Edison Ypi: Dashnorja
Të mos kishe dashnore, turpi të mbulonte, vrimë s’kishe ku të futeshe.
Kënga “s’kalohet jeta pa dashnore” shkrehte në lotë të rehatuarit që dashnore kishin, dhe ata që dashnore nuk kishin, por pas pak do kishin.
Kur dikush që dashnore kishte i tha dikujt që dashnore nuk kishte “hë mo dhe ti, nuk gjen dot një cop dashnore” ky i fundit, në përfytyrimin e të cilit dashnorja ishte e gjithë Bota, nga vështirësia për të kalkuluar sa dhe si mund të ishte “një copë dashnore” ndaj “një dashnoreje të tërë”, zuri shtratin dhe nuk u ngrit më.
Një vorrboms i urtë i la të gjithë pa ment kur u egërsua befas dhe uluriti në mes të sheshit; “Më janë bërë shalët e gruas si shalët e mia, dua dashnore”. I ndali të uluriturat me shalë dhe dashnore, kur dikush i tha “Çfar dashnore do ti mor qyrranjos, ti s’ke brekë në bythë, dashke dhe dashnore. Ku je këtu o hajvan, në vendet kapitaliste ku dashnorja është mall dhe dashuria treg ?!”.
Veç seksit episodik brenda ndonjë bunkeri të pëgërë në periferi të qytetit, ose, në kombinimin më fatlum, në shtëpinë e një miku prindërit e të cilit ishin larguar nga shtëpia për disa orë, me dashnoren s’dije ç’të bëje.
Megjithatë, të kishe dashnore, s’ishte keq. Halli ishte ku ta gjeje dashnoren. Lagja ishte plot me spiunë që mezi çprisnin të të denonconin për prishje të moralit dhe të internonin. Kafenetë ishin vetëm me meshkuj. Xhiroja ishte plot me femra në kërkim të burrit. Femrat moderne, apo broduejset, ishin dashnoret e Don Zhuanave Tuç Zuma, Lad Rusi, Tim Xhilaga, Beb Deliu, etj, të cilët me ato çoç bënin, por krahasuar me standardet e sotme të dashurisë dhe dashnoreve, më tepër mburreshin. Prej katunareve që ulur në autobuz, demek nga turpi, por në fakt nga frika mos u dukeshin shalët e pista dhe brekët e palara, mbulonin gjunjët me shaminë e qurrave, të vinte për të vjellë. Po ti afroheshe pak çaste ndonjërës “te puna”, të nesërmen të detyronin ta merrje për grua. Kinemaja ishte plot me halabakë që pritnin të bërtisnin kur protagonisti ta puthte dashnoren.
I vetmi vend ku lënda e parë për dashnore ishte deridiku me bollëk, ishin përqëndrimet e proletariatit, fabrikat, kombinatet. Mirpo, edhe pas përpjekjeve të mundimshme që zgjatnin me muaj, në të shumtën e rasteve, në vend të gjeje dashnoren, gjeje belanë. Jetënxira që punonte me tre turne, ndoshta pranonte ta kishe dashnore, por pas nja një jave, me arsyetimin “tani të gjithë e dinë që jemi bashkë”, të kërkonte ta merrje për grua, dhe nga ai moment largohej.
Megjithatë, nëse dashnore nuk mund të gjeje, nuk ishte problem i pazgjidhshëm. Dashnoren mund ta imagjinoje.
Shqipëria ishte plot me erotomanë që rrëfenin bëma dhe gjëma dashnoresh të përfytyruara. Që dashnorja e fantazuar, për të cilën thonin “ma luan”, të dukej reale, rrëfimet halucinante në fjalë i lidhnin me femra reale që s’kishin asnjë dijeni cili ishte deliranti që e kishte zgjedhur për dashnore të përfytyrimeve.
Nëse ndonjërit prej të dehurve me dashnore imagjinare i thoje; “Eja ore në vete, ajo që ti thua se e ke dashnore, s’ka asnjë dijeni cili je”, bëhej në çast esëll, të batërdiste me llafe, të merrte erzin, të akuzonte se e bëje nga zilia, dorzoheshe, bëje sikur e besoje
Përveçse “kam dashnore” ose “nuk kam dashnore”, më intriguese dhe më në modë ishte të thoje “e kam pas dashnore”. Ky pohim, përveçse brenda kishte nostalgji lotndjellëse, nënkuptonte se ajo që “e kishe pas dashnore” nuk ishte aspak e vetmja dashnore, por njëra nga dashnoret e listës në zgjatje të pandalshme.
E kam dashnore filanen, thoshin rëndom nga inati kur filanen e lakmonin por nuk mund ta kishin. Këto raste shkaktonin shurdhim, mpirje, me pasoja dramatike që nuk mund të qartësoheshin nga asnjë arsyetim mohues i viktimës apo i kujtdo tjetër.
Mes vështirësive për të pasur dashnore, jo rrallë, sidomos për meshkujt me prirje poetike që kishin bindjen se mjafton të dashurosh diçka pavarsisht si e qysh ajo diçka është, fshati ku dashnore mund të kishe dhinë që i përkiste botës organike, ishte në avantazh të dukshëm ndaj qytetit ku dashnorja mund ti përkiste edhe botës inorganike, pra ku dashnore mund të kishe një phallus të çfardoshëm, një shtyllë, një trung, një tub zjarrfiksi.
Reale apo imagjinare, nuk kishte shqiptar pa dashnore.
Dashnorja e sekretarit të partisë, dashnorja e drejtorit, dashnorja e shefit të planit, me të cilat këta pasi dëndeshin me raki mbylleshin në zyrë me kyç nga brenda, ose i merrnin me Gaz 69 i çonin s’dihet se ku, ishin ca sharabajka surratpetulla bythmëdhaja aspak atraktive edhe sikur të kishe njëzet vjet pa parë femër me sy.
Dem Xhepa, qoftexhiu, kishte dashnore për t’ja patur zili. Dashnorja e Demit ishte kurvi.
Qarkullonte një opinion tepër i përhapur sipas të cilit vendet më të përshtatshëm për të bërë dashuri me dashnoren, nuk ishin vendet që ëndërronin ata që nga seksi s’kishin haber, ata që skishin parë pridh me sy, pra vendet e rehatëshme, vendet e buta, shiltja, shtrati, kolltuku, lëndina, mullari i barit. Qefi më i madh me dashnoren bëhej, dashuria me dashnoren më tepër shijohej, dashnoren ta shtrije në një vend me sa më tepër gurë, gunga, gropa, shkopinj, shkarpa, ferra, gjëmba, në mos, mes degëve, lart në pemë.
Asnjëra nga femrat e filmave nuk ishte bashkshorte, prind, nëpunëse, etj. Femrat e filmave ishin të gjitha dashnore.
Rregulli i të pasurit dashnore, si çdo rregull i hekurt, kishte përjashtime që e përforconin. Për shembull, kur qëllonte që mplekseshin një komuniste me dikend me cen në biografi, nuk thoshin ai me biografi qymyr ka dashnore filanen me baba veteran, thoshin “dashuri i thënçin”.
Dashnoret më të shijshme ishin gratë që bënin dashuri. Mes grave dashnore, dashnoret më të zjarrta, dashnoret që ta kënaqnin çdo fantazi, dashnoret me të cilat prekje qiellin, ishin gratë e oficerave të Sigurimit. Në shtëpitë e tyre, casanovat e çartun ngjiteshin me çarçfë të lidhur si litar kur burri oficer ishte me shërbim ku e kërkonte atdheu, ku e thërriste partia, ku bëheshin spiunime, arrestime. Si dhe pse ndodhte që ato gra falnin dashuri ndërsa burrat e tyre përhapnin tmerr, mbetet mister.
Gruaja dashnore ishte kështjella që diktatura nuk e mposhti kurrë. Duke mos mundur ta martonin se e martuar ishte, as ta divorconin se cënohej morali, një gruaje dashnore i frigeshin më tepër se një zbarkimi diversantësh.
Gjatë shkollës së mesme, gjatë shërbimit ushtarak, dhe gjatë një eskursioni në Dajt, pra në tre raste, kam dëgjuar për përdhunim në grup të dashnores. Kur habere të tilla arrinin deri tek unë letargu, merre me ment sa e përhapur ishte dukuria e dashnores së alivanosur shalë hapur mes pellgjeve të spermës së grupit, ndërkohë që pas pak, secili përdhunues, emrin e fatnxirës do ja shtonte listës së dashnoreve.
Ai e afroi ta puthte. Ajo e largoi duke i thënë; Nuk na lejon shoku kurvi të prekemi pa u martuar.
Sa mirë bënë ca si unë që nuk u martuan në kohën e dashnoreve të fabrikave, por duruan, dhe tani kur femrave u thonë “dua të bëj dashuri me ty”, ato përgjigjen “Faleminderit”.
Dashnorja ime, dashnorja jote, dashnorja e këtij dashnorja e atij, e ka dashnore ky, e ka dashnore ai, Shqipëria e burgjeve dhe internimeve, dukej sikur më tepër se drurë e shkurre kishte dashuri dhe dashnore. Por në fakt dashnorja më e mirë, ajo që gjithmonë të bindet dhe kurrë nuk të tradhëton, ishte dhe mbeti, Doriana.