Fjalori Greqisht-Shqip i Marko Boçarit (1809)
Dorian Koçi
Prania shqiptare në ishujt Jonianë nuk do të mbetet vetëm në rolin ushtarak, ku do të formojnë Regjimentin shqiptar “Gjuajtësit e Orientit” por do të ketë edhe një rol në fillesat e zgjimit kombëtar. Në këtë kohë në Korfuz vërehet një lëvizje arsimore dhe kulturore ndër refugjatët shqiptarë të atjeshëm.
Një prirje e veçantë për kultivimin edhe të gramatologjisë shqipe u vu re në fillimet e shekullit të XIX edhe në arbëreshët(arvanitasit) e ishujve jonikë që sipas studiuesve , u frymëzuan nga jehona e Revolucionit Frëng dhe impaktit të tij në fushën etnokulturore. Kështu u shkruan fjalorë dhe disa punime të thjeshta filologjike, prej të cilave mund të përmendim ato të Kundoriotit, A.Vretos,G.Rucadhit dhe mbi të gjitha fjalorin e mirënjohur Greqisht-Shqip të Marko Boçarit.
Fjalori përbëhet nga 111 faqe, 1 494 fjalë shqipe dhe 1 701 fjalë greke. Origjinali i këtij fjalori gjendet sot në Bibliotekën Kombëtare të Parisit dhe u dhurua në maj të vitit 1819 nga konsulli Pouqueville. Duke studiuar fjalorin e Marko Boçarit, Pouqueville hartoi një fjalor të vogël frëngjisht-shqip, me rreth 440 fjalë dhe origjinali i këtij fjalori gjendet në Paris.