Uni poetik në poezinë e Agim Vincës
Megjithëse koha e sotme në këndvështrimin e filozofëve bashkëkohorë evropianë e amerikanë është e kërcënuar dhe e tronditur, koha kur flitet për poezinë është kohë e magjepsjes. Ajo është një çast lumturie, siç thotë poeti francez Pierre Seghers, hartues dhe botues i librit të artë të poezisë franceze.
Nga Feride Papleka
Poezia është njëherësh burim dhe digë, vrujim dhe sfidë, monolog dhe thirrje, këngë e thellë dhe vaj. Në këtë udhëtim të gjatë me nxitje dhe ngurrime, mes kësaj shumësie përhumbëse gjer në pafundësi, ndihesh kur lexon librin e poetit Agim Vinca “Une cloche à ton cou” (Kambanë në qafë), botuar nga “Édition du Petit Véhicule”, Nantes (Nantë), Francë.
Nuk është e lehtë të analizosh poezinë e Vincës. Mesazhet e saj të vënë në mendime. Struktura e saj shfaqet si befasim. Ritmi i saj i brendshëm ka një harmoni muzikore. Gjuha e saj i çel fjalët të pastruara nga skoriet e përdorimit të përditshëm e u dhuron frymë universale. Poeti shndërrohet kështu në bartës i një ligjërimi profetik:
“Të jesh fanar mes errësirës
Të mos harrosh se në botë ka kaq shumë të verbër.
Të jesh oazë mes shkretëtirës
Të mos harrosh se në botë ka kaq shumë të etur” (Të jesh poet, f. 6).
E shkruar që më 1978, mund të thuhet se kjo poezi shpreh në mënyrë të drejtpërdrejtë edhe kredon e tij, ajo është si të thuash një far që hedh dritë mbi poezitë e tjera, të shkruara para ose pas kësaj date kyç. Bota, kozmosi, etja, dashuria, e vërteta, vdekja, janë elemente që e lidhin poetin me një komunitet të madh e të fuqishëm, me opozitarët e vërtetë të shoqërisë postmoderne që kërkon ta reduktojë njeriun thjesht në makinë dhe poezinë në mall tregu.
Ndaj poezia e tij shkrihet me jetën e tjetrit në një projekt shkrimi që skalit nënvetëdija atëherë kur drita dhe errësira janë fenomene metafizike për njeriun. Poeti i lindur i përjeton në mënyrë të mistershme fenomenet e shoqërisë dhe të natyrës që nga dhoma e jehonave që është uni i tij poetik. Në poezinë Zogjtë ai shkruan:
“Të vetmit udhëtarë
që i kalojnë kufijtë
Pa pasaportë
Janë qytetarë të botës” (f. 9).
Në këtë kontradiktë të madhe që ekziston mes dëshirës dhe realitetit, në mes të këtij çekuilibri që duhet ekuilibruar poeti kërkon busullën si një prani të përhershme. Ai e dëgjon pareshtur këngën apo vajtimin e brendshëm dhe bën që ëndrra apo zhgjëndrra e tij të shihen edhe nga syri i atij që e lexon. Është fatlum ai poet që e dëgjon ligjërimin e vet të thellë e të heshtur dhe që e shpërndan pastaj atë si melhem shërues për zemrat. Poeti shqyen barkun e ëndrrës së vet për t’ua treguar të tjerëve:
“Ç’është atdheu baba?
Më pyeti një ditë im bir.
Atdheu… atdheu është… belbëzoj
Atdhe është qielli, toka, ajri…
Pulëbardhat që fluturojnë në bregdet.
Retë, fluturat, zogjtë.
Atdhe je ti. Unë. Ne të gjithë” (Leksion i vogël për atdheun, f. 16).
Cila është në të vërtetë lënda e poezisë së Vincës? Me një lexim të parë mund të citojmë: mali, fusha, rrugët, atdheu, dashuria, vdekja, drurët, era, stinët, lulet, zogjtë, vendlindja, familja, malli, që mund t’i vëmë re edhe te poetë të tjerë, por te poezia e tij kemi zbulime origjinale që transmetojnë dhimbje e dashuri njëherësh:
“Nata vjen e ngarkuar me ankth.
Ajri klith: Ndal ! Duart lart!” (Orë policore, f. 24).
Me këtë material në duar ai ndjek shtegun e vet drejt të vetmit vendtakim të padukshëm që është frymëzimi. Kur lind poezia, kur mugullimi qartësohet dhe intuita merr formën e objektit, fjalët rishpiken, fitojnë një peshë të re.
“Si në baladën e lashtë të Kostandinit të Vogël
Unë e Ti, Motër.
Kaptonim fusha, male, qytete.
Sipër ujërash, resh, rënkimesh
fluturonim” (Udhëtimi i fundit i motrës sime, f. 67).
Dhe kështu poezia në të njëjtën kohë bëhet arsye, muzikë, ritëm, dyshim, vullnet, përqendrim. Poezia bën jetën e vet, sepse poeti i jep nga ekzistenca e tij, ajo flet me zërin e tij, me heshtjen e tij, me sintaksën e tij, me pikëpyetjet e tij, me jermin e tij. Shpesh herë ajo është klithmë, lutje, e vërtetë e çburgosur:
«Kurrë s’kam qenë në Idrizovë,
Po Idrizova ka qenë tek unë.
Tërë jetën e kam mbajtur në shpirt
Si një gur të rëndë, të plumbtë” ( Idrizova, f. 26).
Poezinë e Vincës e pasuron sidomos loja e metaforës dhe personifikimit. Ai shpik, duke i shtyrë hollësitë dhe duke i shkundur, për të dalë më jetësor. Duke qenë tepër i lidhur me natyrën, ai e shpirtëzon atë. Në një poezi, plepat bëhen antropomorf, shndërrohen në njerëz:
“Sërish më dolët para dhe më përshëndetët
bashkëfshatarët e mi truphedhur.
Ju shoh si tundni kokat dhe më thoni “mi’serdhe”
në gjuhën tuaj të gjelbër” (Plepat e vendlindjes, f. 32).
Herë-herë ai pikturon një natyrë të ndritshme, të qetë, duke kërkuar të bukurën në një realitet përrallor:
“Të shkosh në Pogradec
si të ishe shkumë
si të ishe vesë
Të vësh një tufë zambakë te varri i Poetit
E të bëhesh Zog i Qiejve” (Të shkosh në Pogradec, f. 50).
Për poetin gjithçka është e mundur. Ai dëshiron të shkojë sa më larg. Tërë hapësira për të është një palimpsest. Ai i ndërsheh të gjitha, të mbarën dhe të prapën e gjërave, zbulon çfarë fshihet pas dukjes. Vërtet poeti i përket racës së të vetmuarve, por shumë poetë përbëjnë një pyll sekretesh, mrekullish e dhembjesh mes peizazheve metafizike. Vinca duket sikur i kap fjalët në lëvizjen e tyre, i bashkon, i kundërvë, i kthen, i detyron të tingëllojnë, duke i përplasur me njëra-tjetrën, duke i dhënë liri unit të tij poetik: “Për kë të këndoj, në mos për ty? Për ata që s’dinë ç’është dhembja, dashuria; që s’duan të dëgjojnë për nder e njerëzi; që i luten zotit pa e njohur atë thellë në vete; që s’kanë dëgjuar kurrë për vargun majakovskian, lutje e britmë bashkë” (Odë biçikletës sime, f. 91).
Vargu i fuqishëm është sfidë, revoltë, kundërshtim ndaj së keqes, ai i çmistifikon hierarkitë, duke rrëzuar maskat që vrasin realitetin:
“Së pari kafshojnë,
pastaj lehin
Qentë e Sodomës
Njësoj i trajtojnë
të gjallët dhe të vdekurit:
gërmojnë eshtrat
gërryejnë zorrët” (Qentë e Sodomës, f. 45).
Në modernitetin e tij, në laryshinë, në gëlimin e tij mes rregullit dhe mungesës së rregullit, ai nuk zgjedh, sepse narcisi i frymëzimit e tërheq në pasqyrën e vet. Ligjërimi i tij poetik e largon shpesh sentimentalen romantike, për t’u përballur me realitetin e ashpër, me kontrastin që nuk i shpëton syrit të tij vëzhgues dhe ironik:
“Qe ditë me diell, muaji maj. Më e bukura stinë
Kur mora pusullën me vulë e nënshkrim
I kam gjashtëdhjetë e pesë dimra e beharë
dhe shtatëdhjetë e pesë euro në xhep” (Kambanë në qafë, f. 108).
Lexuesi e kupton brengën e tij të thellë edhe si njeri:
“Në Kosovën tonë të lirë
Ku jetojnë europiane të rinj, të papunë, Pleq pa pension
Amvisa pa shportë
Tregtarë, hajdutë, lypës, lavire…” (Nostalgji për kohërat e rrezikshme, f. 118).
Loja e kthimeve dhe largimeve dëshmon vizionin krijues të poetit. Fjala e tij metaforike pëson metamorfozë, ndërsa imazhet që krijon e afrojnë me jetën.
“A s’është si në Strugë këtu?
E në sy i buloi një pikë loti” (Shtëpia buzë liqenit, f. 64).
Ai kremton në mënyrë origjinale dashurinë që është njëlloj bese shpirtërore. Dhe ne ndiejmë pasqyrimin, jehonën, sekretin e sublimes që hyn bukurisht në poezi:
“Kam drojë se më thyhesh në dorë
si një gotë kristali” (Kur jam me ty, f. 79).
Mund të thuhet se te Vinca poezia është edhe mirazh. Uni i tij poetik si udhërrëfim, gjallërohet nga rinia e ligjërimit. Frymëzimi është vërtet një labirint i madh, i padukshmëm, por poeti hedh përherë një dritë të përkorë mbi gjenezën e poezive të veta. Aty parakalojnë emra të këtij dheu ku kemi lindur si: Strugë, Pogradec, Mali i Thatë, Shën Naum, Tiranë, Prishtinë, Ohër, Shkup, Prizren, por edhe emra nga bota e madhe që është një vendlindje e dytë për poetët, si: Paris, Stamboll, Long Island, New York, Romë, Lugano, Kulla Ejfel etj.
Fjala e tij poetike vjen si një dritë e aftë për të zhbërë errësirën dhe vuajtjen. Ajo krijon imazhe të tejdukshme e të guximshme, prandaj është lartësim i dëshirës dhe ëndrrës, duke i qëndruar larg automatizmit që vihet re në poezinë e sotme, shpesh e shkruar pa frymëzim dhe pa dashuri për gjuhën. Nëpër poezi pasioni dhe mallëngjimi janë një ndjekje e pareshtur e të qenësishmes. Poeti kërkon t’i bëjë të dukshme imazhet dhe e çmonton karakterin klasik të mendimit me lojën e fjalës. Kënga e tij e thellë shpesh është një ninullë që zbret drejt e në zemër. Ai shkruan lirshëm, natyrshëm, i gëzuar apo i pikëlluar. Për poetin Blaise Cendrar kanë thënë se shkruan siç niset për udhë njeriu. Edhe Vinca është një udhëtar i shpresës. Vargjet e tij janë metaforë dashurie për gjithçka të mirë e të bukur në këtë botë. Një botë me përmasa njerëzore
Botimi në frëngjisht i librit “Une cloche à ton cou” (Kambanë në qafë), është një botim nga ata që mund të quhen të veçantë, objet d’art. Ai është dygjuhësh dhe përkthimi nga i mirënjohuri Aleksandër Zoto është një shqipërim i vërtetë që ruan origjinalitetin e poezisë, duke transmetuar në mënyrë të përkryer mesazhin dhe ritmin e tyre të brendshëm. Në parathënie Luc (Lyk) Vidal, poet dhe studiues, e quan poezinë e tij si një dritë të ngrohtë që del nga shpirti e që rri e sigurt krahas poezisë së Robert Desnos-it, Guillaume Apollinaire-it, Charles d’Orléans-it apo Max Jacob-it. Librit ia shtojnë vlerën ilustrimet e piktorit Anastas Kostandini-Taso, sepse poezia e Vincës flet shumë përmes imazhit që krijon.
Të rilindësh fjalën sa herë që e shkruan, do të thotë të jesh i strehuar te frymëzimi, i cili t’i ndriçon mendimet edhe kur ato flasin për vetminë dhe vdekjen. Kështu enigma e krijimit, e fshehta e rilindjes së fjalës na bën të dëgjojmë formula, fjalë përbetuese, lutje të rralla. Poezia punon për lumturinë e të gjithëve.