmerrësisht shumë pak! Një dyzinë njerëzish nga e gjithë bota. Për çfarë mund të flasim nëse vetëm në Poloni, letërsia hungareze psh. ka të njëjtin numër përkthyesish. Përshtypja e dytë ishte se shumica prej nesh është në meso-moshë, gjë që të paktën për fushën e përkthimit mund ta konsiderojmë një plus, pasi në rast se përkthyesin më parë nuk e kap skleroza, me kalimin e kohës ai bëhet më i mirë dhe më i pjekur, pothuaj si një verë e vjetër. Por mund të kemi edhe ndonjë situatë të tillë, që prezantimi i letërsisë shqipe në një vend të caktuar të përfundojë në mënyrë të natyrshme.

Por, nëse do të flasim seriozisht, postulati i parë që mund të formulohet jo drejtpërdrejt nga ky takim i krijuesve, por që është reflektim nga ky takim, është bërja e diçkaje që do të rrisë interesimin e rinisë në Poloni për gjuhën shqipe. Pasi mungon “një gjak i freskët” mungojnë të rinjtë që duan ta mësojnë këtë gjuhë. Në vendin tim, vetëm prej disa vitesh ekziston albanologjia (në Universitetin e Torunit) dhe në të vërtetë ende nuk dihet nëse ajo do të nxjerrë ndonjë përkthyes. Vetëm dy vetë nga Polonia studiojnë në Tiranë, në kursin vjetor të kulturës shqipe. Në një situatë të tillë a mund të mendohet në mënyrë optimiste për të ardhmen?

Të gjithë të mbledhurve në Shkodër: përkthyesve, autorëve, botuesve, zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës u interesonte në thelb e njëjta gjë. Ne përkthyesve na interesojnë veprat e shquara dhe gjetja e botuesve të guximshëm në vendet tona, autorëve u intereson të jenë të përkthyer. Cila është rezultantja e këtyre pritshmërive? Kështu, sidoqë ta shohësh vetëm disa autorë do të përkthehen. E kam fjalën për autorët bashkëkohorë, duke lënë mënjanë klasikën shqiptare, nga e cila gjithashtu nuk do të përkthehen të gjitha veprat që e meritojnë të përkthehen. Kjo gjithashtu nuk të bën të ndjehesh optimist.

Kam lexuar në shtyp ankesat dhe pakënaqësitë e Z. Moravës [“Shkrimtarë të mëdhenj, të injoruarit e mëdhenj”, Gazeta “KJ”, me 24 tetor 2003] dhe të Agron Tufës, se përgjithësisht përkthyesit nuk e njohin letërsinë bashkëkohore shqiptare. Solidarizohem me përgjigjen e Hans-Joachim Lankschit ndaj këtyre akuzave, i cili pyet nëse vërtet nuk e njohim këtë letërsi dhe nëse po atëherë cilat janë arsyet. Mungon një informacion i mjaftueshëm, mungojnë libra aktualë mbi historinë e letërsisë, mungojnë antologjitë e poezisë, bibliografitë. Lidhja e Shkrimtarëve dhe e Artistëve nuk funksionon kur flitet për kontaktet ndërmjet përkthyesve.

Sikurse shprehet Lanksch shqiptarët duhet “të nisin të respektojnë shtëpinë e vet letrare”. Këtë e pohon tërthorazi edhe Tufa në artikullin në të cilin tërheq vëmendjen për mosnjohjen e letërsisë shqipe nga vëllezërit në të dyja anët e kufirit. Fitova përshtypjen nga shprehjet e Moravës dhe Tufës se tërthorazi ne përkthyesve na bëhet akuza se përvec të padiskutueshmit Kadare, ndërmjet shkrimtarëve “të tjerë” pra “të rangut të dytë apo të tretë” po përkthehen jo ata që duhen. Që këtej nuk është shumë larg nga akuza tjetër, se si rezultat i marrëveshjeve joformale përkthyes-autor, po përkthehen vepra të dobëta në këmbim të pagesës, se përkthyesit janë të korruptuar. Mund të them, se do e përktheja një vepër të dobët në këmbim të një pagese të majme vetëm në një rast: sikur të isha kamikaze.

Sikur të kisha një shtëpi botuese timen dhe të doja që ajo të falimentonte. Unë nuk e përkthej diçka që nuk e ndjej, atë që nuk e pëlqej, atë që nuk do të mund ta publikoja. Lexuesi polak është shumë kërkues. Në treg mbretëron një konkurrencë e jashtëzakonshme, në të cilin dalin shumë vepra të shquara, qoftë nga vendet e ish „bllokut lindor”. Prandaj, thjesht do më vinte turp të përktheja çfarë të më dilte përpara. Dëm koha. Nuk mund të tallem me veten time dhe as me letërsinë shqipe, duke prezantuar vepra pa vlera artistike. Ekziston një etikë e përkthyesit, secili prej nesh ka një kod të vetin të sjelljes dhe përgjigjet për vetveten dhe për gabimet e tij.

Vitin e kaluar jam ndeshur në shtypin shqiptar me propozimin e hartimit të një liste të autorëve të këshilluar për t’u përkthyer, të cilët mund të gjenden p.sh. në ambasadat shqiptare. Kjo përligjej me faktin se imazhi i Shqipërisë në veprat e autorëve të dobët, që përveç kësaj përkthehen nga përkthyes të dobët dhe të paguar prej vetë autorëve, është i deformuar dhe jo i vërtetë. Kjo listë do të sillte mesa duket ndryshimin e kësaj situate. Kush do e hartonte një listë të tillë? Cili komision? E di se do ta shihja me dyshim çdo lloj “rekomandimi” zyrtar. Një gjë e tillë nënkupton një shije të rregulluar nga lart dhe uniforme, që për mua është e tmerrshme dhe e rrezikshme. Jo shumë kohë më parë, në vendet e „demokracisë popullore” të gjithë ishim të detyruar të kishimi vetëm shijen e duhur. Jo vetëm që shija e çdo përkthyesi, aftësitë e tij, koha në të cilën vepron janë të ndryshme, por para së gjithash publiku letrar në vende të ndryshme është i ndryshëm.

E ndryshme është përvoja e tij historike dhe kulturore, shoqërore, politike. Në Poloni nuk do të pranohej p.sh. letërsia shqipe e “burgologjisë”. Pikërisht se kemi pasur të njëjtat përvoja, sepse diktaturën, totalitarizmin e kemi ndjerë në kurrizin tonë, por edhe nga kryeveprat e letërsisë ruse të Gulagut. Thjesht kjo letërsi na ka lodhur. Ndryshe paraqitet gjendja në Perëndim apo në Shtetet e Bashkuara, ku stalinizmi, totalitarizmi, ende janë një ekzotikë tërheqëse. Le t’u besojmë përkthyesve dhe t’i lëmë ata të përkthejnë atë, që sipas tyre, është në një moment të caktuar më e mira dhe më interesantja. Atë që do të jetë kompromisi ndërmjet vlerës artistike të librit – pritshmërive të botuesit – shijes së përkthyesit dhe vlerës artistike të përkthimit të tij – si dhe shijes dhe pritshmërive të lexuesit. Nëse zgjedhja jonë ka qenë zgjedhja e duhur do ta gjykojnë vetë lexuesit, duke blerë ose jo librat shqiptarë.

 

A mendoni se strukturat shtetërore shqiptare ju detyrohen apo ju kanë një borxh mirënjohjeje?

 

Të merrem me kulturën shqiptare ka qenë një zgjedhje e imja e ndërgjegjshme. Kam pasur momente dyshimi, kur gjithçka më kishte ardhur në majë të hundës, kur kam dashur ta ndërpres, ta braktis dhe të mos kthehem kurrë më. Ka pasur raste që nuk kam patur para për biletën, për librat. Por jam lidhur me Shqipërinë në të mirë dhe në të keqe. Do të vazhdoj të bëj atë që bëj. Përkthej, sepse më pëlqen, sepse kjo më jep kënaqësi, sepse kam gjetur aty një pjesë të vetes.

Përkthej, sepse mendoj se një vepër e një autori shqiptar mund t’u përcjellë mesazhe të rëndësishme lexuesit polak, se letërsia shqipe mund të kthehet në një element të dukshëm të kulturës evropiane. Përkthej, sepse dua ta ndihmoj këtë letërsi. Përkthej, sepse mendoj se kjo letërsi e meriton këtë. Përkthej, sepse e respektoj këtë kulturë dhe krijuesit e saj. Përkthej, sepse vazhdimisht nuk jam e kënaqur, më duket se bëj shumë pak, shumë ngadalë, se e kam nisur me vonesë. Përkthej sepse dikush duhet ta bëjë këtë. Dhe nuk mendoj se dikush më detyrohet ndonjë borxh mirënjohjeje.

29 nëntor 2003

http://www.trepca.net/2003/1103/031129-cl-intervista-perkthyesja.polake-dorota.horodyska.htm

 

Please follow and like us: