Publikohen letrat e dashurisë mes Henry Miller dhe Anais Nin
Ndër historitë e mëdha të dashurisë në letrat botërore, ajo mes shkrimtarëve Henry Miller dhe Anais Nin është padyshim një ndër historitë që mbart brenda jo vetëm pasionin, por dhe udhëtimin në hapësirat e padukshme të mendjes, mbi laboratorin e krijimit.
Letrat
Orët e gjata me Henrin janë ato më të madhërishmet. Ai bie në një qetësi të thellë, teksa rri mbi punët e tij dhe herë-herë buzëqesh. Ka tek ai diçka prej xhuxhi, prej satiri dhe prej studiuesi gjerman. Në ballë ka gunga të forta, që duket sikur do t’i pëlcasin. Papritur trupi i tij duket i brishtë, i përkulur. Teksa rri aty më duket se ashtu siç i shoh trupin mund t’i shoh edhe mendjen: si labirint, pjellore, të ndjeshme. Adhuroj gjithçka që përmban koka e tij, si dhe impulset që i dalin me shtëllunga. Është shtrirë në shtrat me trupin e harkuar pas shpinës sime, me krahët e hedhur mbi gjoksin tim. Dhe në rrethin e vetmisë sime, e di që kam gjetur një çast dashurie absolute. Madhështia e tij i mbush dhe i shëron plagët, i qetëson dëshirat. E ka zënë gjumi. Sa e dua! Më duket vetja si një lumë që ka dalë nga shtrati….
Anais Nin
Xxx
E vetmja gjë që mund të them është se jam marrosur pas teje. U përpoqa të të shkruaja një letër, por nuk munda. Po pres me padurim të të takoj. E marta është shumë larg. Por jo vetëm e marta. Nuk e di se kur do të vish të flesh një natë tek unë, kur mund të rrimë bashkë për një kohë të gjatë. Torturohem që mund të të kem vetëm për disa orë dhe pastaj më duhet të lë të ikësh. Kur të shoh, të gjitha ato që doja të të thosha, më ikin nga mendja. Koha është kaq e çmuar dhe fjalët kaq të kota. Por ti më bën shumë të lumtur, sepse me ty mund të bisedoj. Dashuroj ndriçimin tënd, përgatitjet e tua për të fluturuar, këmbët e tua si darë, ngrohtësinë midis këmbëve të tua. Dua të të shoh për një kohë të gjatë dhe me zjarr, të ta ngre fustanin, të të përkëdhel, të shoh me imtësi. A e di që nuk të kam parë ende sa duhet? Ka ende shumë shenjtëri në qenien tënde. Nuk di si të ta them se ç’ndiej për ty. Jetoj në pritje të përhershme. Ti vjen dhe koha ikën rrëmbimthi, si në një ëndërr. Vetëm kur ti ikën, filloj dhe e kuptoj plotësisht praninë tënde. Por atëherë është tepër vonë. Ti më mpin. Rrekem të përfytyroj jetën që bën në Luvesienë, por nuk mundem. Libri yt? Edhe ai duket irreal. Vetëm kur ti vjen dhe të shoh me sy, piktura bëhet më e qartë. Por kur ti ikën aq shpejt, nuk e di ç’të mendoj. Po e kuptoj më së miri legjendën e Pushkinit. Të shoh me sytë e mendjes të ulur në atë fron, me xhevahire rreth qafës, me sandale, unaza të mëdha, me thonjtë e lyer, me zërin e çuditshëm prej spanjolleje, duke jetuar njëfarë gënjeshtre, që nuk është tamam gënjeshtër por një përrallë. Po flas paksa i dehur Anais. Them me vete: “Kjo është e para grua me të cilën mund të jem plotësisht i sinqertë”. Më kujtohet kur the: “Mund të ma hedhësh, sepse unë nuk do ta merrja dot vesh”. Kur shëtis përgjatë bulevardeve dhe mendoj për ato fjalë, e kuptoj se nuk ta hedh dot, edhe pse do të doja ta bëja. Dua të të them se nuk mund të jem kurrë besnik në kuptimin absolut, nuk e kam atë aftësi. I dua shumë gratë ose jetën, cilado qoftë, nuk e di. Megjithatë, qesh Anais…Më pëlqen kur të dëgjoj të qeshësh. Je e vetmja grua që ke sensin e gëzimit, një tolerancë të mençur-jo ke më shumë, duket se ti më nxit të të tradhtoj. Dhe për këtë të dua. Pse e bën këtë dashuria ime? Oh, sa e bukur është të duash, e në të njëjtën kohë të jesh i lirë…
Henri Miller
xxx
I dashur, sot jam e pasur, por pasurinë e kam edhe për ty. Nuk e kam vetëm për vete. Tani të gënjej çdo ditë, por duhet ta kuptosh që gëzimet që më dhurojnë t’i jap ty. Sa më shumë marr për vete aq më e madhe është dashuria që ndiej për ty. Sa më shumë gjëra i mohoj vetes, aq më e varfër do të jem edhe për ty i dashur. Nuk do të ketë asnjë tragjedi po të më ndjekësh në këtë ekuacion. Ka ekuacione që janë të qarta. Një i tillë do të ishte: të dua ty dhe si rrjedhojë heq dorë nga bota dhe jeta për ty. Do të kishe përpara një murgeshë të shtrirë përtokë, të helmuar nga pyetje që nuk do t’u përgjigjeshe dot edhe po të vrisnin. Pa shihmë mua sonte. Po kthehemi bashkë në shtëpi. Unë kam provuar kënaqësinë. Po ty nuk të lë jashtë. Eja futu në trupin tim të hapur dhe provoje. Unë mbart jetën. Dhe ti e di. Kur më sheh lakuriq nuk rri dot pa më dëshiruar. Trupi im të duket i pafajshëm dhe i tëri i yti…
Anais Nin
xxx
Të hënën kur Hjuja u nis për në Londër, shkova me nxitim te Henri. Dy net në ekstazë. I kam ende gjurmët e të puthurave të tij, kurse natën e shkuar qe aq i papërmbajtur sa më lëndoi. E ndërprisnim dashurinë për të bërë biseda të zgjatura. Ai është xheloz. Më çoi në Montparnas, por një hungarez simpatik që më rrinte pranë, me paturpësi më bënte shenja. Më pas, Henri tha se donte të më mbante mbyllur me kyç dhe se isha krijuar vetëm për çaste intime. Kur më pas në Montparnas, mendoi se isha shumë e butë dhe e brishtë për të qëndruar mes turmës, donte të më mbronte të më fshihte. Ka menduar shumë ta lërë Xhunë. Me mua ndihet i plotë dhe e di që e kam dashur më shumë se ajo. Natën rrimë shtrirë dhe flasim për këtë gjë, por e di se ai nuk mund dhe nuk duhet të mendojë ta lejë Xhunin, pasionin e tij. Po të isha unë në vendin e tij nuk do të hiqja dorë prej saj. Xhuni dhe unë nuk e përjashtojmë përkundrazi e plotësojmë njëra-tjetrën. Henri ka nevojë për të dyja. Xhuni është ngacmuesja ndërsa unë limani. Me Xhunin ai ka njohur dëshpërimin kurse me mua harmoninë. Ia them të gjitha këto fjalë, ndërsa ai më mban shtrënguar në krahët e tij… Kam zotëruar burrin më të vështirë që mund të zotërohet. Por unë i di caqet e pushtetit tim. E di gjithashtu se për të plotësuar nevojat e burrave duhemi unë dhe Xhuni bashkë… Henri më ka dashur; oh unë jam e dashura e tij. Kam marrë gjithçka që mund të merret prej tij, shtresat më të fshehta të qenies së tij, oh, çfarë fjalësh, çfarë ndjenjash, çfarë vështrimesh, çfarë përkëdheljesh, dhe të gjitha këto bëjnë dritë vetëm për mua…E kam parë të qetësohet prej butësisë sime, të frymëzohet prej dashurisë sime, e kam parë të pasionuar, zotërues, xheloz.
Anais