Albspirit

Media/News/Publishing

Harresa e krimeve komuniste sjell përsëritjen e tyre

* Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzja e “harresës”.

*! Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem.

Sami REPISHTI

Jam dakord me thanjen e të ndjerit Argjipeshkv, Imzot Rrok Mirdita, se “…edhe për Shqipërinë dhe shqiptarët nuk do të ketë një themel të shëndoshë përparimi kombëtar për sa kohë që nuk do të ketë nji proces purifikimi të guximshëm të vetëdijes historike; një ndërgjegjsim individual e kolektiv i shqiptarëve, i identitetit të tyre si popull dhe si njësi e organizuar në shtet të pavarur…” Menjifjalë, duhet të tejkalojmë pengesat që trashëguam nga e kaluemja jo e largët, me ndërtimin e nji Shqipërie pa komplekse, të lirë dhe dinjitoze. Pakë ditë ma parë, lexova në mediat gjermane lajmin se nji grup prokurorësh gjermanë po përgatisin listat e nazistëve, ish-roje të kampeve të çfarosjes, megjithëse kanë kalue 70 vjet; ma riu ashtë 87- vjeçar, ma plaku 96, “…sepse kishin dijeni për tmerrin e vrasjeve të organizueme në masë, dhe e dinin se të burgosunit, të cilët përballeshin me fatin e tyne, si të pafajshëm dhe pa mbrojtje, vriteshin për arsyet ma shnjerëzore që mund të imagjinohen;… si pjesëtarë të grupit të rojeve të burgut ata kanë kontribue në ekzekutime… tue ditë mirë se ç’ndodhte, dhe me vullnet kanë mbështetë këto akte barbare…”. Le të shtrojmë nji pyetje për të gjithë: Supozojmë se kriminelët fashistë, nazistë dhe komunistë kanë persekutue, arrestue, burgosë dhe ekzekutue pjestarë të familjes suej. “Fajtori” smuret; para se vdes dëshiron të ju takoj e kërkon falje nga ju për krimet e kryeme Mendoni mbi enormitetin e krimit të kryem dhe për rrjedhimet e aktit tuej. Në nji rast të këtill ekstrem, ashtë falja e fajit nji opsion për ne që mbijetuem? Cili do të ishte reagimi i viktimës së vdekun? Klasa të tana të popullsisë kanë qenë objekt sulmi e çfarosje fizike nga regjimet kriminale: në Shqipëri, kleri katolik shqiptar dhe intelektualët e formuem në universitetet perëndimor u çfarosën! Simon Wiesenthal, ndjeksi ma kambëngulës i kriminelëve nazistë, në korrik 1995, i shkruente Presidentit W.J.Clinton: “Ngjarjet në Bosnje, ashtu si na paraqiten nga shtypi këto ditë, me të gjithë krimet serbe kundër njerëzimit- pastrimin etnik, therjen si kafshë të popullsisë civile të të gjitha moshëve, dhunimin masiv të grave myslimane- në se nuk përbajnë Holokaust, janë përsëritje e shumë nga krimet e tij…. Unë besoj se dënimi i fajtorit do të baj efektin e vet. SHBA kanë mundësi….me ba publike të gjitha krimet që janë krye, që ata të mos kalojnë në harresë, dhe kriminelët të mos i shpëtojnë dënimit…”. Randësia e demaskimit dhe informimit publik të personave dhe krimeve ashtë e padiskutueshme. Ashtu si ashtë e padiskutueshme randësia e “kujtesës” dhe përbuzja e “harresës”. Si mund të vendoset paqa sociale në mes të kriminelit dhe viktimës, marrëdhanjet e maparëshme, nji jetë “normale”, në nji botë ku kujtimet e llahtarisë diktatoriale janë aq të thella?

“Nuk due të dal nga burgu” më thonte nji koleg, “tre vllazën të vramë dhe dy të burgosun… U shue familja e ime!”. Si mund të pranojmë që akoma sot kriminelët të rikujtojnë me nostalgji regjimin e krimit, vazhdojnë “dënimin” e viktimave, mbrojnë aktin kriminel të tyne ose të prindëve të tyne, e që sot përkrahin lëvizje politike që duen kthimin e regjimit të “hurit e të litarit” dhe e justifikojnë me shprehje se “koha”, kjo e panjohun që nuk lejon pushim për meditim, shlyen kujtesën tonë sot pjesërisht, dhe për brezënitë e ardhme, totalisht? Nji fat i përbashkët na bani të gjithëve të barabartë….(por jo bashkëfajtorë!) Kjo gjendje nuk u pranue nga komunistët, as edhe kur ne vdisshim e varroseshim në burgje e kampe pune çfarosje. Para nji situate të këtillë, si mund të mendoj viktima se Zoti na ka krijue të gjithëve të barabartë? Si ashtë e mundun që të gjithë, viktima e kriminelë jemi krijue nga e njajta “baltë”? Krimineli nuk mund të jetë vëlla e motër e ime…; përndryshe, nuk ekziston krimi mbi tokë, as pafajsia e plotë! Sepse ashtë e pamundun për viktimën me besue në Krijuesin kur gjysma refuzon me pranue gjysmën tjetër- si njeri me të drejta të barabarta, dhe ecën kështu në vazhdën e krimit pa bremje ndërgjegjeje. Duket sikur Zoti ashtë në vakanca…! Gjatë viteve të burgimit tim dridhesha nga ideja e vdekjes, e varrosjes pa ceremoni, në nji gropë plot baltë, vetëm ose me viktima tjerë si unë. Pa lule! Pa lutje! Pa dritë që ndritë errësinën time të përjetëshme, dhe si thotë poeti: “Pa flutura shumëngjyrëshe që vallëzojnë rreth vorrit tim të frikshëm…”! Jetojmë në ditë të vështira, dhe kjo më frikëson! Jetojmë në nji botë ku në shumë vende pakicat shtypëse sundojnë me egërsi për arsye të shumicës së frikësueme dhe inaktive. Kjo shumicë pa inisiativë, me shpirtin e vramë dhe zemrën e coptueme, ka vetëm nji dëshirë: me vdekë në paqë. Ideja e Problemi i përgjegjsisë së gjithë “atyne” që përkrahën dhe mbajtën regjimin komunist në kambë nuk do të zgjidhet ndoshta asnjiherë në vendin tonë, sepse “atyne” u mungon aftësia me kuptue dekadencën morale ku kanë ra, me kuptue përpjestimet frikësuese të shtypjes që mbretnoi. Shumica prej “atyne” kufizohen tue përsëritë: “ashtu ka qenë koha”, “kështu bajnë të gjithë” fraza të preferueme të turmave të pa tru… ose “unë zbatoi ligjin”, “ç’të thotë ligji…”- edhe kur vriten të pafajshmit e zhduken pa gjurmë (sic!). Megjithate, nji gja ashtë e sigurt: asnjeni prej “atyne” që ndihmuen vullnetarishtose u detyruen me u bindë- nuk do të jetë në gjendje me “shkundë” përgjegjsinë për qëndrimin e tyne gjatë periudhës 45- vjeçare të terrorit të organizuem me mjete shkencore. Edhe në qoftë se nuk ashtë “fajtor”, ai/ajo duhet të ndiejë veten të turpnuem… Viktimat e persekutimeve komuniste duhet të qëndrojnë larg nga këto elementë mjeranë që kanë humbë humanitetin e tyne, solidaritetin natyral me qeniet njerëzore në ditët e vështira. Kështu ka qenë me fashistët, me nazistët dhe kështu ashtë edhe për komunistët. Nuk duhet të harrojmë! “Harresa” e krimeve të kryeme ashtë nji fenomen që vetëm koha mbulon, edhe të kaluemen tonë, pa mëshirë! Mbetet gjykimi i aktit, dhe mundësia e faljes se tij.

Falja e aktit ashtë nji gjest vullnetar vetëm për vuejtësit e krimit, kategoria e vetme dhe e privilegjueme, e aftë racionalisht dhe e paisun moralisht, me falë fajin. Vetëm vuejtësit e krimit kanë të drejtën me i përgjegjë kësaj pyetjeje, vetëm viktimat e së kaluemes së errët. Kush tjetër ka autorizimin politik ose moral? Asnji nuk ka të drejtë me falë në emën të viktimës, kur ai/ajo nuk ka pësue mbi kurriz tmerret e torturës që nuk durohen e që nuk mund të “harrohen”. As vetë “mbreti” i vendit të martirizuem…! Falja e fajit për ata që seriozisht e ndiejnë efektin e “fajit kolektiv” ashtë e mundun, megjithëse vula e turpit mbetet e pashlyeshme. Ashtë heshtja e tyne që i dënon! Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse jemi të bindun se heshtja përfaqson rrezikun ma të madh të përsëritjes së tmerrit të kaluem. Sot, na duhet të luftojmë “harresën”, sepse nuk duhet të lejojmë humbjen e aftësive tona me veprue të lirë në nji botë të lirë që mbrojtëm me aq shumë sakrifica. Sot, “harresa” për ne ashtë abandonimi i autoritetit ligjor dhe moral të viktimës pa lejen e viktimës; puna e jonë duhet të zhvillohet në këte kontekst. Viktimat e terrorit të kuq gjetën guxim të mjaftueshëm me përbuzë urrejtjen dhe pjellën e saj, hakmarrjen. Me këte qëndrim, ata kanë fisnikërue qeniet e tyne dhe kanë dhanë nji shembull të shkelqyeshëm për historinë e popullit tonë. Ky gjest sublim mbeti pa përgjigje! Fatkeqsi! Por “harresa”- dhe ndoshta edhe “falja e fajit” nuk ashtë vetëm “personale”. Asnji nuk gëzon të drejtën me falë fajin në emën të nji viktime. Nuk duhet ta lejojmë. (Nji proverb francez thotë se na jemi shumë të fortë me durue fatkeqsitë e tjetrit). Ky ashtë nji imperativ kategorik i shoqënisë shqiptare, sidomos i viktimave. Sepse ajo diktaturë synonte seksione të mëdha të demokracisë në vendin tonë. Duhet folë, duhet tregue e përshkrue ferri komunist me të gjitha mjetet, por pa dhunë. Dhuna nuk ashtë arma e jonë; drejtësia, po! Sot, ballafaqohemi me fazën e dytë të rindërtimit moral të jetës sonë në Shqipëri. Në fazën e parë kemi përbuzë urrejtjen e hakmarrjen. Sot, kemi shpresë se do të jetë e mundun me ba hapin e dytë: pajtimin në mes nesh. Sepse edhe na, viktimat, kemi nevojë për paqën tonë të humbun. Si mund të arrijmë këtë pikë kaq të vështirë? Ndoshta….nëse jemi të bindun që “pajtimi” do të kthejë elementin njerëzor te ne, të gjithë ne, dhe vlerat tona etike. Unë nuk kam arrijtë akoma plotësisht këte bindje. Prandej jetoj i shqetësuem, nuk harroj, dhe do të vazhdoi “me kujtue” deri në fund krimin komunist. Unë, ishi burgosuni, që përbuza urrejtjen e hakmarrjen…!

*Fjalë e mbajtur në ceremoninë e hapjes së “Ditëve të Kujtesës” 16-23 nëntor 2017, organizuar nga IDMC dhe KAS në Tiranë, aktivitet ky që synon përballjen e shoqërisë shqiptare me të shkuarën komuniste.

Please follow and like us: