Albspirit

Media/News/Publishing

Ferdin Liçaj: Libri ‘Çarçanët e Fushëbardhës’

Një libër për familjen, një baladë historike për pemën e prejardhjes fisnore, një rrëfenjë e ëmbël për vendlindjen: kështu do ta quaj pa u ndalur sadopak për të formuluar një frazë “më të goditur” testamentin e zemrës së kolegut, shokut dhe mikut tim të vjetër.
Pasi e lexova me një kërshëri të pandalshme, pata ndjesinë e përjetimeve të një romance të largët mbushur me histori dhe ngjarje që rridhnin si ujët e kthjellët të një gurre që zbret nga mali duke
shkumëzuar përjetësisht nëpër gurët e bardhë. “Lum ata që do lexojnë këtë libër”- mendova – dhe një mall i natyrshëm më pështolli të tërin, për gjithçka që kam përjetuar dhe ruajtur në zemër, për njerëzit që më rritën e më edukuan në truallin e të parëve, në vendlindjen time.
Në rininë e largët, kur në shkollë mësonim me zell vjershat e rilindësve tanë të ndritur, fjalën MËMËDHE e mësuam në vargjet e poetit dhe atdhetarit të njohur A. Z. Çajupi ashtu siç gjetëm edhe fjalën ATDHE në
vjershat e Naim Frashërit, Vaso Pashës, Ndre Mjedës etj.
Dikush mund të pyesë: Po çe shtyu Parimin ti hyjë një pune sa delikate aq dhe të vështirë Cilat kanë qenë muzat magjiplote që e ngujuan këte bir plangprishës të Fushëbardhës dhe i kërkuan blatimin e shpirtit për paraardhësit e rrjedhës fisnore, për familjen prindërore, për ata që njohu dhe e njohën gjatë fëminisë dhe rinisë së hershme, për ëndërrat e thurura e të ngurosura përjetësisht në panteonin e
padukshëm të zemrës, për rrënjët e të parëve që shtrihen thellë në historinë shekullore të trevës së jugut, dhe për gjithçka që ky shpirt delikat pa dhe dëgjoi në truallin amëtar ku lindi e u rrit me të gjithë
hiret e paraardhësve të tij.
Përgjigjen e këtij “misteri” po e jap nëpërmjet vargjeve të një elegjie kushtuar Lopësit, vendlindjes sime të dashur, prejardhjes sime fisnore:
Vendlindje e dashur,Mëmëdhé i bekuar / Tek Ty hedh shikimin kur jam i vetmuar / Kur vorbull e jetës më lë pak hapësirë / Vij të të puth dorën si fëmijë i mirë / Aty kam rrënjët futur thellë në dhét / Aty unë rrënjë do bëhem dhe vet
Të paktë janë ata që e kanë shndërruar në laitmotiv të jetës mbushjen e shpirtit të tyre me një dashuri të madhe si kjo që dhurohet nëpërmjet faqeve të këtij libri nga një shok fëminie, nga një mik i jetës,
nga një i afërm i gjakut, nga një vëlla dhe bir i shquar i një fisi të madh e me histori siç është ai i Çarçanëve të Fushbardhës.
E falënderoj nga zemra që më dha mundësinë për të shprehur në këta pak rrjeshta vlerësimin tim të sinqertë për personalitetin e tij i cili, gjatë tri dekadave të marrdhënieve miqësore që kemi mbajtur
ndërmjet nesh, ka reflektuar plotërinë e një njeriu të edukuar e të talentuar i cili asnjëherë nuk e ka vrarë fjalën mes njerëzish por ka ecur përpara me durim, pjekuri, vullnet dhe përkushtim të vazhdueshëm duke lënë gjurmë mbreslënëse në çdo etapë të jetës së tij.