Albspirit

Media/News/Publishing

Ndue Ukaj: Jo recetës së armiqësimit me Perëndimin

Shqiptarët qëmoti mund të ishim pjesë e Bashkimit Europian, sikur kjo të varej nga parullat, llafologjia dhe hipokrizia. Andaj, në vend të çirrjeve dhe sharjeve në adresë të Bashkimit Europian, ashtu siç po dëgjojmë gjithnjë e më shpesh kohëve të fundit, më mirë është të punojmë me përkushtim, dhe Europën ta bëjmë atdhe të vlerave tona të përbashkëta. Më mirë është t’i përvjelim mangët dhe të pastrojmë oborrin tonë. Ne e dimë që kemi çka të pastrojmë.
Akuzat ndaj Europës janë të pështira. Së paku, jo deri atëherë kur oborri ynë është kaq i parregulluar.
Kështu siç po flasim, po tregohemi qyqarë dhe të pasinqertë.
Të kujtojmë: Europa është një ide. Është një parim shpirti. Është kulturë. Ajo që e ndan Europën, është politika, ndërsa ajo që e bashkon, është kultura. Mbi këtë parim, është ngjizë edhe ideja e BE-së. Etërit e saj, pohonin me vendosmëri se, BE- ja, para se të jetë aleancë politike, është aleancë kulturore.
Ne, deri sot, s’ e kemi kuptuar këtë postulat dhe kemi flirtuar “tinëzisht” me armiqtë e BE- së. Prandaj, është e pakuptimtë, ta fajësojmë perëndimin, pse oborrin tonë e kemi kaq shumë të papastër dhe kaq shumë të pistë.
Është klishe e përsëritur të pohohet se populli i Kosovës, e ka fituar lirinë dhe pavarësinë në saje të perëndimit, dhe ekzistenca e shteti të Kosovës, është e garantuar nga perëndimi, mirëpo këtë duhet ta përsërisim saherë që na ofrohen receta të armiqësimit me të.
Receta politike e armiqësimit me perëndimin, edhe në të kaluarën, na është ofruar në forma të ndryshme, sidomos nëpërmjet krijimit të alibive: se zgjidhjet për ne janë diku tjetër. Në këtë mënyrë, për vite të tëra, është faturuar faji dhe përgjegjësia për zhvillimet tona të ngadalta ose të çrregullta, diku tjetër. Kryesisht në adresë të BE-së dhe SHBA-ve.
Madje, në një rast e patëm shënjuar Europën me E të zezë.
Kemi lejuar brenda nesh të kultivohet një ligjërim i pështirë kundër vlerave që përfaqëson BE-ja: me veprime dhe gjuhë të egër.
E së fundmi, në mënyrë mjaft shqetësuese, ka filluar dukshëm të vërehet rritja e tonit antiperëndimor, dhe një kulturë e mosbindjes ndaj perëndimit- në rrafshet politike-, dhe kjo na kujton kohën e egër të komunizmit shqiptar.
Dihet, armiqësimi me aksh vendin fillon me gjuhën. Me parulla dhe me ndjenja refuzuese. Ashtu siç ka ngjarë në të kaluarën dhe ashtu siç po tentohet sot.
Nuk mjafton ta kemi gojën plot Europë. Po ashtu, nuk mund ta kërkojmë një Europë sipas ambicieve dhe koncepteve tona. Sepse ajo nuk është reale.
Ne, mund të mos pajtohemi me njëri- tjetrin, për parime të caktuara apo për interesa e agjenda personale. Ne mund edhe të hahemi me njëri- tjetrin; e ndonjëherë edhe me miqtë tanë, por nuk guxojmë asnjëherë të mos jemi falënderues e mirënjohës ndaj kombeve që na ndihmuan të fitojmë lirinë dhe pavarësinë kombëtare. Sidomos ndaj perëndimit.
Prandaj, sot e përherë, duhet t’i themi jo të madhe recetës së armiqësimit me perëndimin. Sepse, aventurën me Europën, Kosova mund ta paguajë me një robëri të re, pati këshilluar At Zef Pllumi. Kjo këshillë është e vlefshme sot e gjithë ditën.
Askush nuk mund ta fitojë dinjitetin e humbur nëpërmjet alibive të ndryshme. Më së paku duke sajuar armiq. Kosova nuk ka nevojë për armiq, por ka nevojë për miq. Mbi të gjitha, Kosova ka nevojë për perëndimin.
Demarkacioni është problem i stisur politik. Është i yni dhe nuk na ka sjellë BE-ja. Dhe nuk ka asnjë kuptim që në emër të këtij problemi, të tentojmë të armiqësojmë popullin e Kosovës me perëndimin.
Ky problem është i yni dhe ne duhet ta gjejmë zgjidhjen për këtë.
Në fakt, nëse duam të jemi të sinqertë, duhet ta themi se problemin themelor me kufijtë, e kemi në kokat tona, ku ende nuk e kemi bërë demarkacionin mes lirisë dhe robërisë. Për pasojë, kemi kaq shume debate histerike e pak te artikuluara për çështje jetike. Ne vend se te ulemi dhe ta thërrasim arsyen; te pyesim ku jemi e kah po rrugëtojmë, në këtë vorbull ndryshimesh të mëdha globale, ne, që dy vit e ma shume sorollatemi dhe vërtitemi rreth një teme: demarkacionit.
Pa dyshim, kjo teme është e ndjeshme. Sepse na kujton problemet tona të vjetra, kur nuk qemë të zotët t’i ruajmë kufijtë tanë. Por, sot, kjo temë nuk ka asnjë kuptim që ta influencojë krejt debatin tonë, dhe të na armiqësojë me BE-në.
Ky inflacion fjalësh e debatesh rreth kësaj teme, ka veç një ndikim: e rritë angarinë ndërmjet nesh dhe politikën e inateve dhe intrigave pafund. Por, me Europën nuk na afron.
Please follow and like us: